Edhe një herë për Dodonën e Çamërisë
Nga Dr. Prof. Resmi Osmani
Kur publikova opinionin ”Dodona e vërtetë dhe ato të hamendësuara”,e prisja që studjuesi Kujtim Mateli të kthente një përgjigje.E mirkuptoj,është e drejta e tij të mbrojë studimin që i ka kushtuar shumë punë. E ktheu në “Republika”, datë 10.08.2012,me titullin”Dëshmitë e historianëve dhe gjeografëve të lashtësisë e vendosin Dodonën në Dëshnicë të Përmetit” Titulli është sugjestionues dhe e vë lexuesin, ende pa nisur leximin para faktit të kryer. Asnjë historian dhe gjeograf i lashtësisë nuk e vendos Dodonën në Dëshnicë të Përmetit. Ai që e vendos aty është autori në fjalë, pasi bën kontestimet dhe interpretimet e shkrimeve të atyre historianeve dhe gjeografëve. Për të kundërshtuar opinionet e mia,që Dodona e vërtetë është në Çamëri, ai nuk sjell gjë të re, por po ato argumenta që ka sjellë në librin e tij edhe në shkrimet e tjera. Gjithsesi ato nuk më bindin dhe nuk më bëjnë të besoj, që Dodona nuk ka qënë në Çamëri por në Dëshnicë të Përmetit.
Në FESH,botim I Akademisë së Shkencave,2008, në zërin Dodona jepet ky përcaktim: “Qytet dhe qëndër e rëndësishmëe kulti në Epirin antic,18 km. në jugperndim të Janinës. Rrënojat janë rrëzë malit Tomaros. Dodona cilësohet herë si tesprote e herë si molose, për shkak të ndryshimit të kufijve midis këtyre fiseve1…”Ky është përcaktimi zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kur bëhet fjalë për urbanizimin e trojeve ilire, dhe konkretisht të Molosëve dhe Thesprotëve, në librin “Les Yliriens”, Dodona përmendet si qytet së toku me Pasaronin,Ambrakinë,Eurimenin, Kasiopenë,Gumanin e Gitanin etj. Pasaroni dhe Dodona e Eurimeni ishin në periferitë e Janinës së sotme2
Në vijim të opinionit tim, pas shkrimit të mësipërm, do të parashtroj shkurt dhe pa lodhur lexuesin, disa argumenta të cilat Kujtim Mateli nuk i prek ose nuk u jep përgjigje:
Së pari duhet shqyrtuar një fakt kurioz. A bën pjesë krahina e Dëshnicës në Epirin e lashtësisë? Shqyrtimi i dokumentacionit për këtë temë,si kufi të Epirit të vjetër vendos lumin Aos(Vjosa) nën zotrim të Epirit ishin tokat në krahun e majtë të rrjedhjes së Vjosës, ndërsa fiset molose gjendeshin në pjesën e sipërme të rrjedhjes së këtij lumi3 Dëshnica dhe qendra e saj,Këlcyra , gjenden në krahun e djathtë të rrjedhjes së Vjosës, pra nuk kanë qënë nën juridiksonin e Epirit të Vjetër. Në atë territot jetonin fiset e Atintanëve dhemë në jugë Parauejt4,në perndim Bylynët dhe në very Dasaretët. Atëhere,si mund të ishte Dodona jashtë territorit të Epirit dhe zotërimit të Molosëve,kur gjithë historianët e vendosin në Epir dhe e quajnë Moloso-Thesprote? Po të ishte në Dëshnicë duhet ta quanin “Dodona e Atintanisë”! Këto vende u përfshinë në Epirin e Ri, por kjo ngjau në shekullin e III të erës së re. Ky është një fakt shumë domethënës , që bie në kundërshtim me pretendimet e K.Matelit.
Mbreti Pirro i Epirit, i cili e kishte Orakullin e Zeusit të Dodonës në territorin e vet,midis kryeqytetit Pasarone dhe atij të mëvonshëm Ambrakisë(Artës së sotme) bëri aty investime për vetë tempullin,ndërtoi stadium,amfiteatër etj. Këto objekte janë zbuluar e kanë dalë në dritë të diellit si dëshmi e qënies së Dodonës. Në rast se kjo nuk është Dodona historike,atëhere çfarë është?Cili është emri i saj? Po qe se mbreti Pirro do të kishte ndërtuar e investuar në Dëshnicë, a nuk do të kishte mbetur ndonjë gjurmë dhe historianët nuk do të kishin shkruar për të, siç shkruan për Antigonenë , Berenisen (Prevezën) dhe Pyrrikastrën , (Gjirokastrën)5?
Objektet arkeologjoke të gjendura gjat zbulimit arkeologjik të Dodonës, janë të depozituar në muzeun arkeologjik të Janinës dhe atë të Athinës. Në muzeun arkeologjik të Athinë gjendet një pllakë bronzi e shkruar, ku dhuruesit nga Zakintho i bëjnë dhuratë tempullit të Dodonës. Kjo pllakë është gjetur në Dodonë, në Dodonë janë gjetur edhe pllaka plumbi me shkrime dhe objekte të tjera materiale. Janë dëshmi se Dodona historike pellasgjike , ka qënë ajo që është zbuluar nga gërmimet arkeologjike, pranë Janinës,në Çamëri. A mund të mohohen këto gjetje materiale shkrimore?
Po të marrim parasysh shekujt IV-III p. e. r., fusha e Hellopisë,shtrihej në të dy anët e liqenit të Pambotisë, nga lindja dhe perndimi, ishte një fushë e madhe dhe e begatë, (më e madhe se ajo e Dëshnicës) ku mbahej blegtoria dhe mbilleshin drithrat. Kjo ishte Hellopia e vërtetë,një nga hambaret e molosëve dhe Thesprotëve. Dodona ishte më në lartësi, në juglindje të kësaj fushe.Në shkrimin tim,lartësia e malit Tomaro,është dhënë në kompleksin e maleve të Pindit dhe atyre të Çamërisë, Sulit dhe Paramithisë dhe për ta besuar se ai gjat dimrit mbulohet nga bora dhe se Dodona në dimër është e ftohtë dhe jo për ta krahasuar me malet e tjerë të Shqipërisë Jugore.
Krahasimi i të dhënave klimatike,tregon se Dëshnica shtrihet në zonën e klimës mesdhetare dhe se lugina e Vjosës është nën ndikimin e detit që e zbut të ftohtit e dimrit. Dodona e Çamërisë ka klimë më të ashpër e më të ftohtë sesa Dishnica.
Objekt për diskutim dhe interpretim janë edhe shkatërrimet që ka pësuar Dodona dhe ja sepse: Etolo-Akarnania ishte në jug të Epirit, pranë saj kishte qytete të lulëzuara që mund ti grabiste si Pasaroni,Ambrakia, Eurimeni, Berenise, qytetet e Thesprotisë,përfshi dhe Dodonën. A do të kuturisnin etolianët të ndërrmerrnin një ekspeditë luftarake deri në Këlcyrë për të shkatërruar ”Dodonën”, duke kaluar në rajone të rrezikshme malore dhe fise armiqësore ilire të atyre anëve? Gjykoj se jo. Dodonën e hasën me të hyrë në Epir. E njëjta duhet thënë edhe për shkatrrimet e tjera nga trakasit, të cilët hynin nga Maqedonia nëpërmjet grykave të Pindit. Rajoni ku gjendej Dodona dhe Thesprotia ishin rajonet më të zhvilluara e më të pasura të Epirit ku mund të bëhej plaçkë lufte dhe të merreshin skllevër .
Emërvendet të cilat K.Mateli vendos për fushën, lumin dhe malin në Dëshnicë, janë zgjedhje dhe pëlqim i tij. Fusha quhet Hellopia, lumi I Dodonës, ndërsa mali I Trebeshinës, Tomar. Por, ndryshe nga ky përfundim, të tre këto objekte gjenden në Dodonën e Çamërisë,të përshkruara nga historianët e lashtësisë. Ato gjenden aty, kuptohet me emra tashmë të ndryshuar si rrjedhiim i kalimit të mijvjeçarëve.
Vendosja e Dodonës së hamendësuar, Në Këlcyrë, në rrëzë të malit të Trebeshinës, mbi kalanë ilire, është thjesht një supozim i pa dokumentuar dhe pa material arkeologjik. Në dokumentat historike, Këlcyra përmendet në vitin 1272 me emrin Klausura. Rrënojat e kalase ilire datojnë të shekullit IV-III p.e.r.,shumë më të vonshme sesa Dodona dhe nuk shërbejnë si dëshmi, gjithë qytetet ilire kanë qenë të rrethuar me mure. Gjurmët e fortifikimeve më në lartësi të kalasë ilire janë të periudhës së pushtimit osman6 Ndërsa në qytete të tjera të rajonit si në Antigone, Bulys , Nikea(Klos), Orikum, Apoloni, Amantia etj, janë zbuluar rrënojat dhe objekte që vërtetojnë qenien e tyre si qytete ilire, në Këlcyrë, atje ku supozohet se ka qenë Dodona, nuk ka të dhëna apo gjurmë të dukshme , për ekzistencën e një qyteti të lashtësisë, çka bën të dyshimtë gjithësa është thënë nga autori.
Në shkrimin-përgjigje, Kujtim Mateli, konstatimin tim për dëmin që sjell kjo hipotezë në aspektin etnik, dhe që shpie ujë në teorite e qarqeve shoviniste vorioepirote e kundërshton dhe bën të habiturin,(duke më konsideruar mua indirekt nacionalist) duke e motivuar se zbulimet shkencore nuk kanë të bëjnë me politikën. Këtu gabohet, sepse shpesh zbulimet, apo pseudo zbulimet shkencore janë përdorur nga politika dhe jo pa rrjedhime. Unë nuk mund të bëj naivin ,si i paveshë e i pasy ,që të bëj sehirxhiun, të mos shoh e të mos dëgjoj ato që ndodhën në Përmet në varrezat e Kosinës apo në ngritjen e memorialit të ushtarëve grekë në Këlcyrë, apo në Boboshticë të Korçës ku konsulli grek bëri deklarata provokuese shoviniste. Nëse z. Mateli, beson se qarqe të caktuara vorioepirote, nuk kanë për ti përdorur përfundimet e tij studimore, gabohet. Po nuk ndodhi kështu,i gabuari le të jem unë.
Përfundimet që arrin Kujtim Mateli, për vendndodhjen e Dodonës, janë të diskutueshme, ngaqë bëhet fjalë për orakullin më të vjetër të Europës dhe me trashëgiminë shpirtërore Pellasgo-Iliro-Shqiptare. Parë në këtë këndvështrim, ato duhet të bëhen objekt shqyrtimi i Akademisë së Shkencave, (Një oponencë të tillë duhet ta kërkojë vetë autori i studimit) e cila ka potencialin e duhur shkencor e kompetent për vlerësimin e atij studimi dhe përfundimeve të autorit. Me interes për publikun do të ishte që këtij subjekti ti jepesh një hapsirë diskutimi pro e kundra, në një nga mediat vizive.
Me këtë shkrim, diskutimin nga ana ime e quaj të mbyllur. Natyrisht duke ruajtur mendimin tim. Shpresoj që si mendim ndryshe, ti shërbejë autorit si nxitje, jo vetëm për ta kundërshtuar, por për të thelluar studimin e tij dhe për të vazhduar kërkimet e mëtejshme në terren në kërkim të gjetjeve të objekteve materiale , që të vërtetojë përfundimet e studimit të tij.
Bota sot
Krijoni Kontakt