Plaku i urtë Fatos Nano
Prapaskenat e dorëheqjes së kryetarit të PS-së. Si e përjetuan miqtë dhe armiqtë e tij vendimin radikal. Pyetja pa përgjigje: Po sikur të dojë të rikthehet, kush mund ta ndalojë?!
Nga Arbi Haliti
Celulari në tavolinë u drodh dhe lëshoi një zile të shurdhët. Edi Rama e mori aparatin elektronik në dorë dhe diç vështroi në ekranin e tij. "Ai do të ikë", shqiptoi me zë, i lehtësuar. Dy dorë më vonë, kryeministri në detyrë dhe kryetari i PS-së Fatos Nano lajmëroi largimin nga drejtimi i partisë, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, që e nxorri partinë e tij, forcë humbëse. Ai u largua, bëri atë që ia kishin sugjeruar një pjesë e kryesisë së partisë, megjithatë, në arsyet që shoqëruan tekstin e dorëheqjes, nuk u shfaq asnjë shenjë përgjegjësie apo vetëfajësie. Përkundrazi, ai u shfaq i inatosur. Ndoshta duke paralajmëruar rikthimin e tij.
24 orët e dorëheqjes
Në orët e para të mëngjesit të 1 shtatorit, në kafenetë përreth kryeministrisë, figura të njohura të politikës e të medias pëshpërisin rreth lajmit që kanë dëgjuar nga njerëzit e afërt të Nanos. Rreth orës 11, në zyrën e kreut të qeverisë mbërrijnë zv/kryeministri Namik Dokle dhe numri Dy I PS-së, Gramoz Ruçi. Në një kohë rekord arrihet të formulohet teksti i dorëheqjes. Paralel me këtë, në hotel "Rogner" ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko ulet në një tavolinë me ish-presidentin Meidani dhe kryetarin e LSI-së, Meta. "Të të urojmë tani", bëjnë shaka ata me të sapoardhurin. Por, Pandi buzëqesh dhe nuk e fsheh dëshirën dhe ambicjen e tij. Pas disa sekondash, në barin e hotelit mbërrin edhe kryetari I bashkisë së Tiranës. Rama përshëndet Metën, Meidanin dhe ulet në një tavolinë jo fort larg tyre. Ai rrufit i qetë kafenë dhe njëlloj si miqtë e tij të relax-it, mendjen e ka vetëm disa dhjetëra metra më tutje, në selinë e kryeministrisë.
Në orën 13.05 minuta, me një hap të ngadaltë, I veshur shik e me një kollaro bojë rozë, Fatos Nano I drejtohet sallës së mbipopulluar të konferencave, vetëm një kat poshtë zyrës së tij të punës. Flet 15 minuta nën vështrimin e disa përfaqësuesve të medias, një pjesë e të cilëve e kanë shtyrë drejt atij podiumi. Ruçi dhe Dokle janë ulur në rreshtin e parë dhe dëgjojnë me qetësi të shtirur tekstin mbi të cilin vetë kanë punuar deri pak momente më parë. Kur Nano pushon së foluri, të gjithë sikur zgjohen: ndihmësit e kryeministrit ulin kokën, reporterët nxitojnë të bëjnë ndonjë pyetje, ndërsa VIP-ët e medias i japin dorën njëri-tjetrin duke buzëqeshur triumfalisht. Ata e gjejnë veten mes atyre rreshtave që lexoi Nano dhe kjo nuk është pak apo jo?!
"Kam ndjekur me vëmendjen e duhur çdo vlerësim kritik të kolegëve apo kundërshtarëve të mi politikë dhe të analistëve gjithfarësh. Ajo që me rezulton nga bashkimi i shumë zërave në një front alibik të papërgjegjshmërisë dhe amoralitetit politik është mungesa e analizave realiste dhe objektive për deformimin dhe manipulimet e zgjedhjeve parlamentare 2005, dhe sidomos mungesa e përsëritur e mirënjohjes për sherbimin e ndershëm dhe përkushtimin e sakrificat e mia në jetën politike dhe shoqërore shqiptare gjatë 15 viteve të fundit", pohon kryetari i PS-së në fjalimin e tij. Ai thotë se numri i akuzuesve brenda dhe jashtë PS-së rezulton në përpjestim të drejtë me numrin e kandidatëve dhe titullarëve të tjerë që kanë humbur zonat elektorale për paaftësi e mungese kredibiliteti politik, moral e personal, si edhe me numrin e drejtuesve dhe mbrojtësve fanatikë të PD-së.
Por ndërkaq, Nano duke iu drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kundërshtarëve të tij brenda PS-së shpreh keqardhjen dhe ndërgjegjësimin "se ka ende një numër përfaqësuesish të korruptuar në PS dhe në politikën shqiptare që abuzojnë me besimin dhe imunitetin politik". Në fakt, Nano flet për korrupsion brenda socialistëve, por nuk e rendit këtë fenomen si një nga shkaqet kryesore të humbjes elektorale. Ai pohon jo pa mburrje, se ka respektuar standardet ndërkombëtare për zgjedhjet e 3 korrikut, por paralel me këtë, akuzon opozitën për manipulim zgjedhjesh. Realisht, ai i dha përgjigje një pyetjeje të madhe, por ngriti pikëpyetje të tjera mbi arsyet e vërteta të largimit nga drejtimi i PS-së.
Kryesia pa kryetar
Në mesditën e 1 shtatorit, Gramoz Ruçi i dërgon një mesazh sms të gjithë anëtarëve të kryesisë së PS-së me tekst: Në orën 6, mbledhje në seli. Pak momente pasi akrepat e orës formojnë një drejtëz perfekte vertikale, drejtuesit kryesorë të socialistëve ngjisin shkallët e selisë së partisë, për në katin e dytë. Aty është Pandeli Majko, ministri i Mbrojtjes, kontaktet e të cilit me Nanon, janë intensifikuar kohët e fundit. Aty është edhe Arben Malaj, ministri i Financave, deri në fund i pabindur për vendimin radikal të kryetarit të PS-së. Janë dhe të tjerët, Arta Dade, Luan Rama e Et'hem Ruka, të cilët mezi e kanë pritur këtë moment.
Sipas sugjerimit të Kastriot Islamit, drejtuesi i mbledhjes artikulon propozimin: Nano të jetë kryetar nderi. Kjo të sanksionohet me statut. Shumica miraton me kokë, ndërsa Makbule Çeço heziton. Ajo pyet veten: A e ka dhënë lejen kryetari për këtë? Apo po i bëjnë puçin këta, që të mos rikandidojë? Njeriu që ka afër, Petro Koçi përkulet pak drejt saj, dhe i thotë në vesh: Eshtë në rregull. Atëherë kryesia e PS-së vendos në unanimitet t'i propozojë Kongresit të Jashtëzakonshëm zgjedhor, vendimin që Fatos Thanas Nano të jetë de jure patriarku i PS-së, kryetari i nderit, apo më thjesht plaku i urtë, Fatos Nano.
DUKE LEXUAR TEKSTIN E DORËHEQJES
Aty ku nënkuptohet rikandidimi...
"Edhe në të ardhmen do të jem në krah të të gjithë militantëve të progresit, të kolegëve e simpatizantëve të mi të shumtë, si dhe të të gjithë faktorëve të tjerë që do vazhdojnë betejat për shfaktorizimin e dhunës si faktor pushteti dhe të korrupsionit si element pasurimi e karriere të paligjshme. Themelore tani është organizimi i veprimit politik të opozitës për të mbrojtur dhe garantuar të ardhmen e të gjithë shqiptarëve në Europë. Ky do të jetë dhe angazhimi im jetik në të ardhmen"
...dhe aty ku duket dorëzimi
"Si themelues, drejtues dhe përfaqësues i PSSH-së dhe i kontributeve të pashlyeshme të saj në jetën e vendit gjatë 15 viteve të fundit, mbetem i përkushtuar dhe i gatshëm për të këshilluar, asistuar dhe mbështetur alternativën dhe njerëzit që do të sigurojnë vazhdimin e reformave europianizuese në PSSH dhe në Shqipëri, si dhe pastrimin e politikës nga të gjithë ata që abuzojnë me besimin e zgjedhësve"
Press-ABC
Shtator 2005
Krijoni Kontakt