TADIC: KJO ËSHTË TOKA JONË !!!
(E plotësuar) Presidenti Boris Tadiq deklaron se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe se dënon dhunën, sipas tij, të regjistruar një ditë më parë.
"Kjo është toka jonë, Gëzuar Krishtlindjen!", uroi Tadiq, duke lëshuar kështu një tjetër deklaratë të fortë nga territori i Kosovës së pavarur, transmeton Indeksonline.
Një ditë më parë Tadiç pas shumë vështirësish arriti të futet në territorin e Kosovës. Rruga e tij për në Manastirin e Deçanit u pengua disa herë megjithatë ai arriti në Deçan nëpërmjet rrugës tokësore rreth orës 18:00.
Eskorta e tij u sulmua nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të Deçanit, të cilët gjatë gjithë ditës protestuan kundër kësaj vizite.
Disa gurë u hodhën në makinat e EULEX-it të cilat po e shoqëronin delegacionin serb, edhe pse turma tashmë ishte izoluar nga njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Forca të mëdha të sigurisë, si nga Policia e Kosovës po ashtu nga ato të EULEX-it e KFOR-it u shtrinë në Deçan duke ofruar kështu një siguri të nivelit të lartë.
Serbët festojnë me të shtëna armësh
Me të shtëna armësh pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, mbrëmë rreth mesnate grupe serbësh kanë shënuar solemnisht lindjen e Krishtit sipas religjionit ortodoks.
Këto të shtëna me armë zjarri, të cilat kanë shqetësuar banorët shqiptarë që jetojnë në atë pjesë të qytetit, janë dëgjuar vazhdimisht deri në orët e mëngjesit. Situatë e ngjashme ka mbretëruar edhe në komunat tjera veriore të Kosovës të banuara me serbë.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se në të gjitha kishat ortodokse në veri të vendit, sot në mëngjes janë mbajtur liturgji solemne për nder të Krishtlindjeve ortodokse, ndërsa ceremonia kryesore është organizuar në kishën e re “Shën Dimitrije” në veri të Mitrovicës, ku kanë marrë pjesë qindra serbë.
Ndryshe, serbët në mënyrë të organizuar kanë vizituar sot edhe kishën “Shën Sava” dhe varrezat ortodokse që ndodhen në jug të qytetit, ndërkohë që nuk është shënuar ndonjë incident.
Të shtënat me armë zjarri gjatë natës i ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti. Sipas tij, këto të shtëna që tashmë janë bërë pothuajse tradicionale në format festive, janë përcjellur me shqetësime të qytetarëve, dhe siç u shpreh ai, nuk mund të karakterizohen si incidente përderisa nuk janë orientuar ndaj një objekti të caktuar.
Tadic bën politikë nga Manastiri i Deçanit
Në Natën e Krishtlindjeve Ortodokse, presidenti serb Boris Tadiq ka bërë be se kurrë nuk do t’i largojë institucionet paralele të Serbisë në Kosovë.
“Ne nuk do të pranojmë të largojmë institucionet tona. Kjo është e pamundur. Nëse do të bënimkëtë do të pranonim që në plan afatgjatë të kishte zhvendosje të serbëve nga Kosova dhe në të njëjtën kohë do të thoshte se serbët nuk do të kishin as shkolla, as shërbim shëndetësor e social si dhe të tjera nevoja shoqërore”, ka thënë Tadiq nga Deçani për TV Mostin e Zveçanit, transmeton Indekonline.
Sipas tij, shumë shtete të fuqishme, anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së po bëjnë presion në Serbinë që të heq institucionet nga Kosova, porse kjo nuk do të ndodhë.
Trazirat e Tadicit
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic nga Manastiri i Deçanit dërgoi mesazhe paqeje për shqiptarët dhe serbët. Por vizita e tij hallakati Kosovën. Qindra qytetarë organizuan protesta dhe hodhën gurë mbi eskortën e kreut shtetëror serb. Kundër kësaj vizite doli edhe Vetëvendosja, pjesëtarë të së cilës u arrestuan nga policia.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka realizuar planin e tij për të festuar Krishtlindjet Ortodokse në Kosovë duke arritur në Manastirin e Deçanit të premten, në orët e mbrëmjes.
Por kreu i shtetit serb ka përshkuar me vështirësi territorin e Kosovës pasi qysh në pikëkalimin e Merdarit ka pasur tentime për të pamundësuar kalimin e tij.
Pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje vetëm pak minuta pasi ka hyrë në brendi të shtetit që nuk e njeh, saktësisht në fshatin Lupç, kanë bërë përpjekje që ta ndalin “karvanin” e veturave që e kanë përcjellë Presidentin Tadic.
Me këtë rast, 6 pjesëtarë të këtij subjekti janë arrestuar për t’u liruar më vonë.
“Policia e Kosovës në magjistralen Prishtinë-Podujevë, saktësisht në lokacionin te fshati Lupç, ka ndaluar një automjet kombi në të cilin kanë qenë 6 persona, të cilët në bagazhin e tyre bartnin 30 goma të vjetra. Policia po ashtu në afërsi të atij lokacioni ka ndaluar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë qenë në një automjete tjetër, që do të thotë në total 8 persona dhe të njëjtit i ka shoqërua për verifikim, pas verifikimit që të gjithë janë liruar. Disa kanë qenë aktivistë të Vetëvendosjes, ndërsa disa jo”, ka thënë një zëdhënësi i Policisë.
E kur veturat kanë arritur në Deçan, eskorta e Tadicit është qëlluar edhe me gurë, derisa në autobusët që kanë sjellë serbë nga Serbia është shkruar edhe akronimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta të ngjashme janë organizuar edhe në qytetin e Pejës. E nga kjo ka mbetur i bllokuar Ambasadori rus në Beograd, Aleksander Konuzin, i cili nuk ka mundur të shkojë në Manastirin e Deçanit, por ka vazhduar në Patrikanën e Pejës.
Për sigurinë e Presidentit të Serbisë janë kujdesur KFOR’i dhe EULEX’i, por Policia e Kosovës është kujdesur për protestat.
Për të mbajtur rendin, ajo ka përdorur edhe “spray: kundër protestuesve të cilët kanë kërkuar që Tadic të largohet nga Kosova.
Ata Presidentin e Serbisë e kanë krahasuar me Slobodan Milosevicin.
"Ju lutem që të gjithë qytetarëve që gjithmonë të protestojmë kundër armikut tonë të përbetuar, ai nuk e njeh Kosovën, e shteti jonë me leju me hy këtu, është e paarsyeshme", është shprehur njëri nga protestuesit.
Në bazë të mediave serbe, të cilat kanë sjellë deklarata të Presidentit Tadic nga Manastiri i Deçanit, duket se kreu i shtetit serb megjithatë është përmbajtur nga deklaratat politike.
“Dua ta porosis popullin tonë kudo që ndodhet, që të jetojë në paqe dhe kjo është e tëra që na duhet në këto kohë”, ka thënë Tadic.
“Erdha të tregoj edhe në Patriarkanën e Pjesë, edhe në Deçan, edhe në Prizren, edhe në Zoqishtë se mendojmë për të gjithë në Kosovë dhe Metohi, në rrethana shumë të vështira dhe komplekse dhe për këtë asnjë përpjekje e jona nuk është e vështirë që të jemi këtu me njerëzit tanë dhe popullin tonë”, ka shtuar ai.
Kreu i shtetit serb ka vazhduar të flasë për paqen.
“Ua drejtoj porosinë e paqes edhe njerëzve të feve të tjera, duke dashur që të lidhemi, duke mos hequr dorë nga identiteti ynë nga vlerat, nga kisha dhe besimi, duke besuar në paqe. Kjo është porosia ime në prag të Krishtlindjeve”, ka thënë ai.
Presidenti i Serbisë ka ardhur në Kosovë duke kërkuar leje në Zyrën e BE’së në Beograd, e cila është përcjellë në Zyrën e BE’së në Kosovë, e cila ia ka drejtuar Qeverisë së Kosovës.
Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se kanë pranuar që ta lejojnë vizitën e Tadicit për shkak të festës, por kanë deklaruar se kanë garanci ndërkombëtare që ai nuk do të bëjë deklarata politike.
Por Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka shfaqur dyshime nëse Tadic do ti përmbahet zotimit.
Sido që të jetë, një ditë para se të vijë në Kosovë, Tadic është kujdesur që ta thotë atë çfarë ka dashur.
Në një intervistë për mediat serbe, ai ka thënë se në javët në vijim do të kërkojë nga shtetet më të fuqishme të botës përkrahje për një plan me të cilën do të zgjidhej situata në Veri, çështja e trashëgimisë kulturore si dhe siç ka thënë ai mbrojtja e pasurisë dhe garanci për sigurinë e serbëve në enklava.
Tadic ka thënë se ky plan nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës, derisa ka përmendur se zgjidhja mund të jetë duke u bazuar në modele si dy Gjermanitë, Tiroli Jugor dhe Ishujt Aland.
Tadic ka thënë se pavarësisht që zyrtarë ndërkombëtarë deklarojnë se me shpalljen e pavarësisë është zgjidhur çështja e Kosovës, sipas tij, mund të gjendet një zgjidhje pa humbës përfundimtarë.
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,13,71038
Krijoni Kontakt