-
Mustafa: LDK-ja mund të qeverisë shumë më mirë
Mustafa: LDK-ja mund të qeverisë shumë më mirë
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka dije, ka fuqi, ka përkrahje dhe mund të bëhet punë shumë e madhe duke ngrit institucionet tona dhe duke qeverisë shumë më mirë se sa qeveriset sot, por gjithashtu duke ia ofruar këtij vendi perspektivën që e meriton”, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjatë shënimit të 22 vjetorit të themelimit të LDK-së në Vushtrri.
I pari i LDK-së, Isa Mustafa para dhjetëra të pranishmëve ka thënë se, si parti më e vjetër në Kosovë, gjenden para sfidave shumë të rëndësishme, pasi që me kontributin e LDK-së dhe presidentit Ibrahim Rugova është arritur liria dhe pavarësia, por tash mbetet që edhe më tutje të ndërtohet liria, në familje, në biznes e në rrugë.
“Lidhja Demokratike ka dije, ka fuqi, ka përkrahje. Kjo është fuqia juaj këtu dhe fuqia e Lidhjes Demokratike në të gjitha degët tona në Kosovë dhe vlerësojë se mund të bëjnë punë shumë të madhe duke ngrit institucionet tona dhe duke qeverisë shumë më mirë se sa qeveriset sot dhe duke iu ofruar këtij vendi perspektivë që ky vend e meriton“, ka thënë Mustafa.
Ai po ashtu, para të pranishmëve, ka thënë se Kosova ka pavarësinë në tërë territorin e saj, ka pavarësinë në kufijtë e saj, të cilët janë të njohur ndërkombëtarësh nga shtetet më të mëdha të botës, me të cilat kemi nevojë të kultivojmë marrëdhënie të mira, duke mos harruar as shtetet fqinje.
Në të njëjtin shënim, kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Hysni Gerguri ka thënë se u bënë 22 vite që kur në qendrën “Hasan Prishtina”, në kushtet e tensionimit ndëretnik dhe të atmosferës mobilizuesve për mbijetesë kombëtare u mblodhën intelektualë, atdhetarë, ithtarë të çlirimit kombëtar për ta themeluar degën e LDK-së në Vushtrri.
Sipas tij, kjo lëvizje shumë shpejt u bë simbol i rezistencës lokale ndaj shtypjes, represionit dhe përpjekjeve institucionale për zhbërjen e qenies tonë. Kurse, pas luftës LDK-ja në Vushtrri, mblodhi njerëz me vlera.
Ajo nuk ndali përpjekjet dhe as nuk do t’i ndal për ta ndalur abuzimin dhe keqpërdorimin e parasë së taksapaguesve dhe as tjetërsimin e pronës komunale në dobi të militantëve të PDK-së.
“Vushtrria si qytet i lashtë vërtet meriton një qeverisje të vlerave qytetare. Vushtrria ka nevojë për një qeverisje të pastër lokale, ku kryetari zgjidhet nga vota e qytetarëve dhe manifeston vullnetin e qytetarëve të Vushtrrisë dhe assesi të manifestojë interesa personale e grupore të një qendre regjionale, të sundimit mbi ligjin dhe dinjitetin e qytetarëve. Falë Zotit, Vushtrria ka alternativen e vlerave të mirëfillta qytetare, ka LDK-në e cila do të garantojë qeverisje të mirë dhe të ndershme”, ka thënë Gerguri.
Pas këtyre fjalimeve, zyrtarë dhe aktivistë të degës së LDK-së, liderin e tyre, Isa Mustafën e kanë quajtur si kryetar të ardhshëm të Kosovës. Ndryshe, shënimi i 22 vjetorit të themelimit të degës së LDK-së në Vushtrri është përmbyllur me një koktej rasti.
/kosovapress/
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt