Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968

    Çështja shqiptare në kontekstin e Luftës së Parë Ballkanike

    Sukseset e përgjithshme të kryengritjes shqiptare dhe ngjarjet e frontit të Tripolit kishin treguar qartë dobësinë e Perandorisë Osmane dhe paaftësinë e saj ushtarake.

    Pansllavizmi rus me vërshimin e tij në Ballkan dëshironte ta kishte primatin në këtë pjesë të botës. Për ta bërë Gadishullin Ballkanik sllavo-ortodoks si pengesë kryesore konsideroheshin shqiptarët, kështu që për ta zhdukur këtë faktor të rëndësishëm në Ballkan gjithnjë e mbanin në shënjestër. Mënyrat dhe metodat e ndërhyrjeve antishqiptare të shteteve fqinje në fillim ishin të fshehta, mirëpo me kalimin e kohës ato i shprehën në çdo kohë krize. Në këtë pikëvështrim, shqiptarët u gjendën ballë një rreziku të ri, tani edhe më të madh, kur nga monarkitë ballkanike shikoheshin si mjet lufte dhe si pre e lehtë për t`i realizuar synimet e tyre pushtuese në territoret e banuara kryesisht me shqiptarë.

    Lidhja Ballkanike e cila do të niste konfliktin që synonte në përzënien e Perandorisë Osmane nga Evropa, u formuan nën shtytjen fillestare të Rusisë. Në tetor 1909, mes Italisë dhe Rusisë u bë marrëveshje në Rakonixhi që kuptohet se këto dy fuqi të bashkëveprojnë në çështjet e Ballkanit. Më 1911, Italia nisi një luftë kundër Perandorisë Osmane për të marrë Tripolin. Ajo pushtoi Tripolitaninë dhe ishujt Dodekanezë në Egje. Gjithashtu u afrua Anglia me Rusinë sepse ishin të gatshme të drejtoheshin si kundër Gjermanisë ashtu edhe Perandorisë Osmane, e cila anonte nga Aleanca e bllokut qendror. Heqja dorë nga reformat në Maqedoni, kurse politika e statukuosë qëndronte shumë kohë, ndërsa pas Kongresit të Berlinit e humbi aktualitetin e saj. Vetëm Gjermania ishte për ruajtjen e tërësisë dhe të pandashmërisë së Perandorisë Osmane por kjo e fundit gjithnjë e më shumë izolohej në rrafshin ndërkombëtar.

    Shkaktarë të luftërave ballkanike ishin edhe interesat e Fuqive të Mëdha e veçanërisht nga kontradiktat midis Aleancës Trepalëshe dhe Antantës Trepalëshe. Rusisë ju dha çasti i revanshit, pa u përplasur direkt me Fuqitë e Aleancës Trepalëshe, pikërisht nën Shën Petersburgun, shtetet ballkanike filluan të afroheshin midis tyre dhe lidhën aleancë për të arritur në ndarjen e trashëgimisë osmane në Evropë.

    Lufta italo-turke ishte një nxitje për të gjithë trashëgimtarët e mundshëm dhe, si rrjedhim, në pranverë të vitit 1912 këto plane u konkretizuan . Këtë gjendje të krijuar në Ballkan mund ta shfrytëzonte Austro – Hungaria për ta pushtuar Sanxhakun e Pazarit të Ri, ndërsa lëvizjet çlirimtare në Shqipëri dhe Maqedoni mund të shpinin në autonominë e këtyre vendeve, që ishte në kundërshtim me planet ekspansioniste serbe, malazeze, bullgare e greke.

    Duke parë dobësimin e Portës së Lartë dhe për të vënë në lëvizje programet e tyre hegjemoniste sllave të drejtuara nga Rusia filluan të largojnë dallimet mes tyre duke krijuar një aleancë të shteteve sllave, por qëllimi i tyre ishte zgjerimi i shteteve sllave dhe influenca e Fuqive të Mëdha e respektivisht të Rusisë që ndikonin direkt në marrëdhëniet ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha. Bullgaria dëshironte që të krijohet një Maqedoni autonome që më vonë të bashkohej vullnetarisht me të ose të aneksohet nga vetë Bullgaria. Këtë e kundërshtonte Serbia.

    Bisedimet për formimin e aleancës kishin filluar qysh në tetor të vitit 1911 nga kryeministri bullgar Geshov dhe ai serb Milovanoviç . Më 13 mars 1912 u nënshkrua aleanca mbi mbrojtjen e përbashkët. Ranë në ujdi se të dy fuqitë do të ndërmarrin veprime të përbashkëta kundër çdo shteti që kërcënonte t`i merrte tokat osmane. Thelbi i këtij traktati ishte shtojca sekrete në të cilën qenë bërë rregullime konkrete për ndarjen e Maqedonisë. Si pika kryesore janë ndarjet e rajoneve, tokat në veri të maleve të Sharrit do t’i takonin Serbisë, kurse ato në lindje të lumit Strumë dhe maleve Rodope do të jenë të Bullgarisë. Në rast se dy aleatët nuk do të binin në një mendje për këtë, vendosja e territorit të diskutuar, pra zona midis maleve Sharr në veri dhe vijës Kriva Palanka – Velesh – Ohër në jug do të rregullohej me ndërhyrjen e carit të Rusisë, vendimet e të cilit dy palët premtuan t`i pranojnë.

    Serbia përpiqej të afrohej me Greqinë, ndërsa kontaktet kishin filluar shumë më herët që nga fundi i shek XIX. Gjatë vitit 1912 midis tyre ishin vendosur tashmë marrëdhëniet prej aleatësh, kurse marrëveshja u arrit në shtator 1912. Këto marrëdhënie ishin ndërtuar në pikëpamje të përbashkëta për vendosjen e kufijve të përbashkët në vijën nga liqeni i Ohrit drejt Adriatikut. Bullgaria, gjithashtu, bisedoi për një aleancë e cila arriti të nënshkruhet më 29 maj 1912, ku sipas këtij traktati zotoheshin se do ta mbrojnë njëri tjetrin në raste sulmi prej fuqisë së tretë. Edhe Mali i Zi, iu bashkëngjitë marrëveshjes mes shteteve aleate në shtator të vitit 1912 për aksionin e përbashkët kundër Perandorisë Osmane. Në këtë rast, Malit të Zi iu njiheshin të gjitha tokat e pushtuara.

    Në rrafshin ndërkombëtar Rusia i nxiti shtetet sllave përpara se t’i frenonte, Austro – Hungaria ballafaqohej me konfliktet e kombësive të saj, kurse Anglia qëndronte në pritje, gati të ndërhynte për të gjetur zgjidhje diplomatike.

    Shqetësimi i shteteve ballkanike u shtua shumë pas çlirimit të një varg qytetesh të mëdha në Vilajetin e Kosovës dhe vlimit edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, meqë një sukses i tyre i plotë do t`i hidhte në erë planet e fshehta të Aleancës famëkeqe Ballkanike, të lidhura fillimisht më 13 mars 1912 ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë, e pastaj gjatë pranverës dhe verës së po atij viti edhe ndërmjet Greqisë e Malit të Zi dhe të gjithave së bashku. Për shumë vite të katër shtetet ballkanike u grindën, por në fund u dakorduan.

    Veprimet për krijimin e një Aleance Ballkanike, si instrument për luftë kundër Perandorisë Osmane, u ndoqën me vëmendje nga shtetet e mëdha, të bashkuara tashmë në dy blloqe, të Antantës dhe Trepalëshe. Ballkani ishte nyjë me rëndësi strategjike ku ballafaqoheshin interesat e kundërt të shteteve të të dyja blloqeve, veçanërisht të Rusisë që bënte pjesë në Antantë dhe të Austro Hungarisë që bënte pjesë në Lidhjen Trepalëshe. Shtetet e Bllokut të Qendrës ishin kundër krijimit të aleancës së shteteve ballkanike dhe përpiqeshin ta pengonin afrimin e tyre. Ato ishin kundër daljes në det të shteteve sllave e të sllavizmit në përgjithësi, çka do të shënonte rritjen e ndikimit rus në Ballkan. Rusia si mbështetëse e shteteve sllave të jugut dëshironte që përmes aleancës ta dëboj Turqinë nga Evropa duke dobësuar Gjermaninë dhe krijimin e barrierave në depërtimet Austro – Gjermane në Lindje, kurse Rusia ishte e interesuar veçanërisht të dominonte drejt Ballkanit Lindor e Qendror dhe përmes saj të realizoj ëndrrën e saj të përhershme për zotërimin e ngushticave të Bosforit e të Dardaneleve. Megjithatë, shtetet anëtare të dy blloqeve edhe pse kishin shumë kontradikta, prapë bashkoheshin në një pikë, ishin të vendosur të ruanin statuskuonë në Ballkan e Perandori Osmane, sepse e quanin të parakohshme shpërthimin e një konflikti në Ballkan, i cili mund të shtrihej edhe më gjerë në Evropë, pra frikësoheshin se këto luftëra do të marrin përmasa evropiane.

    Diplomacia ruse gjatë kësaj kohe zhvilloi një aktivitet shumë të ngjeshur. Ajo, si çështje jetike e kishte përfitimin e Anglisë dhe të Francës në favor të eksponentëve të vet ballkanikë. Rusia ishte e vetëdijshme se duke i ndihmuar këta e ndihmonte edhe veten për qëllime hegjemoniste në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë. Për këtë ajo haptas fliste: “Në radhë të parë, në Ballkan janë interesat tona, interesat e Serbisë, të Malit të Zi, të Bullgarisë dhe të Greqisë”. Tashmë paralajmërohej furtuna ballkanike, meqenëse monarkitë fqinje diplomacinë e tyre e kishin harmonizuar me atë ruse. Aleancë Ballkanike pa Shqipërinë dhe kundër saj me të gjitha mjetet.

    Duke parë rrezikun nga konflikti dhe që dukej i pashmangshëm, më 8 tetor 1912 Rusia dhe Austro – Hungaria, dy kundërshtarët, bashkëpunuan për të paralajmëruar vendet e Ballkanit në emër të Fuqive të Mëdha se modifikime në integritetin territorial të Perandorisë Osmane nuk do të njihen, por atë ditë Mali i Zi filloi luftën me të cilin do të bashkoheshin me entuziazëm aleatët dhe kështu me 17 tetor i shpalli luftë Serbia dhe një ditë më vonë edhe Greqia në emër të Enosis me Kretën. Në një situatë të tillë, kur u shpërndanë kryengritësit shqiptarë dhe kur Porta e Lartë ishte dobësuar ushtarakisht nga lufta me Italinë, nga ajo në Jemen dhe nga lëvizjet dhe kryengritjet e njëpasnjëshme shqiptare 1908-1912. Së pari, Perandorisë Osmane i shpalli luftë Mali i Zi më 8 tetor, Serbia e Bullgaria më 17, ndërsa Greqia më 18 tetor 1912. Ballkanin e përfshiu flaka e luftës. Mendohej se shkaku kryesor i shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike ishte çështja shqiptare, që pritej të zgjidhej atëkohë. Zgjidhja e drejtë e kësaj çështjeje nuk i pëlqente asnjërit shtet përreth territoreve shqiptare. Për propagandë minuese e subversive ishin aktivizuar me dekada të katër shtetet ballkanike dhe disa nga Fuqitë e Mëdha me Rusinë në krye. Kështu, krahas sukseseve të Aleancës Ballkanike po zhvillohej edhe tragjedia e Shqipërisë.

    Brenda 10-15 ditësh, qëndrimi rreth hartës ballkanike ndryshoi rrënjësisht. Nuk flitej më për status quo-në, por për faktin e ri. Lufta e Parë Ballkanike “i dha goditje vdekjeprurëse idesë së realizimit të Shqipërisë së vërtetë”. Në fund të verës 1912 filluan shpërthimet e luftës, ndërsa si pretekst në marrëveshje mes shteteve ishte marrë kryerja e reformave të Stambollit në Turqinë evropiane. Ato pasi shpallën mobilizimin më 30 shtator 1912 i dërguan ultimatum Perandorisë Osmane që përmbante kërkesa të papranueshme me qëllim që shpërthimi i luftës të ishte i pashmangshëm.

    Me fillimin e luftës shtetet Ballkanike që përbënin Aleancën Ballkanike i kishin të ndara fushat e veprimeve luftarake, ku secili shtet aleat veproi në territoret osmane që kishte afër: Bullgaria në luginën e Maricës, Greqia në luginën e Vardarit të poshtëm dhe në Epir, Mali i Zi në Shqipërinë e Veriut, Serbia në luginën e Moravës e të Vardarit të sipërm. Rëndësia e luftës përqendrohet mbi bullgarët të cilët vepruan në zemër të Perandorisë Osmane dhe kërcënuan edhe Konstandinopojën.

    Iniciativën për një veprim të organizuar politik që do ta nxirrte Shqipërinë nga situata e ndërlikuar, që e shkaktoi kjo luftë, e morën shoqëria më e përparuar patriotike e Shqipërisë “Shoqëria e zezë për shpëtim” dhe komiteti “Shpëtimi”, të krijuara në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, në Shkup. Ato ishin të parat që e nuhatën situatën dramatike. Mbledhja u mbajt në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka në Shkup, më 14 tetor 1912, nën kryesinë e Nexhip Dragës. Aty u konkludua drejt se Porta e Lartë, e sulmuar nga të gjitha anët, nga toka dhe deti me rreth 700.000 ushtarë, ka për të humbur luftën. U vendos që të njoftohen Fuqitë e Mëdha për qëndrimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo deklaroi: “Shqipnia i ka kapë armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë ndër Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajetet veçse nji formë politike e nji formë sundimi”. Nuk ka pozicionim më të drejtë ndaj Luftës së Parë Ballkanike sesa ai që morën ideologët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shkup. Edhe ideologu më i njohur, Ismail Qemali, atëkohë deklaroi: “Nga pikëpamja e shpëtimit të Shqipërisë, çfarëdo kombinimi politik mund të merrej me mend, por jo një bashkim me shtetet ballkanike”.

    Lufta e Parë Ballkanike u nda në dy faza: faza e parë përfshinë fillimin e luftës më 16 tetor 1912 deri më 3 shkurt 1913 që përfundon me largimin e Turqisë nga Konferenca e paqes në Londër kurse faza e dytë fillon me fillimin e Konferencës në Londër me 17 shkurt 1913 deri në përfundimin e saj më 16 prill 1913.

    Fazat pushtuese të shteteve ballkanike fillojnë më 17 tetor 1912, e cila përfundon me 24 tetor 1912 me pushtimin e Shkupit, kurse faza e dytë e luftës ishte pushtimi i territoreve të tjera shqiptare siç ishte pjesa perëndimore e vilajeteve të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.

    Duke parë se ushtria osmane, e dërrmuar nga luftërat, nuk do të organizonte ndonjë qëndresë serioze kundër ushtrive sllavo-greke, barra u ra vullnetarëve shqiptarë, të cilët e kishin ende sunduesin shekullor mbi kokë, u orientuan kundër armiqve shekullorë e të pabesë, fqinjëve përreth, por pa një organizim të mirëfilltë. Megjithatë, rezistenca më të mëdha iu bënë ushtrive të Alenacës famëkeqe Ballkanike në luftën e Shkodrës, të Merdares, të Janinës, të Kumanovës dhe të Lumës. Pra, Lufta e Parë Ballkanike nuk lejoi zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, si çështje më e vështirë në Ballkan dhe më gjerë. Ajo luftë e solli në kufirin e ekzistencës kombin shqiptar. Ajo përbënte rrezikun më të madh që të zhdukej si komb nga katër monarkitë fqinje.

    Ushtritë ballkanike shpejt shpartalluan ato osmane. Ushtria bullgare pasi theu ushtrinë osmane, të përqendruar në Trakinë Lindore, iu drejtua Adrianopojës e cila shumë shpejt u paraqit vetëm 50 kilometra larg Stambollit, duke pushtuar edhe Edrenenë. Ushtritë e Malit të Zi nga dy anët të drejtuara e sulmuan Shkodrën. Serbët nga 15 tetori depërtuan në Vranjë, e më 18 tetor në drejtim të Nishit – Manastirit – Elbasanit e pastaj Nish – Manastir – Selanik dhe Kurshumli – Prizren – Durrës. Më 26 tetor u pushtua Shkupi, 30 tetor u pushtua Prizreni kurse në vitin 1912 ushtritë serbo – malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arriti në jug deri në luginën e Shkumbinit në vijën Durrës – Kavajë – Peqin – Elbasan – Pogradec – Strugë. Greqia pasi theu ushtritë osmane në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë ishullin Sazan dhe zbarkoi në Himarë.

    Edhe pse shtetet ballkanike iu vërsulën trojeve shqiptare, shqiptarët nuk rrinin duarkryq, por futën në lëvizje atdhetarët për kërkim të autonomisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Për shkak të sukseseve të shteteve ballkanike në beteja u hap mundësia që Porta e Lartë t’i humbte tokat në pjesën evropiane. Si rrjedhojë e ndryshimit të ekuilibrit të forcave dhe rrezikut që paraqitej, tani objektivi i krerëve shqiptarë nga autonomia kaloi në pavarësi. Kjo u arrit me takimet që bëri Ismail Qemali së pari në kolonitë shqiptare të Rumanisë, por kur shkoi për t`u takuar me përfaqësuesit diplomatik të Austro – Hungarisë aty iu kumtua lajmi se Fuqitë e Mëdha janë për një shtet shqiptar të pavarur.

    Me t`u kthyer në atdhe më 28 nëntor 1912, asambleja kombëtare prej tetëdhjetë e tre delegatësh myslimanë e të krishterë u mblodh në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Kjo pavarësi do të ishte e pa dobishme për shtetet sllave të Ballkanit që shumicën e tokave shqiptare i kishin pushtuar, por Shqipëria kishte të paktën një përkrahje nga Fuqitë e Mëdha.

    Fitoret e mëdha e të shpejta që korrën ushtritë aleate dhe disfatat që pësuan ushtritë osmane në të gjitha frontet e detyruan që në mesin e nëntorit 1912 të kërkojnë armëpushim por shtetet e aleancës nuk pranuan deri sa arritën objektivat e tyre kryesore. Në fillim të dhjetorit pasi plotësuan atë çka kërkuan atëherë nënshkruan armëpushimin më 3 dhjetor 1912. Sipas këtij armëpushimi ushtritë ndërluftuese mbeteshin në pozicionet e tyre, kurse qeveritë detyroheshin që brenda dhjetë ditëve t’i fillojnë bisedimet për paqe.

    Kështu, për një muaj e gjysmë lufte ballkanike, u hodhën në ujë idealet e shenjta të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të formësuara gjatë tërë shekullit XIX, e sidomos nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Pra, forca e armëve e katër monarkive ballkanike invaduese i hodhi kërkesat e shqiptarëve në plan të dytë. Hije e rëndë i pllakosi pothuajse të gjitha territoret e katër vilajeteve shqiptare në muajt tetor-nëntor të vitit 1912, duke u pushtuar nga ushtritë e Aleancës Ballkanike. Pra, Lufta e Parë Ballkanike ishte e organizuar kundër Perandorisë Osmane, por në fakt kundër kombit shqiptar. Edhe pse më 3 dhjetor Perandoria Osmane u mund dhe kërkoi armëpushim, operacionet e ushtrive ballkanike vazhdonin ekspeditat ndëshkuese për shfarosjen e popullit shqiptar.

    Shqiptarët, si gjithmonë, u detyruan të vepronin në mbrojtje që të shpëtohej diç nga ajo katrahurë kombëtare që e kishte katandisur nga Lufta e Parë Ballkanike, e cila krijoi një dosje të tmerrshme konflikti dhe prodhoi shumë fatkeqësi në këto hapësira. Aleanca Ballkanike doli sheshit se ajo ishte formuar enkas për zhbërjen e katër vilajeteve dhe copëtimin e territoreve shqiptare midis tyre, duke i sjellë dëme të pallogaritshme çështjes shqiptare. Ajo bëri thjesht luftë pushtuese ndaj Shqipërisë, duke bërë për disa muaj më shumë të këqija se për disa shekuj Perandoria Osmane. “Me qindra mijëra të vrarë e të plagosur” , me shumë të shpërngulur në të katër anët e botës.

    Në krahasim me periudhën para Luftës së Parë Ballkanike, ndryshimet territoriale dhe demografike të 4 shteteve ballkanike pas paqes së Bukureshtit, më 9 gusht 1913, të shprehura në përqindje ishin: Bullgaria fitoi 29 për qind territor dhe 3 për qind popullsi më shumë, Greqia 68 për qind territor dhe 67 për qind popullsi, Mali i Zi 62 për qind territor dhe 100 për qind popullsi, Serbia 82 me 55 për qind më shumë.

    Vrasjet dhe pushkatimet masive do të bëhen menjëherë pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike. Masakrat dhe gjenocidi i ushtrive sllavo-greke përfshiu gati secilën pjesë të territoreve shqiptare dhe ajo fushatë shfarosëse-gjenocidiale bën pjesë në analet më të errëta të historisë dhe të botës njerëzore. Pushtuesit përdorën mënyrat dhe metodat më të këqija ekzistuese: masakrime, pushkatime grash, fëmijësh e pleqsh, djegie për së gjalli, dhunime, kallje fshatrash e qytetesh, internime të familjeve të tëra në Serbi, kolonizim, shpasurim, ndërrim të fesë me dhunë, plagosje, burgosje, plaçkitje, me një fjalë mohim i të drejtës së shqiptarit për jetë. Në ato momente tepër dramatike për kombin shqiptar, kur ishte zënë dhe izoluar në Beograd, ideologu kryesor i Shqipërisë, Hasan Prishtina , në skenë dolën ideologët e mirënjohur Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, të cilët nga një rrugëtim i gjatë e i rrezikshëm Stamboll-Bukuresht-Budapest-Vjenë-Trieste-Durrës-Vlorë vendosën t`i dalin përballë rrezikut të quajtur Lufta e Parë Ballkanike dhe në bashkëveprim me atdhetarët e tjerë ta shpallin Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ajo datë u mendua për çështjen shqiptare si një shkëndijë që realizoi pjesërisht platformën kombëtare.

    Në Vlorë morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e krahinave etnike shqiptare. Mirëpo, Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk i njohu vendimet e saj kombëtare. Konferenca u mblodh shpejt më 17 dhjetor 1912 dhe prodhoi 90 vjet histori të përgjakshme, meqë që nga vitit 1913 Shqipëria u njoh si shtet i ndarë me rreth 28.000 km², nga 90.100 km² të të katër vilajeteve shqiptare, ku rezultoi me krijimin e kufijve kolonialë për shqiptarët.

    Prandaj, si në të tjera raste gjatë historisë, edhe në vitin 1912 midis fuqive të kohës kishte shpërputhje dhe tërheqje litari secili nga vetja. Atëkohë askush prej Fuqive të Mëdha nuk donte të rrezikonte që të prishej me Rusinë në pengimin e politikës së saj pansllaviste në Ballkan për shkak të të drejtave natyrore të shqiptarëve.

    Fitoret e shpejta të aleatëve ballkanikë kundër Perandorisë Osmane nxorën në shesh shumë probleme të mprehta. Çështja ishte si do të zgjidhen dhe në ç’bazë do të merreshin vesh, po të mbahen parasysh kontradiktat që ekzistonin midis aleatëve ballkanik për çështjen e ndarjeve të territoreve me ashpërsi të interesave të kundërt të disa prej Fuqive të Mëdha sidomos të Rusisë, Austro – Hungarisë dhe të Italisë e në përgjithësi ndërmjet Bllokut të Antantës dhe Aleancës Trepalëshe. Armëpushimi i arritur mes palëve ndërluftuese më 3 dhjetor 1912, përveç të tjerash ishte edhe si rezultat i presioneve të Fuqive të Mëdha, të cilave u ishte drejtuar për ndihmë qeveria osmane përmes një kërkese për ndërmjetësimin e Londrës.

    Fuqitë e Mëdha u morën vesh që të thërrisnin në Londër një konferencë ndërkombëtare e cila merrte përsipër të vendoste për të gjitha çështjet që kishin lindur si rezultat i Luftës Ballkanike.

    Paralelisht me këtë, po në Londër, do të zhvillonte punimet Konferenca e Paqes ndërmjet aleatëve ballkanikë dhe Perandorisë Osmane. Kjo e fundit filloi punimet më 16 dhjetor 1912, ndërsa Konferenca e Ambasadorëve filloi punën më 17 dhjetor, e cila drejtohej nga ministri i jashtëm anglez Eduard Grej.

    Problemet që nxori Lufta e Parë Ballkanike u diskutuan në dy konferencat, por Konferenca e Ambasadorëve diktonte atë të paqes. Në këtë kontekst, çështja shqiptare në Londër do të diskutohej në dy pika: mbi të ardhmen politike të Shqipërisë dhe kufijtë e saj. Vendimi i parë i Konferencës së Ambasadorëve i cili u mor më 17 dhjetor 1912 ishte njohja e pavarësisë së plotë apo të autonomisë së Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane, duke e kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në jug me Greqinë.

    Në aspektin e parë u vendos që Shqipëria të jetë nën garancitë e Fuqive të Mëdha, e cila do shpallte asnjanësinë e saj, ndërsa për të organizuar sistemin politik në Shqipëri iu la në dorë Italisë dhe Austro – Hungarisë, kurse aspekti i dytë u shqyrtua në takimet e tjera të pjesëmarrësve në Konferencë.

    Vendet e vetme të pa pushtuar nga Aleanca Ballkanike ishin Janina, Shkodra dhe Edreneja. Më 6 mars grekët pushtuan Janinën, më 28 mars bullgarët pushtuan Edrenenë dhe në fund të prillit pas tradhtisë së Esat pashë Toptanit, Shkodra ra në duart e malazezëve. Më 30 maj 1913 u morën disa vendime nga të cilat Perandoria Osmane i humbte tokat në Ballkan deri në vijën Enos-Media.

    Nga kjo qe u tha ne mund të vijmë në përfundim se me të vërtetë shtetet ballkanike ishin të interesuara në largimin e mbeturinave të sundimit osman nga Ballkani dhe në ndarjen e tyre konform interesave që kishin bërë. Viktima kryesore patjetër se mbetën shqiptarët dhe trojet e tyre.

    Dar_di
    Ndryshuar për herë të fundit nga Dar_di : 15-01-2012 më 06:42
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •