extra, Shekulli Sot|18/01/2012 07:02
Studentët në protestë
Entela Resuli
Një grup studentësh të Universitetit të Tiranës, konkretisht të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe atij të Drejtësisë janë mbledhur dje në një protestë. Në oborrin e këtij fakulteti të gjithë së bashku, me pankarta në duar, një zëri kërkojnë nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Arsimit t’i respektojnë ata dhe të mos vënë kushte, si: rregullimi të stazhit për profesionet, imponimin e provimit të anglishtes si kusht diplomimi dhe financimin e institucioneve të arsimit të lartë. Në këtë protestë që ka zgjatur më shumë se 40 minuta, të gjithë kanë thënë fjalën e tyre duke qenë kundër. Arsyeja e protestës lidhet me ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë, pika ku flitet për mbrojtjen dhe certifikimin e gjuhës së huaj. Sipas studentëve, MASH, e cila ka propozuar këto ndryshime, ka cenuar të drejtën e studentëve në disa aspekte. Protestat e studentëve kanë nisur pas më shumë se 1 vit e gjysmë pas miratimit në Parlament të të gjitha amendimeve në ligjin e arsimit të lartë. Sipas këtij ligji, të gjithë ata studentë të cilët kërkojnë të vazhdojnë një studim pasuniversitar, master apo doktoraturë, nuk marrin titullin në rast se nuk kanë marrë kualifikimin dhe nuk kanë kaluar testimet ndërkombëtare të njohura për certifikimin e gjuhës angleze.
“Protesta studentore organizohet kundër nenit 26 të ligjit të arsimit të lartë, që për studentët e programeve të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve, konkretisht master profesional, master shkencor, master të arteve të bukura dhe doktoraturë, thekson se studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare”, pohon studenti për shkenca politike, Ismail Ruçaj. Sipas tij, vendimi i amendimeve të ligjit të arsimit të lartë për certifikimin e gjuhës cenon të drejtën për të zgjedhur, cenon multilingualizmin në Shqipëri, nuk njeh institucionet akademike shqiptare të gjuhëve të huaja, si dhe cenon lirinë akademike. Një tjetër pikë që ata kundërshtojnë është mospagesa e stazhit. Pas përfundimit të shkollës ata duhet të bëjnë 1-3 vjet stazh e të mos paguajë për këtë. Po ashtu janë kundër ligjit që nga Ministra e Arsimit është quajtur si përparësi për vitin 2012 ku synohet që universitetet private të kthehen në jofitimprurëse të financohen nga fondi për universitet publike. Kjo i tremb këta studentë duke i shtyrë në hamendësime se në këtë formë do të rritet tarifa e tyre e shkollimit. Kjo ishte protesta e parë për këtë vit, por ata premtojnë që do ta përshkallëzojnë atë në fakultete të tjera duke bërë takime deri në marrjen e një vendimi përfundimtar që do të jetë në të mirë të tyre dhe të gjithë studentëve të Universitetit të Tiranës.
Certifikimi i gjuhës së huaj
Universiteti i Tiranës ka nënshkruar zyrtarisht në muajin maj të vitit të kaluar, marrëveshjen me partnerët ndërkombëtar për marrjen e të drejtës së certifikimit të gjuhës angleze për studentët shqiptarë. Çmimi në këtë rast do të jetë më i ulët se institucionet e tjera private që operojnë në tregun vendas.
Ismail Ruçaj, student për Shkenca politike në Fakultetit të Shkencave Sociale viti i 2-të.
“Kemi organizuar këtë protestë për të kundërshtuar ligjin e arsimit të lart në disa pika. Së pari është çështja e stazhit, nënkupton që, për ata që e kanë stazhin, inxhinierit, mjekësit, juridiku, ata merrnin 50 përqind të pagës ndërkohë tani me ligjin e ri ata nuk do të paguhen fare. Çështja e dytë është anglishtja; pasi të kesh përfunduar masterin, duhet të kesh të mbrojtur anglishten dhe këtë ne e kundërshtojmë. Është gjithashtu edhe çështja e financimit, i cili është quajtur nga Ministria e Arsimit si prioritet i 2012-s. Universitetet private do të shpallen jofitimprurëse dhe si do paguhen pedagogët tanë? Do të na rriten ne tarifat e financimit. Për këtë arsye ne kemi ndërmarrë këtë protestë. Më vonë do të organizojmë protesta të radhës edhe me fakultete të tjera. Këtu bëhet fjalë për të gjithë Universitetin e Tiranës. Ne kemi një muaj që organizohemi, informojmë gjithë studentët në çdo fakultet”.
Kjara Kola
Kjara është studente e vitit të parë për administrim politik është bërë pjesë e kësaj protestë për t’i paraprirë vendimeve të tilla që, kur të jetë në përfundim të shkollës, mos të përballet me detyrimin që duhet të punojë tre vjet në stazh e të mos paguhet, të mos paguajë më shumë tarifën e shkollimit dhe të mos jetë e detyruar të përballet me provimin e anglishtes
Jola Mekollari, administrim politik, viti I
“Nëse më parë stazhi ka qenë 50 përqind i paguar, tani nuk do të jetë më i tillë, por do të jetë falas (i papaguar). Ne e kundërshtojmë këtë gjë, pasi nuk mund të punojmë pa paguar. Është edhe çështja e financimit që nënkupton se fondet e universitetit publik shkojnë tek privatet, pasi universitet private do të shpallen jofitimprurëse. Atëherë, ne do të na rritet tarifa e shkollimit. Kjo është arsyeja e protestës sonë që të paraprijmë vendimeve të tilla që rëndojnë në kurrizin tonë”.
Studentët: Hapat rrënues që po ndërmerr qeveria e në veçanti Ministria e Arsimit dhe Shkencës
Financimi
Financimi i universiteteve private me para publike
Reduktimi i financimit për universitetet publike në fabor të atyre private përmes ndarjes së fondeve
Rrënimi i pritshëm i infrastrukturës dhe cilësisë akademike të universiteteve publike
Orientimi i studimeve universitare jo nga nevojat e shoqërisë por nga tekat, rastësitë ose “telekomandimet” e tregut
Ngritja e mëtejshme e tarifës shkollore vjetore për student
Anglishtja
Diskriminohet gjuha shqipe si gjuhë e popullit
I mohohet shqipes barazvlerësia me gjuhë të tjera si bartëse dhe nxitëse e shkencës e kulturës
Ndër gjuhët e huaja privilegjohet duke u ngritur në rang absolut gjuha angleze, çka edhe në kuptimin ekonomiko-punësues nuk e ka hegjemoninë absolute
Në vend që të nxitet mësimi i gjuhëve të huaja përmes thellimit dhe përhapjes së programeve mësimore publike, nxitet “certifikatosja” që i nxjerr paratë nga qesja e pakët studentore drejt thesit të madh të institucioneve private fitimprurëse
Stazhi
Cenohet parimi kushtetues i sigurisë juridike (hiqet një e drejtë aktualisht e njohur)
Shkelet parimi shtetformues e kushtetues i punës së paguar. Pabarazia pronar-punonjës skajohet përmes imponimit ligjor të punës së papaguar
Riprodhohet raporti feudal usta-çirak në marrëdhëniet e punës
Nxitet papunësia e kamuflohet në forma pune të papaguar
Shtohet barra financiare për studentët dhe familjet për më shumë vite
Krijoni Kontakt