E martë, 03 Janar 2012

Talebanët afganë thanë se janë të gatshëm të hapin një zyrë politike në Katar


Talebanët afganë thanë se janë të gatshëm të hapin një zyrë politike në shtetin e Gjirit Persik të Katarit, një lëvizje kjo e cila mund të ndihmojë zhvillimin e bisedimeve të paqes, për t’i dhënë fund luftës në Afganistan.

Njoftimi erdhi sot nëpërmjet një deklarate të dërguar me e-mail nga zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid. Ai tha se zyra në fjalë mund t'a ndihmojë grupin të “arrijë mirëkuptim me komunitetin ndërkombëtar”. Megjithatë, deklarata nuk e përmend qeverinë afgane, të cilën talebanët e kanë cilësuar një regjim “kukull”.

Deklarata talebane kërkon gjithashtu lirimin e të burgosurve të mbajtur në burgjet e Bregut të Guantanamos në Kubë, si pjesë e çfarëdo marrëveshjeje të mundshme për paqen.

Anëtarë të Këshillit të Lartë të Afganistanit për Paqen e mirëpritën njoftimin. Zyrtarë afganë e kishin kundërshtuar më parë idenë e një zyre talebane për bashkërendim në Katar dhe vrasja e të dërguarit afgan për bisedimet, ish Presidentit Burhaudin Rabbani, u duk se i zmbrapsi të gjitha përpjekjet për të arritur një marrëveshje për paqen. Por më vonë Presidenti afgan Hamid Karzai tha se qeveria e tij do t'a pranonte zyrën zyrën e re ndërlidhëse.


voa