Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    Në Gjermani, protesta kundër Presidentit, dy të plagosur

    Në Gjermani, protesta kundër Presidentit, dy të plagosur

    Publikuar: 08.01.2012 - 10:56

    Berlin, 8 janar - Dy persona mbetën të plagosur ditën e diel në Berlin, gjatë një proteste në kërkim të dorëheqjes së presidentit, zhvilluar përpara pallatit presidencial.

    Rreth 300 demonstrues me parrulla kundër Christian Wulff u rreshtuan përpara godinës së përforcuar me agjentë të shumtë sigurie, transmeton TCH.

    Një protestues dhe një polic patën nevojë të shoqëroheshin në spital, për shkak të plagëve të marra gjatë përleshjeve të ndodhura.

    Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff, është vendosur në qendër të një skandali të abuzimit të detyrës, pasi e përditshmja më e madhe në vend, “Bild”, e ka akuzuar për procedura ilegale në marrjen e një kredie dhe kërcënim ndaj medias, kur mësoi se ajo kishte në dorë ngjarjen.

    Në Gjermani, pushteti real është i përqendruar në duart e Kancelares dhe Bundestagut, por në kushtetutë parashikohet që Presidenti të jetë një figurë me “integritet të pacënueshëm moral”, simbol i bashkimit të kombit.

    Wulff, një bashkëpunëtor i ngushtë i Angela Merkel, u shndërrua në kreun e shtetit gjerman në fund të vitit 2010. Në një deklaratë të dhënë më parë gjatë javës, ai hodhi poshtë të gjithë akuzat, ndërsa u shpreh se nuk ka kryer asnjë akt që bie ndesh me ligjin apo funksionet e tij.


    koha ditore

  2. #2

    Dinjiteti i postit është i paprekshëm!

    Gjermania | 08.01.2012

    Dinjiteti i postit është i paprekshëm!

    Asnjë post tjetër në Gjermani nuk është i lidhur aq fort me konceptin e dinjitet sa posti i presidentit. Por edhe në të kaluarën presidentët kanë pasur problem në raport me dinjitetin.

    Nëntë paraardhësit e presidentit aktual, Christian Wulff, kanë pasur përvoja të ndryshme me "dinjitetin e postit." Pjesa më e madhe nuk e kanë pasur të vështirë, të qëndrojnë jashtë politikës aktuale. Në postin e presidentit s' kanë vend vanitetet personale dhe lojërat politike. Kjo e dallon atë nga të gjitha postet e tjera të larta politike në vend. Në një intervistë për DW-WORLD.DE politiologu nga Konstanca, Wolfgang Seibel, konstaton se dinjiteti ka të bëjë me "respektin, që përmban posti dhe funksioni i tij." Për më tepër kjo është një detyrë për të mbrojtur normat dhe institucionet kushtetuese." Këtë ndryshim nga një politikë reale në një politikë më simbolike nuk ka mundur ta realizojë ish-kryeministri i Saksonisë së Poshtme. Nga paraardhësit e tij ai ka mundur të mësojë shumë.

    Afera "projekti i ndërtimit"

    Presidenti i parë Theodor Heuss (1949-1959) kishte votuar në vitin 1933, si deputet liberal në Reichtstag, për ligjin për fuqizimin e partisë naziste, me anë të të cilit u çimentua sundimi i vetëm i Partisë Nacioanalsocialiste NSDAP. Atij iu desh t'i përkulej disiplinës së partisë, edhe pse donte ta kundështonte. Por gjermanët shikonin tek ai më shumë "babain", i cili së bashku me "gjyshin", Konrad Adenauer-in, mundi t'i nxirrte ata nga e kaluara e errët e diktaturës naziste. Heuss i fliste ndërgjegjes së gjermanëve, u jepte orientim atyre, që kërkonin rrugën dhe i dha "dinjitetit të postit" një karakter, edhe pse ai vetë ishte mjaft "popullor".

    Tek pasardhësi i tij, Heinrich Lübke, (1959-1969) që në fillim të mandatit të tij të dytë vihej re se një kalçifikim progresiv i arterieve të trurit i shkaktonte vështirësi të mëdha. Çështja e nënshkrimit të tij në një projekt arkitektonik të një kampi përqëndrimi jashtë vendit bëri në vitet 40-të bujë të madhe. Për shkak të problemeve gjithnjë e më të mëdha në gjetjen e fjalëve, ai i dha fundit mandatit të tij të dytë pak para përfundimit. Daljet e tij në publik përmbanin në vetvete rrezikun, se ai mund ta dëmtonte postin.

    Me këngë dhe alpinizëm

    Ai u pasua nga Gustav Heinemann (1969-1974), i pari socialdemokrat. Ai dhe një nga pasardhësit të tij, Richard von Weizsäcker (1984-1994), konsideroheshin si autoritete morale. Ajo, që thonin, dëgjohej dhe konsiderohej si udhërrëfyese. Po aq pozitive ishte edhe jehona, që zgjuan Roman Herzog (1994-1999) dhe Horst Koehler (2004-2010). Të dy janë konsideruar si të pavarur nga politika partiake.

    Krejt ndryshe vlerësohen Walter Scheel (1974-1979) dhe Karl Carstens (1979-1984). Njëri, sepse me këngën "Lart në makinën e verdhë", ai doli jo vetëm si këngëtar në televizion, por zuri edhe vendet e para në hitparade. Carstens, që e donte shumë alpinizmin, bëri emër kryesisht me faktin se i shëtiste në këmbë të gjitha landet gjermane. Dinjiteti dhe morali tek të dy këto presidentë nuk u përmend kurrë.

    Sindroma e paprekshmërisë së Wulff-it

    Konsulentja politike Gertrud Höhler e vlerësoi presidentin aktual Wulff në kanalin e dytë televiziv ZDF (30.01.2012) me "sindromën e paprekshmërisë". Ai e ka përvetësuar postin si "prenë e tij", duke abuzuar me të, sepse ai "ndihet i paprekshëm." Ai asnjëherë nuk duhet të harrojë se si ka ardhur në detyrë. Vetëm një luftë e fortë prapa skenës arriti t'i sigurojë atij shumicën kundër një kandidati shumë të njohur, Joachim Gauck. Këtë konstelacion nuk e harron as populli e as Wulff-i vetë, i cili e ka mbivlerësuar "ardhjen në këtë post." Ai në vetvete e dinte, "kjo nuk më takon."

    Fundin e përkohshëm të historisë së aferave në pallatin Bellevue në Berlin e shkroi Johannes Rau (1999-2004). Atij iu dëshmua një aferë fluturimi nga koha e tij si kryeministër i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë. Banka e landit WestLB u kishte paguar atij dhe politikanëve të tjerë fluturimet private. Por Rau tregon se si veprohet me dinjitet me postin e presidentit. Ai doli në publik dhe bëri atë, për të cilën Gertrud Höhler, këshillon edhe Christian Wulff-in: Ai i pranoi gabimet e tij, u pendua dhe i kërkoi falje popullit. Që nga ai moment atë e lanë të qetë.

    Dinjiteti i postit

    Afera e Christian Wulff-it do të kishte mbetur në një nivel shumë më të ulët, sikur ai të kishte bërë që nga fillimi punë profesionale me publikun. Për politologun Wolfgang Seibel çështja u kthye në skandal nga reagimi i tij ndaj publikimeve. Ndoshta Christian Wulff nuk është në gjendje për një reagim të tillë, sepse ai nuk e ka bërë ende kalimin nga një kryeministër rajonal në një instancë morale kombëtare.

    Dinjiteti i postit dhe kërkesat e larta, që lidhen me postin e presidentit, vijnë sipas mendimit të Seibels nga fakti që ai duhet të jetë "shembull për normat elementare të shtetit demokratik". Kushdo, që shkel këto standarde, ka shkelur "dinjitetin e postit". Ndoshta Christian Wulff nuk e ka kuptuar akoma rëndësinë e postit të tij. Sepse ai si një politikan profesionist është formuar ndryshe. Për të marrëveshjet, bisedat pas kuintave dhe klikat partiake janë pjesë e jetës normale të përditshme. Por, pikërisht kjo nuk duhet të ndodhë në pallatin Bellevue. Për Gertrud Höhler për këtë arsye "causa Wulff" është e qartë. Ajo nuk beson se çështja sot ka shpëtim."

    Autor: Matthias von Hellfeld / Angjelina Verbica
    Redaktion: V.Filaj-Ballvora

    dw

  3. #3
    | 08.01.2012 | 11:00 UTC

    Bild: Wulff e sheh aferën e tij të harruar brenda një viti

    Presidenti gjerman Christian Wulff, sipas njoftimeve të gazetave, është i bindur se së shpejti afera mbi kredinë e tij do të harrohet.

    Sipas gazetës "Bild am Sonntag", Wulff duhet të jetë shprehur gjatë një pritjeje për bashkëpunëtorët e tij me rastin e Vitit të Ri , se pas një viti e gjitha kjo do të jetë harruar. Ai është shprehur i bindur se tashmë e ka përballuar këtë krizë. Gjithashtu presidenti siguroi, se "do që të punojë mirë deri në vitin 2015 dhe se 'stuhia' shpejt do të marrë fund."

    dw

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •