Pas një infrakti, të enjten në orët e mesditës, vdiq gjeneral Shaban Shala, i cili njihet si veprimtar i hershëm i lëvizjes për çlirim dhe kontribuues i jashtëzakonshëm në luftën e UÇK-së, por gjithashtu edhe i angazhuar në ristrukturimin dhe sistemimin e gjithë ushtarëve të UÇK-së dhe të TMK-së.
Ceremonia e homazheve do të mbahet nesër në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 11.00 deri në orën 12.00, ndërsa prej orës 12.00 po në të njëjtin vend, mbahet akademi komemorative, kurse në orën 14.00, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e varrimit.
Shaban Shala rrjedhë nga një familje atdhetare, i cili ka qenë i burgosur politik dhe veprimtar i hershëm i lëvizjes për çlirim, ka qenë aktivist i dalluar i KMDLNJ-së, kurse gjatë luftës çlirimtare ka dhënë një kontribut të madh në themelimin e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, strukturimin e saj. Shala ishte dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
I ndjeri po ashtu, ka qenë bashkëluftëtar i komandantit legjendar Adem Jashari, ndërkaq pas luftës ishte pjesëtar i TMK-së me gradën gjeneral dhe deri në momentin e fundit u angazhua në ristrukturimin dhe sistemimin e gjithë ushtarëve të UÇK-së dhe të TMK-së.
Shaban Shala është vëlla i dëshmorit, gjeneral Bedri Shala.
Zeri i Kosoves
Krijoni Kontakt