Ka një gangster edhe në Budapest; vetëm se ai nuk di të vrasë opozitarët
3 Janar, 2012
Nga Mustafa Nano
Rreth 100 mijë vetë u mblodhën sot në qendër të Budapestit për të protestuar kundër qeverisë së Victor Orban, i cili po denoncohet tanimë nga shumë drejtime si arkitekt i një regjimi autokratik. Protesta është organizuar nga opozita, dhe motivi është miratimi i një kushtetute të re liberticide nga partia konservatore Fidesz, e cila ka 2/3 e vendeve në parlament. Manifestuesit kanë zaptuar sheshin që është ngjitur me Operan nacionale, ku ish organizuar një ceremoni për të celebruar kushtetutën. Nën tingujt e simfonisë së nëntë të Beethovenit, e duke bërtitur “demokraci”, “Orban, je tradhëtar i Atdheut”, “Orban, shporru nga pushteti”, njerëzit kanë bërë që autoritetet e mbledhura për ceremoninë e Kushtetutës të futeshin në Opera e të dilnin nga porta e mbrapme.
Ç’po ndodh? Nuk është vetëm çështja e kushtetutës së re. Orbani ka 18 muaj që po qeveris me arrogancë, po bën ligjet që do, po injoron opozitën, po kufizon liritë individuale, po ngushton hapërirat e lirisë së shprehjes (ka ditë të tëra që një numër gazetarësh janë futur në grevë urie kundër ligjeve të rrezikshme në dëm të lirisë së medias), po synon kontrollin e institucioneve (tentativa për të kontrolluar Bankën Qendrore ka mobilizuar Brukselin dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar), po ndjek një politikë ekonomike autarkike, ndonëse pa ndihmën e FMN-së e të Brukselit mund të bjerë në default, po cënon pavarësinë e gjyqësorit, etj, etj. Situata është aq serioze sa një numër disidentësh të kohëve të komunizmit, si Gyorgy Konrad, Miklos Haraszti, etj, kanë nënshkruar një apel për lirinë në Financial Times. Kryeministri Orban ka kohë që është rrethuar me kritika nga anë të ndryshme (Hillary Clinton në më shumë se një rast u ka tërhequr veshin në distancë autoriteteve të Budapestit, sidomos lidhur me liritë themelore të personit e me lirinë e medias), por ai ka vijuar në të tijën. Protesta ka ardhur bash në kohë.
tema
Krijoni Kontakt