“Babën e vrava, se nuk na jepte lekë me hangër bukë”
» Dërguar më: 20/10/2012 -
Matilda Tota
Po. Unë e vrava babën. Ai nuk na jepte lekë me hangër bukë. Përditë bënim sherr me të. U nxeha keq me të, ndaj mora pistoletën dhe e vrava”. Kështu ka deklaruar dje në sallën e gjyqit, 36-vjeçari Avdi Laçi, i cili, pasditen e së martës ekzekutoi babain e tij 74-vjeçar. Seanca gjyqësore për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Laçit ka zgjatur më pak se 20 minuta. Kjo, për shkak të gjendjes jo të mirë psikologjike të autorit të krimit. Pas prezantimit të palëve, provave të paraqitura nga prokuroria si dhe dëshmisë së dy vëllezërve të akuzuar si autorë të ngjarjes së rëndë, togat e zeza të Kukësit kanë vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj Avdi Laçit. Ndërsa, është lënë i lirë vëllai i tij, Vexhi Laçi, pasi nuk është gjetur asnjë provë që e implikon atë në vrasjen e të atit.
VENDIMI
Gjykata e Shkallës së Parë e Kukësit dje la në burg Avdi Laçin, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Burime nga ky institucion bëjnë me dije, se 36-vjeçari ka pranuar se ka qëlluar me tre plumba pistolete babain e tij, Sali Laçi. “I pandehuri e pranoi autorësinë e krimit, por nuk dha asnjë motiv bindës për ekze-kutimin e të atit. Thjesht tha se plaku nuk u jepte për të ngrënë. Sjellja e tij ishte shumë pasive, vonohej kur përgjigjej dhe vazhdimisht ankohej se kishte dhimbje koke”, - pohojnë burimet nga Gjykata e qytetit verilindor. Përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar “Arrest me burg” ndaj Avdi Laçit, ndërsa avokatja e tij, Aurora Guska ka kërkuar një akt-ekspertim të gjendjes psi-kike të klientit të saj. Në fund të seancës gjyqësore, togat e zeza kanë pranuar kërkesën e prokurorisë për lënien në qeli të 36-vjeçarit. Ndërkohë, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të marrë dëshminë e plotë të vrasësit.
DESHMIA
Gjykatësi: A e di çfarë ke bërë?
I pandehuri: Po, kam vra babën.
Gjykatësi: Pse e vrave?
I pandehuri: Nuk na jepte lekë me hangër bukë.
Gjykatësi: Pse u grindët ditën kur ndodhi vrasja?
I pandehuri: I kërkova lekë, s’më dha. U nxeha dhe e qëllova me pistoletë.
Gjykatësi: Ku e ke marrë armën?
I pandehuri: E kam gjetë në mal.
Gjykatësi: Grindeshit shpe-sh me babain tuaj?
I pandehuri: Vazhdimisht kemi pas probleme.
Gjykatësi: A do të rrish në burg apo do të dalësh?
I pandehuri: Ju e dini.
Gjykatësi: Si ndihesh, je sëmurë?
I pandehuri: Po, kam shumë dhimbje koke.
Gjykatësi: Të vazhdojmë?
I pandehuri: Nuk mundem, nuk jam mirë.
http://www.balkanweb.com/gazetav5/ar....php?id=123081
Krijoni Kontakt