Ambasadori austriak: Jemi investitori i 3 në Shqipëri
30 Dhjetor 2011
Brikena Shllaku
Austria është investitori i tretë në Shqipëri me një vlerë investimi prej 1 miliard euro. Ky fakt tregon shumë për impenjimin e qeverisë austriake në zhvillimin e Shqipërisë. Ne nuk jemi një vend i madh në Europë, por besojmë tek Shqipëria dhe dëshira e saj për të ecur përpara". Kështu ka pohuar ambasadori austriak në Tiranë, z. Mag. Florian Rauning. Këtë deklarim ai e ka bërë në Shkodër pasditen e së mërkurës, në ceremoninë kushtuar 20-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Austri, në sallën e konferencave të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi". Sipas zotit Rauning, pjesa më e madhe e këtyre investimeve janë bërë dhe po bëhen në zonën e Shkodrës. "Investimet në zonën e Shkodrës kanë nisur që në vitin 1994 me ujësjellësin dhe po vazhdojnë në kanalizimet, Hidrocentralin e Ashtës, në arsim etj.", - është shprehur ambasadori austriak. Ai nuk ka harruar të pohojë dhe faktin se Austria i ka kushtuar një kujdes të veçantë dhe albanologjisë, duke krijuar mundësi për zhvillimin e saj. Dhe në këtë histori marrëdhëniesh, Shkodra ka qenë qendra për shumë e shumë dekada. Ambasadori austriak, Rauning ka vënë në dukje rolin shumë të madh që ka luajtur shoqata e miqësisë Shqipëri-Austri në rinisjen e marrëdhënieve mes dy vendeve. "Unë dua të falenderoj dhe të përgëzoj kryetarin e shoqatës së miqësisë Shqipëri-Austri, zotin Mahir Hoti, i cili që në vitin 1991 nisi punën për të krijuar këtë klimë bashkëpunimi që kemi ne sot",- tha diplomati Rauning. Ndërsa kryetari i shoqatës Shqipëri-Austri, prof. dr Mahir Hoti në fjalën e tij ka pohuar se tek Austria, Shqipëria dhe në veçanti Shkodra ka gjetur mbështetje dhe bashkëpunim të gjithanshëm. "Falë investimeve austriake, Shkodra ka ujë 24 orë, falë vëmendjes austriake ne kemi një shkollë model. Është duke u bërë një ndër investimet me të mëdha, hidrocentrali i Ashtës, i cili vitin tjetër do të nisë të prodhojë energji elektrike. Në këto investime ne marrin dhe modelin që duhet të ndjekim, mënyrën e menaxhimit të situatës, zbatimit të projekteve",- ka deklaruar Hoti. Pjesëmarrja shumë e gjerë e intelektualëve shkodranë në këtë ceremoni ishte dhe treguesi se kjo miqësi ka baza të forta. Ndërkohë, orkestra e harqeve e Qendrës Kulturore të qytetit të Shkodrës dha një koncert me muzikë shqiptare dhe austriake dhe në fund u hap ekspozita "Kontribute austriake në Shkodër në vitet e tranzicionit".
gazeta shqiptare
Krijoni Kontakt