Kërcënimi, RENEA e FNSH blindojnë Ambasadën Amerikane
Mbi 200 punonjës policie monitorojnë prej dy javësh me turne ambasadën e ShBA-së në Tiranë, pas sinjaleve për një sulm të mundshëm. Kontrolle në kanalet nëntokësore dhe vrojtime me snajper nga pallatet rreth selisë diplomatike
Tiranë Sinjalet për një sulm të mundshëm kanë blinduar Ambasadën Amerikane në Tiranë këto ditë festash. Mbi 200 punonjës policie, ku përfshihen forcat RENEA, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë apo agjentë të Tiranës, prej dy javësh monitorojnë me turne selinë diplomatike në Rrugën e Elbasanit, përkrah marinsave amerikanë. Burime të mirëinformuara pranë Policisë së Shtetit konfirmuan se forcat speciale qëndrojnë 24 orë përreth ambasadës, ndërsa tregohen të rezervuar sa i përket arsyeve për këtë shërbim të përforcuar. I vetmi informacion që rrjedh lidhur me masat e jashtëzakonshme të sigurisë, flet për një kërcënim të lajmëruar prej shërbimeve të inteligjencës, të cilat janë gjithashtu të përfshira në monitorimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Masat e përforcuara
Burime policore bëjnë të ditur se plani operativ i mbrojtjes së ambasadës është hartuar dhe drejtohet nga marinsat amerikanë, ndërsa forcat shqiptare shërbejnë në role ndihmëse. Megjithatë, masat jo të zakonshme të sigurisë duken me sy të lirë përreth ambasadës, ku për disa ditë ka qëndruar furgoni i RENEA-s apo patrulla të policisë së Tiranës me agjentë të antiterrorit. Të njëjtat burime kanë saktësuar se këto përforcime nuk kanë lidhje me masat e marra rëndom në prag festash ndaj disa institucioneve të rëndësishme, por pas sinjaleve për një sulm të mundshëm, subjekti i të cilit mbahet sekret. Prej dy javësh, trupat më profesioniste në Shqipëri, efektivët e repartit RENEA, janë të dislokuar në mënyrë të pandërprerë në disa pika të ndryshme përreth ambasadës, si pjesë e masave mbrojtëse. Mësohet se i gjithë perimetri përreth mureve të ambasadës mbahet nën kontroll të vazhdueshëm nga tarracat e pallateve përreth, ku edhe janë vendosur snajperë. Nga ana tjetër, mësohet se janë kontrolluar të gjitha kanalet nëntokësore në zonën ku ndodhet ambasada amerikane, të cilat janë pjesë e planit të monitorimit, përgjatë këtyre javëve.
Kërcënimi
MAPO u interesua dje në lidhje me arsyet e këtyre masave të sigurisë, por autoritetet kanë qenë të rezervuara në dhënien e detajeve mbi motivet e këtyre masave. “Në rrugë operative janë marrë informacione në lidhje me një organizim të mundshëm që mund të synojë një sulm ndaj ambasadës. Pasi janë marrë informacionet, niveli i ruajtjes së ambasadës është maksimal dhe e gjithë zona përreth është nën vrojtim dhe mbrojtje të pandërprerë”, -thanë dje burime jozyrtare për MAPO- n. Edhe burime nga ambasada refuzojnë të komentojnë arsyet e këtij blindimi, duke e cilësuar atë si informacion sekret, që ka lidhje me sigurinë. Megjithatë, është e dukshme se masat e sigurisë që janë ndërmarrë prej dy javësh janë ndër më të rreptat dhe më intensivet dhe angazhojnë si rrallëherë një numër të konsiderueshëm forcash policore shqiptare. Shqipëria është konsideruar një vend i sigurt për diplomatët amerikanë. Përveç një incidenti të ndodhur në vitin 2002 apo shtimit të masave të sigurisë në kohën e protestave, blindimi i këtyre ditëve i godinës së selisë diplomatike është ndër të rrallat raste që flet për kërcënimin e sigurisë së diplomatëve amerikanë në Tiranë.
200Forca policie janë angazhuar në planin e masave të sigurisë për Ambasadën Amerikane në Tiranë. Forcat RENEA, FNSH apo agjentë të antiterrorit, pjesë e monitorimit të ambasadës
24 Orë shërbime rreth godinës së Ambasadës Amerikane mbajnë në dispozicion forcat më të specializuara të policisë shqiptare. Plani i masave, i hartuar nga marinsat amerikanë
Habjon Hasani - MAPO
Krijoni Kontakt