Marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë prioritet i SHBA-ve

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Jake Sullivan ka thënë se SHBA mbetet e përkushtuar të ndihmojë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky do të jetë prioritet i Qeverisë Amerikane gjatë këtij viti.

Postuar: 19:04; 24/01/12 •
Në një bashkëbisedim të drejtpërdrejt në internet me media nga shtete të ndryshme të botës, Jake Sullivan, Drejtor për Planifikim të Politikave në Departamentin e Shtetit dhe zëvendësshef i stafit i Sekretares Hillary Clinton, ka folur edhe për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të përkushtuara që të ketë progres në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me rritjen e normalizimit mes këtyre dy fqinjëve si dhe bashkëpunimit praktik, para pak ditësh, sekretarja Hillary Clinton ka biseduar me presidentin serb Boris Tadic që t’ia përcjell qëndrimin se SHBA-ja është e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë, është e gatshme të bashkëpunojë me Kosovën, për t’i ndihmuar ato për të lëvizur drejt një procesi të normalizimit”, ka thënë Sullivan për KosovaTimes.net.

Ai tha se ky proces nuk do të jetë i lehtë për asnjërën palë.

”Kjo është një gjë sfiduese dhe e vështirë për të dyja vendet që kanë pasur konflikt. Ka dyshime dhe skepticizëm në të dyja anët e kufirit dhe vazhdojmë të shohim episode dhe aktivitete që bien ndesh me përpjekjet për arritjen e progresit në normalizimin e marrëdhënieve”.

Diplomati amerikan tha se Qeveria Amerikane për këtë çështje do të bashkëpunojë ngushtë me evropianët dhe faktorë tjerë ndërkombëtarë.

“Shtete e Bashkuara të Amerikës, duke punuar me partnerët e vet evropianë, me bashkësinë ndërkombëtare, do të mbesin të fokusuara për të ndihmuar rreth hapave praktikë që secili shtet mund t’i ndërmarrë për të përmirësuar besimin dhe përfundimisht për të ndërtuar shtegun drejt normalizimit”, ka theksuar Sullivan.

“Ky vazhdon të jetë prioritet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke marrë parasysh se sa kemi investuar ne në rajonin e Ballkanit, që të bëhet paqësor dhe prosperues”, ka shtuar ai.