
Postuar më parë nga
Pika-Kufi.1-31
Kalojnë me dokumente të Republikës së Kosovës në Serbi
Nga Express 26 Dhjetor 2011 17:37
(E plotësuar) Ashtu siç ishte paraparë edhe ka filluar së zbatuari marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë. Konfirmimin për zbatimin e marrëveshjes e kanë dhënë edhe zyrtarët e lartë të institucioneve të vendit. Kosovapress pasdite ka vizituar pikën kufitare në Merdare dhe aty qytetarët kalonin për në Serbi vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës.
Në pikën kufitare të Merdares qytetarët e Kosovës kalonin kufirin të pajisur vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës. Madje, edhe pse është paraparë, pala serbe nuk ka lëshuar dokumentet shtesë doganore, por ka lejuar lëvizjen vetëm me dokumentacione të Kosovës.
Me të dëgjuar lajmin se po zbatohet marrëveshja për lëvizjen e lirë, Petrit Bahtiri kishte ardhur në pikën kufitare të Merdares për të kaluar pikën kufitare. Ai thotë që nuk ka pas asnjë problem dhe se kufirin e ka kaluar me dokumente të Republikës së Kosovës.
“Ne kaluam kufirin serb me dokumente të Republikës së Kosovës. Jo kurrfarë dokumenti tjetër nuk dhanë, thanë mund të kaloni, të lirë jeni. Me dokumente të Republikës së Kosovës asnjëherë më parë nuk kemi kaluar”, shprehet ai.
Cooper: Zbatimi i marrëveshjes, lajm i mirë për të gjithë
Ka filluar implementimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes së arritur në dialogun e lehtësuar më 2 korrik. Kjo përfshin personat, të cilët tani do të kenë mundësi të udhëtojnë me dokumente të identifikimit, ndërsa gjithashtu përfshin edhe sigurimin e veturave dhe targat e automjeteve, bën të ditur përmes një njoftimi zyra e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper.
“Kjo që njerëzit kanë mundësi të udhëtojnë lirshëm ose përmes territorit të tjetrit është lajm i mire për të gjithë. Kjo është pikërisht ajo për të cilën ka filluar dialogu. Të ndihmohet në përmirësimin e jetës së njerëzve. Për më tepër, lëvizja e lirë është parimi themelor i Bashkimit Evropian, kështu që hapat në drejtim të lëvizjes së lirë e bëjnë Ballkanin si një tërësi në zonën evropiane. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë ata që e shohin të ardhmen ne Bashkimin Evropian”, ka thënë Robert Cooper, ndërmjetës i BE-së në dialog, siç transmeton Evropa e Lirë.
Sipas njoftimit, njerëzit tani do të kenë mundësi të udhëtojnë me dokumentet e tyre të identifikimit në ose përmes territorit të palës tjetër. Në pikë kalim, ata do të marrin një dokument hyrës/dalës.
Fillimisht pikë kalimet në Jarinjë/Rudnicë, Merdarë dhe Muçibabë, do të jenë të hapura për kalim nën këtë skemë të re. Gradualisht, kjo do të fillojë së aplikuari edhe në të gjitha kalimet e tjera.
Sa i përket udhëtimit në destinacionin e tretë, njofton zyra e Cooper, fillimisht dy kalime, një midis Serbisë dhe Hungarisë (Horgosh) dhe tjetri midis Serbisë dhe Kroacisë (Batrovci) do të hapen për hyrje/dalje nga Serbia. Gradualisht, të gjitha kalimet e tjera do të jenë njësoj të hapura për udhëtim të mëtutjeshëm.
“Kjo që njerëzit kanë mundësi të udhëtojnë lirshëm ose përmes territorit të tjetrit është lajm i mire për të gjithë. Kjo është pikërisht ajo për të cilën ka filluar dialogu. Të ndihmohet në përmirësimin e jetës së njerëzve. Për më tepër, lëvizja e lirë është parimi themelor i Bashkimit Evropian, kështu që hapat në drejtim të lëvizjes së lirë e bëjnë Ballkanin si një tërësi në zonën evropiane. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë ata që e shohin të ardhmen ne Bashkimin Evropian”, ka thënë Robert Cooper, ndërmjetës i BE-së në dialog.
Veturat me targa të Serbisë lëshuar për njerëzit me banim në Serbi dhe veturat me targa KS lëshuar në Kosovë do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në ose përmes territorit të palës tjetër. Skema e sigurimit kufitarë/vendkalimeve administrative do të aplikohet në të dyja anët. Pagesa e sigurimit do të jetë në përputhje me listën e çmimeve të skemave përkatëse të aplikueshme të sigurimit. Për njerëzit që udhëtojnë me targa të automjeteve RKS do të jepen targa të përkohshme në pikë kalime, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, BE-ja përsërit nevojën për heqjen e barrikadave pa kushte dhe për të gjithë.
Fillon zbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë
Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi ka thënë se nga e hëna ka filluar zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë dhe deri më tani nuk është shfaqur asnjë problem.
Ai në një prononcim përmes telefonit ka thënë për Kosovapress se kjo marrëveshje ka filluar të zbatohet nga mesnata.
“Po ka filluar të zbatohet nga ora 00:00 e natës. Ashtu e kam informatën që ka filluar dhe nuk ka probleme. Kjo marrëveshje parasheh që qytetarët nga Kosova të kalojnë nëpër Serbi me letërnjoftim ose me pasaportë, por duke u pajisur me një letër hyrje-dalje”, ka thënë Rexhepi.
Ndërsa në lidhje me policat e sigurimit, Rexhepi ka thënë se ekziston një reciprocitet me Serbinë për këtë çështje deri në arritjen e një marrëveshjeje mes shoqatave të sigurimit.
“Tash për tash është reciprocitet derisa të arrihet një marrëveshje apo memorandum mes shoqatave të sigurimit të automjeteve, dhe sigurisht edhe çmimi do të jetë edhe shumë i ulët. Ata duhet të krijojnë një fond dhe secili i merr përgjegjësit për klientët e vet”, ka thënë ministri.
Gjithashtu ai ka konfirmuar se është rritur numri i qytetarëve serb të cilët janë duke u pajisur me tabela KS dhe RKS. “Është e vërtetë, prej atyre rreth 70 % në bazë të dhënave që i kemi kanë marr tabela KS dhe diku 30 % RKS”, ka thënë Rexhepi.
Nga ana tjetër edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë për Kosovapress se marrëveshja për lëvizje të lirë ka filluar të zbatohet.
“E keni parë edhe dje për lëvizjen e lirë janë bërë të gjitha përgatitje. Edhe çështja e marrjes së tabelave të makinave hynë në lëvizjen e lirë, që kanë filluar në mënyrë masive me i marrë tabela serbët”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndryshe shumë marrëveshje që janë arritur në Bruksel tash e disa muaj kanë mbetur vetëm në letër, duke mos filluar zbatimi i tyre nga ana e Serbisë. Përveç marrëveshjes për lëvizje të lirë që ka filluar të zbatohet, më herët ka hyrë në fuqi edhe marrëveshja për pranimin e vulave doganore nga ana e Serbisë.
Lajmi për vendosjen e policave kufitare, ka shqtësuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshvës, të cilët thonë se me këto tarifa goditen vetëm shqiptarët e Kosovës Lindore.
“Me këto tarifa pagesore goditen vetëm shqiptarët e Kosovës Lindore, ngaqë ata kanë nevojë të qarkullojnë mes kufijve Serbi-Kosovë, më shumë sesa serbët kosovarë. Në vend që Kosova për bashkëkombësit e vet të kujdeset që t’ua lehtësojë qarkullimin e lirë, ajo edhe më shumë i shtrëngon ata të integrohen në Serbi, madje edhe të asimilohen kombëtarisht. Si mund ta ruajnë shqiptarët e Kosovës Lindore identitetin, kur atyre u gjobiten paratë në emër të kalimit kufitar, për t’u takuar me të afërmit e tyre, për t’u shkolluar e për të zhvilluar biznes”, thuhet në reagim Partisë Demokratike Kombëtare.
Më tej, theksohet se me këto veprime, Qeveria e Kosovës po e vështirëson komunikimin me vëllezërit e saj në krahun e saj lindor duke i lënë ata matanë kufirit në mëshirën e ligjeve të Serbisë dhe kamxhikut financiar, nëse hyjnë në shtetin e dytë të tyre amë, Kosovën.
Krijoni Kontakt