Gazeta boton pjesën e raportit të FMN, ku flitet për investimin e qeverisë për trenin elektrik
FMN:Pse dyshojmë tek Hekurudha dhe “Projektuesit”
Plani i qeverisë për ndërtimin e një linje hekurudhore elektrike që do të lidhte Tiranën me aeroportin e Rinasit dhe Durrësin, nuk ka kaluar akoma për në Kuvend, pasi ai ndodhet akoma në Komisionin e Ekonomisë. Ndërkohë gazeta ka zbardhur pjesën e raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në internet ku flitet për investimet prioritare në kuadër të Strategjisë për Reduktimin e Varfërisë, dhe në të cilën flitet dhe për këtë projekt të Qeverisë Shqiptare.
Raporti gjendet në internet në adresën http://www.imf.org/external/pubs/cat...fm?sk=17149.0. Aty thuhet se për këtë projekt nuk ka patur asnjë njoftim nga ana e autoriteteve shqiptare dhe se ai rrezikon projektet e tjera në kuadër të kësaj strategjie. "Rëndësia e përgatitjeve më të mira për projektet e investimit doli në pah gjatë diskutimeve për një projekt hekurudhor që do të lidhte Tiranën, aeroportin dhe Durrësin. Stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar mësoi gjatë misionit të tij tij se ky projekt, që kushtonte 1,5 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, kishte arritur një nivel të lartë avancimi, në një kohë kur ai nuk ishte identifikuar më parë si prioritet nga autoritetet në Strategjinë për Reduktimin e Varfërisë, në programin buxhetor, ose në analizat për marrjen e kredieve përmbi limitet e caktuara për projektet jo-koncensionare," thuhet në raportin e FMN.
"Të dyja, Banka Botërore dhe Fondi Monetar, shprehën shqetësime serioze për mungesën e informacionit, mungesën e vlerësimeve të duhura paraprake mbi projektin, procesit jo të qartë të tenderimit dhe koston e lartë të kredisë që do të merret për realizimin e tij. Stafi theksoi se edhe nëse ky projekt nuk do të cënonte limitet e kredive për projekte jo-koncensionale, ai do të vononte zbatimin e të tjera projekteve që janë identifikuar tashmë si prioritare. Autoritetet shqiptare në komunikimin me ne pranuan këtë fakt, por thanë se ky projekt përbën një mundësi unike për Shqipërinë, e cila mundëson thithjen e projekteve të tjera. Sipas misionit autoritetet shqiptare ofruan prapë informacion për rëndësinë e zbatimit të këtij projekti. Banka Botërore, të cilës i është kërkuar dhe më parë ndihmë për studimet e fizibilitetit, tha se do të ofronte asistencë në këtë drejtim. Autoritetet gjithashtu pranuan masa specifike me qëllim që të përmirësohet procesi i dhënies prioritet investimeve në projektet jo-koncensionare," përfundon pjesa e raportit për këtë çështje.
Opozita kishte kundërshtuar këtë projekt që në momentet kur ai ishte paraqitur në Komisionin e Ekonomisë. Madje përfaqësues të opozitës i janë drejtuar dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë shqetësim. Gjithashtu dhe vetë socialistët ishin shprehur skeptikë lidhur me këtë projekt. Pasi ishte menduar se ky projekt do të ishte gati për diskutim në Kuvend, ai është rikthyer në Komisionin e Ekonomisë për rishqyrtim nga kryetari i këtij komisioni Ylli Bufi.
Krijoni Kontakt