TIRANE- Rreth 30% e adoleshentëve të kryeqytetit kryejnë marrëdhënie seksuale nëpër pub-e. Shifra tronditëse vjen nga një studim i realizuar nga disa mjekë në 5 nga gjimnazet e Tiranës.
Studimi u fokusua kryesisht në vitet e treta dhe të katërta të këtyre gjimnazeve dhe sigurisht pyetësori ishte në formë anonime. Një e dhënë tjetër interesante që del nga ky studim është se 70% e të anketuarve kryejnë marrëdhënie seksuale të nxitur nga shokët apo shoqet e tyre, ndërkohë që pjesa tjetër deklaroi se kishin kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e tyre.
Mimoza Keta, mjeke obstetre-gjinekologe në spitalin universitar për obstetrikë dhe gjinekologji "Koço Gliozheni", pjesëmarrëse në këtë studim, bën të ditur se kryesisht vajzat kryenin marrëdhënie seksuale me moshatarë të tyre, ndërsa për meshkujt interesantja është se ata parapëlqenin vajza 1-2 vjet më të mëdha. Një tjetër pyetje që u përfshi në pyetësor ishte edhe problemi i emigracionit, sepse emigracioni mbetet një faktor risku tek moshat e hershme, por edhe ato të rritura për infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Mjekja shpjegon se vajzat tërhiqen nga emigrantë sepse mendojnë se ata jetojnë mirë, bukur pa ditur sesi mund të jetë vërtet emigracioni. "Një e dhënë shumë interesante ishte që edhe emigracioni ishte një faktor risku shumë i lartë sepse rreth 18% e adoleshentëve deklaruan se kishin realizuar marrëdhënie seksuale me emigrantë",- thotë Keta.
(e.m/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt