Kohëve të fundit në Kosovë ka pasur protesta publike të disa grupeve islamiste të pakënaqura me qëndrimin e autoriteteve në Kosovë ndaj disa të drejtave të besimtarëve muslimanë. Ata kanë kërkuar që në shkollat publike të lejohet mbulimi i kokës së nxënëseve, të futet lënda e fesë në kurrikulat, si dhe të ndërtohet një xhami e madhe në qendër të Prishtinës.
Partia e Drejtësisë me orientim islamist, e cila bën pjesë në koalicionin qeveritar aktual, madje e ka sfiduar Kuvendin e Kosovës me kërkesën që lënda e fesë të futet në shkollat publike, por është refuzuar me shumicë votash. Tensionet rreth këtyre kërkesave u patën rritur në fund të verës dhe gjatë muajit shtator, kur edhe Bashkësia e Fesë Islame doli në përkrahje të grupeve radikale. Njëra nga parullat që ka ra në sy gjatë protestave ka qenë ajo se muslimanët janë 90% të popullsisë së Kosovës dhe se duhet të dëgjohet dhe respektohet zëri i tyre.
Për të parë se sa realisht përkrahen këto kërkesa në opinion, për herë të parë në Kosovë është organizuar një sondazh, i porositur nga OJQ-ja Forumi 2015, dhe realizuar nga Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi”. Ky sondazh është publikuar këto ditë dhe ka sjellë disa të dhëna me mjaft interes. Pos këtyre tri çështjeve që kanë dalë sheshit, në sondazhin janë shtruar edhe disa pyetje tjera që e kanë pas për qëllim që të sqarojnë edhe botëkuptimin dhe orientimin e qytetarëve kosovarë. Kampioni i sondazhit ka qenë reprezentativ për Kosovën, por janë lënë jashtë zonat e banuara me serbë.
Sondazhi në shumë aspekte vërtetoi supozimet që kanë qarkulluar prej shumë kohësh, se shqiptarët e Kosovës në përgjithësi nuk janë besimtarë të fortë. Rreth 2/3 e të anketuarve, ose 66,2 %, kanë deklaruar përkatësinë e fesë islame, sipas traditës familjare; ndërkaq 29% se janë fetarë aktivë. Ky raport është një e dhënë që duhet të kihet në konsiderim si përshkrues i disponimit të shoqërisë kosovare. Edhe kur deklarohen si besimtarë, religjioziteti i shumicës së tyre është në esencë sipërfaqësor. Kjo do të thotë se në jetën e shumicës së kosovarëve religjioni nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm.
Sondazhi nuk i ka vërtetuar pohimet e grupeve radikale mbi diskriminimin e muslimanëve në Kosovë. Vetëm 8% e të anketuarve kanë pohuar këtë. Megjithatë, kur janë pyetur në mënyrë direkte për çështjet që janë ngritur në protesta, në sondazh nuk janë gjykuar ashpër as çështja e ndërtimit të xhamisë, as mbajtja e shamisë, e as futja e lëndës së fesë në shkollat publike. Kundër mbajtjes së shamisë janë deklaruar 34.5%, pro 12.1 % dhe pro duke aprovuar ligjin 42.4%. Pak më befasues ka qenë qëndrimi ndaj futjes së lëndës së fesë në kurrikula; kjo mundësi është refuzuar nga 34.5% të të anketuarve, pro kanë qenë 59%. Edhe për ndërtimin e xhamisë shumica dërmuese është deklaruar pro, vetëm 4.3% kanë thënë se nuk ka nevojë, sepse Prishtina ka mjaft xhami.
Këto të dhëna tregojnë se edhe muslimanët softë, që nuk e praktikojnë fenë në mënyrë aktive, kanë një dozë të mirëkuptimit për çështjet që janë shtruar, duke i vlerësuar më shumë në aspektin e të drejtave të njeriut, ose edhe si një traditë që nuk është shpikje e sotme, p.sh. kur është në pyetje mbulimi i kokës me shami për vajzat. Në debatin që është organizuar gjatë prezantimit të sondazhit, është thënë se shamia nuk duhet t’u imponohet vajzave që janë të mitura.
Mirëpo, sa i përket orientimit gjeneral të shoqërisë kosovare, shumica e të anketuarve kanë shfaqur preferencën pro-perëndimore të Kosovës. 60% kanë pohuar se Kosova definitivisht është Perëndim, kurse 30% po kështu konfirmuan drejtimin perëndimor, por njëkohësisht mendojnë se duhet të ruhen disa vlera tradicionale të vendit. Vetëm 4.5% kanë përkrahur opsionet se feja dhe kultura islame janë e vërteta e vetme, dhe se kosovarët duhet të janë të kujdesshëm ndaj Perëndimit.
Është interesante edhe një e dhënë që doli nga ky sondazh. Të pyetur nëse preferojnë format tradicionale të praktikimit të islamit në Kosovë dhe rajon, apo risitë që i sjellin grupet radikale nga vendet arabe, shumica dërmuese është deklaruar se preferon islamin tradicional (61%).
Krijoni Kontakt