99-vjetori i Pavarësisë, koncert festiv në sheshin “Nënë Tereza”
TIRANË - Pas aktiviteteve të ngjeshura te zhvilluara gjatë gjithë ditës, në kuadër të ditës së Pavarësisë, Kryeministri Berisha përshëndeti sonte në mbrëmje koncertin festiv të organizuar në sheshin "Nënë Tereza" nga Bashkia e Tiranës.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, si dhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, Kryeministri Berisha mori pjesë në koncertin festiv, ku shprehu dhe njëherë nderimin më të thellë qindra e mijëra shqiptarë, djem e vajza, që vendosën rininë e tyre, në themel të Shqipërisë së lirë e të pavarur.
"Shqipëria hyn në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj, më e mençur, më e zgjuar, më e fuqishme, më e re, më e bukur se kurrë në historinë e saj. Shqipëria sot ka fytyrën tuaj, shpirtin tuaj, zemrën tuaj, vizionin tuaj", iu drejtua Kryeministri Berisha të rinjve të pranishëm në sheshin “Nënë Tereza".
Duke uruar të rinjtë për festën e pavarësisë, ditën e flamurit, ditën e lirisë, Berisha tha se "sot ne nisim vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Janë 100 vite udhë dhe shtigje të vështira, 100 vite rrebeshe të mëdha historike, por 100 vite në të cilat rinia e këtij vendi, në çdo rrethanë dhe çdo kohë, u bë shpëtimtare e saj".
Krijoni Kontakt