TIRANË- Kryeministri Berisha komentoi sot në mbledhjen e qeverisë progamin e ri të Partisë Socialiste, duke e quajtur atë një program fiskal të tipit marksist. Berisha tha se ky program nuk mund të shëtisë më në rrugët e Shqipërisë, pasi shqiptarët e kanë provuar atë në mënyrën më të tmerrshme.
“Taksa marksiste nuk kthehet më në këtë vend. Ata që mendojnë se do begatojnë vendin duke varfëruar të pasurin, partneritetin privat, koncesionet, gabohen nuk bëjnë gjë tjetër vecse shpalosin alternativën e etërve të tyre, që nuk kthehet më të ketë vend. Ata le të merren me Marksin po të duan, por i siguroj se do mbeten brenda selisë së tyre. Se Marksi nuk do shëtisë më në rrugët e Shqipërisë, e kanë provuar shqiptarët më shumë dhe në mënyrën më të tmerrshme se të tjerët”, deklaroi kryeministri.
Duke folur përsëri për modelin ekonomik të propozuar nga PS, Berisha siguroi investitorët se në Shqipëri e vetmja politikë që do ndiqet është ajo e zgjerimit të lirisë ekonomike. “Sistemi marksist fiskal bazohet në rrënimin e të pasurve, ndaj edhe dua t’i garantoj sipërmarrësit, investitorët, jo vetëm që nuk mund të ketë mendim për të rritur kontrollin ndaj tyre, por qeveria do lehtësojë veprimtarinë e tyre. Do zgjerojmë lirinë ekonomike të sipërmarrjes. Kjo është rruga më e sigurtë, në këtë kohë të vështirë krize”, theksoi Berisha.
Kreu i qeverisë akuzoi më tej Ramën, se me taksën progresive që aplikoi në Bashkinë e Tiranës, nuk bëri gjë tjetër vecse e rrënoi atë institucion.
“Na del me taksë progresive në një kohë që bashkinë e falimentove kur rrite taksat dhe e dorëzove si sistem fiskal të dështuar. Atëherë më thoni ju mua cfarë mund të bëjnë politikat fiskale të Marksit, përvec rrënimit...”, shtoi Berisha.
(m.a/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt