Përse enverizmi ishte rrënimtar për fatet e Shqipërisë?
30-12-2011 / Nga Kostaq Xoxa
Vdekja e 108-vjeçarit Hester dhe leksionet e çindoktrinimit gjerman
Para disa ditësh vdiq njëri prej aktorëve më të bujshëm të Gjermanisë, Johanes Hester. Ishte këngëtar, prezantues programesh artistike, recitues i talentuar, aktor i shquar në teatër dhe në filma, i gjallë e me një temperament rinor, i njohur në të gjithë Gjermaninë. Kam shkruar edhe njëherë tjetër për këtë figurë të shquar të artit gjerman. Kjo ka ndodhur vite më parë. Me rastin e vdekjes së tij në një moshë që do t’ia kishin zili, se vdiq në këmbë, siç thuhet, nga një infarkt, në një moshë që mund të quhet e rrallë: 108 vjeç. Ishte i mirëpritur kudo në mjedise artistike dhe, në njërën nga intervistat e shumta që ka dhënë, ai pati pasoja që nuk do t’i ketë harruar gjer në ditët e dhjetorit të 2011-s, kur vdiq. Duke përfituar nga mosha e tij e madhe, ai u pyet për Hitlerin, që ishte 14 vjet më i madh se Johanes-i. Pa u thelluar shumë artisti iu përgjigj se i kishin pëlqyer disa nga akuarelet (pikturat) e diktatorit. Artisti e kuptoi menjëherë se kishte rrëshqitur. Mehën ftesat e shumta nëpër aktivitete artistike. Madje edhe gruaja, Simona, e kishte kritikuar rëndë në shtëpi. Mbeti, si të thuash, i izoluar. Në një mbrëmje galà vajti i paftuar. Kur u ngjit në podium duartrokitjet ishin të vakëta. Së fundi vajti në një shfaqje: -Kam ardhur këtu për t’ju thënë se e ndiej veten të rënduar në shpirt për një gabim të rëndë. Diktatura dhe diktatori nuk kanë përse të përmenden më, në demokracinë tonë. Nëse përmenden, mund të tregohen dëmet që iu bënë vendit tonë, ose krimet e një regjimi diktatorial. Gruaja në shtëpi më qortoi rëndë. Ju lutem të më falni, ju kërkoj ndjesë sinqerisht. – Dhe filluan t’i rridhnin lot nga sytë. Ishte një përlotje e ndier së brendshmi, jo e një aktori. Duartrokitjet e menjëhershme e mallëngjyen vërtet aktorin e madh. Dhe njerëzit përmendën, në thirrje të njëzëshme, titullin e një poezie, që bënte fjalë për ndjenjat njerëzore, kundër shtypjes së protagonistëve të dhunës. Duartrokitjet e publikut për poezinë e recituar aq ngrohtësisht ishin një element i fortë komunikimi dhe mirëkuptimi. Aktori Johanes Hester mori pjesë në aktivitetet artistike, i suksesshëm dhe i pëlqyer, gjer në ditët e tij të fundit.
***
Ja ç’domethënë zhdukja e një nostalgjie, që mund të ishte e natyrshme pas një regjimi totalitar si ai i nazizmit, në Gjermani. Babai i demokracisë së re gjermane, Konrad Adenaueri, me një ekip të fortë demokratik, caktoi ligje të forta kundër mendësisë diktatoriale, të zbatuara ashpërisht. Doemos në një kohë të hershme, pas luftës, pati edhe naziskinë, të përmalluar për të vdekurit e tyre që vdiqën me Heil Hitler në gojë. Mos të harrojmë se votat e Hitlerit, në kushte të një mjerimi të gjithanshëm pas disfatës që pësoi Gjermania në Luftën I Botërore, ishin vota të vërteta, jo si ato të Enver Hoxhës, me 99,99%! Por Gjermania e mbarimit të L.II.Botërore caktoi norma të prera sjelljeje politike, që u jetësuan së pari në Darmstadt. Këto u përhapën në të gjithë vendin. Kështu Brigadat e Kuqe gjermane u shpartalluan menjëherë; jo si në Itali, ku grabitën Aldo Moron me gjithë rojat e tij dhe rrezikuan demokracinë italiane të pasluftës. Pra, demokracia ka edhe ajo ligjet e saj, për të ruajtur rendin demokratik. Musolini deklaroi me mburrje se e zhduku mafien në Itali. Diktatura ka disa përparësi në disa drejtime, përkundrejt brishtësisë (në thonjëza) të ligjeve demokratike. Por kjo nuk do të thotë të bëjmë apologjinë e diktaturës, si ato djallëzitë në vendin tonë, se në kohën e Enverit gratë vinin në Kombinat për punë (punën e papaguar!) në mes të natës dhe nuk i trazonte njeri! Pyetja shtrohet: Si do të ishte Shqipëria nëse në vitin 1956 e më tej do të gjente zbatim destalinizimi édhe te ne, si në të gjitha vendet komuniste europiane. Natyrisht që kjo do të nënkuptonte rrëzimin e terroristit E. Hoxha nga piedestali. Veçse në vendin tonë ishte e mundshme sfida kundër Hrushovit që ia arriti të bëjë destalinizimin në të gjithë Europën, por jo në Shqipëri. Shpjegimi është lehtësisht i kuptueshëm: diktatura në vendin tonë ishte më e përgjakshme se në vendet homologe europiane, në kushtet kur “édhe bar do të hanim, për të ruajtur “parimet”. E thënë ndryshe, Enveri ishte një stalinist i thekur, duke ia përvetësuar mënyrat absolutiste, që të ruante pushtetin vetjak. Pak rëndësi kishte nëse Stalini e trajtonte Shqipërinë si plaçkë tregu. Pak rëndësi kishte, pra, se ia kishte lënë “për gëlltitje” jugosllavëve, me kusht që këta të mos dilnin nga mengeneja afiksuese e internacionales staliniste. Kjo shpjegon edhe atë që s’na habit aspak, që Enveri monumentet ia ruajti Stalinit, por nuk e propagandonte si më parë, bash që të fshihte antikombëtarizmin e tij për hir të karriges.
Enverizmi paskëtaj i shtoi skajërisht dozat e terrorizmit dhe e konsolidoi Byronë Politike me spastrimet e përgjakshme që bëri me zëvendësimet e injorantëve, që ishin marioneta fanatike vetjake të tij. Lufta e klasave u ashpërsua. Mendësia enveriste rrënjosej çdo javë e më tepër. Dhe kjo, nga ’56-a gjer në ’90-n, domethënë thuajse për gjysmë shekulli. Shqipëria u shndërrua në një vend autarkik: U mbyll në vetvete. Gjatë kësaj kohe të mjerimit ekonomik, ajo që nuk e ndjeu këtë varfëri ishte kasta e privilegjuar e mëkatarëve, e sadistëve të realizimit të dënimeve për konsolidim të pushtetit enverist; operativët, sigurimsat, gjyqtarët lakej. Këta janë grumbulluar jo te partia e H. Milloshit, por tek ajo e E. Ramës. Le të tregojë një rast të vetëm ky i fundit se ka bërë ndonjë spastrim, sado sipërfaqësor, në partinë e tij, për mëkatet kundër gjindjes njerëzore, në kohën e diktaturës. Meqë në këtë kuptim mund të quhet si “i kapur” Rama e shpreh autoritarizmin e vet jo kundër mëkatarëve, por kundër deputetëve të vet, me frymëzim europianist. Edhe seleksionet që ka bërë si përçarës i PS-së, i drejtohen socialistëve racionalë, që kanë qenë prej kohësh kundër bojkotit, bllokimit të parlamentit, demonstratave provokuese. Shembulli tipik i mungesës së tolerancës së E. Ramës: Kastriot Islami.
Ja përse enverizmi ishte rrënimtar për fatet e Shqipërisë.
Gjendja do të ishte e një panorame krejt të ndryshme, nëse do të mund të çrrënjosej mendësia e diktaturës, e pranishme në vendin tonë. Vetëm te ne, përkujtohen Enveri dhe diktatura si në orgjitë e 16 shtatorëve në Pezë. ER-ja në “Kurbanin” që zgjatet pambarimisht për t’i bërë fresk vetes, kujton se Rezoluta e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës, mund të kalojë në shpërfillje, për vendimin e saj për dënimin e krimeve të diktaturës. Natyrisht që hë për hë ajo quhet si punë e brendshme e opozitës sonë sui generis. Por mos të kujtojë kryetari i saj se do të lihet në harresë kur të bëhemi pjesë e BE-së. Është një arsye më tepër që ai ta shtyjë sa të mundet hyrjen në BE. Por nuk varet vetëm nga ai!
Krijoni Kontakt