Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1

    “Demokracia e brendshme” e partive dhe pushteti i pakufizuar i kryetarëve"

    “Demokracia e brendshme” e partive dhe pushteti i pakufizuar i kryetarëve"

    30/10/2011


    Bajram Peçi

    Zgjedhjet e reja për organet drejtuese në Partinë Socialiste, më japin rastin që nëpërmjet këtij shkrimi, të shtroj pyetjen, - sa demokraci ka në vendin tonë, në Shqipëri? Për të mos lodhur lexuesit me përsiatje të tejzgjatura, po i përgjigjem kësaj pyetjeje që në krye të herës. Ne jemi një vend, ku partitë ushtrojnë një demokraci të brendshme, me kufizime që dëmtojnë përmbajtjen e për rrjedhojë, pasojnë në vendosjen e institucioneve shtetërore gjysmë demokratike. Ky është një mendim i imi, çka nuk është e thënë të përkojë me idetë e qëndrimet e një mori politologësh në zë që ka sot Shqipëria në gjirin e saj. Për këtë shkak, detyrimi im më i parë është të shpjegoj për lexuesin se përse është gjysmë demokratik e jo i plotë? Pse gjysma e parë, ajo që i përket demokracisë, është aspiratë që shprehet përmes ligjeve demokratike dhe gjysma e dytë, që nuk është demokraci, është veprimtari konkrete.

    Gjithsesi, sa herë dikush si puna ime do të shkruajë për demokracinë e brendshme në partitë shqiptare, duke e parë atë nga jashtë, për shkak të bezdisë që mund të krijojë tek oligarkët partiakë, lypset të kujdeset që t’u japë lexuesve të kuptojnë se “shkrimi, vetëm shkrim mbetet” (Le Clèzio -nobelist).

    Ndoshta, shumëkujt, do t’i ketë rastisur që të ketë parë në paketën “Digitalb” një dokumentar që përshkruan rrugën e një vajze të perimeshitësve të qytezës Grantham, Margaret Thatcher, drejt kreut të Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar, e mbase shikuesve të përqendruar, duhet t’ju ketë rënë në sy se, ashtu si në partitë e tjera britanike, për të ngjitur shkallët e karrierës partiake, do të duhej t’i nënshtroheshe një regjimi demokratik, që me këtë tonin dhe atë të ish-republikave të Bashkimit Sovjetik, nuk ka asnjë ngjashmëri.

    Ndonëse Thatcher ishte lauruar në Universitetin Oxford, duke qenë edhe presidente e Shoqatës Studentore të Konservatorëve, origjina e saj “laburiste” i nxiste krerët e Partisë Konservatore që ta pengonin rrugën e karrierës së saj në parti. Por, demokracia e brendshme në parti ua kufizonte vendimmarrjen krerëve. Ajo i jepte liri veprimi në vendimmarrje bazës së partisë, gjë që e solli Margaret shpejt në postin e kryetares së partisë.

    Shqiptarëve të ngratë, sistemi zgjedhor “një anëtar, një votë”, u jepet si maja e demokracisë së brendshme. Po t’u thuash, ashtu siç kam unë ndërmend, se e gjitha kjo përbën një formalitet pa shumë ndikim në përmbajtje, pa mëdyshje organizatorët do prekeshin në sedër e do të ndiheshin të fyer. Por, për çfarë shkaqesh mund të nxjerrësh përfundimet se ne jemi një vend gjysmëdemokratik dhe me parti që ushtrojnë demokraci të kufizuar në jetën e brendshme?

    Së pari, shihni me kujdes mënyrën e organizimit e të praktikave që ndiqen nga të gjitha partitë, për zgjedhjen e organeve drejtuese dhe organeve përfaqësuese. Kryetari i partisë, në një nga mbledhjet formale të Kryesisë, shqyrton e miraton kandidatët për kryetarë të degëve të partisë në rrethe e qarqe. Përzgjedhja e tyre, përgjithësisht, nuk mund të jetë përpos se shije e kryetarit. Më tej, kryetarët e partive në bazë kanë nominalisht të drejtën e propozimeve të listës për delegatë në Kongres, e cila ka marrë rrugë me pëlqimin paraprak të kryetarit të partisë. Listat përfundojnë në Kryesinë e Partisë (Kupto: kryetarit). Ato shtrohen për “shqyrtim”, pas një përzgjedhje fillestare që marrin fill nga simpatitë personale të kryetarit të partisë, e ndërsa anëtarët e Kryesisë “përtypin fara”, lista miratohet “njëzëri”. Kështu merr rrugë përzgjedhja e delegatëve në Kongreset e partive, e anëtarësisë së Asamblesë në Partinë Socialiste, e anëtarësisë të Këshillit të Përgjithshëm në Partinë Demokratike e për rrjedhojë e deputetëve. Janë këta, të përzgjedhurit e kryetarit që zgjedhin në kongres kryetarin e ri, me parimin “një anëtar, një votë”. Të qenit i gjithë pushtetit në duart e kryetarit nuk ka shumë ndryshim nga të qenit i të “gjithë pushtetit në duart e sovjetëve”. Ato që sipas statutit të partisë quhen “zërat ndryshe”, nuk kanë asnjë shans që të mbërrijnë në Asamble ose Këshill Kombëtar. Në Kryesi, jo e jo. Dhe kjo i shpjegon tërë arsyet se pse, prej 20 vjetësh në partitë shqiptare vazhdojnë të drejtojnë të njëjtët individë. Njihen vetëm dy raste kur kryetarët e partisë janë dorëhequr, z. Sabri Godo dhe z. Fatos Nano. Ajo që rëndom në gjuhën e partive cilësohet si demokraci e brendshme në parti, mund të shihet shkoqur se ngjan shumë me një butafori teatrale.

    Kjo i kthen ndërkohë përgjigjen pyetjes nervoze të rinisë së sotme Shqiptare, se pse prej 20 vjetësh elita politike shqiptare ngelet po ajo që ka qenë? Pse sistemi i zgjedhjeve partiake ka pjellë tërë këto 20 vjet përgjithësisht autokratë?

    Së dyti, ngelen zgjedhje personale të kryetarit, për shkak të pushtetit të përqendruar në duart e tij, hartimi i listave emërore për kryetar i degës së partisë në rreth, anëtar Kryesie, anëtar i Asamblesë, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, delegat dhe së fundi, deputet. Nëse p.sh, Olta Xhaçka në listën emërore të të propozuarve të PS-së për deputet në Tiranë, është e gjashta dhe Artan Lame është i tetëmbëdhjeti, ose Preç Zogaj është në fund të listës së PD-së në Lezhë, kjo s’ka asnjë lidhje me rastësinë e aq më pak me Kryesinë, pos simpative e antipative personale të Kryetarit të Partisë. Si rregull, zënë vend në kreun e renditjes së listës ata besnikë që i kanë fituar zemrën kryetarit, duke sharë e fyer kryetarin e partisë kundërshtare (kundërshtare do të thotë në Shqipëri, armik), ose kanë përdorur gjeste, të cilat përfshijnë dhjetëra sharje. Sharjet e gjestet fyese, siç do ta keni vënë re, i zbavitin pa masë shefat e partisë. Për rrjedhojë, autoriteti i tij shtrihet në hapësira të pakufizuara, brenda partisë dhe kur është në pushtet, brenda shtetit, dukuria më e shëmtuar e së cilës është nepotizmi. Shembulli gjendet më pastërtisht në Partinë Demokratike. Nga ky moment, individi në krye të pushtetit dhe shteti, i ngjajnë njëri-tjetrit.

    “Një anëtar, një votë” është ana e jashtme e demokracisë. Ana e brendshme është kryetari i partisë, formimi, psikologjia dhe kultura perëndimore apo lindore e tij ndikon në dallimin e partive me mendësi europiane dhe këtyre tonave, të cilave mirë është që emrin t’ua vini vetë. Me gjithë dëshirën për t’u dukur perëndimorë, ne dukemi açik se jemi me mendësi lindore, sepse një nga dallimet mes kulturës perëndimore dhe asaj lindore është, nga njëra anë vendimmarrja kolegjiale që buron nga forca e anëtarësisë dhe tjetra, ajo lindorja, prej ku vendimmarrja është e do mbetet atribut i kryetarit të partisë.

    Udhëtarët shqiptarë në Europë, pasi kthehen në mëmëdhe, rëndom hyjnë në biseda përshtypjesh për atë që panë e prekën si ndjesi në vendin ku shkuan. Sa herë jam ndodhur në këto biseda, më ka tërhequr vëmendjen një veçori e përgjithshme. Pothuajse gjëja që u ka bërë më shumë përshtypje në vendet ku kanë shkuar, ka qenë mungesa e kafeneve në formën se si i shohin në Shqipëri. Jo se nuk mund të pish kafe në Norvegji, Danimarkë, Gjermani apo Angli. Ajo të ofrohet pothuajse në çdo udhëkryq, por jo si këtu. Kafenë mund ta gjerbësh në një supermarket, në një bar apo restorant, ulur apo në këmbë, por është e vështirë të ndeshësh një kafene si këtu, ku kafeneja është një vend në të cilën njerëzit ulen për një kohë të gjatë, bisedojnë e shkëmbejnë mendime për politikën, për futbollin, për shoqërinë, punët e saj dhe ekonominë në tërësi. Të tilla janë tërë kafenetë lindore, nga Irani në Turqi. Në njëfarë mënyre, kafeneja te ne është shndërruar në një organ social, herë-herë kulturor. Pra, kafeneja është te ne një fenomen shoqëror në mesin e njerëzve. Në të vërtetë është identitet lindor, mënyrë e tyre e jetesës. “Dembeli - thotë një fjalë e urtë perse - ka mendjen e 40 vezirëve”. Kështu është edhe puna e zgjedhjeve në parti. Është kulturë të menduari e të vepruari.

    Në botimin e Eqerem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit e Lindjes”, që në vitin 1938, shkruante se “Shqipëria gjendet tani brenda në një proces shoqëror të padukshëm, në kalimin prej jetës vetjake të fisit në jetën e përbashkët kombëtare”, e më tej, “...Ky qëndrim i ndërmjetëm midis Perëndimit e Lindjes...i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë”. Dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi po ata, me parti “demokratike” që kanë e ruajnë organizimin e partisë bolshevike dhe strukturë shoqërore fiset e krahinat. Kësaj i thonë Lindje.

    Lajmi se në Rusi, Putin e Medvedev do shkëmbejnë vendet për herë të dytë, nuk çuditi njeri në Perëndim, sepse ata njohin psikologjinë lindore të të menduarit. Shkruan gazetat e aq. Tani është një gjë e harruar, sa kohë që populli rus e pranon si zgjidhje. Kazakistani gjithashtu është një “demokraci”, ku Nuruslan Nazarbajev, prej 20 vitesh President, sa herë ka dashur, ka ndryshuar Kushtetutën. Edhe te ne, partitë do t’i reformojnë statutet e tyre sa herë do t’u nevojiten kryetarëve. Jo po, dy mandate; jo po qe se humbe zgjedhjet, do ikësh; e të tjera formulime të demokracisë perëndimore, këtu te ne nuk pinë ujë. Thjesht, janë tipare që u përkasin partive perëndimore. Këto përcaktime statutore i bëjnë kryetarët tanë të partive, në një farë mënyre pronarë të tyre, të vënë buzën në gaz. Dhe kanë të drejtë. Tërë kohërat, ky ka qenë fati i popujve të sunduar, me zërin e heshtur, që historia i ka lënë e do t’i lërë në harresë. Të mos presin më kot “receta” demokracie, as që pretendoj se ka të tilla. E shumta që mund të bëj, është të sjell nga kohët e shkuara e t’jua sjell në të tashmen thënien se “Ata popuj e individë që nuk njohin ndjenjën e fajit, nuk nxjerrin mësime”. Mbase është më mirë të ëndërrojnë. Sa bukur është të ëndërrosh sikur jeton në demokraci!

    Gazeta "Shqip"

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Zakonisht, njerezit qe ankohen per mungese demokracie te brendshme ne nje parti, jane njerezit politikisht impotente: njerezit qe nuk kane inisiative politike, nuk jane te zote te bejne nje emer per vetveten ne politike duke dale para elektoratit te tyre, por njerezit qe e shohin karrieren e tyre politike gjithmone te lidhur me nje parti te caktuar. Keta jane "burokrato-politikanet".

    Politika shqiptare eshte ne fakt shume demokratike, dhe i ka dhene provat e saj ne vite. Po ju jap disa shembuj per kete:

    1. Largimi i Fatos Nano nga kryesia e PS dhe politika pas humbjes se zgjedhjeve te 2005. Ngritja e Edi Rames ne krye te PS. Shume mund te debatojne shkaqet apo rrethanat qe sollen kete rrokade, por ja qe ndryshimi ndodhi.

    2. Largimi i Ilir Metes nga PS dhe krijimi i partise se re LSI. Nuk ishte nje vendim i thjeshte, kur mendon se vetem 10 vjet me pare Ilir Meta ishte kryeminister i mandatuar i PS. Kur hapesirat e ketij te fundit u mbyllen ne PS, ky zgjodhi te krijoje partine e tij e te kerkoje votebesimin e elektoratit. Nga zgjedhja ne zgjedhje LSI e ka zgjeruar elektoratin e saj ne kurriz te elektoratit te majte te PS dhe prej 2009 e gjen veten ne koalicionin qeverises. Pavaresisht se cfare mund te mendoni per Ilir Meten apo qendrimet qe ai ka patur, ai pati kurajon e duhur politike qe te behet nje faktor i rendesishem i politikes shqiptare, jashte kornizes se PS.

    3. Fushata elektorale e Lulzim Bashes ne Tirane ne zgjedhjet e fundit lokale. Disa mund te dalin e thone se "Berisha e kandidoi Bashen ne Tirane" por kjo nuk eshte aspak e vertete. Tre kandidate te tjere te PD humben perballe Rames ne zgjedhjet e kaluara, dhe ne menyre qe Basha te konkurronte ne Tirane, ai duhet te hiqte dore nga ministria qe drejtonte ne qeveri. Me shume se sa nje emerim i Berishes, kjo ishte nje inisiative e Bashes per te konkurruar perpara elektoratit kryeqytetas, per te marre besimin e tyre, e per te bere hapin e vete te pare politik jashte hijes qe Berisha kryeson. Basha e organizoi gjithe fushaten vete dhe nuk u mbeshtet aspak ne mbeshtetjen e PD apo liderit te saj Berisha gjate fushates.

    Kushdo qe do te beje politike ne Shqiperi, eshte i lire ta beje kete gje, askush nuk e pengon. Problemi eshte se shqiptaret akoma nuk e kuptojne sic duhet se politikan nuk te ben Berisha apo Rama, PD apo PS, por te ben vota e qytetareve ne zgjedhje. Politikan i mire eshte ai qe del para elektoratit e fiton shumicen e votave, fiton mandate, fiton besimin e qytetarit. Dhe nuk e shperdoron kete besim por nderton mbi te, duke permbushur premtimet dhe zgjidhur problemet e qytetareve.

    Per burokrato-politikanet, qe e shohin politiken te lidhur me nje parti, nje karrike, apo nje post, gjithmone do te ankohen per gjoja mungesen e hapesirave e lirive demokratike ne parti. Ne fakt ajo qe ata po shpalosin eshte pafuqia e tyre per te prodhuar politike.

    Albo

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e landi45
    Anëtarësuar
    10-04-2008
    Postime
    1,711
    nuk ka demokraci ne shqiperi shoku,,,

    nga qeveria deri te partite qeveriset me sistem 1=njeshi

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •