Dade: Mos t’i prishim punët me Serbinë, shkaku i Kosovës
Situata në veri të Kosovës, nuk duhet të penalizojë marrëdhëniet me Serbinë, sipas ish-ministres Arta Dade. Deputetja socialiste vlerëson se liberalizimi i vizave me shtetin ballkanik, nuk duhet të bllokohet prej tensionimeve në Mitrovicë.
“Shqipëria vazhdimisht ka patur marrëdhënie normale. Kjo i shërben bashkëpunimit rajonal dhe për çështje që ne i konsiderojmë të leverdisë reciproke nuk ka pse të mos kemi dhe këto marrëveshje. Unë besoj se kjo është dhe në kuadrin e një Shengeni ballkanik. Sigurisht që nuk ka të bëjë edhe ndonjë kufizim që është në marrëveshje vetëm për shtetasit shqiptar. Janë politika që kanë të bëjnë me problemet që ka Serbia me Kosovën”, tha Arta Dade, raporton “AlbanianScreen”.
Kuvendi i Shqipërisë do të dalë dhe me një rezolutë në mbështetje të qeverisë së Kosovës. Për të informuar mbi punën e diplomacisë shqiptare në këtë situatë, u zhvillua dhe mbledhja me dyer të mbyllura me drejtuesin e politikave rajonale ne Ministrinë e Jashtme, Mal Berisha.
Marrëveshja për lëvizjen e lirë me Serbinë, të cilën socialistët kërkuan ta shtynin për një moment të dytë, për shkak të konfliktit në Mitrovicë, do të votohet në seancën e të enjtes sipas Dades. Dhe po aty të majtët do ta zbulojnë votën e tyre.
Krijoni Kontakt