Close
Faqja 0 prej 9 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 90
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145

    Festivali i 50-të i Këngës - Rikthim ne traditë : LIVE

    Zbulohen emrat e 28 këngëtarëve dhe kompozitorëve pjesëmarrës në Festivalin e RTSH

    Publikuar te Shtunen, 29 Tetor 2011

    Festivali i Këngës në RTSH, aty ku të gjithë synojnë të jenë në skenën e “Eurosong 2012”, prej disa ditësh i ka përfunduar pranimet e këngëve. Komisioni i Seleksionimit të Këngëve Pjesëmarrëse të Festivalit të 50-të, pasi dëgjoi këngët e paraqitura për konkurrim ka vendosur që të jenë 28 këngë në garën për çmimin e parë.

    Festivali, i cili do të mbahet për katër net në fund të muajit dhjetor, ndryshe nga herët e tjera do të jetë i gjithi live, si nga ana e këngëtarëve ashtu edhe nga orkestra që do të jetë në skenë.

    Në edicionin e tij të 50-të, drejtori artistik i festivalit, kompozitori Shpëtim Saraçi, më herët ka pohuar se një natë do ti dedikohet tërësisht këngëve më të mira të interpretuar ndër vite. Për drejtori artistik në 50-vjetorin e festivalit natyrisht kërkohet perfeksionim sa më i lartë i komponentëve dhe për rrjedhojë përgjegjësia e stafit është shumë e madhe, ndërsa bashkëpunëtorët e tij janë Alfred Kaçinari dhe Edmond Zhulali.

    Këtë vit në edicionin e tij të 50-të, në festival rikthehen emra të njohur të skenës së këngës ndër vite, të cilët i kanë i munguar publikut prej shumë kohësh. Përballë vështirësive teknike që has festivali, por dhe emocionet që të fal interpretimi live, publiku do të dëgjojë emra që kanë vite që nuk janë ngjitur në skenë, por mes tyre janë dhe emra që kanë emigruar jashtë dhe këtë vit ata do ti rikthen skenës së këngës së muzikës së letë shqiptare.

    Elton Deda, i cili është zhvendosur në Tiranë do të jetë këtë vit në skenën e festivalit të RTSH. Këngëtari që ka shënuar disa suksese në festival vjen pas një dekade si konkurrent në garë. Në skenën e këtij festivali janë shënuar edhe sukseset më të mëdha të Dedës, dhe madje këngët e tij hit janë të preferuara edhe sot nga audienca. Emra të tjerë që do të ngjiten këtë vit në skenë janë edhe Altin Goci, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Dr. Flori, Vëllezërit Prifti, Kamela Islamaj, Saimir Braho, Bojken Lako, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi etj. Mes tyre janë dhe të rinj si Samanta Karavello, Rudina Delia, Marsida Saraçi etj. Këngëtarët nga Kosova këtë vit do të përfaqësohen me Rona Nishliun.

    Veç këngëtarëve që kanë vite që kanë interpretuar në festival, këtë vit janë dhe shumë kompozitorë që kanë një aktivitet të gjatë artistik, si Flamur Shehu, Edmond Zhulali, Shpëtim Kushta, Lejla Agolli, Luan Zhegu etj.


    Prezantimi në dorë të Krastës dhe Zarit

    Festivali i Këngës në RTSH në çdo edicion të tij është zhvilluar mes shumë problemeve, të cilët kanë bërë që ky aktivitet i këngës së lehtë shqiptare të ngjallë shumë debate dhe reagime mes këngëtarëve dhe kompozitorëve.
    Festivali është përfolur dhe për pazare të ndryshme në lidhje me këngën fituese, e ndërsa pas nuk ka mbetur edhe prezantimi i tij, ku gjithmonë është kërkuar më shumë.

    Këtë vit organizatorët e tij kanë zgjedhur Adi Krastën dhe këngëtaren Eda Zari, që të jenë në skenë si prezantues. Krasta tashmë është një emër, i cili i rikthehet skenës së festivalit në RTSH si prezantues, ndërsa Eda Zari do të jetë për herë të parë si prezantuese në këtë festival.

    Këngëtarja e njohur e muzikës xhaz Eda Zari, e cila jeton prej dy dekadash në Gjermani, vetëm para disa ditësh ishte në Tiranë ku promovoi dhe albumin e saj më të fundit me titull “Toka e panjohur”. Në këtë jubile të festivalit, prezantimi mbetet në dorë të Krastës dhe këngëtares Zari, të cilët janë emrat për të ndryshuar atë shije jo të mirë artistike gjatë viteve të fundit.



    1-Altin Goci

    2-Bashkim Alibali

    3-Bojken Lako

    4-Claudio La Regina

    5-Dr.Flori

    6-Elhaida Dani

    7-Elton Deda

    8-Endri dhe Stefi Prifti

    9-Entela Zhula

    10-Evans Rama

    11-Frederik Ndoci

    12-Goldi Halili

    13-Gerta Mahmutaj

    14-Herciana Matmuja

    15-Iris Hoxha

    16-Kamela Islamaj

    17-Kujtim Prodani

    18-Mariza Ikonomi

    19-Marjeta Billo

    20-Marsida Saraçi

    21-Orinda Huta

    22-Rona Nishliu

    23-Rudina Delia

    24-Saimir Braho

    25-Samanta Karavello

    26-Sindi Berisha

    27-Toni Mehmetaj

    28-Xhensila Myrtezaj



    Gazeta " SOT "

    http://www.forumishqiptar.com/newthr...newthread&f=48

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145
    FESTIVALI I KENGES pritet te ndiqet me vemendje dhe nga publiku europian / fansat e festivalit europian kudo ne bote . Tashme jane prezente online shkrime e komente rreth festivalit.

    Info me emrat e pjesmarresve u lançua me shpejt ne anglisht se ne faqet e shtypit shqiptar. Qysh ne date 22 Tetor ne faqen e nje prej siteve me te mira rreth Eurovizionit - ESCTODAY.COM u shua kurioziteti i te gjitheve rreth konkurrenteve te gares se Dhjetor 2011, gje qe do pasohej rreth nje jave me vone nga shkrimi i mesiperm .


    http://www.esctoday.com/news/read/17740


    Gjej rastin ketu te pershendes nje bashkombas, Z. Gafurr Sahiti, qe jep kontributin e tij krahas kolegeve te huaj me te rejat e intervistat rreth artisteve shqiptare pjesmarres ne Eurovizion.

    Faleminderit per punen tuaj dhe kontributin edhe ne kete forum ! Suksese dhe shkrime sa me te mira !
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 04-11-2011 më 10:35

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145
    SHPETIM SARAÇI : JA SI DO TA DREJTOJ FESTIVALIN LIVE TE KENGES SE LEHTE NE JUBILE

    Festivali i Këngës në RTSH këtë vit mbërrin në edicionin e tij të 50-të, ndërsa për herë të parë pas shumë vitesh organizatorët e tij tregojnë se ai do të jetë plotësisht live. Shpëtim Saraçi këtë vit vjen si drejtues artistik i festivalit, ndërsa tregon se ndihet i privilegjuar që do të jetë dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme.Në intervistën dhënë për gazetën “SOT”, drejtori artistik i festivalit pohon se këtë vit do të jenë 26 këngë pjesëmarrëse, ndërsa surprizë do të jetë dhe nata retrospektivë, e cila do të jetë me këngët më të mira të 49 viteve. Këtë vit Festivali i Këngës në RTSH do të jetë katër net, dhe për Shpëtim Saraçin po bëhet një punë e mirë për të sjellë një aktivitet më vlera. Drejtori artistik tregon se në 50-vjetorin e festivalit natyrisht kërkohet perfeksionim sa më i lartë i komponentëve dhe për rrjedhojë përgjegjësia e stafit është shumë e madhe. Për Shpëtim Saraçin rëndësia e festivalit nuk ka humbur, edhe pse ka pasur një emigracion të madh të emrave të njohur të krijimtarisë muzikore pas viteve ’90, ndërsa shton se festivali ka arritur gjatë këtyre viteve të prodhojë emra të rinj të talentuar. Sipas Saraçit, këtë vit në festival e rëndësishme do të jetë muzika e bukur, e cila do të ketë në fokus motivin shqiptar.

    -Këtë vit Festivali i Këngës në RTSH mbërrin në edicionin e tij të 50-të. Ju njohim si kompozitor, ndërsa hera e parë si drejtor artistik i tij. Si ndiheni dhe në çfarë përgjegjësie ju vendos ky pozicion këtë vit në festival?

    Për mua është një privilegj i madh, një përgjegjësi e jashtëzakonshme, aq më tepër kur mendon se ky festival këtë vit është në jubile, pasi vjen në edicionin e tij të 50-të. Për mua Festivali i Këngës në RTSH është "sofra" ku kanë fillimet shumë e shume emra të rëndësishëm të muzikës shqiptare. Sigurisht që ndjehem i vlerësuar që jam drejtor artistik i festivalit, njëkohësisht kam dhe shumë emocione. Së bashku me stafin shpresoj që të bëjmë më të mirën dhe për këtë po punojmë me shumë përkushtim.

    -E ndërkohë cilët do të jenë bashkëpunëtorët tuaj, që do jenë së bashku me ju në këtë edicion të 50-të?

    Janë emra të mirënjohur të muzikës shqiptare. Kam kënaqësinë të jem në grup me emra të tillë si Alfred Kaçinari dhe Edmond Zhulali. Vetë emrat e tyre flasin për një eksperiencë të madhe në krijimtarinë muzikore, si dhe në organizimin e festivalit e këngës.

    -Është menduar që në këtë jubile të tij festivali të vijë i tëri live?

    Po punojmë që këtë vit ai të jetë plotësisht live. Është festivali i 50-të i këngës dhe sigurisht që ne duhet të kujtojmë diçka nga ky festival, i cili deri më tani ka 49 çmime e shume e shume emocione te paharrueshme për të gjithë. Dhe kjo nuk është pak, dhe ne kemi menduar që të rikthehen këtë vit në skenë më të mirat e festivalit të këngës ndër vite. Shpresojmë që te kemi një festë të madhe ku na nevojitet kontributi i të gjithëve.

    -E ndërkohë datat e zhvillimit të festivalit kur do jenë?

    Festivali i Këngës në RTSH ashtu si çdo vit do të jetë në fund të dhjetorit. Këtë vit ai do të jetë me katër net nga të cilat një natë do të jetë e gjitha retrospektivë.

    -Sa këngë do të pranohen këtë vit në Festivalin e RTSH?

    Këtë vit mendojmë të kemi një numër prej 26 këngësh në total. Në një farë mënyre jemi të detyruar që të kemi një numër të tillë të "kufizuar", pasi mendojmë të kemi dhe shumë numra muzikore në këtë edicion, që i takojnë retrospektivës dhe kjo na bën që ne të jemi pak të kursyer në drejtim të krijimtarisë muzikore. Njëkohësisht duke qenë se festivali do të jetë “LIVE” sigurisht që na nevojitet më shumë kohë për prova për secilën këngë.

    -Ju tremb fakti që i gjithë festivali këtë vit do të jetë live, pasi ana teknike ka një pjesë të rëndësishme, por sa plotësohet ajo?

    Sigurisht që është një ambicie e madhe e Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH, dhe ka dhe anën e saj riskioze. Te bësh festivalin e këtij viti në jubileun e tij plotësisht live është një përgjegjësi e madhe. Në 50 vjetorin e festivalit natyrisht kërkohet perfeksionim sa më i lartë i komponentëve dhe për rrjedhojë përgjegjësia është shumë e madhe, por gjithsesi ne jemi me dëshirën dhe energjinë për të bërë më të mirën.

    -Kur do të fillojnë të pranohen këngët e këtij viti?

    Datat për pranimet e këngëve tashme prej kohësh janë publikuar dhe do të jenë me 13-14 tetor. Më pas do të përzgjidhen nga një komision, i cili do të ketë në përbërje të tij emra profesionistë. Më pas do të vijojë puna për realizmin e tyre në të gjithë komponentët “Live”.

    -Premtoni për një krijimtari të pastër shqiptare, pasi ka pasur vite dhe që edhe është përfolur muzika?

    Unë mendoj se në radhë të parë vlerë ka muzika e bukur. E dyta dhe akoma më e rëndësishme është që nuk duhet të ketë muzikë të vjedhur. Më pas nëse kemi të bëjmë me muzike ku ndjehet motivi shqiptar dhe mundësisht i sjellë në kohë, mendoj që duhet ta komplimentojmë. Megjithatë mendoj që s’mund të ketë kusht shqiptare apo internacionale, mjafton të jetë një këngë e bukur, origjinale dhe e pëlqyeshme nga publiku.

    -Do jenë në skenën festivalit dhe emra të njohur të këngës së lehtë shqiptare ndër vite?

    Shpresojmë, pasi kanë premtuar që do të vijnë, por kjo mbetet për tu parë në fund. Jemi në një fazë pritëse dhe më vonë mund tu themi se çfarë prurjesh kemi.

    -E ndërkohë nga ju vetë do të kemi diçka në këtë festival, sa i takon muzikës?

    Drejtorit artistik të Festivalit të Këngës në RTSH nuk i lejohet të marri pjesë në konkurrim, por nga unë nuk do të mungojë krijimtaria përshëndetëse muzikore.

    -Për shumë emra të krijimtarisë muzikore shqiptare Festivali i Këngës në RTSH e ka humbur pak shkëlqimin e tij të dikurshëm. Ju si mendoni?

    Nuk di sa mund të ketë bazë kjo. RTSH këtë vit organizon festivalin e 50-të, i cili deri tani numëron 49 këngë fituese dhe qindra suksese të padiskutueshme. Tashmë u bë traditë që fituesi i Festivalit të RTSH përfaqëson Shqipërinë në EuroSong. Me këto pak statistika mund t’ju them që as që bëhet fjalë për këtë gjë.

    -Sa e ka dëmtuar festivalin mos interpretimi live?

    Në vitet ’90 ne kemi pasur emigracion të madh artistësh, dhe kjo ka qenë një nga arsyet që festivali u kthye me superpozim. Ju kujtoj se në vitet ’90-’91 pothuajse u bënë festivale krejtësisht “të rinj”, ku kishte një numër të paktë këngëtarësh që kishin marre pjese më parë në festivale, madje në ato vite ishte prezent rreziku që të mos kishim festival. Por fatmirësisht festivali ekzistoi madje me sukses, dhe “prodhoi” artistë të rinj dhe sot i vjen dita që ai të bëhet plotësisht live.

    -Ju trembin kritikat pas festivalit?

    Festivali i RTSH është një festival i të gjithëve, dhe duke qenë se është pronë e të gjithëve kritikohet po nga të gjithë. Nëse ne duam të bëjmë një gjë të mire në këtë 50 vjetor të festivalit mendoj se është ajo që duhet ti shohim gjërat më me realizëm. Nëse ne do ti shohim gjërat ashtu si kemi parë këto vitet e fundit, kuptohet që produkti i medias do të jetë ai që ka qenë. Uroj dhe e ftoj median ta shikojë ndryshe muzikën e këtij festivali dhe festivalin si ngjarje.


    Intervistoi: Julia Vrapi - Gazeta " SOT " (28 Shtator 2011)

    http://www.sot.com.al/index.php?opti...eta&Itemid=483
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 04-11-2011 më 10:31

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145
    Adi Krasta dhe Eda Zari, prezantues të festivalit të këngës

    Prezantuesi Adi Krasta, i cili ditë më parë u largua nga Top Channel, pritet të jetë prezantues i këtij viti në Festivalin e këngës. Pikërisht në 50 vjetorin e këtij festivali është vendosur që Krasta të jetë drejtues i këtij evenimenti. Por në krahë të Krastës, do të jetë edhe një femër, këngëtarja e muzikës ‘jazz’, Eda Zari.

    http://www.sot.com.al/index.php?opti...sip&Itemid=488

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145
    Lejla Agolli: Pas tre dekadash “Jeta ime” më riktheu në garën e këngës së lehtë shqiptare në RTSH

    Kompozitorja Lejla Agolli, një emër i vlerësuar në krijimtarinë muzikore pas tre dekadash rikthehet në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH. Kënga me titull “Jeta ime” me tekst dhe interpretim të këngëtarit Frederik Ndoci është një krijim i kompozitores, e cila pohon se kënga është një meditim për jetën. Për Agollin, një këngë e bukur në Festivalin e Këngës në RTSH quhet kur ajo ka identitet shqiptar, është origjinale dhe këndohet nga një zë i bukur. Në intervistën dhënë për gazetën kompozitorja tregon dhe arsyet që e mbajtën për kaq vite larg festivalit, duke theksuar se për të sjellë një krijimtari të pasur artistike duhet një punë shumë e madhe dhe nëse do të krijosh, këtë duhet ta bësh në mënyrën më të mirë artistike.

    Festivalin e Këngës në RTSH, kompozitorja e shikon si një ngjarje të rëndësishme, e cila përveçse një garë e fortë muzikore prezanton më së miri dhe vlerat e këngës së lehtë shqiptare. Kompozitorja Lejla Agolli për punën e saj në krijimtarinë muzikore, vetëm para disa kohësh u nderua me titullin “Naim Frashri i Artë” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në fushën e krijimtarisë muzikore të të gjitha gjinive dhe promovimin e tyre në veprimtaritë brenda dhe jashtë vendit”. Kompozitorja tregon se nuk do të ndalet me krijimtarinë artistike, ndërsa pohon se edhe muzika simfonike i ka falur shumë momente të bukura.

    -Riktheheni në Festivalin e Këngës në RTSH pas disa dekadash me një bashkëpunim me këngëtarin Frederik Ndoci. Çfarë do të sillini këtë herë për publikun?

    Kënga ime në festival është një meditim për jetën dhe teksti është shkruar nga Frederik Ndoci, i cili dhe do ta interpretojë në skenë. Kënga është me orkestrim të Endri Sinës dhe me kompozim nga unë. I jam shumë mirënjohëse të dyve dhe jam e bindur se nëse kënga ka disa vlera interpretimi i Frederik Ndocit do t’ia shumëfishojë ato. Frederiku ka shumë talent dhe në tekste, dhe kënga titullohet “Jeta ime”. Kënga i shkon temës së jetës, është një baladë, por tek muzika e lehtë dhe është shumë e rëndësishme të theksoj se kënga është shqiptare. E kam parim në punën time, që nëse kënga nuk më tingëllon shqiptare, nuk marr mundimin ta paraqes, sepse bëhem një imituese e keqe e muzikës. Kënga duhet të ketë identitet shqiptar. Më vjen mirë që këtë herë unë rikthehem pas disa dekadash në festival me një këngëtar si Frederik Ndoci dhe me një orkestrues si Endri Sina, një emër i talentuar. Kënga ime do të jetë plotësisht shqiptare, muzikë e lehtë dhe një meditim për jetën.

    -Ju vini në skenë pas tre dekadash, ndërkohë si ka qenë krijimtaria juaj muzikore në festival?

    Pas ndryshimeve që pësoi vendi ynë, për mua si kompozitore është hera e parë që marr pjesë në festivalin e RTSH. Kam qenë pjesëmarrëse në disa festivale para viteve ’90 dhe në ato vite këngët e mia janë mirëpritur nga publiku. Janë vlerësuar si krijimtari dhe ato janë kënduar nga emra të njohur si Nikolin Gjergji, Arta Babaramo etj. Nuk kanë qenë këngë që i kushtoheshin dashurisë, por kanë pasur të tjera tematika të kohës. Në festival unë jam paraqitur në ato vite dhe me këngë që kishin tekst të Dritëro Agollit dhe kanë qenë bashkëpunime të mira.

    -Ju riktheni në festival pas disa dekadash, por pse nuk keni qenë pjesëmarrëse për kaq shumë vite?

    Unë si kompozitore në krijimtarinë artistike kam shkruar pjesë instrumentale, simfonike, tek krijimtaria muzikore me këngën jam aktivizuar më pak, pasi i kam kushtuar më shumë vëmendje klasikes, e cila është me bollëk por dhe e vlerësuar me çmime. Kënga ka katër rreshta dhe ato katër rreshta o i godet bukur, ose më mirë mos u merr me këngën, lëre atë. Unë më shumë jam e predispozuar të shkruaj një pjesë simfonike, sepse aty e kam një orkestër të madhe dhe përdor të gjithë teknikën kompozicionale me një temë të caktuar dhe jam e qetë se puna do të më dalë mirë. Kënga është shumë delikate, është 4 minuta muzikë dhe ose duhet të jetë e bukur ose më mirë mos u merr me atë, por kjo nuk do të thotë që për këtë arsye unë nuk jam marrë me këngën. Në jetën time artistike jam marrë me shumë me klasiken, sepse aty kam pasur më shumë mundësi që ta realizoj bukur krijimtarinë time. Kënga do më shumë kohë, kërkon studion, autorin e tekstit, këngëtarin etj, dhe koha ka qenë një problem.

    -Thatë që nuk keni prezantuar në festivale këngë për dashurinë, por sa e vështirë ka qenë për ju të krijoni krijimtarinë artistike, duke ditur se në ato vite ishte dhe ideologjia e kohës?

    Në ato vite unë i referohesha këngëve revulocionare franceze, për të sjellë një stil tjetër në muzikë, por ishte me intonacione shqiptare. Ishte një film i njohur francez “Sako dhe Vanceti” dhe ka pasur një muzikë që unë e adhuroja, dhe jam munduar të marr nga ajo frymë muzikore e filmit, por me shumë kujdes në krijimtari.

    -Çfarë mendoni sot për Festivalin në RTSH?

    Festivali ka një hije të madhe dhe pretendimi për të marrë pjesë aty është shumë serioze nga autorët. Nëse themi se dekada më parë festivali ka pasur shkëlqim, normalisht ka pasur edhe kompozitorë të mrekullueshëm që kanë shkruar këngë që këndohen dhe sot e kësaj dite, dhe ato këngë do mbeten, por ka qenë dhe këngëtarë të njohur me zë të mrekullueshëm që i kanë kënduar. Një vlerë mbetet dhe interpretimi live. Festivali për mua nuk është zbehur, por sot ka dhe shumë aktivitete të tjera muzikore dhe ka më shumë larmi, dhe kjo sjell një shpërndarje të vëmendjes, por Festivali i RTSH mbetet. Në këtë edicion unë vlerësoj shumë drejtorin artistik Shpëtim Saraçin, pasi ai është një emër shumë i talentuar dhe kam besim se për pjesën që i takon atij ai do të bëjë më të mirën e mundur.

    -Si e keni parë vlerësimin e jurisë?

    Mund të ketë pasur dhe debate, por unë për hir të së vërtetës duke qenë se për shumë vite nuk kam qenë pjesëmarrëse kam qëndruar larg diskutimeve të tilla. Mendoj se gjithmonë ekziston një lloj subjektiviteti. Unë mbetem tek ajo që thashë pak më lart, që në festival duhet të ketë vetëm krijimtari shqiptare, si ajo që do të sjell unë por dhe konkurrentët e tjerë. Unë shpresoj që pas festivalit të prononcohet edhe kritika, por në mënyrë sa më profesionale. Nëse do të ekzistonte kritika e mirëfilltë dhe profesionale nuk do të kishte kaq shumë debate për festivalin.
    -Ana teknike gjithmonë ka qenë problem, ju çfarë mendoni?
    Festivali këtë vit është i tëri live, këngëtarët dhe orkestra. Kur është përballur në ato vite kur nuk kishte mjete teknike, mendoj se në ditët e sotme nuk do ketë problem. Kam dëgjuar se këtë vit ka një kujdes të veçantë në anën e teknikës.

    -Jeni fituese dhe çmimit të parë në një festival të këngës qytetare që u zhvillua para disa kohësh. Çfarë ju shty të ishit pjesëmarrëse në këtë aktivitet?

    Për disa vite unë kam qenë drejtore artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, dhe në ish Institutin e Folklorit unë kam qenë shumë e angazhuar. E gjitha kjo eksperiencë e madhe mua më ka shërbyer shumë në krijimtarinë time. Unë kam hulumtuar shumë në këtë pasuri dhe jam bazuar në tema të tilla, dhe kur Ardit Gjebrea zhvilloi Festivalin e Këngës Popullore Qytetare unë krijova një këngë e cila u këndua nga Frederik Ndoci dhe u vlerësua me çmim të parë, një këngë që ishte me motive shkodrane.

    -Të gjithë pjesëmarrësit synojnë “Eurosongun”, po ju si e shikoni këtë festival?

    “Eurosong” ka problemet e tij, është një votim gjeo-politik, por unë theksoj se nëse ne do të shkojmë me një krijimtari shqiptare, me këngë që dallohet intonacioni shqiptar atëherë mund të tërheqim më shumë vëmendje në këtë festival.

    Intervistoi: Julia Vrapi

    http://www.sot.com.al/index.php?opti...eta&Itemid=483
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 06-11-2011 më 11:26

  6. #6
    Festivali i këngës në RTSH, garë dhe spektakël

    Festivali i këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, do të sjellë në këtë edicion të 50-të, jo vetëm garën mes konkurentëve, por edhe një spektaklin.

    Kështu deklaruan sot në një konferencë shtypi drejtuesit e festivalit sipas të cilëve risia e këtij edicioni është ekzekutimi live nga Orkestra Simfonike e RTSH-së e të gjitha këngëve si dhe nga nja bandë muzikore e udhëhequr nga Shpetim Saraçi. Do të jenë 53 instumentistë që do të luajnë tingujt e 28 këngëve konkuruese të festivalit.

    Në këtë 50-vjetor është menduar që në natën e tretë të festivalit, të interpetohen 26 këngë fituese ndër vite, disa nga vetë artistët fitues dhe të tjerat të përshtatura nga këngëtare të tjerë. Festivali do të zhvillohet si zakonisht në ditët e fundit të muajit dhjetor, në datat 26, 27, 28, 29 dhjetor.

    Pas prezantimit të këngëve, dy netët e para dhe pas mbrëmjes retrospektivë, çmimet do të ndahen në natën e katërt në Pallatin e Kongreseve.

    Festivali i këngës në RTSH zhvillohet që prej vitit 1961 dhe që prej vitit 2003 kënga fituese e këtij festivali ka përfaqësuar Shqipëri në Eurovizion.

    (e.m/BalkanWeb)
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145
    Organizatorët: Në festivalin e 50-të nuk ka eksperimente

    Festivali i 50-të i Këngës në Radio-Televizion këtë vit mbahet më 26, 27, 28, 29 dhjetor. Një festival “i vonuar”, siç u quajt në mënyrë figurative nga drejtori artistik Shpëtim Saraçi, por që ka për qëllim të rikthejë traditën e dikurshme. Si atëherë kur për Vit të Ri njerëzit rrinin përpara televizionit për të pritur çmimet e natës së tretë. Këtë herë organizatorët nuk ngurruan t’i shtonin dozat e vlerësimit të parakoshëm. Edhe pse është ende herët, u fol “për një festë të madhe e të jashtëzakonshme”, me të vetmin shpjegim që ky është i 50-ti dhe nuk mund të eksperimentohej. Pak u fol për prurjet, cilësinë e këngëve, për risitë apo kuriozitete pikante, siç janë prezantuesit, të ftuarit e juria. Drejtorit artistik Saraçi iu kërkua që të bënte publikë emrat e Komisionit Përzgjedhës së Këngëve, pas pyetjes që iu bë Edmond Zhulalit, drejtor artistik i festivaleve në vite, se si mund të ishte njëherësh në stafin organizator dhe të konkurronte këtë vit me këngën që i ka besuar të riut Toni Mehmetaj? Zhulali sqaroi: “Jam në stafin teknik të festivalit. Nuk kam pasur të drejtë në vendimmarrje në asnjë lloj procedure. Të bësh këngë është një gjë pozitive, nuk është shkelje.”

    Komisioni përzgjedhës i 28 këngëve përbëhet nga:

    Thoma Gaqi, Fatmir Hysi, Aurela Gaçe, Kozeta Mamaqi dhe Edison Miso.


    Organizatorët ishin të mendimit që kaq mjafton në këtë prezantim të parë për mediat, të tjerat do të thuhen me kohën. Atëherë kur u duk se të gjithë kishin hequr dorë nga pyetja rutinë nëpër takime të tilla: “A do të jetë ‘live’?”, drejtori i festivalit Martin Leka shpalli se po këtë vit u krijuan kushtet që ai të jetë 100 përqind ‘live” në interpretimin e Orkestrës së Radio-Televizionit dhe me një bandë muzikore të drejtuar nga Shpëtim Saraçi, entuziast që “gjithçka ekzekutohet në mënyrë të gjallë dhe 53 instrumentistë do të jenë tingulli, shpirti, zemra e festivalit”.

    Duke qenë jubileu i 50-të, natyrshëm që edhe spektakli do të zërë një vend të veçantë. “Përbri tokës së veprimtarisë konkurruese, të bëhen parcela këtej-andej, të cilat do jenë të mbushura me eksperiencën e viteve, krijuesit e mrekullueshëm, këngëtarët, poetët”, u përpoq të jepte një shpjegim për atmosferën e aktivitetit regjisori Osman Mula.

    Të ftuar do të jenë protagonistët e festivaleve në vite, 26 fituesit do t’i këndojnë edhe njëherë spektatorit, kurse zërat e atyre që nuk janë më, do të zëvendësohen nga të tjerë të rëndësishëm të muzikës së lehtë shqiptare. Pati nga ata që u vetëquajtën “babagjyshër”, si për t’iu hapur oreksin të tjerëve për të kujtuar sa vite kishin që krijonin ose interpretonin në skenë, që sugjeruan edhe vlerësime për ata që kanë kontribuar për vite. Ndoshta kjo nuk është puna më e vështirë, duke kujtuar se kush janë njerëzit e afërt me aktivitetin, të njëjtët kompozitorë konkurrentë dhe shpesh fitues, të njëjtët krijues tekstesh, e po të njëjtët organizatorë që ndërrohen nga viti në vit.

    Më 21 nëntor-25 dhjetor do zhvillohen provat, 3 javët e para në studion e Radio-Televizionit dhe më pas do të kalohet në Pallatin e Kongreseve.



    Drejtor i festivalit: Martin Leka

    Udhëheqës artistik: Shpëtim Saraçi

    Regjisor: Osman Mula

    Skenarist: Edlira Birko, Pandi Laço

    Skenograf: Bashkim Zahaj

    Producentët muzikorë: Edmond Zhulali, Alfred Kaçinari

    Drejtor Fotografie: Franko Ferrari

    Mjeshtër zëri: Emanuele Donnini, Mauro Lafigara



    Këngëtarët: Altin Goci, Bashkim Alibali, Bojken Lako, Claudio La Regina, Dr. Flori, Elhaida Dani, Elton Deda, Endri dhe Stefi Prifti, Entela Zhula, Evans Rama, Frederik Ndoci, Goldi Halili, Gerta Mahmutaj, Herciana Matmuja, Iris Hoxha, Kamela Islamaj, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo, Marsida Saraçi, Orinda Huta, Rona Nishliu, Rudina Delia, Saimir Braho, Samanta Karavello, Sindi Berisha, Toni Mehmetaj, Xhensila Myrtezaj.



    Kompozitorët: Altin Goci, Bashkim Alibali, Bojken Lako, Claudio La Regina, Dr.Flori, Endri Sina, Elton Deda, Voltan Prodani, Edmond Veizaj, Fabian Asllani, Lejla Agolli, Fatrin Krajka, Flamur Shehu, Shpëtim Kushta, Edmond Rrapi, Alban Male, Kujtim Prodani, Sokol Marsi, Klodian Qafoku, Enis Mullaj, Alban Kondi, Florent Boshnjaku, Luan Zhegu, Ilir Dangëllia, Gent Myftaraj, Kristi Popa, Edmond Zhulali, Genti Lako.


    http://www.shekulli.com.al/shekulli/...iton-jeta-ime/
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 12-11-2011 më 22:01

  8. #8
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145
    Flamur Shehu: Elektronika dobësoi këngën e lehtë shqiptare, playback zbehu Festivalin e RTSH

    Këngët që mbajnë emrin e kompozitorit Flamur Shehu i këndojnë rinisë dhe dashurisë, ndërsa kanë triumfuar nëpër festivale e anketa muzikore.

    Edhe këtë vit kompozitori i njohur i cili ka disa dekada që merr pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH vjen me një tjetër kompozim muzikor. Kënga me titull “Pyete zemrën” do të këndohet Gerta Mahmutaj, për të cilën kompozitor pohon se ka një vokal të mirë, duke vlerësuar si një bashkëpunim të mirë.

    Në këtë intervistë mes të tjerave kompozitori Flamur Shehu flet dhe për Festivalin e RTSH ndër vite, duke e cilësuar si maja e aktiviteteve muzikore në vendin tonë, i cili nuk ka kaluar pa probleme.

    Ai tregon se koha ka evoluar dhe solli dhe elektronikën në krijimtarinë muzikore, por përdorimi i tepërt i saj e zbehu këngën e lehtë shqiptare. Flamur Shehu nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, është një ndër kompozitorët më të njohur të muzikës dhe këngës shqiptare.

    Krijimtaria e tij shumë e pasur, e larmishme, e mbushur me emocione, gjithmonë ka depërtuar në zemrat e publikut shqiptar. Përgjatë dekadave kompozitori i ka dhuruar publikut rreth 500 këngë, të cilat kanë hyrë në fondin e artë të muzikës dhe kanë mbetur në kujtesën e publikut, këngë që janë përcjellë nga vargjet e shumë poetëve dhe janë kënduar nga zërat këngëtarëve më të njohur shqiptarë.

    -Këtë vit ju riktheheni në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH. Me çfarë do të prezantoheni para publikut?

    Rikthimi im këtë vit në festival ka të bëjë dhe me faktin se festivali ka 50-vjetorin e tij. Në këtë festival ne jemi rritur dhe edukuar, kemi krijuar këngë. Krijimtaria ime muzikore në festivale është shumë e gjerë, numëroj 38 Festivale të Këngës në RTSH, Koncertet e Pranverës, Dekadat e Majit etj. Unë kam qenë anëtar jurie për dy vjet në festival dhe nuk më lejohej të merrja pjesë, ndërsa para tre vitesh isha pjesëmarrës me një këngë që u këndua nga Greta Koçi. Për mua Festivali i Këngës në RTSH është maja e muzikës dhe këngës së lehtë shqiptare. Ky festival është tabani dhe kulmi i aktiviteteve që zhvillohen në Shqipëri në gjininë e këngës.

    Këtë vit unë prezantohem me një këngëtare të re, ndryshe nga vitet e tjera që kam pasur këngëtare të njohura me këngët e mia. Gerta Mahmutaj do të këndojë këngën time në festival këtë vit, e cila ka një vokal të mrekullueshëm dhe një intonacion perfekt dhe mendoj se do të paraqitet shumë mirë. Kënga titullohet “Pyete zemrën” me tekst nga Rozana Radi dhe orkestrim të Edmond Zhulalit. Kënga flet për shumë dashuri të humbura në jetë, për ndjenjat. Unë i them publikut shqiptar të jetë pranë ekranit të RTSH, të jetojë me këngën shqiptare, sepse është një ushqim shpirtëror. Festivali këtë vit është marrë seriozisht nga organizatorët dhe besoj se do të jetë i bukur. Nuk do të ketë më defekte me foninë, sepse me sa di kanë ardhur aparaturat nga Italia, falë të cilave do të realizohet mirë ana teknike.

    -Ju thatë që Festivali i Këngës në RTSH është maja e zhvillimit muzikor në vendin tonë, por cilat janë problematikat?

    Festivali i RTSH vijon historinë. Në çdo veprimtari ka rënie dhe ngritje dhe në Shqipëri zhvillohen dhe disa festivale të tjera si “Kënga Magjike”, “Top-Fest” etj, por për mua më tepër janë koncerte show se sa janë konkurrime të mirëfillta.

    Që të bësh një festival me një konkurrim të mirëfilltë duhet të këndosh live, dhe kjo nuk është e lehtë. Me incizim dhe me superpozim mund të këndojë gjithkush.

    Është një traditë 50-vjeçare, që kënga që ka qenë pranë njerëzve dhe është e bazuar në melodi, poezi. Kanë qenë me tematika nga më të ndryshmet, dhe bazë kryesore kishin poezinë dhe melodinë, që ishte e këndueshme, e transmetueshme, që bëhej pjesë e çdo gëzimi.

    Kur them që Festivali i RTSH është maja, kam parasysh që këtu vjen krijimtaria më e mirë e kompozitorëve. Konkurrimi është bërë më i fortë, duke ditur se u bënë disa vite që Shqipëria merr pjesë në “Eurovizion” dhe ka dhe një përgjegjësi më të madhe.

    Disa vite festivali në RTSH ka qenë me playback, gjë që zbehu anën shpirtërore dhe emocionin e festivalit. Ky ka qenë defekti i festivali, pasi kur muzika dhe këngëtari janë live emocioni është shumë më i madh, nëse ata nuk janë live atëherë nuk quhet festival, por quhet si një koncert, dhe më vjen mirë që ka disa vite që këngëtari këndon live, madje këtë vit do të jetë edhe orkestra e gjitha live dhe kjo është gjë shumë e mirë.

    Festivali nuk është një moment për ta paraqitur sa më bukur, nuk është më dekori, fonia apo ndriçimi e bukura e festivalit, por e bukura është që këngët dhe orkestra janë drejtpërdrejtë. Me live emocioni perceptohet më shpejt dhe shkon më mirë tek spektatori se sa me mënyra elektronike.

    -Jeni një kompozitor i vlerësuar me krijimtarinë tuaj muzikore dhe dekada me radhë keni qenë pjesëmarrës në festivale, por sipas jush pse vijon akoma nostalgjia e këngëve që janë realizuar para disa dekadash?

    Nostalgjia është sepse kënga ishte origjinale po ashtu dhe tingulli, dhe ishin shumë emocione, por me futjen e elektronikës filloi të prishej dhe tingulli. Kur teprohet me elektronikë, ajo e dëmton këngën. Koha sigurisht që ka evoluar, dhe pas viteve ’90 ne kemi edhe këngë të bukura nga autorë të rinj. Është një periudhë që kërkonte ndryshimin dhe kjo ishte gjë e mirë. Unë kam 38 vjet që marr pjesë në festivale dhe nuk më duket e drejtë që disa emra të njohur nuk marrin pjesë, pasi për mua ata janë të domosdoshëm në festival. Brezat vijnë, por zëvendësimi i të vjetërve me të rinjtë nuk mund të bëhet i menjëhershëm, por gradualisht.

    -Si i keni parë prurjet e kompozitorëve të rinj?

    Kemi kompozitorë dhe këngëtarë të rinj që janë të talentuar, por kemi dhe emra të cilët duhet të kenë më shumë profesionalizëm në krijimtarinë e tyre artistike. Kemi kompozitorë që janë të prirur më shumë nga elektronika, e cila kur është e tepërt e dëmton krijimtarinë. Vërtetë kohët kanë ndryshuar dhe ne duhet të jemi të pranueshëm për atë që sjell e reja, por krijimtaria muzikore kërkon më shumë. Sot kemi kopjime, kemi mënyra jo të mira të interpretimit të një kënge, poezia nuk është e bukur, dhe të gjitha këto ndikojnë në krijimtari. Kompozitorët e rinj duhet të kthejnë kokën nga folklori shqiptar, sepse ne atë e kemi shumë të pasur dhe ka elementë që mund të përdoren në muzikë.

    -Çfarë mendoni për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurosong”?

    Për mua nga të gjitha pjesëmarrjet mbetet e para. Ishte kompozitori Edmond Zhulali me këngëtaren Anjeza Shahini, por edhe prezantimet e tjera kanë qenë të mira si Olta Boka, Juliana Pasha. Në përgjithësi ne nuk kemi pjesëmarrje të dobët, por e keqja është se Shqipërinë e njohin pak dhe kemi pak vite në këtë festival, por dhe votimi bën të vetën, i cili ka shumë politikë.

    -Tregu muzikor sot?

    Sot tregu muzikor tek ne është bërë tallava, dhe kjo është një problem i madh në krijimtarinë muzikore shqiptare. Kemi kopjime nga shtete të tjera që vijnë në shqip, dhe këto e dëmtojnë krijimtarinë shqiptare, por besoj se kjo do të kalojë me kohën. Gjërat e gabuara do ti seleksionojë vetë koha.

    -Me dekada në festivale, por cilën këngë veçoni në krijimtarinë tuaj si kompozitor?

    Në festivale unë jam nderuar vazhdimisht me çmime të para, të dyta dhe të treta dhe nuk di kë të ndaj nga këngët, pasi për mua ato janë të gjitha njëlloj, por ato që publiku i ka duartrokitur shumë kanë qenë “Dashuria e parë” e kënduar nga Ema Qazimi 30 vjet më parë, “Pragu i vegjëlisë” nga Myfarete Laze, kam pasur këngë me Anita Bitrin, me Ermira Babaliun, kënga “Mes nesh është dashuria” e cila u këndua nga Parashqevi Simaku, kam pasur këngë me Irma Libohovën etj. Në jetën time një gjë kam dashur dhe vijoj ta kem, nëse një kompozitor kërkon të bëjë një këngë të bukur si fillim ai duhet të gjejë motivin, së dyti i duhet një poezi e bukur dhe e treta duhet të gjejë një këngëtar ose këngëtare të mirë, me të cilët duhet të punojë shumë. Në jetën time unë punoja në piano me këngëtarin për muaj të tërë deri sa të sillja një krijim të bukur artistik.

    Julia Vrapi - Gazeta "SOT"

    http://www.sot.com.al/index.php?opti...153&Itemid=483
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 25-11-2011 më 12:39

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145
    Nik Xhelilaj do të jetë prezanues i Festivalit të 50-të të Këngës

    Pas shumë diskutimeve brenda stafit drejtues të Festivalit të 50-të të Këngës, se kush do të ishte prezantuesi i këtij viti jubile, më në fund është vendosur që këtë edicion ta prezantojë aktori i njohur 28-vjeçar, Nik Xhelilaj. I komentuar si mashkulli simpatik i filmave më të fundit të kinemasë shqiptare, me tiparet e djalit mesdhetar, për drejtuesit e këtij festivali ka qenë personi më bindës për të prezantuar aktivitetin më të madh muzikor të vitit. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i festivalit, Martin Leka, i cili ka pohuar se Nik Xhelilaj do të prezantojë së bashku me dy partnere, emrat e të cilave do të behën të ditura brenda këtyre ditëve”. Për aktorin e Teatrit Kombëtar, kjo është eksperienca e parë si prezantues, ndërkohë që për sa i përket pjesëmarrjes së tij në një show televiziv, e fundit ishte gara në “Dancing with the stars”, një spektakël i transmetuar në “Vizion Plus”. Jemi kureshtarë të shohim se si do të shfaqet Niku si prezantues në festivalin me regji të Osman Mulës dhe skenar të Pandi Laço e Edlira Birkos.

    Ndërkohë që tashmë është hedhur shorti i natës së parë dhe natës së dytë, dhe kanë nisur provat e këngëtarëve dhe orkestrës që do të jetë 100% live. Festivali do të jetë katër net, duke filluar nga 26 dhjetori. Në natën e parë dhe të dytë do të bëhet prezantimi i këngëve, nata e tretë do të jetë nata gala, ku këngëtarë të njohur të brezave të vjetër dhe të rinj do të këndojnë 28 këngët më të zgjedhura të festivaleve në vite, dhe nata finale, ku do të shpallet këngëtari fitues, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.

    Pesëdhjetëvjetori i Festivalit të Këngës në RTSH do të mund të konsiderohet si gara e këngëtarëve meshkuj të karrierës. Sipas drejtorit të Festivalit, Martin Leka, ky edicion do të zhvillohet 100 për qind live, pasi jo vetëm këngëtarët do të këndojnë live, por edhe orkestra e RTSH-së e një bandë orkestrale që do të drejtohet nga udhëheqësi artistik i edicionit të sivjetshëm, Shpëtim Saraçi.

    Ndërkohë që konkurrenca do të jetë mes këngëtarëve: Altin Goci, Bashkim Alibali, Bojken Lako, Claudio la Regina, Dr. Flori, Elton Deda, Endri dhe Stefi Prifti, Entela Zhula, Evans Rama, Frederik Ndoci, Goldi Halili, Iris Hoxha, Kamela Islamaj, Kujtim Prodani, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo, Marsida Saraçi, Orinda Huta, Rona Nishliu, Saimir Braho, Samanta Karavello, Xhensila Myrtezaj etj.

    Gjithë show-n do e drejtojë Nik Xhelilaj, prezantuesi që u vendos pas tërheqjes së Adi Krastës. Vitet e fundit, RTSH ka eksperimentuar me prezantuesit e këtij festivali, të cilët më së shumti kanë qenë këngëtarë dhe aktorë. Për sa i përket karrierës si aktor, Xhelilaj së fundi po punon me xhirimet e një filmi të ri në Londër. Jehona e tij e fundit si aktor i sukseshëm ka qenë me filmin “Shqiptari”, ku vlen të përmendet se në fillim të vitit ky film u shpall fitues i çmimit “Max Ophuels”.


    http://www.panorama.com.al/panorama-...-te-te-kenges/

  10. #10
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    17,145
    Agim Doçi: Ja pse nuk jam dakord me rregullat absurde të Festivalit të Këngës në RTSH

    Poeti Agim Doçi, i njohur për suksesin e tij në disa edicione të festivaleve të muzikës së lehtë shqiptare, edhe këtë vit është pjesëmarrës në edicionin e 50-të të festivalit në RTSH. Në festivalin e këngës në fundvit, poeti i njohur vjen me tre bashkëpunime në këngë, emra të cilët janë vlerësuar nga publiku. Poeti Agim Doçi ndërsa e vlerëson këtë aktivitet muzikor, ku sipas tij përballen vlerat e këngës së lehtë shqiptare, pohon se drejtuesit e festivalit kanë vënë rregulla absurde për pjesëmarrësit. Poeti tregon se atij nuk i lejohet të marri pjesë me tre tekste këngësh, ndërsa pohon se ky është një festival i këngës dhe jo i poezisë. Në intervistën dhënë për gazetën, poeti Agim Doçi mes të tjerave flet dhe për juritë e festivalit, dhe sipas tij ato duhet të jenë të ndërtuara me emra që janë profesionistë dhe jo me njerëz që nuk kanë njohuri mbi muzikën. Duke folur për aktivitetin më të madh muzikor të fundvitit, poeti Agim Doçi pohon se ky festival duhet të bëjë më shumë dhe për anën e spektaklit, ndërsa si primar sigurisht që duhet të ketë krijimtarinë artistike që do të interpretohet në skenën e tij.

    -Këtë vit jeni pjesëmarrës në edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Me çfarë do të prezantoheni këtë herë?

    Unë pata ftesa nga kompozitorë të nderuar e të talentuar, dhe mendova të shfrytëzoj bashkëpunimet e gjata. Meqenëse kompozitorët që kanë bërë epokë në festivale me të cilët unë kam bashkëpunuar nuk po punojnë më, dhe disa prej tyre janë ndarë nga jeta si i paharruari Agim Prodani, apo të tjerë që nuk shkruajnë më si Avni Mula, Limoz Dizdari etj, këtë vit unë marr pjesë me tre krijime me emra të talentuar. Megjithëse censurorët e festivalit dhe ata që janë caktuar drejtues thonë që çdo projekt duhet të ketë dy tekste, unë jam i detyruar ti deklaroj të tre bashkëpunimet e mia këtë vit. Bashkëpunimin e parë e kam me Edmond Zhulalin, i cili ka realizuar një këngë jashtëzakonisht të bukur, që e këndon 16 vjeçari Toni Mehmetaj, bashkëpunimi i dytë është me djalin e Agim Krajkës, Fatrini, këngë që e interpreton Goldi Halili, një vajzë e talentuar dhe me një vesh muzikor, ndërsa bashkëpunimi i tretë që “kërcënohet” është me kantautorin Luan Zhegu, këngë që do ta këndojë Rudina Delia. Unë gjithmonë jam cilësuar si poet i dashurisë dhe nuk jam si të tjerët që kanë marrë medalje duke i kënduar partisë. Në krijimtarinë time me Zhulalin kam këngën “Ëndrra e parë”, me Fatrin Krajkën kam këngën që flet port marrëdhënien e sinqertë mes dy të rinjve, të cilët kërkojnë nga njëri-tjetri të mos harrojnë që dashuria nuk do jo. Me Luan Zhegun kam cekur temën lot i një fëmije, ku loti i tij peshon më shumë se çdo dhimbje tjetër.

    -Ju thatë që sipas rregullores së festivalit, çdo poet duhet të jetë pjesëmarrës vetëm me dy tekste jo më shumë, por për ju si është kjo rregullore?

    Për mua është një kriter absurd dhe paradoksal, por dhe kriter idiot, sepse ata harrojnë që nuk është festival i poezisë, por është festival i këngës. Dhe për sa kohë që është i tillë unë nuk mund të përzë kompozitorët. Unë nuk i kam penguar autorët e tjerë që mos të bëjnë këngë. Për sa kohë përkrah Gjok Becit, Xhevahir Spahiut, Arben Dukës etj, unë jam një ndër princërit e kësaj mbretërie, ky është një kriter idiot që më pengon mua. Unë nuk marr pjesë në festival për çmim, por unë marr pjesë në festival që kënga ime të rrijë bukur në buzë të njerëzve dhe këtë parim unë e kam mësuar 30 vite më parë kur kam bashkëpunuar me Agim Prodanin. Unë nuk kam faj që marr çmime, nderohem dhe shkoj dy herë në Festivalin Europian.

    -E ndërkohë, tre këngët tuaja tashmë janë pranuar në festival?

    Këngët e mia janë pranuar të treja, por më thonë që mos e vë emrin tek një këngë. Nëse do heq emrin mund të vë si autor teksti Petrit Becin, i cili është dhe drejtor i RTSH dhe unë nuk mbaj mend të ketë bërë ai ndonjë këngë. Unë nuk i bëj këngët për të më dalë emrin, por për sa kohë është festival i këngës është një kusht paradoksal që të kesh vetëm dy tekste. Më vjen mirë që si udhëheqës artistik këtë vit është një emër i talentuar si Shpëtim Saraçi, dhe unë besoj se si drejtor artistik ai do të realizojë një festival luksoz, i cili do të jetë i tëri live. Unë duke e ditur që këtë vit udhëheq Shpëtim Saraçi miku im dhe atij i janë bashkuar edhe Alfred Kaçinari dhe Edmon Zhulali, unë jam i bindur se të tre ata do të bëjnë një punë të mirë në festival.

    -Si ka qenë festivali gjatë këtyre viteve?

    Festivalet e RTSH, të cilët kanë qenë gëzimet më të mëdha në fund të vitit, duke pasur si drejtues artistik njerëz të aftë dhe të talentuar dhe shumë atdhetarë, ata kanë qenë të organizuar mirë. Sot kemi zëra të mrekullueshëm si Anjeza Shahini, Juliana Pasha, Kejsi Tola etj, që janë zëra që të befasojnë. Udhëheqja artistike e festivalit të RTSH duhet të marrë shembull nga Festivali “Kënga magjike”. Ardit Gjebrea është i paarritshëm në luksin e festivalit.

    -Festivali i RTSH ka buxhetin e shtetit?

    RTSH punon me një angazhim maksimal. RTSH shfrytëzon të gjitha fondet që i jep buxheti i shtetit, duke mos harruar që edhe shteti nuk po i përkëdhel aq shumë. Skenografia e Bashkim Zahajt apo ndriçimi i Lulzim Tufës janë të mrekullueshme, sa dhe fqinjët tanë italianë janë befasuar. Ne konkurrojmë për performanca edhe Sanremon.

    -Po krijimtaria artistike e festivalit çfarë ka sjellë këto vite, pasi ka pasur dhe zëra që ajo duhet të jetë më shumë shqiptare?

    Plagjiatura ose imitimet janë të logjikshme, sepse dhe në Europë ka akuza të tilla. Festivalet tona për fatin e mirë kanë qenë shumë të shëndetshme, dhe ato që janë plagjiaturë dhe pseudokëngëtarë do ti zhveshë festivali që do të jetë live. Sa i takon komisionit përzgjedhës, unë garantoj që ata nuk lejojnë të futet një krijim që mund të jetë bërë në vendet fqinjë. Kënga ka një statut dhe duhet të plotësojë 5 komponentë, të jetë e mbështetur në tabanin shqiptar si melodi, të jetë një poezi me problemet sociale që ka Shqipëria, të ketë një interpretues të saktë dhe jo të dalin me turli veshjesh, të ketë një orkestracion të saktë dhe ti bëhet një shërbim nga institucioni që ka festivalin.

    -Me dekada pjesëmarrës në këtë aktivitet të këngës së lehtë shqiptare, por çfarë mendoni për juritë ndër vite në festival?

    Zakonisht në juritë e festivalit të RTSH kanë futur emra që nuk marrin vesh fare nga kënga. Këta lloj jurish janë personifikimi më i saktë që ne kemi edhe në drejtësinë shqiptare, ku kemi një korrupsion dhe një qëndrim që krijon një klimë të mbrapshtë në Shqipëri. Mendoj se në juri duhet të marrin pjesë emra që e njohin këngën, poezinë dhe interpretimin, ndërsa në juri sot marrin regjisorë filmash, këngëtarë që janë të rinj në një kohë kur ka ikona të muzikës shqiptare. Mua më vjen keq që e them këtë, por juria mund të rrënojë një festival. Mund të bësh një aktivitet të mirë, dhe merr një juri jo të shquar por të shqyer dhe këta të shqyerit të marrin në qafë dhe përgjegjësinë e mban drejtoria e përgjithshme e RTSH. Unë kam qenë pjesëmarrës në “Eurosong” dhe më ka ardhur shumë keq që ka fatkeqësi dhe në juritë e këtij aktiviteti, ku ka votime gjeo-politike, pra kur juritë europiane janë të dalleverizuara çfarë mund të themi për juritë shqiptare.

    Gazeta " SOT"

    http://www.sot.com.al/index.php?opti...eta&Itemid=483
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 06-12-2011 më 14:07

Faqja 0 prej 9 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •