Akuzat ndaj Vokshit, “Apeli” gjobit Tahirin me 1 mln lekë, PS: Maskaradë

Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi sot të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e kryetarit të partisë Socialiste të Tiranës, njëkohësisht deputet i kësaj partie, Sajmir Tahiri, me 1 milionë lekë për shpifje ndaj deputetes, Albana Vokshi.

Në një reagim të saj, Partia Socialiste reagoi duke e cilësuar vendimin një maskaradë gjyqësore, që për llogari të pushtetit kërkon që me ço mjet ti mbyllë gojën opozitës.

“Partia Socialiste e konsideron këtë vendim si një përpjekje absurde dhe krejtësisht të kotë, për të trembur opozitën dhe deputetët e saj, një përpjekje për të frenuar denoncimet e vazhdueshme të korrupsionit dhe abuzimin me pushtetin, që e kanë përmbytur këtë vend. Por ky vendim i padrejtë nuk do të ndikojë aspak në vendosmërinë e PS dhe deputetëve të saj për të ngritur edhe më fort zërin në mbrojtje të pasurisë së shqiptarëve që po trajtohet si mall pa zot nga familjarët dhe klientët e oborrit kryeministror”- thuhet në deklaratën e PS-së.

Deputeti socialist ishte paditur nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi, pasi denoncimeve të tij për korrupsion në koncesionet e naftës.

Burimi: Panorama