Parti e re e së majtës, Haxhiymeri: Politika prej kasapi e Ramës na detyron
Anëtarët e kongresit, Haxhiymeri: Kriteri i përzgjedhjes është nënshtrimi ndaj Ramës
Kur janë shfaqur sinjalet e para për krijimin e një partie të re në kampin e majtë, e cila pritet të përfshijë brenda saj të gjithë deputetët aktualë socialistë që janë shprehur kundër mënyrës së drejtimit të PS-së nga kreu i kësaj force Edi Rama, dje sekretarja për shanset e barabarta në këtë force politike, Edlira Haxhiymeri, e përforcoi edhe më shumë këtë ide, ku theksoi se krijimi i kësaj partie do të vijë si pasojë e politikës së ndjekur nga kryesocialisti. Për anëtaren e sekretariatit të selisë rozë, filozofia me të cilën po udhëhiqet aktualisht Partia Socialiste është plotësisht kundër standardeve të një partie evropiane. Haxhiymeri deklaroi për “ABC News” se lideri i opozitës po ndjek aktualisht politikën e kasapit, e cila, sipas saj, do të jetë shkaktarja kryesore e lëvizjes së mundshme të disa prej deputetëve socialistë, në krijimin e një force të re. “Filozofia me të cilën po udhëhiqet Partia Socialiste është shkaku kryesor i krijimit të një partie të re të së majtës”, - pohoi ajo.
Zgjedhjet në PS dhe politika e përjashtimit
Sekretarja për shanset e barabarta në Partinë Socialiste, Edlira Haxhiymeri, deklaroi dje se ndaj saj e një pjese të mirë të kolegëve socialistë, të cilët janë shprehur hapur kundër mënyrës së drejtimit të PS-së nga kreu socialist, Edi Rama, po ndiqet një politikë përjashtuese, e cila, theksoi ajo, do të finalizohet në mbledhjen e kongresit më 5 nëntor. “Ne jemi përjashtuar prej kohësh. Kemi më se dy vjet që jemi të paangazhuar nga ana e lidershipit, duke qenë të zgjedhur lideri zgjodhi të mos na përfshinte në aktivitetet politike të partisë dhe tashmë i ka ngelur vetëm momenti final për të ekzekutuar sjelljen e tij. Lideri socialist do ta përdorë momentin për të bërë ekzekutimin final të të gjithë atyre që u përpoqën të jepnin një mendim ndryshe, të ofronin një alternativë tjetër që mund ta çonte PS-në në fitore”, - tha Haxhiymeri. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve brenda PS-së, të zhvilluara dy ditë më parë, në kuadër të zgjedhjes së delegatëve të kongresit, sekretarja për shanset e barabarta në këtë forcë politike, e cila pas zgjedhjeve u mënjanua nga partia, pasi nuk u përzgjodh as delegate në kongres, theksoi se procesi ishte plotësisht nën kontrollin e kryesocialisti dhe grupit pranë tij, të cilët sipas saj, ishin të vetmit kontrollues e përzgjedhjes të emrave të kandidatëve. Duke pohuar se kjo nuk ishte herë e parë e votimit brenda Partisë Socialiste, Haxhiymeri nënvizoi se ndryshimi i kësaj radhe kishte të bënte me faktin se proceset e kaluara ishin më pak të kontrolluara. “Tashmë procesi ishte totalisht nën kontrollin e kryetarit dhe të grupit që menaxhon kryetari, duke filluar që nga listat e votuesve, tek listat e kandidatëve, tek rezultatet. Standardet e punës, standardet e kontributeve ai i ka shkelur me këmbë prej shumë kohësh tashmë. Janë standarde për të cilat ai nuk është më i interesuar tashmë. Atij i interesojnë njerëzit besnikë, njerëzit që nuk mendojnë me mendjen e kokën e tyre, por që janë të gatshëm të lexojnë hartimin e radhës së kryetarit. Procesi i zgjedhjeve në parti ishte rëndë i dëmtuar, por nga ana tjetër tregoi që ose na provoi që një parti politike e cila nuk është në gjendje të realizojë një proces demokratik brenda vetes nuk ka më moralin për të kërkuar zgjedhje demokratike në shoqëri”, - theksoi ajo. Në këtë kontekst, Haxhiymeri nënvizoi se problemi më i madh Partisë Socialiste është politika e ndjekur nga kreu i selisë rozë Edi Rama. “Rama po bën opozitën e kasapit, po heq pjesë të trupit të PS-së, sepse nuk i dhimbset dhe kjo është lehtësisht e lexueshme dhe e kuptueshme”. Ideja e krijimit të një partie të re brenda së majtës nga deputetët aktualë të selisë rozë, të cilët janë shprehur kritik ndaj vendimmarrjeve të kryesocialistit Rama, është përfolur mjaft ditët e fundit, ku vetëm pak kohë më parë deputeti dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj la të kuptonte se, nëse zhvillimet e ardhshme në PS nuk do të jenë pozitive, Partia Socialiste nuk do të ishte mundësia e vetme. Po ashtu, pak ditë më parë, në një intervistë, një ndër deputetët e cilësuar si kundërshtar i politikës së ndjekur nga kreu socialist e kryesisht ndaj bojkotit parlamentar, Kastriot Islami, nuk përjashtoi mundësinë e një lëvizjeje të re politike në kushtet e mbrojtjes legjitime.
Standard
Krijoni Kontakt