Zbulohet një libër shqip para Buzukut
Nga Gazeta Standard
Albanologët austriakë kanë zbuluar një libër shqip para Buzukut
Profesorët Stefan Schumacher dhe Joachim Matzinger nga Akademia e Shkencave Austriake kanë arritur të zbulojnë një dokument që mendohet t'i përkasë shekullit XIV, ku shkruhet një shqipe me germa latine. Dy profesorët në studimin e tyre kanë arritur në përfundimin se një pjesë e gjuhëve si latinisht, gjermanisht dhe thuajse pjesa më e madhe e gjuhëve të Ballkanit, kanë elementë të rëndësishëm të gjuhës shqipe.
Janë përsëri ata, austriakët, të dashuruarit e përjetshëm me shqipen, që këtë radhë na befasojnë me një tjetër zbulim. Bëhet fjalë për një dokument që mund të hedhë dritë për shkrimin më të hershëm të gjuhës shqipe.
Ky studim ka si qëllim zbulimin e ndikimit të gjuhës shqipe në të gjitha gjuhët e rajonit, por edhe në gjuhët e lënapas dore. Dy profesorët në studimin e tyre kanë arritur në përfundimin se një pjesë e gjuhëve si latinisht, gjermanisht dhe thuajse pjesa më e madhe e gjuhëve të Ballkanit, kanë elementë të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Fakti se një pjesë e foljeve kryesore të shqipes gjenden në këto gjuhë e vërteton më së miri këtë gjë. Po ashtu profesorët kanë paraqitur fletën e një libri të Biblës që dokumenton gjuhën shqipe të shkruar në fillim të shekullit XVI. Nëse do të vërtetohet origjinaliteti i këtij dokumenti, atëherë kemi të bëjmë me një libër më të hershëm se "Meshari", i cili daton në mes të shekullit XVI.
Zbulimi
Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një zbulim të mirëfilltë shkencor apo jo. Dokumenti që publikohet në web-in zyrtar të Akademisë së Shkencave të Austrisë pretendon se bëhet fjalë për shqipe të shkruar rreth shekullit XIV. Përcaktimi më i saktë i datës do të shërbente për të vërtetuar nëse "Meshari" i Gjon Buzukut është i pari libër i shkuar në shqip apo më në fund gjuhësia ka arritur të gjejë dokumente të tjerë që e vërtetojnë këtë gjë. Në foto jepet fleta e një libri fetar, i shkruar në italisht dhe në shqip.
"Scala I. Ligierata VI. Si e krijoi 3ot$ne Adamne et Evene. Të paretë tanë print", që kuptohet: "Ligjërata VI. Si e krijoi Zoti Adamin dhe Evën, prindërit tanë të parë".
Dokumentet e hershme të shqipes
Deri më sot, tre cilësohen si dokumentet më të hershme të shqipes. Edhe pse të gjithë gjuhëtarët pranojnë se shqipja duhet të jetë shkruar shumë kohë më parë, dokumenti i parë që e dëshmon këtë është "Formula e pagëzimit", e shkruar nga kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, gjatë një vizite në dioqezën e Matit në 8 nëntor 1462. Dokumenti i dytë është fjalori i Von Harfit, i vitit 1497. Dokumenti që përmban një numër fjalësh dhe shprehjesh që i duheshin udhëtarit gjerman gjatë kalimit të tij në Shqipëri në Durrës dhe në Ulqin. Të së njëjtës rëndësi, gjuhëtarët rendisin dhe "Perikopeja e Ungjillit të Pashkës". Një dokument i shkruar në greqisht, që mendohet se i përket shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI. Ky dokument përbëhet nga 2 pjesë të vogla Bible në gjuhën shqipe, që u gjetën në një dorëshkrim greqisht të shekullit XIV. Por si dokumenti më i rëndësishëm deri më sot mbahet "Meshari" i Gjon Buzukut, i pari libër në gjuhën shqipe. "Meshari" i përket vitit 1555. Por të gjithë studiuesit janë të një mendimi kur flasin për dokumentet më të hershme. Këtë e dëshmon dhe Arqipeshkvi francez i Tivarit me emrin Brokard, që ka udhëtuar në Shqipëri. Në një relacion latinisht të vitit 1332, ai shkruan: "Sado që shqiptarët kanë një gjuhë fare të ndryshme nga gjuha latine, prapë ata kanë në përdorim edhe në tërë librat e tyre shkronjën latine". Por një gjë mund të thuhet me siguri, nëse dokumentet shqipe ekzistojnë, zbulimin e tyre mbetet ta presim gjithmonë nga të huajt.
Krijoni Kontakt