-
i/e regjistruar
Kur pakuptimësia ngulfatë kuptimësinë
KUR PAKUPTIMËSIA NGULFATË KUPTIMËSINË
***********************************************
Në pamundësi për të bërë atë që do ti krijonte mirëqenje njerëzimit, gjendja aktuale, tok me ambiciet e trashëguara djallëzore të faktorëve që e kanë nëpërkëmbur FATIN E NJERIUT në përgjithësi dhe të shqiptarit në veçanti, më detyroi të bëjë atë që mundem. Këtë po e bëjë në kushte e rrethana të një jete jo normale, të cilën, kombi im shqiptar e kaloi dhe po e kalon nën dhunën e padrejtësive nga të tjerët dhe nën huqet e veta.
Jam shumë i sigurtë, se as me këtë mënyrë trajtimi nuk do tê them diçka tê re, sepse deri më tani është thënë e stërthënë për çështjen shqiptare. Por është çështje më vete, se sa kemi bërë përpjekje për ti eliminuar pengesat, nëpër të cilat po zëmë nê thua edhe sot e kësaj dite !
Me këtë shkrim do tê pêrpiqem që tê vërtetës sonë, ti rri sa më besnik dhe sa më afër interesit tê përgjithshêm shqiptar. Këtë nuk e kam vështirë ta bëj, sepse nuk i pêrkas asnjê subjekti politik, sepse nuk jam i pushtuar as prej ndonjë interesi personal. Ajo që po më shqetëson dhe po më detyron të shkruaj, është mospërputhshmëria e deklarimeve e veprimeve dhe e sjelljeve të disa liderëve dhe pushtetarëve shqiptarë nga tê gjitha trevat shqiptare në njërën anë dhe në anên tjetër njëanshmëria djallëzore e faktorit ndërkombëtar ndaj çêshtjes shqiptare.
Nëqoftë se puna duhet të jetë kriteri kryesor për të vlerësuar njeriun, atëherë frytet e asaj pune që po i konzumon shoqëria shqiptare sot, ta imponojnë pyetjen se a ka apo nuk ka dozë të mjaftueshme kalorike të arsyeshmërisë për ta mbajtur gjallë organizmin e popullit tonë ; apo mos duhet ta ndërrojmë MENYNË e të ushqyerit mendor ?
Andaj mendoj se, këtu duhet kêrkuar një pjesë të shkakut dhe të pasojave, qê shpesh po na e humbin rrugën në oborrin tonë.
Prandaj, në rrugëtim e sipër, për ta gjetur busullën e orientimit, gjeta edhe titullin e këtij punimi : « Kur pakuptimësia ngulfatë Kuptimësinë », tê shprehur në formë dialogu të imagjinuar : (AI dhe UNË).
AI : - (duke ofsharë thellë, vetmevete, thotê): Kêshtu e paska kjo botë : Kur pakuptimësia e ngulfatë kuptimësinë
Kur padrejtësia, me truprojën e saj (INTERES) e dhunon të drejtën.
Kur rrena, lëndë e parë e mashtrimit dhe e krimit e përvëlon të vërtetën dhe e bllokon prosperimin dhe përparimin.
Kur injoranca kujdestaron mbi moralin, njerëzorën dhe mirëqenjen. Kur pabesia e shalon besën dhe e hudhë nê vorbullën e djallëzive.
UNË : - Po çka flet kështu ore i bekuar ? A je n’ veti?
AI: - Po, si të mos flas, kur kahdo që shkoj dhe çkado që bëj, jam i rrethuar me paudhësi, me mjerim e prapësi, të cilat e tërheqin njeriun për hunde dhe e fusin në gji. Mu tani, kur këto pasoja qê ia krijon njeriu vetës dhe natyrës, po më konfirmohen çdo herë e më shumë thënjet e dy filozofëve të mëdhënjë, Tomas Hobsit, që thotë: “Njeriu për njeriun është ujk” dhe të Fridrih Niçës, që thotë: “Sa më shumë që po i njoh njerëzit, aq më shumë po i dua kafshêt”.
UNË: -Dhe ironia bëhet aq më e pakuptimtë dhe më e rëndë, kur njeriu din ti konstatojë shkaktarët e të gjitha të këqiave dhe prap vazhdon me të krijuarit e tyre. Dhe, këtë njeriu e vazhdon kështu, jo aq për ta dëshmuar aftësinë e tij, si dhunti që ia ka dhënë i madhërishmi, për ti krijuar begati e mirëqenje llojit të vet dhe ambientit që e rrethon, por edhe për ta përfillur ligjin e natyrës, që ështê me të kundërtat e veta, siç janë: terri- drita, e zeza - e bardha, e nxehta - e ftohta, robëria – Liria, padituria – dituria, gënjeshtra – e vërteta, mallkimi – bekimi, nxitimi – durimi, dashuria – urrejtja, amorali – morali, pangopësia – uria + etja, e tê tjera e të tjera.
AI: - Dhe, duke i shijuar pasojat dhe vetitë e këtyre pasioneve, epsheve, tekeve e huqeve, kërkoja faktorin që do ti ekuilibronte dhe fisnikëronte sado pak raportet në mes të kundërtave, por nuk e gjeta dot, sepse, në rrugëtim e sipër, hasa në lakminë që ishte shoqëruar me egoizmin, pangopësinë dhe injorancën, të barikaduara kundër të kundërtave të tyre, kundër të drejtës dhe të vërtetës.
Tani, kur më janë grumbulluar e grumbulluar mendime rreth shkaqeve e pasojave tê pakuptimësisë, unë po vazhdoj të shkruarit, por gjithnjë me bindjen, se sado që të thuhet e të shkruhet, prap mbetët më shumë për t’u thënë për Pakuptimësinë. Kjo, sepse fatkeqësisht, fara e pakuptimësisë është më bereqetli se të gjitha farërat tjera. Kjo, sepse farën e së keqës, pêr t’u shtuar, nuk duhet shumë mund. Mjafton një veprim, në dukje krejt i vogël, por që rezulton me dëm të madh.
UNË: - Po po. Kjo që thua ti, është shumë e vërtetë. Sepse, kam vërejtur gjatë jetës, se pakuptimësinê nuk e vret breshëri, bryma as basra. E keqja nuk do mihë (prashitë) as ujit (vaditê). Ajo rritet edhe pa ato shërbime. Ndërsa e mira dhe e mbara frytnohen me shumë mund dhe janë shumë të ndijshme. Ato i vret dhe i lëndon më së tepërmi djallëzia, lajka, dyftyrësia, frika, luhatshmëria dhe mosvlerësimi adekuat.
AI: - Merre si ta marrësh, në daç prej mitologjisë në daç prej shkencës, pakuptimësia ka moshë të stërlashtë. Të dyjat, si mitologjia, ashtu edhe shkenca janë të pasura me të kundërtat dhe me pakuptimësinë. Dhe sa më shumë që thellohem në të medituarit, aq më i pasur më del burimi i pakuptimësisë. Ky burim mi përngjan një miniere të pashterrshme. Në këtë minierë meditimi, pakuptimësia më del e bashkëdyzuar me lakminë dhe me injorancën. Dhe këtë bashkëdyzim e gjejmë edhe te konstatimi, se çdo qenje është e prirur të shoqërohet më tepër me të ngjashmet e veta. Ndërsa prirja e njeriut, gjykuar sipas shumë sjelljeve dhe veprimeve të tij, mi përngjanë prirjes së misrit. Ai, për t’u rritur, ka tendencê të jetë sa më larg prej misrit tjetër. Atëherë, çka ti themi përmbajtjes së asaj fabulës “Shtatë thuprat” dhe thënjes “Bashkimi bën fuqinë”?
UNË: - Po edhe mitologjia i ka personazhet e veta: Engjullin dhe Djallin me idhujtarët e vetë në raporte gjithherë të kundërta. Po kështu edhe shkenca, që është rezultat i përvojes dhe i Filozofisë së jetës, ka nxjerrë shkencëtarë dhe lajkatarë, të cilët gjithashtu janë vendosur në pozicione të kundërta, prej nga kanë hapur dhe mbyllur shtigjet e zhvillimit dhe të prosperimit për njerëzimin. Njêra prej të kundërtave më jetëgjata që i ka sjellë njerëzimit pasoja më të rënda, është pakuptimësia ndaj kuptimësisë, e cila është shfaqur në shumë fusha të mendësisë dhe të vprimtarisë, në të gjitha etapat e historisë njerëzore. Dihet se, që nga jeta pagane, vazhduar edhe në filozofinë fetare dhe nê atë shkencore, janë dhënë konstatime e konkludime me porosi përparimtare dhe edukative, me të cilat u kundërviheshin tendencave lakmitare dhe shkatrrimtare. Megjithatë, rrjedha dhe kualiteti i derisotëm i jetës njerëzore, dëshmon për mospërfilljen e duhur të atyre porosive, që kanë rezultuar me luftra, duke viktimizuar, shkatërruar dhe duke errësuar përspektivën, madje jo vetëm për botën njerëzore, por edhe për atë shtazore e bimore. Dhe për çudi, asnjë prej qenjeve jonjerëzore nuk gëzohet, nuk kënaqet, as nuk krekoset me rezultatin e krimit, sa njeriu!!!
AI: - Dhe ironia bëhet aq më e rëndë, kur kjo pakuptimësi, mjerisht po shfaqet dhe po manifestohet edhe sot e kësaj dite, kur niveli arsimor e teknologjik, me përpjekje e sakrifica të mëdha, ka arritur nê shkallë të lartë, kur njeriu prej njê pozite Olimpi me ambicjet e tij negative e degraduese, duke mos u ngopur me atë që ka, ka hapur fronte të gjëra qê e kanë rrezikuar të ardhmën e njerëzimit, duke i polarizuar dhe ekstremizuar raportet midis popujve. Dhe ironia bëhet aq më e rëndë, mu tani kur do të duhej t’ishte koha e të perenduarit të tendencave hegjemoniste e ekspansioniste, mjerisht shfaqën apetitet e së kaluarës, për ta mbajtur edhe më tej njerëzimin nên ankth, frikë e pasiguri.
UNË: - Për pasojat që i janë krijuar njerëzimit nga pakuptimësia, na flet edhe historia, duke na i përkujtuar përpjekjet Sizifjane të kolosve të mendësisë pozitive, të cilët me përkushtimin e tyre titanik, qysh prej kohës së inkvizicionit e obskurantizmit e sidomos në kohën e Humanizmit e të Renesansës, kontribuan në kualitetin e filozofisë dhe të jetës së NJERIUT. Por, duke u përleshur përherë me zotruesit e Errësirës, të cilët e mbanin të fshehur INTERESIN vetanak, ata kolosë ndesheshin përherë me farën e Pakuptimësisë, me frytet e së cilës ne po kacafytemi edhe sot e kësaj dite.
AI: - Fjala fjalën po e nxjerr or miku im. E keqja nuk është aq e madhe, kur pakuptimësia buron nga i padituri, sepse rrënjët e të keqês së tij nuk janë aq të thella, sat ë mos munden të zhgulën, por e keqja është e madhe, kur pakuptimësia buron nga i dituri djallëzor – qëllimkeq. Kjo, sepse i mençuri djallëzor, për ta realizuar interesin e tij të ngushtë, e mveshë “arsyetimin” e tij me gjithfarë petku, madje edhe me parzmore – (antiplumb! Për fat të keq, në asnjë epokë as etapë njerëzore nuk është kursyer pakuptimësia, por ka vazhduar së vepruari. Dhe jo pak herë e ka ndalur hovin e zhvillimit dhe të përparimit, duke ia zgjatur jetën krimit, mjerimit, papërspektivës dhe errësirës. Prandaj them se nuk e kam vështirë të bëj kapërcime për të ardhur deri te pakuptimësitë e sotme. Sepse, për fat të keq, ato pakuptimësi, siç po dëshmon kualiteti i jetës së sotme njerëzore, jo që nuk kanë humbur asgjë në cilësinë dhe efektin e tyre negativ, por kanë përfituar dhe janë përsosur, si nê mënyrën e të shprehurit, ashtu edhe në atë të aplikuarit. Pra, duke qenë se pakuptimësia gjendet në luftë të përhershme me Kuptimësinë, shumicën e fryteve të pakuptimësisë po i vjel edhe vet populli shqiptar. Madje, ç’është edhe më e keqja, se disa prej atyre fryteve të pakuptimësisë edhe po i mbjell dhe po i kultivon!!!
UNË: - Megjithatë, unë ende nuk e kam të qartë se ç’do të thotë fjala Pakuptimësi.
AI: - Ke të drejtë. Fjala Pakuptimësi, si nocion, do të thotë fjalë, veprim i shprehur pa vend. Do të thotë fjalë, veprim i paqartë, i paqendrueshëm, dhe si e tillë edhe e pakuptimtë. Prandaj, edhe është vështirë për t’u shtjelluar, demonstruar e komentuar. Dhe, për çudi, mu kjo “paqartësi” hipnotizuese dhe e qëllimshme e bën pakuptimësinë të depërtueshme dhe të konzumueshme. Pra, pakuptimësia në aleancë me forcën, për ti realizuar qëllimet e veta absurde, i shtjen hundët, thuaja në çdo fushëveprimtari të jetës: në kulturë, në politikë në ekonomi; në shkencë, në strategjinë mbrojtëse e ku jo? Andaj themi, se të gjitha deformitetet që shfaqën sot në mentalitetin e shoqërisë, janë rezultat i favorizimit të pakuptimësisë. Prandaj themi, se kreatorët e pakuptimësisë dhe të pasojave që dalin prej saj, janë pikërisht organet dhe institucionet e së “drejtës”, me produktet e tyre: burgjet, kampet e shumta të përqendrimit, migrimet masive, si dhe formacionet e rendit dhe të sigurisë, ushtria dhe policia, që vigjëlojnë kinse mosrespektimin e normave juridike dhe “përgjegjësinë” ndaj vlerave shoqërore dhe morale, në vend që vigjilenca tê jetë pikërisht e drejtuar kreatorëve dhe organeve e institucioneve të “drejtësisë”. Dhe vargu i pasojave të krijuara nga pakuptimësia është i pa mbarim. Ndryshe nuk ka si të thuhet, kur në sajê tê favorizimit dhe të stimulimit të pakuptimësisë, trojet shqiptare edhe sot e kësaj dite janë tê ndara. E them të pakuptimësisë, sepse askush deri më sot nuk ka mundur ti demantojë argumentet që flasin për të vërtetën dhe të drejtën shqiptare, që u është mohuar me shekuj. Dhe, për të qenë pakuptimësia më e rëndë, ky mohim faktesh nuk vinte vetëm nga pushtuesit e përkrahur nga Fuqitë e Mëdha, por edhe nga vetë Mekanizmat Ndërkombëtar.
UNË: - Fatkeqësisht, kjo Pakuptimësi e Faktorit Ndërkombëtar ndaj Cështjes shqiptare u shpreh edhe më rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për armëpushim në Kumanovë dhe me Rezolutën bishtgjatë 1244 të KS të OKB-së, që u shoqêrua me Kornizën Kushtetuese për Kosovën, me 8 standardet unikate dhe me emërtimin joadekuat të popullatës së Kosovês si MULTIETNIKE, brirët e të cilës po dalin kur më të topitur e kur më të mprehtë dhe po godasin mbi FATIN SHQIPTAR. Dhe, mu kjo pakuptimësi, sikur po e nxjerr në sipërfaqe komprometimin dhe pendimin e Faktorit Ndërkombëtar për intërvenimin ushtarak që e bëri NATO-ja ndaj Agresorit serb. Ky komprometim dhe ky pendim shihet qartë gjatë masave “stabilizuese” në Kosovë, që po ndërmirren pas luftës me plot njëanshmëri kundër shqiptarëve.
AI: - Për këtë njëanshmëri të Faktorit Ndërkombëtar ndaj çështjes shqiptare kam reaguar disa herë përmes internetit në RTV ZIK dhe nê Forumin Shqiptar, ku në mes tjerash në artikullin: “Kur mohohet e drejta dhe e vërteta, i zgjatet jeta armiqësisë dhe kaosit”, kam thënë: …”Bashkësia Ndërkombëtare, sikur është marrë vesh me Serbinë, se, për të hequr dorë ajo (Serbia) nga Kosova, duhet t’ia ngrisim çmimin Lirisë së shqiptarëve dhe Pavarësisë sê Kosovës. Që do të thotë, se duhet të vazhdohet edhe më tej me krijimin e viktimave shqiptare në Kosovë”. Këtë e kanë dëshmuar, madje në mënyrë spektakulare disa herë ekspeditat ndërkombêtare, UNMIK-u dhe EULEKS-i, duke i bastisur, arrestuar dhe burgosur luftëtarët e UCK-së. Këtë po e bëjnë këta “ndërmjetësues”, duke u munduar me shpifje e me montime që ta komprometojnë dhe ta zhvlerësojnê kontributin e atyre që dhanë jetën për Liri dhe të atyre qê udhëhoqën Ushtrinë Clirimtare të Kosovës. Këto veprime e masa kundër çlirimtarëve shqiptarë ishin rezultat sa i propagandës serbe, që luftëtarët e UCK-së i quanin terrorista, aq edhe i njëanshmërisê së kêtyre dy mekanizmave UNMIK dhe EULEKS. Këso masash po ndërmirren edhe këto ditë, sidomos ndaj Rastit Kleçka, ndaj grupit të Llapjanëve dhe ndaj atyre të Drenicês. Dhe, pêr të qenë ironia më e rëndë, prokurorët e Gjyqit të EULEKS-it deklarojnë se nuk është fjala për UCK-në, por për individêt që kanë bërë krime në Kosovë. Parimisht thënë, çdo krim që bën njeriu, në çfardo rrethane, duhet gjykuar dhe ndëshkuar. Por ai krim duhet ta ketë burimin, shkakun dhe adresën e vêrtetë. Andaj, duhet ditur, se burimi, shkaku dhe adresa e vërtetë ështê Serbia, gjegjësisht Beogradi. Tani lind pyetja, vallë i kreu Faktori Ndërkombëtar masat ndëshkimore ndaj serbëve, të cilët kanë bërë krime e masakra mbi popullatën shqiptare tê Kosovês, që tani tê sulet mbi shqiptarët? Me këtë mënyrë njëanshmërie nuk përmirësohen raportet armiqësore shekullore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, këtë njëanshmëri po e dëshmon gjendja aspak stabile, e cila po shprehet nga Serbia, thuaja çdo ditë me provokime luftënxitëse, me shantazhe dhe me ekscese, sidomos në pjesën Veriore të Kosovës. Pra, nê Kosovë, sot po mbretëron gjendje Statuskuoje.
Ndërkaq avokatët, mbrojtës të t’akuzuarëve shqiptarê, pas çdo séance gjyqësore deklarojnë se shumica e klientëve të tyre ishin tê pafajshëm.Me gjithatë, prokurorët dhe gjykatësit e UNMIKU-t dhe të Euleks-it marrin vendime sipas qejfit të Serbisë!!! Vallë, deri kur shqiptarët do ti konzumojnët padrejtësitë e arbitruesve?!! Andaj, mendoj se Oda e avokatëve të Kosovês do të duhej të bënte bilansin e masave dhe të denimeve të shqiptarëve dhe të raportonin para mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë në Hagë dhe në Strazburg , duke i akuzuar këta mekanizma UNMIK-un dhe EULEKS-in për të gjitha padrejtësitë që u janë bêrê shqiptarëve në Kosovë. Një akuzë të ngjashme kundër këtyre dy mekanizmave është dashur ta bënin edhe Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të jashtme e Republikês së Kosovës. Por jo, ata nuk e bëjnë aktpadinë kundêr këtyre dy mekanizmave, sepse janë shumë të zënë me epshet e tyre karieriste, me të cilat po krijojnë distanca dhe përçarje. Ata nuk e bëjnë këtë, sepse duan ta mbajnë partneritetin përkrahës me të huajtë, për ti mbuluar mëkatet e tyre. Si pas çfarë logjike, ekipi dialogues i Kosovës bên përpjekje që shqiptarët e Kosovës tê pajtohen për pranimin e Marrêveshjes, me të cilën jo që nuk do të përmirësohen marrëdhënjet e Kosovës me Serbinë, por, sipas Pakos së Ahtisarit, do të mundësohet pushtimi i Kosovës nga Brenda. Kjo aq më parë, kur Serbia, paraqitet, si gjithherë me kërkesat maksimale, siç është ajo: “Mate kah ta matsh, livadhin lema mua”? Sipas çfarë logjike shqiptarët ta pranojnë Marrëveshjen, kur Kryetari i Serbisë vazhdimisht e përsërit refrenin se “Serbia kurrë nuk do ta njeh Pavarësinë e Kosovës”. Kur Serbia vazhdimisht paraqitet me kërkesa e shtesa edhe pertej Marrëveshjes, e cila me 15 pikat e saj është fund e krye në favor vetëm të Serbisë, që ka synim edhe sipas Pakos së Ahtisarit, ta kafshojë Kosovën në të katër anët me asociacionet e komunave dhe me mosshuarjen e strukturave kriminale paralele, me kompetenca (suigeneris), me qëllim që Kosova dhe Ballkani të mos stabilizohet kurrë.
UNË: - E drejta e së drejtës, mënyra më efikase e stabilizimit në Kosovë dhe përmirësimi i marrëdhënjeve fqinjësore në mes shqiptarëve dhe serbëve, do tishte, sikur Marrëveshja të bëhej vetëm në mes Faktorit Ndërkombëtar dhe Serbisë me kushtëzimin Serbisë, që ajo të mos ëndërrojë më kurrë, se do ta ketë Kosovën nën kthetrat e veta, që të mos e cenojë integritetin as sovranitetin e Kosovës. Dhe më në fund, kur Serbia të pajtohet që serbët e Kosovës, ti gëzojnë të drejtat, as më shumë as më pak se pakicat tjera që jetojnë në Kosovë. Madje, n’e lypshim holl e holl, duke u bazuar në “kontributin” që e kanë dhënë serbët e Kosovês , të dirigjuar nga Beogradi për krimet dhe shkatërrimet që i ka bërë në Kosovë, atyre nuk do t’u takonin as të drejtat minimale.
AI: - Atëherë, brenga bëhet aq më e rëndë, kur nga historia shqiptare dihet, se për mungesë të vullnetit, të dashurisë në mes veti, dashurisë për atdheun, për mungesë të unitetit dhe të përkrahjes së patriotëve të shquar, pas shumë përpjekjeve e sakrificave, kemi dështuar nê realizimin e aspiratave tona shekullore për Liri e Pavarësi. Dhe fatkeqësisht, kjo mungesë e vullnetit të mirë dhe e unitetit të klasës politike shqiptare po gjallëron edhe sot e kësaj dite. Dhe, kjo po dêshmohet në çdo fushë të veprimtarisë, sidomos gjatë fushatave elektorale, kur pretendentët karieristê, nuk e kursejnë fjalorin e tyre me gjithfarê premtimesh të pambulesë: me shpifje e ofendime, me të cilat dëshmojnë haptas se nuk e meritojnë votën e qytetarëve të ndërshêm. Këta pretendentë lakmitarë karieristë, po dëshmojnë se nuk e kanë hallin te interesi dhe mirëqenja e popullit, por te interesi personal. Me propagandë të tillë, vetëm sa e zhgënjejnë, e revoltojnë dhe e demoralizojnë popullin dhe e errësojnë perspektivën e vendit.
UNË: - Se Pakuptimësia vepron e kurrë nuk pushon, dëshmojnë edhe qendrimet kontradiktore të Faktorit Ndërkombëtar, që po aplikohen në Kosovë. Në njërën anë ky faktor ka imponuar që popullata e Kosovës, pa kurrfarë baze, vetëm për hirë të pakicës serbe (5%) të konsiderohet si multietnike. Dhe këtë emërtim, pala shqiptare verbërisht e pranoi dhe e miratoi nê organin më të lartë të Kuvendit të Kosovës. Ndërsa në anën tjetër, serbët të mësuar të jenë gjithherë të privilegjuar dhe dominues, jo që nuk pajtohen me realitetin e krijuar, me Kosovën shtet të pavarur, por ata nuk pajtohen me asgjë dhe vazhdojnë me kërkesat e tyre maksimale, për të krijuar lokalitete njëetnike me pushtete njëetnike, duke mos marrë mbi vete kurrfarë obligimesh qytetare. Ata,(serbët) paguhen nga Kosova edhe për ëndrrat e tyre, të cilat i shohin ditën për diell. Askund në botë njerëzit nuk paguhen për ëndrra. Këtë privilegjê të pamerituar e dëshmojnë edhe pagesat që u bëhen policëve serbë të vetëpushuar nga puna. Absurdi brira nuk ka, kur, përkundër qendrimit dhe deklarimit të mekanizmave ndërkombëtar, se nuk do të lejohet formimi i enklavave, i institucioneve paralele, as i ndarjes së Mitrovicës, kur ato enklava dhe institucione paralele edhe sot e gjithë ditën funkcionojnë dhe janë bërë realitet. Këtë ndarje të Mitrovicës dhe këtë realitet e pohoi të mundshëm (më 10.8.2008) edhe ish përfaqësuesi i OSB-së Volfgang Petriq. Kësaj tendence të zgjatjes së statusquosë në Kosovë i kontriboi edhe Shefi italian i UNMIK-ut z. Zanier, i cili, në mes tjerash thotë: se “enklavat serbe duhet të gëzojnë autonomi më të gjërë dhe për sigurinë e tyre, duhet të kenë edhe policinë serbe”. Dhe ky qendrim i z. Zanier,po bëhet realitet.Këtë herë reagime pati si nga subjektet partiake, ashtu edhe nga pushtetarët e R. së Kosovës, të cilët ndër të tjera thanë: “Këto deklarime janë pjellë e politikës serbe. C’është e vërteta, Serbia me propagandën e vetë i ka indoktrinuar edhe udhëheqësit e Organit më të lartë të OKB-së, (Ban Ki Munin), i cili, me 6 pikat e veta, i kontriboi propagandes hegjemoniste tê Serbisë.
AI: - Dhe tani, kur po e shkruaja këtë artikull, më 16 qërshor 2013 lexova në gazetën “Tribuna” tê Kosovës informatën për qendrimin e udhëheqësve të VV në Amerikë, nga e cila informatë njoftohemi, se kësaj Lëvizjeje ia paska mbajtur një ligjeratë kërcënuese, diplomati amerikan Eduard Joseph, duke u thënë përfaqësuesve të VV që të heqin dorë nga opcionet dhe program i tyre. Lidhur me këtë qendrim të diplomatit amerikan, qê ishte jo vetëm kundêr Lëvizjes VV, por edhe kundër të drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje, e drejtë kjo e mohuar me shekuj dhe e drejtë kjo e aprovuar edhe në Konventat Ndërkombëtare. Më 17 qërshor 2013, lexova artikullin e Abdullah Prapashticës me titull “Përgjigjja qytetare” (Kosova Press), së cilës nuk ka njeriu se çka ti hjek. Uroj që artikulli “Përgjigjja qytetare” të arrij në vesh tê diplomatit amerikan Eduard Jozeph!
Ky realitet i hidhur, që po mbretëron në Kosovë, ta imponon pyetjen : Ku na qenka fryti i kontributit të mekanizmave ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të stabilizimit të Ballkanit ?
UNË : - Kjo nuk don të thotë, se ne shqiptarët nuk jemi mirënjohës për kontributin që e ka dhënë Faktori Ndërkombëtar, sidomos NATO-ja për çështjen e Kosovës, por nuk mund ta heshtim as vargun e gjatë të masave të njëanshme të këtij faktori në disfavor të viktimës shqiptare. Atëherë, nga qendrimet dhe deklarimet e tilla, s’do mend, se ky fryt edhe është pritë të jetë i këtillë. Sepse, qysh me mbarimin e luftës dhe me nënshkrimin e armëpushimit në Kumanovë, nuk u ndërmorën masa adekuate ndaj agresorit serb, më ç’rast : Së pari është dashur të ndëshkohet Serbia. Së dyti, Rezoluta bishtgjatë 1244 e KS të OKB-së të zhvlerësohet, sepse ajo nuk ishte në favor të drejtësisë, edhe pse Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte argumente të pa kontestueshme për shqiptarët, ai vazhdonte ta përkrahte Serbinë, që kërcënohej me argumentin e forcës. Me këtë qendrim favorizues për Serbinë, faktori ndërkombëtar ia mundësoi asaj (Serbisë) që të sillet në stilin : « Në vend që të jep llogari, ajo kërkon kusurin». Për të mos u shterrur burimet e pakuptimësisê dhe të armiqësisë, KS i OKB-së, me atë Rezolutë, pa kurrfarë arsye, Kosovën e la prap nën kthetrat e juridikcionit serb. E tani, njeriut me dozë minimale të arsyes i imponohet pyetja : Sa mund të jenë efektive masat me kaq bujë kundër terrorizmit global, kur vetë faktori ndërkombëtar në njërën anë i stimulon tendencat terroriste serbe, dhe në anën tjetër mohon të vërtetën dhe të drejtën e shqiptarëve për ta gëzuar Lirinë dhe Pavarësinë e plotë ?!!
AI : - Këso ekzibicionesh bën vetëm logjika e pakuptimësisë, që po rezulton me zvarritje të zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve. Kjo nuk është asgjë tjetër, veç se vazhdim i tendencave hegjemoniste, tê cilat e mbajnë të ndezur fitilin e konflikteve, për të cilat tendenca përgjegjësinë do ta mbajnë jo vetëm serbët, të cilët nuk i japin llogari askujt, por edhe ata (Ndërmjetësuesit), të cilët pajtohen me tendencat dhe qendrimet hegjemoniste të Serbisë. Atëherë,me dije qoftë, se nga një arbitrim i tillë i njëanshëm, pasojat do ti bartë populli shqiptar.Prandaj themi se është për t’u gjykuar kjo njëanshmëri e faktorit ndërkombëtar, sepse ai si ndërmjetësues që ka rolin e përmirësimit të raporteve armiqësor në mes serbëve dhe shqiptarëve, nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash ndaj Serbisë, që ajo ti ndryshojë edhe aktet e legjislacionit, në emër të të cilave, Serbia ka diskriminuar dhe ka bërë edhe krime gjenocidale mbi popullin shqiptar. Pêr këtë qëllim, ka të dhëna, se Serbia në vitet e tetëdhjeta i ka hartuar dhe aprovuar mbi 500 ligje, që e mundësojnë diskriminimin mbi popullin shqiptar. C’është e vërteta, faktori ndërkombëtar disa herë ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë që ta ndalë diskriminimin dhe represionin mbi popullin shqiptar, por (FN) nuk e ndëshkoi Serbinê asnjëherë në mënyrë meritore. Përkundrazi, jo pak herë e ka stimuluar, për të vazhduar me veprime represive, për të mos u pajtuar me realitetin e ri, qê rezultoi me luftë të përgjakshme dhe me pavarësimin e Kosovës.
UNË : - Ndonëse Faktori Ndërkombëtar është i pranishëm thuaja se në tërë Ballkanin, brirët e djallëzisë së Pakuptimësisë, çdo ditë e më dukshëm po dalin nê shesh me masat dalluese që po i ndërmerr ai ndaj shqiptarëve. Andaj themi, se ndërmjetësuesi, po deshti ta zgjidhë mirë problemin, ai veç tjerash do të duhej të udhëhiqej edhe nga parimi medicional, sipas të cilit, nuk lejohet intervenimi kirurgjikal pa diagnostikim të plotë. Kjo aq më parë, kur dihet diagnoza e çështjes shqiptare : Jetë nën robëri. Andaj meriton terapi, e cila bazohet në fakte e drejtësi, që do të rezultonte me efektin LIRI E PAVARËSI. Në të kundërtën, terapia jo adekuate, vetëm sa do ta përkeqësojë gjendjen e kësaj lëngate kaq të gjatë. Në anën tjetër, dihet edhe diagnoza e Serbisë, e konstatuar qysh moti, se ajo është « E sëmura e Ballkanit ». Prandaj edhe asaj duhet dhënë terapinë adekuate për t’u këndellë dhe për t’u shkundë njëherë e përgjithmonë nga sindromi hegjemoni+urrejtje+etje për dominim, të cilat, deri më sot, Serbisê i kanë sjell vetëm dështime dhe armiqësi me të tjerët, si dhe telashe e destabilizim tërë regjionit Ballkanik. Rasti e do që ta përsëris një konstatim, lidhur me njëanshmërinë e faktorit ndërkombëtar mbit tê drejtën e etniteteve dhe të pakicave në përdorimin e gjuhës së vetë, si gjuhë zyrtare, qoftë nê nivel tê shtetit ose të lokalitetit. Është krijuar, pra një dallim i madh, sa i përket të drejtës së përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve. Kështu, serbët me 5% të popullatës në Kosovë, e kanë siguruar (si askund nê botë) të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre si gjuhë zyrtare, ndërkaq për popullatën shqiptare në Maqedoni qê e përbêjnë mbi 35%, ndonëse me Marrëveshjen e Ohrit ështê thênë : « Aty ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullatës, kanë të drejtë ta përdorin gjuhën amtare shqipe. Atëherë lind pyetja : Vallë, me kësi lloj arbitrimi dallues a mund të dalim prej territ të Pakuptimësisë ?!!
UNË : - Më që e kemi fjalën për pasojat e pakuptimësisë, se ç’mu kujtuan mendimet e dy protagonistëve të shovenizmit ekstrem : Artukoviqit kroat dhe të Dobrica Qosiqit serb, të cilët shprehin urrejtjen patologjike ndaj kombit të njëri tjetrit. Kur e pyesin Artukoviqin, pse i vrave gjithë ata njerëz në Kampin e Jasenovcit, ai thotë : »Jo unë nuk kam vrarë njerêz, por serbë ». Me këtë, ai ka dashur të thotë, se serbët nuk janë njerëz. Ndërsa, kundêrshtari i tij Dobrica Qosiqi lëshohet edhe më thellë në batakun e urrejtjes ndaj tê gjithë atyre që nuk janë serbë, duke thënë : «Për të qenë njeri, së pari ai duhet tê jetê serb». Që do tê thotë, se të gjithë joserbët nuk janë njerëz. Prandaj themi, se urrejtja, e shoqëruar me lakminë dhe me injorancën, janë fara e të gjitha të këqiave.
Lidhur me efektin shqetësues që bën urrejtja, Kordelia Advardson, publiciste ebreje, e cila si fëmi kalon tri vjet në Kampin e Aushvicit, e që ato përjetime e përshtypje i ruan për librin « Fëmia i djegur kërkon zjarrë », ndêr të tjera në intërvistën dhënë gazetës gjermano-perendimore « Frangfurter Algemajne Cajtung » thotë : « Synoj ta them atë, se e djeshmja, ajo që ngjau në luftën e fundit midis nesh dhe të tjerëve, ishte e tmerrshme. Ishte diç që u prit të vijë patjetër ». Kur u pyet, se pse u desht të vijë patjetër, Kordelia përgjigjet : « Sepse fjala është për një urrejtje të gjatë, e cila u ushqye jo vetëm nga gjenerata e fundit, që u hodh në krime të përgjithshme, por edhe nga disa gjenerata. « Urrejtja, vzhdon Kordelia as nuk krijohet as nuk hiqet për një ditë ». « Gënjen ai që thotë, se ishte një çast i krizës që na kapërtheu ». Nga e tërë kjo që u tha për efektet negative dhe për pasojat e rënda, që i janë krijuar njerëzimit nga pakuptimësia, mund të konkludohet , se u ka kaluar mandati disa thënjeve, që dikur konsideroheshin si sentenca, siç ishin : « Rrena i ka këmbët e shkurtëra », »Kungulli nuk shkon gjithmonë mbi ujë », « E drejta vonon, por kurrë nuk harron », e tjera e tjera, kur realiteti i hidhur dêshmon se shumë popuj e shtete, duke u ushqyer me lakminë e lakmia me rrenën dhe duke u përkrahur me forcën, për të pushtuar sa më shumë toka të të tjerëve, e kanë dhunuar të vërtetên dhe të drejtën, duke e ndalur rrotën e përparimit, për ti krijuar njerëzimit varësi, armiqësi dhe mjerim. Prandaj themi, pasojat që janë krijuar nga rrena dhe kohëzgjatja e tyre na detyrojnë të lutemi : Fati ynë i pastë këmbêt e gjata sa ato të rrenve të më të « mëdhënjve » !!!
AI : -Nga e tërë kjo që u tha për efektet negative që dalin nga Pakuptimësia, realiteti i hidhur ta imponon pyetjen, se prej kujt duhet friguar njeriu, prej të vërtetës apo prej gênjeshtres, prej të drejtës apo prej të shtremtês, prej territ apo prej dritës, kur realiteti dëshmon, jo njëherë, se mu pêr shkakun pse njeriu i ndejti besnik të vêrtetës dhe është flijuar për të, ështê shpallur fajtor. Nga kush ? -Nga organi i quajtur dhe i financuar, për ta mbrojtur të pavërtetën dhe padrejtësinë. Ndërsa, edukata e shëndoshë, e kuptimësisë, i kundërvihet pakuptimësisë. Ajo nuk predikon, që njeriu ti frigohet të vêrtetês dhe të drejtës. Përkundrazi, ajo predikon që njeriu ta mbrojë të vërtetën dhe të drejtën, qoftë edhe me flijim. Përndryshe, realiteti i hidhur i shprehur me pasoja çdo herë e më të rënda, nuk i solli kurrë mirëqenje njerêzimit, prandaj ai (njerëzimi) kurrê nuk u adaptua as nuk u pajtua me të padrejtën.
UNË : - Si të adaptohet e tê pajtohet njerëzimi me padrejtësinë, kur edhe nga Kryetempulli i « Drejtësisë », (Gjykata Ndërkombëtare e Hagës) buron padrejtësia, e cila po u shqiptohet shqiptarëve me rastin e gjykimit? Një qendrim të tillë hileçar ndaj çështjes shqiptare, gjegjësisht ndaj Kosovës e kemi nga ndërmjetësuesit UNMIK dhe EULEKS, të cilët, viktimizuesin, (agresorin serb) e ledhatuan, ndêrsa viktimën, gjegjësisht çlirimtarin, (shqiptarin) në mënyrë spektakulare po e ndëshkojnë. Të dhënat dhe pasojat që e dëshmojnë njëanshmërinê e këtillë janë tê shumta dhe ugurzeza.
Pakuptimësitë autoktone
AI : - Edhe PARIA GJITHSHQIPTARE, kur me dhunë e kur me mashtrim, jo pak herë ka rënê nên ndikimin e pakuptimësisë së importuar, nga e cila buron edhe sot padrejtësia. Prandaj elita udhëheqëse shqiptare, ndonëse në pikëpamje kuantitative dhe sasiore, nê krahasim me tê kaluarën, gjendet nê nivel më të lartë arsimor dhe vetëdijsor, ajo, si duket, duke mos dashur tê dallohet nga udhëheqësitë e së kaluarës shqiptare, vazhdon të krijojë edhe pakuptimësitë e veta, duke iu nênshtruar diktateve të Faktorit Ndërkombëtar, i cili , me njëanshmërinë e vetë po ia zgjatë jetën varësisë dhe dyshimit për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare. Si duket, këtë lêshuarje pe klasa politike shqiptare e bên edhe për shkak të drosê, se mos po e iriton Faktorin Ndërkombêtar, i cili për herê tê parë gjatë historisë shqiptare e kthei kokën kah e drejta shqiptare.E tani na len në gjysëm të rrugës. E vlen pêr ta përkujtuar, se vargut të pakuptimësisê autoktone, i perket edhe nxitimi dhe vendimi i Qeverisë dhe i Kuvendit të Kosovës për përmbylljen e mbikëqyrjes së Kosovës nga Faktori Ndërkombëtar, i cili, sot jo që nuk është përmbyllur mbikëqyrja, por me përfitimin e shumë kompetencave për serbët në Kosovë, është dyfishuar mbikëqyrja në Kosovë.Edhe Shqipëria, nxitoi e para për t’ua njohur pavarësinë Maqedonisë dhe Malit të Zi, shtete këto, që tok me Serbinë e kanë diskriminuar me shekuj popullin shqiptar. Njê qendrim i tillë supër tolerant dhe supër solidar i klasës politike shqiptare nuk mund tê arsyetohet, siç nuk mund të arsyetohet as indiferenca ndaj çështjes sê Luginês së Preshevës me rrethinat e Bujanocit dhe të Medvexhës. Kjo indiferencë do ti hakmerret rënd çështjes shqiptare në tërësi. Kjo aq më parë, kur dihet se popullata e këtyre trevave të Kosovës Lindore me Referendum dhe me luftê, UCPMB-eja e ka shprehur qartë mospajtimin për tê jetuar nên thundrën e pushtuesit serb. E dihet se askush nuk mund t’ua mohojë të drejtên Kosovës as Shqipërisê për ti dalë zot Kosovës Lindore. Dhe kjo aq më parë, kur Serbia, pa kurrfarë të drejte, me të gjitha mënyrat pêrpiqet qê ta mbajë të okupuar këtë trevë shqiptare. Pra, Serbia me 5% të popullatês serbe nê Kosovê bën gjthë atë propagandë pêr t’ua siguruar serbëve statusin e barabartë me shumicên shqiptare, qê përbên 90% të popullatës në Kosovë. Këtë qendrim ekspansionist të Serbisë po e përkrah edhe Rusia. Atëherê, Elita gjithshqiptare duhet ta dijë, se, po e realizoi Serbia këtë synim, duke e ndarë Kosovën, nesër-pasnesër do të sulet edhe mbi trojet tjera shqiptare. Atëherë, Elita shqiptare, pa tjetër duhet ta ketë Platformën për Cêshtjen gjithshqiptare, për ti mbrojtur interesat kombëtare dhe shtetërore shqiptare.
UNË : - Si mund të arsyetohet kushti i Ahtisarit, që Kosova tê mos bashkohet me asnjë shtet, duke aluduar për me Shqipërinë ? Si mund të arsyetohet ndryshimi dhe ndêrrimi i simboleve, pa as më tê voglin element shqiptar ? Ironia shkoi deri te absurdi më i rëndê, kur himnit ia prenê gjuhên dhe e lanê memec !!!Kur, për simbolet kombëtare, të cilat janë bazë e identitetit kombëtar e shtetëror është folur, debatuar, shkruar dhe pësuar shumë patriotë shqiptarë. Në një artikull timin, lidhur me gabimet tona, që i kanë krijuar pasoja të rënda çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, ndër të tjera kam thënë : « Pesha e gabimit varet nga ai, gjegjësisht ajo, se kush e bën gabimin. Dikush gabon çdo ditë, por pasojat i bartë vetëm gabuesi e askush tjetër. Ndërsa të gabojë një individ (institucion), pasojat mund të jenë shumë të rënda dhe të papërmirësueshme. Kjo vërejtje u adresohet Grupit hartues tê Kushtetutës dhe Ekipeve dialoguese shqiptare. Ishte gjë normale, që kjo Kushtetutë, me këtë përmbajtje, pjesën më të madhe të sëcilës Grupi hartues e ka huazuar nga kushtetutat e huaja, sidomos të vendeve perendimore, që ti kenë si mostër. Por nuk ishte normale, që për hirë të disa tendencave djallëzore e shfrenuese, që shpiejnë nga tjetërsimi i identitetit, i traditës dhe i kulturës shqiptare, të pranohen apriori dhe të kodifikohen edhe me aktin më të lartë kushtetues. Si mund të arsyetohet mungesa e emrit shqiptar, që zëvendësohet me emrin qytetar, nê aktin më të lartê (Kushtetutë) ?!! Mohimi i këtyre vlerave do të prodhojë prap mospajtime, të cilat, mund të manifestohen me trazira e pasoja.
AI : - Pakuptimësia tjetër autoktone, që po shfaqet në politikë, është edhe tê keqkuptuarit dhe të keqshfrytëzuarit e demokracisë dhe tê derivatit të saj pluralizmit, në emër tê të cilave u formuan me dhjetra parti, për mes të cilave po dalin në shesh ambiciet e karierizmit, të egoizmit dhe të pêrçarjeve, që po i pengojnë proceset pozitive të zhvillimeve në Kosovê. Si të thuhet ndryshe, kur, më rastin e shqyrtimit apo vlerêsimit tê problemeve, që lidhên me interesin e mbarë shoqërisë kosovare, nga mënyra dhe toni se si jipen ato vërejtje, fitohet përshtypja, se ato burojnë nga interesat e ngushta partiake, klanore e individuale. Në vend qê vërejtja tê jipet me qëllim përmirësimi dhe eliminimi të gabimeve për mbarë interesin shoqëror, fitohet prap përshtypja brengosëse, sepse individi që jep vërejtjen sikur ndien kënaqësi për gabimin që ia gjen kolegut. Prandaj, që të shërohen vetitë e shëmtuara të individve përgjegjês, së pari, nga ai që përfaqëson popullin, kërkohet fisnikërim sjelljesh, ambiciesh dhe përgjegjësi ndaj punës dhe qytetarit. Me këtë ai do ta lante borxhin edhe ndaj partisë edhe ndaj shoqërisê të cilës i takon . Prandaj themi se : Po të kishim bërë përpjekje për t’u afruar, sa bëjmë përpjekje për t’u larguar, do tishim në një pozicion më të mirë politik dhe juridik.
UNË : - Për të arritur qëllimin e vet skandaloz, përfaqësuesit autokton të pakuptimësisë, duke mos e kursyer imagjinatën e tyre tê ndotur, shpikën idenë (pa kurrfarë baze shkencore) për formimin e kombit të ri kosovar. Thash lum e lum shkenca dhe Kosova për këta shqipfolësa «shkencêtarë». Ngjajshëm me këta shqipfolësa pati folur edhe ultranacionalisti Sheshel, kur thoshte, « se shqiptarët e Shqipërisê janë albanci, ndërsa ata të Kosovës janë shiptari. Si duket, kêtë ide kaq «përparimtare», « shkencëtarët» tanë shqipfolësa e gjetën nê kontajnerat e Kalemegdanit serb në Beograd, pasi qê Guzhina e Akademisë së Shencave dhe e Arteve tê Serbisê nuk mundi më ta shes dushkun për gogla, që flet për të vërtetën mbi shqiptarët, e hudhi në kontajner, ku edhe tani, vazhdimisht lëshon erë shpifjesh, trillimesh e falsifikimesh.
Ai : - A po e sheh or miku im, se pakuptimësitë nuk shfaqën vetëm në politikë, por edhe në shkencë. A e din ti se ndër shtytësit më të fuqishëm, që do të duhej të na nxisnin në gjetjen e mënyrës se si ta normalizojmë jetên, është identifikimi i shkaktarëve të pasojave dhe të dështimeve të derisotme. Andaj, përkushtimi dhe angazhimi ynë i mëtejmë me sjellje dhe me veprime konstruktive, do ta pengonte krijimin e pasojave dhe të dêshtimeve. Kjo aq më parë, kur dihet, se themelet e përparimit dhe tê mirëqenjes njerëzore varën prej nivelit dhe kualitetit të kulturës së njê shoqërie. Pra, pêr ti krijuar normalitet jetës, duhen pêrpjekje dobiprurëse me përkushtim tê lartê.
Dihet tani më, se pakuptimësitë e qëllimshme na vinë nga jasht dhe nga brenda. Dhe kjo ndodhë nga se ne, jo pak herë vërbërisht i nênshtrohemi aprioristikës. U shfaq diku një stil, një modë apo një rrymë, qoftë ajo ideologjike apo artistike, nxitojmë ta pranojmë, pa e vlerësuar se si do tê reflektohet në masën e gjërë. Pra, ajo që e godet mê së rëndi shoqërinë, shqiptare, është pranimi vërbërisht dhe pa kritere i kundërvlerave. Një ndikim negativ në tê çmuarit e vlerave artistike e kemi edhe nga klima jo e shëndoshë politike, që po mbretëron nê mbarë botën. Kêtê ndikim kemi pasur rastin ta shohim dhe ta dëgjojmë kêtyre viteve tê fundit edhe nê Festivalin prestigjioz të muzikës « Eurovizion », ku vlerësimi i nivelit dhe i kualitetit artistik jipej jo nê bazë të kualitetit të intërpretimit të këngëtarit, por nê bazë të afrisë regjionale ose në bazë të raporteve politike që ka njê shtet me një shtet, prej nga vinë këngëtarët. Pra, e keqja qendron mu nê faktin e cekur më parë, se ne dimë ti konstatojmë shkaktarët e pasojave dhe të dështimeve tona, por nuk angazhohemi sa duhet për ti eliminuar.
UNË : - Mënyra se si po shfaqên, po manifestohen e përjetohen disa « vlera » artistike dhe efekti që bëjnë ato në kulturë, sidomos nê edukatë, është pêr t’u brengosur. Kjo, aq më parë, kur dihet se vlerat e njëmendëta nê përgjithêsi dhe ato artistike në veçanti janë shumë të ndijshme. Prandaj, si krijuesit dhe intërpretuesit, ashtu edhe drejtuesit e finansuesit e tyre, së pari duhet tê jenë njohës të njëmendët të vlerave të njëmendëta dhe të ndiejnë përgjegjësi për nivelin kualitativ të manifestimeve të tyre. Kjo, sepse, vetëm njohêsit e mirëfilltë dinë se çfarë vlerash ti afrojnë artdashësve dhe shoqërisê në përgjithësi. Fatkeqësisht, përditshmëria e transmetimit dhe e ekspozimit tê « vlerave » dëshmon, se në të shumtën e rasteve nuk kemi të bëjmë me vlera, por me kundërvlera, të cilat e kanê vërshyer mendjen dhe xhepin e njeriut. Mjerisht, ka shumë shembuj që e pasqyrojnë nivelin e ulët të kulturës, sidomos nê art dhe në gjuhë, duke filluar nga emërtimi i emisioneve, (siç janë : pro et kontra, proarte, arget, imazh, meteo e tjera). Kjo aq më parë, kur dihet se krijuesit e vlerave e kanê obligim ta kultivojnë kulturên. Si pasojë e mostrajtimit adekuat të kulturës, sot ekranet televizive, sallat dhe mediumet janë pushtuar prej lakuriqhaneve, me bastardim, me plagiaturê dhe me injorim të vlerave tê njêmendëta.
AI : - Sikur gjuha jonë të mos kishte fjalë adekuate për ti emërtuar ato emisione në gjuhën shqipe, vaj halli për ne. Por, nuk qendron shkaku te mungesa e fjalëve, por te aprioristika dhe te mungesa e kritereve. Kështu, jo rrallë ndodh që për hirë të hirrês, e hudhim kajmakun. Kjo aq më parë, kur dihet se me kêtë gjuhën tonê janë përkthyer shumë vepra e punime shkencore edhe të krijuesve botêrorë. Pra, është çështje më rëndësi, që institucionet e kulturës dhe të informimit, ta shqyrtojnë pa hezitim dukurinë e bastardimit dhe të barbarizmave, të cilat po përdorên sot aq dendur gjatë komunikimit të përditshêm. Brenga bêhet më shqetësuese, kur dihet se kêtê gjuhë e kanë ruajtur dhe mbrojtur të Parêt tanê në kushte e rrethana robërie e diskriminimi. Ndërsa sot, kur janë krijuar kushte më tê favorshme për pasurimin dhe zhvillimin e gjuhës dhe tê kulturës në përgjithësi, ajo po varfërohet dhe po masakrohet vullnetarisht, thuaja prej tê gjitha shtresave të qytetarëve shqipfolês. Si të mos shqetësohet dashamiri i gjuhës shqipe, kur, kahdo qê tê shkosh dëgjon fjalê e shprehje të çoroditura dhe fjalë e shprehje tê huaja gjatë të folurit, tê shkruarit dhe tê kënduarit. Gjithashtu, kahdo që tê shkosh, sheh e lexon mbishkrime të shkruara në gjuhën e huaj. E të mos flasim për termat që shprehen në fushat tjera, administrative, tregtare, politike etj.p.sh. fjalêt tender, draft, mesazh, progres, avantazh, total, dakort, pro, kontra, okej e tê tjera.
UNË : -Pra, niveli i kulturës nuk matet me garën, se kush bastardon, kush shanë, kush hapareshet e xhveshet më shumë. Plagêt e shoqërisë nuk shërohen me duartrokitje ndaj kundërvlerave e ndaj shfrenimit. Niveli i kulturës matet me nivelin e profesionalizmit, të përgjegjësisë e tê përkushtimit, si dhe me nivelin e porosisê edukative të tekstit qê përmban vepra. Pra, investimi në vlera të mirëfillta, do të thotë investim në shëndetin e kulturës dhe të mendêsisë. Vetêm kështu mund të shërohen plagët e shoqërisë shqiptare, të cilat ende kullojnë gjak e lotë.
AI : - Ju, më një rast keni pas thënë, se ka vlera të përkohshme dhe të përhershme. Mua më ka kapluar droja se me këso « vlerash » do të na sakrifikohen vlerat e përhershme, me disa prej të cilave, dikur jemi mburrë dhe për tê cilat shqiptari ka dhênê edhe jetën.
UNË : - Sa i perket drosë për sakrifikimin e vlerave të përhershme, keni plotësisht të drejtë, sepse jeta jonë e gjatë nën robëri, ka ndikuar që ne të mjaftohemi dhe të kënaqemi me pak send, edhe me gjysmat e atyre që na kanë takuar si të tëra. Këto që i shohim dhe i konzumojmë çdo ditë, shumica e tyre, janë kundërvlera. Dhe, si tê tilla, ato vetëm sa e helmojnë trurin e njeriut. Nuk kanë thênê më kot : «Merr n’thua sivjet e rrêxohesh në mot». Ne, jo pak herê kemi marrë në thua nëpër gabimet tona dhe e kemi thye qafên. Ky ves i keq, ma solli ndërmend thënjen e bashkëbiseduesit tim, kur thoshte : « Dikujt me i ra çekiq dhjetë kilogramësh në kokë, thotê : « N’tavan po kërcet diçka ». Përndryshe, të vazhdohet kështu me të shfaqurit e «vlerave» kësi soji, do të thotë të bësh atentat mbi mendësinë e rinisë sonë. Andaj, duke mos pasur mundësi tjetër ti ndryshoj shfrenimet e këtilla, do të thërrisja me zërin më tê lartë : Qoftê e kaluar sa më parë koha e mohimit të vlerave të njëmendëta !!!
AI : - Njê prej fatkeqësive, që po e godasin jetën e shqiptarit, është emigrimi i madh i shqiptarëve në vendet e huaja, për tê cilin emigrim, institucionet tona nuk bëjnë thuaja se fare fjalë për t’ua krijuar kushtet për t’u kthyer në vendlindje. Kjo aq më parë, kur dihet se jeta e gjatë në emigrim favorizon kushte tjetërsimi e asimilimi, sidomos për gjeneratat e reja. Absurdi bêhet më i rëndë, kur shteti i Kosovês ua krijon supërkushtet serbëve për t’u kthyer në vendin ku kanë bërë krime e shkatërrime në Kosovën, e cila kurrë nuk ka qenë e tyre, por ka qenë vetëm e okupuar dhe e shtypur nga ata. Ndêrsa shqiptarëve, të cilët synojnë tê kthehen dhe tê ndërtojnê shtëpi në vendin e vet, edhe pse i kanë lejet për ndërtim, por nuk u vlejnê, sepse kompetentet komunalë, të mësuar që të marrin ryshfet, ua ndërprejnë madje edhe ua rrëzojnê shtëpitë në ndërtim. Kjo, pra është vetëm njëra prej shumë mënyrave që e demotivojnë, e demoralizojnë dhe e detyrojnë emigrantin shqiptar që të mos kthehet nê vendlindjen e vet.
Dhe vargu i pakuptimësive autoktone, me apo pa vetëdie, vërtet është i gjatë. Kjo, sepse nuk e kemi shprehi të bëjmë bilansin as tê shkaktarëve as të pasojave, qê tê na shërbejnê si pasqyrê për të mos na u përsëritur më pasojat dhe dështimet.
UNË: - Nisur nga parimi biologjik, se asgjê nuk lindë e madhe. Rritja e dukurive negative varet nga ambiciet negative dhe shërbimi që u bëhet atyre dukurive. Që tê gjitha këto dukuri negative kanë krijuar bazën për të pamundêsuar kushtet për jetë normale. Prandaj,themi se mungesa e jetës normale, është produkt i luftês për të mbijetuar, për tê ekzistuar. Dhe gjatë asaj lufte njeriu ndeshet me gjithfarë kushtesh e rrethanash, shumica e tê cilave kanë ushtruar ndikim deformiteti në sjellje dhe tjetërsim tê karakterit dhe të mentalitetit tê njeriut. Deformitet ky qê ka lëshuar rrënjë të thella, zhgulja e të cilave, tani po hasë në vështirësi. Nga historia dihet, se në përpjekje për ndryshimin e kualitetit tê jetês, janë bërë sakrifica tê mëdha për të bërë reforma, madje janë bërë edhe revolucione. Andaj, si pasojë e mosrealizimit të ideve reformiste ka lindur zhgënjimi dhe revolta dhe ka vazhduar kriza sociale, ekonomike dhe politike. E me to edhe korrupcioni e krimi, tê cilat kanê rezultuar me luftëra të përmasave edhe botêrore.
Si ti ndalet hovi korrupcionit ?
AI : -Fatkeqësisht, në këtë kohë të mesluftës dhe anarshisë, dukuria e korrupcionit i ka prekur thuaja të gjitha shtresat e shoqërisë. Si ti ndalet hovi kësaj dukurie të shêmtuar ?
Ndêr faktorët që do ta ndalnin hovin e korrupcionit, janë: Të respektuarit e hierarkisë në përzgjedhjen e kuadrove udhëheqëse. Të respektuarit e hierarkisë më rastin e vendosjes sê çështjeve sipas peshës dhe rëndësisë që kanê. Kur drejtuesit e çdo lloj veprimtarie: ekonomike, politike, kulturore, arsimore, shëndetësore, strategjike, të jenë shëmbull për të mirë në punën që bëjnë, atëherë edhe puna e të gjithë të tjerëve do të shkojë mbarë. Por ç’ti bëjmë të keqës që e ushqen korrupcionin, i cili buron mu nga njerëzit përgjegjës? Pra, kur këta përgjegjës, që janë pasuruar brenda natës të japin llogari dhe ti përgjigjen drejtësisë, duke rezultuar me ndëshkime të merituara, do të rezultojë me ndikim pozitiv tek qytetarët. Kjo masê e drejtësisë do tê bëhet faktor që do ta ndalë hovin e korrupcionit. Fatkeqêsisht realiteti po tregon, se korrupcioni ka depërtuar edhe te profesionet e shënjta, siç janë: arsimi, mjekësia, gjyqësia, e të tjera. Pra, ky relitet i hidhur vetëm sa e vulosë konstatimin e Doktrinës marksiste, që thotë: “Baza material e përcakton vetëdijen e njeriut”. Kështu që, për hirë të aprioristikës politike, nuk mund ta hudhim posht kêtë konstatim, kur dihet se edhe mjeku, edhe arsimtari e gjykatësi kanë familje. Andaj kanë edhe obligim për ti mbajtur ato. E si do ti mbajnë me minimumin e pagesës mujore? Ky nivel minimal i pagave, me dije qoftë se reflektohet negativisht në vetëdijen dhe etikën e arsimtarit, të mjekut, tê gjykatësit, si dhe të qytetarit. Mua, jo pak herë më ka rastisur tê udhëtoj me taksi, të cilit i grahte arsimtari. Në vend që ai, atë kohë ta shfrytëzonte për t’u përgatitur për të dhënë mësim, ai takson, sepse ishte i detyruar ti sigurojë familjes kafshatën e gojës. Nga kjo punë jashtë profesionit mundêsohet edhe korrupcioni dhe mund të merret me mend edhe kualiteti i mësimdhënjës.Pra, pasoja shpërdorim ose korrupcion, nuk është rezultat i vetëdijes sê ultë të arsimtarit, të mjekut e të gjykatësit, por është rezultat i shkaktarit mostrajtim dhe mosshpërblim meritor i punës së tyre.
UNË : - Me të shpêrblyerit sipas kualitetit të punës, mundësohet tê shtuarit e përgjegjësisë, të forcuarit e moralit, të respektuarit e etikës sê profesionit, të respektuarit e normave juridike, të cilat do tê mundêsonin mbarëvajtjen e të gjitha proceseve, që shpiejnê kah mirêqenja e shoqërisë. Në të kundërtën, kur këto tri kategori profesionesh lihen pas dore, pasojat do ti bartë e tërë shoqëria. Pra, tê investosh nê këto tri kategori të shoqërisë, do të thotë të investosh në shtyllat kryesore të godinës së asaj që i thonë SHTET, prej nga mandej rrjedh shpërblimi më i madh , i MIRËQENJES NJERËZORE.
Tani që është krijuar shteti i ri i Republikës sê Kosovës, dhe kur në krye të institucioneve të zënë vend njerëzit me pêrkushtim dhe njohuri adekuate profesionale, për punên që u besohet ta bëjnë, kemi arsye të shpresojmë se do të bëhen kthesa pozitive në çdo fushë veprimtarie.
Dashtë Zoti, që ZËRI I ARSYES dhe i dashamirëve tê mirëqenjes njerëzore, qê buron nga e drejta dhe e vërteta, tê dëgjohet, të aplikohet, të triumfojë dhe të mbizotërojë deri në amshim !!!
Hamze GASHI
France
Ndryshuar për herë të fundit nga Dertlia : 22-06-2013 më 17:37
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt