Darina Tanushi

Dy nga historianët më të mirë në vend, profesorët, Arben Puto dhe Pëllumb Xhufi e cilësojnë të gabuar përgjithësimin që kryeministri Berisha i bëri sipas tyre familjes Toptani, duke thënë për të se “atë që i kanë bërë Toptanët, Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të gjithë okupatorët”. Ky qëndrim i kreut të ekzekutivit, kritikohet nga dy historianët, pasi sipas tyre “i vetmi dru i shtrembër” në familjen Toptani, ka qenë Esat Pasha. “Unë mendoj që është gabim të shprehesh në përgjithësi, sepse mund të ketë figura konstruktive brenda Toptanëve. Nuk mund t’i fusësh të gjithë nën një përgjithësim”, është shprehur mes të tjerash profesor Puto, në një prononcim të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”. Sipas tij Berisha ka të drejtë vetëm kur bëhet fjalë për Esat Pashë Toptanin. “Sepse Esat Pashë Toptani ka qenë një figurë shumë e mbrapshtë, por nuk mund ta përgjithësojmë. Toptanët kanë qenë shumë. Unë njoh historinë e Esat Toptanit
Aq keq ka bërë, aq i madh qe dëmi që ka bërë. Ka shitur dy të tretat e Shqipërisë, ai ka shitur Shkodrën. Ai ka bërë marrëveshje të fshehta me pushtuesit. Ai ka minuar unitetin, në momentin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali, në Vlorë”, ka shtuar Puto. Në anën tjetër historiani Xhufi e komenton kështu deklaratën e Berishës. “Më duket se ai e mbron Esatin, sepse është vetë Esat. E kam thënë edhe herë të tjera që ai përfaqëson Esat Pashë Toptanin. Kështu që ai nuk duhet ta ketë për patriotët Toptanas, Murat Toptanin, etj, që janë shumica në atë familje. Totanët kanë patur edhe patriotë”, thotë Xhufi. A ka të drejtë Berisha kur thotë se Toptanasit e kanë dëmtuar Shqipërinë më shumë se okupatorët? Ja përgjigjet e plota që japin për “Gazeta Shqiptare” dy historianët:
ARBEN PUTO
Po me të drejtë, e ka thënë, sepse Esat Pashë Toptani ka qenë një figurë shumë e mbrapshtë, por nuk mund ta përgjithësojmë. Toptanët kanë qenë shumë. Unë njoh historinë e Esat Toptanit
Aq keq ka bërë, aq i madh qe dëmi që ka bërë. Ka shitur dy të tretat e Shqipërisë, ai ka shitur Shkodrën. Ai ka bërë marrëveshje të fshehta me pushtuesit. Ai ka minuar unitetin, në momentin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali, në Vlorë. Por unë mendoj që është gabim të shprehesh në përgjithësi, sepse mund të ketë figura konstruktive brenda Toptanëve. Nuk mund t’i fusësh të gjithë nën një përgjithësim.
PËLLUMB XHUFI
Sali Berisha ndoshta e ka patur vetëm për Esat Pashë Toptanin, sepse ai ka qenë dru i shtrembër në atë familje, aty. Për të tjerët nuk thuhen se kanë qenë të tillë. Po ai më duket se ai e mbron Esatin, sepse është vetë Esat. E kam thënë edhe herë të tjera që ai përfaqëson Esat Pashë Toptanin. Kështu që ai nuk duhet ta ketë për patriotët Toptanas, Murat Toptanin, etj, që janë shumica në atë familje. Unë nuk dua të bëj ndonjë koment tjetër më shumë, për arsye se këto janë mendimet e Berishës, por Toptanët kanë patur edhe patriotë.