Rëndësia dhe mirësitë e ditës së xhumasë
Dispozitat edukata dhe mirësitë e saj,si dhe tërheqja e vërejtjes nga disa gabime që bëhen në të
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
"Dita më e mirë në të cilën lind Dielli, është dita e xhuma.
Ajo është dita në të cilën është krijuar Ademi (alejhi selam).
Në këtë ditë, ai është futur në xhenet dhe në këtë ditë ka dalë prej tij.
Dhe nuk ka për t'u bërë Kiameti veçse në ditën e xhuma." {Muslimi}
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar, Zotit të botëve.
Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi më oratorin e profetëve dhe të dërguarve, Muhamedin.
Allahu i Madhëruar e dërgoi atë (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me udhëzim dhe fenë e vërtetë që ta nxirrte njerëzimin me lejen e Zotit të tij nga errësira e mosbesimit në dritën e besimit, prej errësirës së shirkut për në dritën e teuhidit (Njësimit të Allahut), prej errësirës së injorancës për në dritën e dijes dhe nga errësira e bidatit për në dritën e sunetit.
Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vazhdoi me vendosmëri në çështjen e Allahut dhe nuk e kthente atë asgjë që i dilte para.
Këmbëngulës në arritjen e kënaqësisë së Allahut, askush nuk e pengonte dot atë, deri sa bota u ndriçua me shpalljen e tij, me dritë të fortë dhe vezulluese. Njerëzit hynë në fenë e Allahut grupe-grupe dhe thirrja e tij u shtri ashtu si dielli nëpër kontinente.
Feja e tij e drejtë arriti atje ku arrin dita dhe nata, pastaj Allahu e mori atë për të përmbushur premtimin e dhënë në Librin e Tij të qartë, pasi që ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e komunikoi shpalljen,e kreu amanetin, e këshilloi popullin, luftoi në Rrugën e Allahut me një xhihad dhe përpjekje të vërtetë.
Ai e ngriti Fenë dhe e la popullin e tij në rrugë të bardhë e të qartë për ndjekësit e saj:
“Kjo është udha ime; unë ftoj për tek Allahu me dije të sigurt, unë dhe kushdo që më pason mua. Lavdi i qoftë Allahut dhe unë nuk jam prej idhujtarëve.” {Jusuf-110}.
Allahu i Lartësuar e dalloi këtë umet me veçori, tipare dalluese si dhe me mirësi të larta.
Prej këtyre mirësive ishte edhe përzgjedhja që Ai i bëri ditës së xhuma si ditë feste për të gjithë muslimanët, ditë prej së cilës u privuan çifutët dhe të krishterët.
Nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
"Allahu i Madhëruar i privoi nga e xhumaja ata të cilët ishin para nesh.
Çifutët kishin ditën e shtunë,ndërsa të krishterët ditën e diel, pastaj na zgjodhi ne dhe na udhëzoi me ditën e xhuma, dhe bëri që e xhumaja ta paraprijë të shtunën dhe të dielën, e gjithashtu ata janë pas nesh ditën e Kiametit.
Ne jemi të fundit prej banorëve të dynjasë dhe të parët në ditën e Gjykimit; dhe do të jemi ne ata të cilët do ta përfundojmë dhënien e llogarisë më parë se të gjitha krijesat"
Dita e xhuma, ditë adhurimi (devocioni)
Hafidh Ibën Kethir (Allahu e mëshiroftë!) thotë:
Është quajtur e xhumaja me emrin "Xhuma", sepse ajo e ka prejardhjen/buron prej grumbullimit (që bëhet atë ditë).
Pasuesit e islamit (muslimanët) grumbullohen çdo javë në këtë institucion të madh.
Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët që të grumbullohen për ta adhuruar Atë.
I Lartësuari thotë:
"O ju që keni besuar! Kur të bëhet thirrja për falje ditën e xhuma, nxitoni me zell te përkujtimi i Allahut." [Xhumua,9].
Që do të thotë: Përkushtojuni me devocion dhe ngazëllim shkuarjes në xhami për faljen e xhumasë, e nuk është për qëllim ecja me ngutje dhe nxitim, pasi për mospëlqimin e kësaj të fundit ka ardhur argument i qartë.
El Hasani thotë:
"Jo, pasha Allahun,nuk është për qëllim nxitimi i këmbëve, pasi nuk na lejohet të shkojmë për faljen e namazit, por veçse me qetësi dhe përulje; dhe për qëllim është: të nxituarit me zemër, me nijet dhe me frikërespekt."
Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) thotë:
"Dita e xhuma është ditë adhurimi dhe vlera e saj në krahasim me ditët e tjera është si vlera e muajit të Ramazanit ndaj muajve të tjerë.
Ndërsa ora në të cilën në të pranohet lutja është si nata e Kadrit në Ramazan."
Esselamun alejkum
Krijoni Kontakt