-
Investime në Brezovicë
Investime në Brezovicë
Nga Albulena Maloku 27 Dhjetor 2011 09:42
Qeveria e Kosovës po planifikon edhe ndërtimin e një kompleksi të ri turistik në Brezovicë. Investimet në këtë kompleks, pritet të arrijnë deri në 100 milionë euro.
Për ndërtimin e një kompleksi të ri turistik në Brezovicë, pritet të investohen rreth 100 milionë euro. Ndërtimi i këtij kompleksi pritet që t’ia rrisë vlerën edhe objektit tjetër ekzistues në kompleksin e Brezovicës.
E krejt këto investime po bëhen për të rritur vlerën e kësaj qendre në procesin e privatizimit të saj.
Kështu thonë zyrtarë të lartë qeveritarë, të cilët tashmë janë duke përgatitur edhe privatizimin dhe ndërtimin e objektit të ri në këtë zonë.
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari – Lila thotë për Express se ende nuk është definuar mënyra e privatizimit të kësaj qendre turistike.
Ajo pohon se Qeveria e Kosovës e ka formuar edhe një komision ndërministror për Brezovicën, i cili, së bashku me këshilltarin e transaksionit prej USAID’it, do të fokusohen në përgatitjet për zhvillimin e zonës së re turistike.
Tash, ministrja thotë se janë duke diskutuar edhe master planin për Brezovicën, të hartuar nga Komisioni Evropian.
“Ne tash jemi duke e diskutuar për paketën e këtij kompleksi, për ta bërë si tërësi me gjithë objektin që privatizohet apo ta lëmë vetëm objektin e ri, e që kjo do të varet edhe nga kërkesa që ekziston në treg për këtë projekt të kësaj natyre”, thotë Kusari – Lila. Pas kësaj, ajo thotë se nëse do të shohin se do të ketë potencial të investimeve, atëherë mund të shkojnë të dyja me një pako, ose vetëm njëri kompleks. “Por vendimi për këtë proces do të merret në fund të muajit shkurt”, thotë ajo.
Vlera e investimeve për projektin e ri, sipas ministres, mund të arrijë deri në 100 milionë euro. E nëse vendoset të shitet, atëherë sipas saj, vlera e këtij kompleksi do të rritet edhe më shumë.
Por deri më tash, mungesa e investimeve private ka vazhduar ta pengojë zhvillimin e qendrës së Brezovicës.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thonë se administrojnë ndërmarrjet në pronësi shoqërore, në mesin e të cilave është edhe kjo qendër e skijimit. Zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi thotë se zhvillimi i zonës së re do të bëhet duke ruajtur baraspeshën në mes të privatizimit të aseteve të ndërmarrjes shoqërore dhe zhvillimit të zonës së re turistike, ndërsa, siç thotë ai, duhet të arrihen afatet kohore në mes të të gjitha palëve.
Sipas një dokumenti të përgatitur nga AKP’ja, Qendra e Skijimit Brezovica është qendra e vetme e turizmit dimëror në Kosovë që ka kushte të jashtëzakonshme natyrore për skijim. Aktualisht, sipas këtij dokumenti, ndërmarrja punëson 225 njerëz, të cilët kryesisht punojnë në objekte hoteliere.
Për shkak të faktit që objektet e ngjashme nuk ekzistojnë në Kosovë, Brezovica nuk ka ndonjë konkurrent të rëndësishëm në turizmin dimëror. Brezovica i ka të gjitha kushtet për t’u bërë njëra nga qendrat më të mira të rekreacionit në këtë pjesë të Ballkanit. Ndërkaq, Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë ka përgatitur një masterplan për Brezovicën, i cili i hap rrugë zhvillimit ekonomik dhe privatizimit në këtë territor. Ky plan i jep theks rritjes inkluzive dhe pronësisë së fuqishme lokale, si bazë për rikuperim të suksesshëm ekonomik të qendrës së skijimit.
express
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt