E rrahin Anton Nokajn

08-10-2011 10:00 CET

Ish-kryetarin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj, paraditen e së enjtes, rreth orës 10:00, e kanë rrahur keq. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“A. N. është sulmuar fizikisht rreth orës 10:00 në rrugën “Lidhja e Prizrenit”. Nga ky sulm ai ka marrë lëndime të rënda trupore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, ka bërë të ditur Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Policia nuk ka arritur ende të marrë vesh arsyet e rrahjes, por është duke i vazhduar hetimet. “Ne kemi shumë pista të dyshimeve, por ende nuk e dimë motivin e sulmit ndaj A. N.”, kanë thënë në polici. Aktualisht, sipas policisë, edhe pse Nokaj është i shtruar në spital dhe ka marrë lëndime të rënda trupore është jashtë rrezikut për jetën.

Anton Nokaj për disa vite ka qenë kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Në procesin e fundit të emërimit të gjyqtarëve, Nokaj ka konkurruar për një pozitë të tillë, por nuk është riemëruar.

zeri info