Lëvizja “Bashkohu” i kërkon Thaçit të shkarkojë këshilltarin e tij
Lëvizja “Bashkohu” e cila ishte edhe organizatore tri faljeve të namazit në rrugë dhe tek hapësira në udhëkryqin afër Xhamisë së Çarshisë në kryeqytet me kërkesën për ndërtimin e një xhamie, tani ka shpalosur edhe kërkesa tjera. Kësaj radhe, kjo lëvizje ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi që të shkarkoj menjëherë këshilltarin e tij, Blerim Latifin, për deklaratat e dhëna gjatë një emisioni debatues në RTK.
Ne reagimin e saj Lëvizja “Bashkohu” konsideron se Latifi gjatë emisionit “Target” me temën feja në Kosovë, i ka fyer rëndë myslimanët.
Duke i vlerësuar deklaratat e Latifit si fyerje, Lëvizja “Bashkohu” në kërkesën drejtuar kryeministrit thotë se nuk dëshiron assesi që në qeverinë e cila i përfaqëson, të ketë njerëz të tillë që i fyejnë aq ashpër myslimanët dhe Kuranin e shenjtë.
“Këshilltari juaj i ka fyer rëndë myslimanët e vendit tonë. Këshilltari juaj ndër të tjera ka thënë: “ju myslimanët pasoni librin ( Kuranin ) i cili është i pavlerë për kohën tonë ngase nuk iu jep zgjidhje problemeve bashkëkohore, ndërsa keni mbetur mbrapa 1500 vite”.
Duke pretenduar se i përfaqëson xhematin e myslimanëve në tërë Kosovën, Lëvizja “Bashkohu” opinionin e dhënë nga Blerim Latifi si sociolog në emisionin debatues në RTK, përveç që e cilëson fyes edhe të dëmshëm për Kosovën.
Sipas kësaj lëvizjeve, Blerim Latifi ka bërë keq që në emision ka thënë se Islami i Gadishullit Arabik është Islami i shkretëtirës i kontaminuar me Islam politik e Islami politik është antiamerikanizmi.
“Ne jemi të shqetësuar për faktin se një deklaratë e tillë e bërë nga një zyrtar qeveritarë është skandaloze dhe me pasoja negative për shtetin tonë. Ti akuzosh vendet e Gadishullit Arabik se praktikojnë “Islam të shkretëtirës” dhe kultivojnë antiamerikanizëm i dëmton përpjekjet e shtetit tonë për njohje nga këto vende, njohje të cilat aq shumë na duhen”, thuhet në kërkesën e “Bashkohu”.
Duke ripërsëritur kërkesën për shkarkimin e Latifit, Lëvizja “Bashkohu” konsideron se deklaratat e tilla mund të bëhen shkak për dëmtimin e imazhit të vendit tonë dhe humbjen e përkrahjes nga vendet mike si Arabia Saudite, Turqia e vende të tjera Islame, të cilat janë dëshmuar për miqësinë dhe ndihmën që i kanë dhënë dhe po i japin shtetit tonë.
Krijoni Kontakt