Stërnipi shqiptar, prej Hollywoodit synon rol në film kosovar
Prishtinë, 29 shtator - Ai ka marrë vesh se një pako cigare në Kosovë kushton tepër lirë. E ka shpeshtuar pirjen e tij gjatë këtyre pesë ditëve. Kur ka dalë natën nëpër lokalet e Prishtinës e ka pëlqyer birrën e Pejës. Por nuk e ka tradhtuar pijen e tij të preferuar, ujin. Megjithatë uji i Kosovës është më i miri për të.
Aktori i njohur Gedeon Burkhard në një intervistë për “Kohën Ditore” thotë se gjatë këtyre ditëve sa po qëndron në Prishtinë ka mbetur pa fjalë nga gjithë kënaqësia që po përjeton në kryeqytet. Karriera e tij është zhvilluar në Hollywood. Ka luajtur në filma të Quentin Tarantinos e në krah të aktorëve si Brad Pitt në “Inglorious Bastrads”. Por Burkhard është i bindur se asgjë nuk do të kishte kuptim po nuk luajti në një film në Kosovë.
Krenar për stërgjyshin Aleksandër Moisiu
Teksa flet për Kosovën, Burkhard është plot ngazëllim.
“Jam mishëruar me këtë vend. Është thjesht një prej atyre vendeve që ka qenë e shkruar të vij që të më bëhet jeta më e mirë”, thotë aktori i njohur Gedeon Burkhard, i ardhur në Prishtinë si kryetar i jurisë ndërkombëtare në edicionin e tretë të “PriFilmFest”. Gjithashtu ai është aktor në filmin “Bridges” që konkurron në kategorinë e metrazhit të mesëm. Për të karriera që ka bërë nuk mund të quhet e kompletuar nëse nuk luan në një film kosovar.
“Dua ta kem një rol në këtë vend të mrekullueshëm dhe me njerëz aq të mirë sa kam njohur gjatë këtyre ditëve”, ka thënë ai.
Burkhard është i bindur se ai film do të dilte i mrekullueshëm.
“Vetëm me aq sa kam parë gjatë këtyre ditëve, unë jam dashuruar me shumë vende në të cilat do të mund të xhirohej dhe kam dëgjuar histori nga më të ndryshmet të cilat mund të bëheshin film”, ka thënë ai. Madje Burkhard nuk do ta kishte problem nëse do ta luante edhe rolin e një “personi zyrtar ndërkombëtar që bën jetë të shfrenuar dhe nuk i bën aspak për punë”.
”Të jetë një skenar i mirë dhe me domethënie, kaq ka rëndësi, asgjë tjetër. Sa për para vetëm le të më paguhet qëndrimi dhe nevojat tjera, s’dua më shumë”, ka thënë ai.
E “mishërimi” i tij me Kosovën i ka rrënjët shumë më thellë sesa eksperienca e tij gjatë këtyre pesë ditëve sa po qëndron në kryeqytet.
“Jam shumë krenar që jam me prejardhje shqiptare. Thënia se rrënjët ngrehin njeriun drejt tyre qenka absolutisht e saktë”, ka thënë ai.
Burkhard është stërnipi i aktorit të njohur botëror me prejardhje shqiptare, Aleksandër Moisiu. Për këtë ai thotë të jetë ndier gjithmonë i vlerësuar, por edhe borxhli.
“Që nga koha e tij në familjen tonë nuk ka pasur aktorë. Nëna ime kishte kryer këtë shkollë, por nuk ka vazhduar karrierë profesionale, andaj kam dalë vetëm unë që kam bërë karrierë aktori dhe besoj që ia kam zbardhur fytyrën këtij emri të madh”, ka thënë Burkhard.
Por ajo çka Burkhard beson ta arrijë, tashmë është argumentuar fuqishëm. Ai ka luajtur në filmat nën regjinë dhe përkrah aktorëve që janë emra të njohur në kinematografinë botërore. Mjafton të përmenden regjisori Qunetin Tarantino dhe aktori Brad Pitt që janë vetëm dy nga emrat me të cilët Burkhard ka luajtur gjatë karrierës së tij dhe të kuptohet kalibri i tij prej aktori.
Dhjetë vjet në pritje të Tarantinos...
Ishte një natë e vonë e vitit 1998 kur ai po kthehej në shtëpi pas një dite të lodhshme xhirimesh. Po atë natë e dashura e tij në një aeroport evropian do të takonte njeriun që më vonë do të bëhej regjisori më i njohur në botë. Quentin Tarantino ishte emri i tij. E ai do të bënte një gjumë pikërisht në shtëpinë e aktorit atëherë jo fort të njohur, Gedon Burkhard.
“Isha i lodhur dhe kisha nevojë për gjumë. Shkova të shtrihem dhe pashë atë (Tarantinon v.j) tek flinte. Pak i nervozuar e pyeta të dashurën se kush ishte dhe ajo ma shpjegoi ngjarjen. Shkova ia shikova fytyrën dhe nuk më besohej”, kujton Burkhard. Atë natë të tre kanë ndenjur zgjuar deri në sabah duke bërë muhabet. Tarantinos i duhej të ikte dhe Burkhard për dhjetë vjet nuk do të kishte kontakt më me të.
“Pas dhjetë vjetësh, në vitin 2008, në një ditë të zakonshme ai do të thërriste për të më thënë se kishte një rol për mua”, kujton aktori. Normalisht përgjigjja e Burkhardit kishte qenë pozitive.
Filmi titullohej “Inglorious Basterds” dhe roli i tij ishte personifikimi i një përkthyesi çifut.
“Por nuk e kisha idenë se unë do të isha përkrah Brad Pitt që është një ikonë e aktrimit në botë”, kujton aktori.
Burkhard në “Inglorious ...”, luan rolin e një çifuti, (Will Wicky), i cili shërben si përkthyes i karakterit të Bradd Pitt.
“Pitt është një person i thjeshtë dhe i këndshëm në bisedë, por jashtëzakonisht serioz kur xhiron. Kjo më ka impresionuar gjithmonë dhe normalisht kjo është ajo çfarë e bën atë që Pitt është tash”, ka thënë Burkhard, i cili ka një prapavijë arsimore, që i mundësojnë të luajë role amerikane dhe gjermane me një theks të përkryer. Ai ka përfunduar shkollën fillore në Angli dhe të mesmen në Amerikë. Disa nga filmat në të cilat ka luajtur Burkhard janë “The Last Train” me regji të Joseph Vilsmaier, “Melodies of spiring” nga Martin Walz, “Golden Times” e “Making up”. Ai ka fituar çmime të njohura si “Aktori më i mirë” nga “Bavarian Film”. Gjithashtu Burkhard është i njohur nga hit-seriali televiziv “Detective Rex”, i cili është transmetuar në më shumë se 140 vende të botës. koha
Krijoni Kontakt