Lifestyle, Shekulli Sot|30/09/2011 08:29
Kafeja e “kripur” e kryeqytetit
Entela Resuli
Ju pëlqen ta shoqëroni leximin e këtij shkrimi me një filxhan kafe? Pastaj, së bashku me filxhanin tuaj keni ndezur edhe një cigare… E gjetëm? Po apo jo, shumë të tjerë në këtë qytet janë duke bërë pikërisht këtë gjë: ‘kafe e cigare der në fyt’ siç thotë një këngë e vjetër e Rexhepagiçit.
Jo më kot, atyre që kanë në plan të hapin një biznes, nuk u duhet ta mendojnë gjatë se ku të investojnë, në një… kafene. Kjo pasi, po ti hedhësh një sy bareve në kryeqytet, janë plot në çdo orë të ditës. Në zonën e Bllokut, ku kafja kushton 1200 lekë të vjetra, shikon si biznesmenë që duhej të ishin super të zënë me punë ashtu dhe qytetarë të thjeshtë, madje gjen dhe ndonjë që dhe para pak minutash ankohej se është i pa punë, e pa lek në xhep, kafja është e shtrenjtë, çmimet janë rritur shumë etj.
Është thjesht magjia e të ndenjurit në kafe. Këtë ‘magji’ e tregojnë dhe shifrat: vendi ynë për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka konsumuar 3.238 ton kafe sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Në krahasim me vitin e kaluar, Shqipëria nuk tregon rritje në këtë drejtim, që do të thotë se konsumatorët e kafes janë po ata. Në lokalet e Tiranës konsumimi i kafesë fillon që në orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje aq sa shumica e bareve kanë vendosur një rregull që pas një ore të caktuar në mbrëmje nuk shërbejnë kafe ( kjo jo për të gjithë).
Ajo është e errët, përmban kafeinë dhe ka një shije të hidhur. Brenda saj ndodhen gjithashtu rreth 200 lloje helmesh që i bashkëngjiten gjatë procesit të pjekjes dhe përpunimit. E megjithatë, është një ndër pijet më të preferuara dhe ndër të tjera biznes me shumë leverdi. Menaxheri i kafe “Quo Vadis” e cila është nga ato që nuk rri asnjëherë bosh, tregon se në të konsumohet 2 deri në 3 kilogram kafe në ditë. Sipas tij një kilogram kafe nxjerr pak me shumë se 100 filxhanë kafeje. Pra, në këtë bar konsumohen afërsisht 250 kafe ne ditë. Për të kafja është një nga produktet më me shumë leverdi, e kjo për faktin e thjeshtë se kostoja e saj me gjithë shërbimin shkon tek 180 apo 200 lek të vjetra, ndërkohë që klienti e konsumon atë me çmimin 800 lekë, që është çmim nga më të lirët në bllok. Imagjinooni fitimin ekafeneve me kafe 1200 apo 1500 lek të vjetra. I matim me lekë të vjetra, sepse ashtu i llogarisin dhe pronarët e klubeve kur bëjnë llogaritë me mend.
Cigarja
“Pa bukë rri dhe pa cigare jo!”. Këtë fjali e dëgjojmë shpesh tek ata duhanpirës që cigarja u është kthyer në domosdoshmëri. 1.294 ton cigare janë konsumuar vetëm në 6 muaj në Shqipëri. Kjo sasi raportohet zyrtarisht nga doganat në vendin tonë (pa llogaritur sasinë e cigareve kontrabandë). Me kafen pihet edhe cigarja dhe ato shkojnë bashkë në një tavolinë. Po të bësh një vëzhgim në baret e kryeqytetit, kudo tymoset. Të pengosh dikë të mos pije cigare do të thotë ta largosh atë nga lokali… dhe kjo nuk ka pse të ndodhë. Fundja, që kur duhani në ambiente të mbyllura është problemi më i madh social i Shqipërisë?
Alkooli
Duke parë importin e birrës në Shqipëri kupton se shifrat për të janë rritur në krahasim me vitin e kaluar. 13. 624 litra kanë hyrë nga dogana dhe janë konsumuar në vendin tonë. Konsumimi i saj është shumë i madh në stinën e verës kur birra zë vendin e parë në krahasim me verën për sa i përket konsumit të përditshëm. Por, birra e importuar nuk është e vetmja që konsumohet në vendin tonë ka dhe shumë marka të tjera që prodhohen në vend kështu që shifra e konsumit është disa herë më e madhe. Stela, Tirana, Korça, Norga etj janë në ekspansion. Në bazë të studimeve të bëra nga ISHP-ja, rreth 40% e meshkujve në moshë aktive janë konsumues alkooli dhe 5 për qind e femrave në vend parapëlqejnë të marrin alkool në mënyrë sistematike. Vartësia që krijojnë shumë persona nga pijet alkoolike përbën një sëmundje, e cila këto vitet e fundit në vendin tonë po përhapet në masë të madhe jo vetëm tek femrat, por edhe tek të rinjtë nën 18 vjeç.
43 kafe në muaj
Kemi guxuar të bëjmë disa llogari duke u mbështetur ne shifrat e importit të kafes dhe numrit të banorëve. Nuk pretendojmë se jemi 100 përqind të saktë, por mund te themi që mesatarisht 1 shqiptar pi 43 filxhanë kafeje në muaj.
17.5
cigare pi mesatarisht një shqiptar në ditë. Kjo shifër është nxjerrë nga një studim i INSTAT. Një numër mjaft i lart ky në krahasim me popullsinë duke e cilësuar Shqipërinë si një nga vendet me numrin më të lartë të duhanpirësve ne Europë.
Shqiptarët: 1.4 milion dollarë për cigare dhe ankohemi….
Edhe për cigaren vendi ynë mban kampion. Shqiptarët janë ndër duhanpirësit më të mëdhenj në Europë. Dhe një pjesë të madhe të buxhetit familjar e shpenzojnë pikërisht për të blerë cigare. Sipas përllogaritjeve të INSTAT dhe të Institutit të Shëndetit Publik, shqiptarët shpenzojnë plot 1.4 milionë dollarë në ditë vetëm për cigare. Po sipas të dhënave zyrtare, çdo shqiptar, konsumin mesatarisht 17.5 cigare, ndërsa numri i atyre që tymosin rregullisht një cigare shkon në 870 mijë persona, një numër ky mjaft i lartë në krahasim me popullsinë. Po sipas studimeve të ndryshme, në raport me popullsinë, shqiptarët kanë arritur nivelin e turqve, një ndër vendet me numrin më të lartë të duhanpirësve në Europë. Nga ana tjetër, studimet tregojnë se është rritur numri i duhanpirësve femra. Tendenca nuk është më risi, por shqetësim për specialistët e Shëndetit Publik mbetet cigarja e parë, pra koha kur një person fillon ta pijë cigaren, mosha e konsumit e së cilës në mjaft raste është ulur edhe nën 10 vjeç. Pavarësisht numrit të madh të duhanpirësve, vihet re një ndërgjegjësim i tyre për konsumimin e cigares. Ata kanë filluar të jenë gjithmonë e më të kujdesshëm dhe shumë prej tyre nuk e pinë cigaren në shtëpi, apo në makinë, veçanërisht kur në këto dy ambiente ka fëmijë.
Ela Tollkuci, psikologe
Ela Tollkuci është psikologe dhe pedagoge pranë Universitetit Kristal. Ne kemi biseduar me të për të na shpjeguar më shumë për fenomenin dhe veset e kafes, duhanpirës dhe alkoolit. Në statusin e psikologes ajo na tregon se çfarë ndodh me njeriun gjatë pirjes së tyre dhe se si mund ti parandalojmë ato.
Pse jemi të prekur nga këto tre vese, kafja cigarja dhe alkooli?
Duke u nisur nga këndvështrim farmakologjik, kafeja, cigarja dhe alkooli janë padyshim ‘vese’ duke qenë se bëjnë pjesë në atë që njihet si kategoria e tretë e drogërave. Themi kategoria e tretë pasi nëse do të klasifikonim ilaçet si kategoria numër 1 (ose ndryshe drogërat e ‘mira’ nga momenti që zbulohen, testohen dhe prodhohen nga industria farmaceutike dhe gjithashtu që shiten në mënyrë të kontrolluar); të fusim ilaçet e këqia në kategorinë numër 2 ( drogërat e keqia’ të cilat shpesh herë paraqesin karakteristika të ngjashme me drogat e ‘mira’ përshembull heroina me kodeinen) që janë ato të prodhuara dhe të shpërndara jashtë kontekstit shëndetësor dhe që konsumohen kryesisht me një qëllim të ndryshëm nga ai kurativ. Kategoria e tretë (kafeja, cigarja dhe alkooli) ndonëse nuk perceptohen si drogëra kanë në përbërjen e tyre substanca psikoaktive me efekt të ngjashëm me ato të dy kategorive të lartë përmendura. Veçantia e tyre është se prodhimi dhe shpërndarja janë të lejuara ligjërisht dhe si te tilla mund të blihen dhe të konsumohen me lehtësi. Gjithashtu dhe nga një këndvështrim psikosocial karakteristika që i dallon si drogëra është krijimi i një dipendence të krijuar për shkak të aspektit të ‘tolerancës ndaj drogës’ ( kërkesa në rritje e dozës me qëllim realizimin e efektit që fillimisht realizohej në doza më të vogla.
Pse një çështje pune duhet ta zgjidhim në kafe?
Në ndihmë të një interpretimi më të menjëhershëm të kësaj pyetjeje, unë do ti ndryshoja pak drejtim. Ndoshta do të që me funksionale të sqaroheshim mbi faktin nëse: zgjidhja e çështjeve të punës në kafe është vërtetë realitet apo një mit i krijuar në kokën tonë? Nëse do të uleshim e të reflektonim mbi kohën efektive që shpenzojmë duke zgjidhur një çështje pune dhe më pas të mendonim se sa nga këto çështje janë konkluduar efektivisht në ambient e zyrave apo të kafeve mund të arrinim në konkluzionin që marrja konkrete e një vendimi bëhet (shpesh në aspektet e saja jo koshiente) në tavolinën e zyrës dhe kafja është llustra e fundit e diskutimeve që kurorëzohet me çmimin final për përfundimin e arritur.
Pse duhet te harxhojmë kaq shumë kohë në të, është shenje dembelizmi?
Në marrëdhënie pune, situatat e vendimmarrjes dhe skadencat e ndryshme janë pjesë e të përditshmes që përbën normalitetin në punë. Duke pasur parasysh individualitetin e çdokujt dhe duke mos dashur të biem në përgjithësime të kota, është e udhës të pyesim veten se sa të aftë jemi të vetëllogarisim dhe të tolerojmë kohën e nevojshme për një vendimmarrje sa me funksionale lidhur me veprimtarinë tonë? Sa të mësuar jemi me procesin e vetë-kontrollit dhe të spostimin në kohë të kënaqësisë së menjëhershme? Nëse vërtetë do të arrinim të kuptonim rëndësinë që kanë këto mekanizma psikologjik në realizimin sa më efektiv të aktiviteteve tona atëherë një ‘dembelizëm’ i mundshëm kafenesh do ti linte vendin shpërblimeve realiste dhe të merituara të arritjeve tona.
Cili nga këto vese është më i dëmshëm dhe a ka ndonjë terapi për lënien e tyre?
Nëse do të bënim një klasifikimi të dëmeve që shkaktuara prej këtyre drograve me siguri kafja do të klasifikohej e fundit kurse, duke u nisur nga nivel e vdekshmërisë nga pasojat e shkaktuara nga cigarja dhe alkoolin, këto të fundit do ti radhisnim pak a shumë në të njëjtat nivele rrezikshmërie me përafërsisht 2,5-3 milionë viktima në vit. Rrezikshmëria e këtyre drogërave lidhet dhe me dëmet psiko-fiziologjike që lëne tek konsumatoret e rregullt. Duke kujtuar disa nga demet kryesore të shkaktuara nga nikota (përbërësja më e njohur e cigares) mund të përmendim: shtrëngim të venave periferike të cilat çojnë në rritjen e presionit të gjakut, rritjen e numrit të kontraktimeve të zemrës me pasojë lodhjen e saj, alterim i ritmit kardiak, rritja e rrezikut për infarkt, dëme të aparatit tretës dhe pasoja e rrezikun për gastrit dhe ulçër. Mbetet ndërkaq akoma jo fort i qartë ndikimi i drejtpërdrejtë i nikotinës si shkaktuese e kancerit dhe e sëmundjeve kronike të mushkërive. Ndër sëmundjet e shkaktuara në rastet e abuzimit me alkool mund të përmendim sindromën e Delirium Tremens (DT) që prek kryesisht moshat nga 30-50 dhe shfaqet 5-15 vjet pas fillimit të abuzimit me alkool. Kjo sindromë karakterizohet nga një gjendje konfunzionale dhe mungesa e orientimit në kohë dhe mjedis. Janë prezent gjithashtu iluzionet, alucinazionet vizive dhe të prekjes si dhe delirë me karakter kërcënues dhe persekutues. Një tjetër sindrome njihet si Sindroma Korsakoff e karakterizuar nga amnezia anterograde ku subjekti bëhet i pa aftë në lidhjen kronologjike të ngjarjeve. Gjithashtu alkoolizmi mund të jetë i shoqëruar me ankth si dhe me diagnozën psikotike. Shqetësime të tjera jo me pak të rëndësishme të lidhur me alkoolizmin janë disfunksionimi seksual si dhe shqetësimet e gjumit.
Ndër terapitë e ndryshme që ofrohen: Në lidhje me duhanin mund te përmendim:
Terapia vetëndihmuese: nëpërmjet librave, cd-ve, kurseve me korrespondencë, video dhe programe kompjuteristike që ndihmojnë në lënien e duhanit.
Metoda në grup: Nëpërmjet pjesëmarrjes në kurset që ndihmojnë në lënien e duhanit me praninë e një grupi personash të seleksionuar në mënyrë të posaçme.
Terapi farmakologjike: ku përfshihen të gjitha format alternative/zëvendësuese të furnizimit me nikotine(si psh. çumcakizat me nikotinë dhe likoplastet me nikotine)
Hipnoza: Me limitin që nuk mund të përshtatet në një numër të gjerë duhan pirësish nga momenti që efekti i saj është i varur nga shkalla e sugjestionimi subjektiv.
Terapitë në funksion te lënies së alkoolit.
Psikoterapia individuale, familjare ose ne grup: Përdorimi i çdonjërës prej së cilave varet nga zhvillimet historike individuale të pacienteve alkoolist.
Trajtimi farmakologjik: Me së fundmi një përdorim të gjerë të disulfirami-t
Teknika e Alkoolisteve anonim (AA): E karakterizuar nga takimet në grup që realizohen 2-5 herë në javë dhe gjatë së cilave pacientet prezantojnë historikun e tyre duke mos u ndjerë të gjykuar nga të tjerët dhe duke ju nënshtruar kështu një modeli shërimi nëpërmjet identifikimit me të tjerët.
Klubi i alkoolistëve anonimë: është ngritur si teknike nga mjeku Vladimir Hudolin. Kjo teknike bazohet në konceptimin te ri të alkoolizmit ku njihet roli i kontekstit social dhe ku më tepër sesa një shërim nga alkoolizmi flitet për një integrim në grup të personit. Në këtë kontest një rol të rëndësishëm zë familja që favorizon procesin e ndryshimit si një ristrukturim të stilit të jetës. Këtu përfshihet jo vetëm marrëdhënia me pijen por edhe me familjen, punën dhe ambientin social në përgjithësi.
Kafe si jashtë shtetit J
Miliona persona në të gjithë botën e kanë të pamundur të fillojnë ditën pa kafen e mëngjesit. Por, sipas një studimi të fundit, efekti stimulues i saj mund të jetë vetëm psikologjik. Kërkuesit britanikë kanë studiuar 88 vullnetarë, të cilët ishin “të dashuruar” me kafen dhe që nuk mund të shtynin ditën pa dy kafe. Disave prej tyre iu dha kafe duke i thënë se ishte pa kafeinë. Të tjerëve iu dha një filxhan pa kafeinë, por iu tha që përmbante kafeinë. Pas kësaj, vullnetarët iu nënshtruan një testi për të parë aftësinë e reagimit. Rezultatet treguan se ata që kishin pirë kafe me kafeinë nuk patën performancë të mirë, ndërsa personat që mendonin se kafja e tyre përmbante kafeinë reaguan më mirë në testin që konsistonte në dallimin e ngjyrave. “Mendimi se kemi konsumuar kafeinë bën që të rritet përqendrimi”, theksojnë kërkuesit e universitetit të Londrës. Studime të tjera tregojnë që 3 kafe në ditë ulin rrezikun e sëmundjes së Alzhajmerit.
Këshilla për pirjen e kafes
1- Për ata që pinë mjaft kafe në ditë, shpërndajeni pirjen në orare të ndryshme të ditës
2- Kafeina rrit tensionin e gjakut, prandaj nëse doni të pini mjaft kafe në ditë, mund të zgjidhni edhe kafe të dekafeinuar. Dekafeina ka të njëjtët antioksidantë si dhe kafja e zakonshme.
3- Nuk është e rekomanduar për gratë shtatzëna dhe fëmijët
4-Kafeja ndikon mirë për zemrën e arteriet
4-Dy kafe të pira me intervale kohore të gjata, largojnë dhimbjen e kokës
5-Kafja mbron mëlçinë
6-Eviton formimin e gurëve në veshka
7- Rekomandohet për njerëzit që janë me astmë kronike
Pirja e më shumë se tre kafeve në ditë mund të bëhet në një faktor të dëmshëm për shëndetin tuaj. Kjo gjendje mund të krijojë nervozizëm, shpejtim të rrahjeve të zemrës dhe dridhje të duarve. Gratë shtatzëna, të sëmurët me zemër dhe ata që vuajnë nga ulçera në stomak zakonisht këshillohen ta shmangin kafenë. Nëse kafeja merret në doza të larta, ajo mund të kthehet në një rrezik serioz për shëndetin, duke u bërë shkak për sëmundje të ndryshme.
Krijoni Kontakt