Qeveria i dha armë armikut të SHBA-ve
Qeveria shqiptare së fundmi rrezikon të krisë marrëdhëniet diplomatike edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raportet zyrtare të OKB-së dhe të Human Rights kanë nxjerrë konkluzionin e të paktën gjashtë muajve hetimesh se Shqipëria ka furnizuar me armatim dhe municion të rëndë diktatorin Muamar Gadafi, para dhe pas Rezolutës 1521.
Megjithëse ministri i Mbrojtjes, Arben Imami e ka mohuar akuzën e një trafiku gjatë konfliktit në Libi, ku NATO vuri embargo, nuk mund të fshehë faktin tjetër të provuar me kontrata dhe dokumente, se biznesmeni serb i armëve, i cilësuar si njeriu më i rrezikshëm në këtë trafik që ka thyer rezolutën 1521, Slobodan Tesic, ka blerë gjatë vitit 2010 në Tiranë sasi të mëdha predhash, mortajash, fishekësh dhe armësh me destinacion Libinë. Të lejosh të hyjë në territor një super i kërkuar ndërkombëtar nga OKB, që e ka të ndaluar të kryejë këtë biznes dhe për më tepër t’i japësh kompanisë së tij anije me armë duke përdorur dhe sekserë shqiptarë, kjo pritet të shkaktojë furtunë të vërtetë diplomatike, në mos e ka shkaktuar.
AMA-NEWS
Prej të paktën 5 ditësh OKB zien nga kjo çështje, pasi tashmë është e konfirmuar se Tesic ka blerë armët nga Ministria e Mbrojtjes dhe MEICO duke i çuar në Tripoli. Ngarkesat janë kapur pas arratisjes së Gadafit, duke u bërë dhe provë materiale. Mirëpo ka dhe një fakt tjetër skandaloz, se qeveria “Berisha” po kërcënon marrëdhëniet diplomatike me SHBA-të. Prej vitit 2009, Tesic cilësohej nga autoritetet amerikane si njeri tepër i rrezikshëm që ka ndihmuar terrorizmin. Jo vetëm furnizonte qeverinë e Jemenit me armatim dhe municione nga Serbia, por edhe degën e Al-Kaedës në këtë vend. Janë kapur në 2010 edhe kontratat nga ambasada amerikane në Bullgari, që i janë transmetuar Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Tesic është klasifikuar në listën e më të rrezikshmëve, bashkë me Viktor Bout, i arrestuar dhe ekstraduar në SHBA. Tesic ka dërguar armë edhe në vende në konflikte civile tek diktatorët, si në Liberi dhe aktualisht hetohet për transaksione, deri dhe në trafik droge.
Ky njeri ka hyrë lirshëm në Shqipëri gjatë këtyre 5 viteve, sa herë ka pasur nevojë për armë e biznes, i ndihmuar nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes. Aktualisht është faktuar bashkëpunimi i tij me ministrat Fatmir Mediu dhe Arben Imami, 2006 dhe 2010. Për këtë fakt, edhe pse shkruan prej dy ditësh agjencia AMA, nuk ka asnjë reagim zyrtar të autoriteteve.
Krijoni Kontakt