Shuhet Liridona, “ëngjëlli” i ushtarëve grekë në Kosovë
NGA: ANILA JOLE
ATHINE-Ishte shkurti i vitit të kaluar, kur gjatë "rrokadës" në komandën e repartit "Rigas Fereos" të forcës greke (ELDYKO) në Ferizaj, një vajzë 14 vjeçare i bëri për vete të gjithë me forcën e shpirtit të saj dhe e detyroi komandantin e atëhershëm, kolonelin Jorgos Haxhitheofanus t'i mbushte sytë me lot, për vogëlushen që kanceri e kishte detyruar të njihte shumë herët fytyrën e ashpër të jetës.
Buzëqeshja e Liridonës, për shpëtimin e së cilës ishte mobilizuar që nga momenti i parë e gjithë forca greke në Kosovë, "u shuajt" përgjithmonë, pasi trupi fëminor nuk mundi t'iu rezistonte goditjeve të njëpasnjëshme të kancerit.
Para se të kapërcente pragun e shkollës, mjekët diagnostikuan sëmundjen e rëndë. Dhimbjen e Liridonës dhe të familjes së saj u përpoqën ta lehtësonin drejtuesit e atëhershëm të ELDYK. Me iniciativën e komandantit të atëhershëm vogëlushja u dërgua në Greqi, u operua dhe iu pre njera këmbë, me qëllim që të mbahej në jetë.
Për dy vjet spitali në Greqi u bë shtëpia e saj, dhe mjekët bashkë me gjithë personelin u bënë familja e dytë. Liridona mësonte greqisht duke i befasuar të gjithë sa qenë rreth saj, me fuqinë që përballonte problemin e saj.
U kthye në shtëpinë e vet, me ëndrrat për një jetë të çliruar nga kanceri. Goditja e re, kësaj here në kokë, ishte më e fuqishme nga e para. U soll përsëri në Greqi, iu nënshshtrua një operacioni tjetër dhe pak më vonë u kthye në Kosovë.
Kostoja e terapisë ishte jashtëzakonisht e lartë dhe gjendja ekonomike e familjes ishte e vështirë; prandaj forca greke
në Kosovë i mbulonte shpenzimet për barnat e përditshme, si dhe koston e ekzaminimeve dhe jo vetëm.
Mirëpo, më e rëndësishmja që i ofruan ushtarët grekë ishte një "përqafim" i madh, shumë dashuri dhe përkujdesje. Një përkujdesje që e shoqëroi deri në ditën e fundit të jetës së saj të shkurtër.
"Ushtarët grekë të ELDYK i fituan të gjitha betejat, por humbën më të rëndësishmen. Për fat të keq, u mundën nga kanceri në përpjekjen e tyre për të mbrojtur Liridonën", shprehet i mallëngjyer, koloneli Haxhitheofanus, njeriu që e konsideroi dhuratë nga Zoti, njohjen me vajzën kosovare, apo "dekoratën më të rëndësishme të jetës së vet".
Në një nga vizitat e tij në spitalin ku Liridona përmes dhimbjeve të padurueshme përpiqej t'i buzëqeshte që mos ta hidhëronte, ai i kishte thënë se së shpejti do të bëhej mirë. Vajza në dijeni të plotë për gjendjen e saj i ishte përgjigjur me fisnikëri të jashtëzakonshme dhe me buzën në gaz: "Ç'është për t'u bërë do të bëhet...".
Dhe u bë ajo që të gjithë e dinë: sytë plot dritë të Liridonës u mbyllën një herë e përgjithmonë, duke zhytur në pikëllim e në zi familjen e saj, miqtë, por edhe ushtarët e forcës greke në Kosovë, që zhvilluan një betejë kaq të pabarbartë për ta mbajtur në jetë.
Lamtumirë, Liridona!
(d.b/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt