Mulleti: Nexhmie Hoxha që nga burgu i kërkoi Kurt Kolës ta regjistronte në Shoqatën e të Persekutuarve Politikë
Nga Fatos Veliu
Ish-drejtori i burgut 313, Tanush Mulleti, tregon ngjarjen e pabesueshme. Si ndodhi që kryetari i të përndjekurve të komunizmit u ndodh në qelinë e Hoxhës dhe pse ajo kërkonte anëtarësimin te njerëzit që kishte dënuar vetë.
HYRJE

Ngjarjet e bujshme të viteve 1992, 1993 e në vazhdim tronditën opinionin shqiptar. Ajo që nuk ishte imagjinuar as në ëndërr ndodhi. Sistemi komunist kishte rënë dhe ideatorët dhe drejtuesit e tij u plasën në qelitë që dikur i kishin përdorur për kundërshtarët e regjimit. Çudia ishte edhe më e madhe kur brenda atyre qelive përfundoi edhe vetë e veja e Enver Hoxhës apo zonja e madhe e Shqipërisë siç mund të quhej, Nexhmie Hoxha. Mësohet se ajo në qarqe të mbyllura të nomenklaturës së lartë si te Vito Kapo apo më tej, se në kohën e shkëlqimit të vet është shprehur se ajo ishte mbretëreshë. Por ja që ajo mbretëreshë që kishte aq shumë ndikim mbi të shoqin e saj me pushtet absolute dhe që u ishte vërsulur kushedi sa kolegëve apo vartësve për të rrasur qelive apo edhe për ti eliminuar fare, përfundoi vetë brenda prangave. Por më e tmerrshmja për të siç ka treguar më mbrapa, ishte fakti që papritur dhe pa kujtuar ata që i kishte pasur nën mbrojtje dikur apo i kishte përkëdhelur, i ishin kthyer kundër. Pikërisht në mëngjesin e parë pas arrestimit që nga radioja e vogël që i lejuan në qeli dëgjoi zërin e Kadaresë që u prononcua pikërisht në lidhje me arrestimin e sajë. Konkretisht, Kadareja bënte deklarata se ishin kujtuar vonë për të prangosur Nexhmien kur asaj i takonte herët burgu pasi kishte shumë mëkate mbi popullin e vetë. Por nuk do të ishin vetëm këto por siç më ka treguar ajo edhe mua personalisht me gojën e vetë, ishin momente më të dhimbshme kur që nga qelia dëgjonte Foto Çamin kur bisedonte me gardianë poshtë qelisë së sajë pa e ditur që ajo ishte pikërisht Brenda asaj dritareje duke thënë se ata nuk kishin as një faj për asgjë se shteti drejtohej nga njëshi që donte të thoshte nga Enveri dhe të tjerët ishin kot.
Por tashmë mësojmë se depresioni i sajë i paska kaluar kufijtë ku ajo u ka kërkuar të persekutuarve të vetë se mund të bëhej anëtare e shoqatës së tyre.
As më pak dhe as më shumë por dëshminë e bën të ditur vet ish drejtori i burgut të sigurisë së lartë me numër “313” Tanush Mulleti, i cili është ndërkohë edhe nipi i prefektit të shumënjohur dhe historik të Tiranës, Qazim Mulletit. Për ngjarjen në fjalë Tanush Mulleti deklaron se e ka dëgjuar me veshtët e vetë se kërkesa është bërë në prani të tij kur Kurt Kola ka vizituar qelinë e Nexhmie Hoxhës. Për më shumë lexuesi i “Standard” do të ndjekë intervistën e mëposhtme dhe të pestë të tij të këtij cikli intervistash.

Ishte interesante, zoti Mulleti, dëshmia juaj që bëtë nga numri i kaluar i këtij cikli intervistash se Nexhmie Hoxha paska kërkuar të anëtarësohej te Shoqata e të Persekutuarve Politikë. Konkretisht te shoqata e shumënjohur e drejtuar nga Kurt Kola.
Mos është një ironi e sajë apo si ta kuptoj, apo mos ishte një shaka tip talljeje e saj?
Ju thashë me plot gojën që Nexhmie Hoxha ka kërkuar para Kurt Kolës që të anëtarësohet pranë shoqatës së tij. Për këtë kam qenë prezent edhe vetë.

Zoti Tanush, je duke më lënë pa mend fare aq sa para dëshmish të tilla nuk vlejtka fare sensi profesional i gazetarisë. Mund të më shpjegohesh më qartë se po më shokon?
E kuptoj i nderuar gazetar arsyen e shokimit tuaj, i cili është tërësisht i justifikuar për faktin se flitet për familjen e Enver Hoxhës i cili tashmë dihet saktësisht për mëkatet që mbart mbi supe. Dhe ja vjen një ditë dhe unë të them se pikërisht e shoqja e tij që ka qenë e zellshme për gjenocidin shqiptar më shumë se i shoqi, të na paraqitet me një kërkesë të tillë. Por unë do të të shpjegoj më qartë që ju ta kuptoni dhe ndërkohë të bindeni në absurditetin e kësaj historie sa të rëndë aq edhe qesharake.

Po pra, atë kërkoj edhe unë se si ndodhi?
Historia ka filluar me Hekuran Isain. Në atë periudhë që bën fjalë veprimi i Nexhmies kishte rreth dy vjet që ajo kishte hyrë brenda. Po kaq kishte edhe Hekuran Isai se ata të dy kanë hyrë në burg në të njëjtën periudhë. Por e bukura ishte se kur inspektoje qelitë e burgut dhe kontaktoje me të dënuarit befasoshe me procedurat e cunguara që ndiqeshin mbi ta. Ata mund të kishin kohë të gjatë që ishin arrestuar madje edhe vite dhe askush nuk kujtohej për ti marrë në pyetje, pra tu plotësonte hetuesinë dhe ti çonte në Gjyq. Kështu kishte ndodhur edhe me Hekuran Isain, i cili kishte më se dy vjet brenda dhe askush s’kishte ardhur t’i lexonte aktakuzën dhe ta pyeste për të plotësuar dosjen hetimore.

Si ka mundësi?
E mirë, mirë, çfarë s’ndodhte.

Jo zoti Mulleti ose unë jam shumë injorant i ligjit, ose ju s’po ma sqaroni mirë. Unë dua të pyes se si kishte mundësi që për dy vjet si ishte arrestuar ish-ministri i Brendshëm apo kushdo tjetër dhe s’kishte ardhur kush të bënte hetuesinë e tij?
Po pse çuditesh kaq shumë ore burrë i dheut. Kohë tranzicioni ishte dhe ishte moment i ndërrimit të sistemit dhe strukturave të tij. Kjo solli një reformë të thellë dhe të gjerë në të gjithë strukturën shtetërore dhe kryesisht në organet e drejtësisë dhe diktaturës së shtetit. Kështu, ndërsa një prokuror gjatë punës së tij funksionale firmoste një flet arresti, priste të përgatiste dosjen. Por reformat e përjashtimit nga detyra vijonin dhe punën e tij e vazhdonte një prokuror tjetër. Por kjo nuk ndodhte me një e me dy por me dhjetëra e dhjetëra të tillë. Mirëpo e dini sa rrëmujë është kur detyrën e një prokurori e vijon një tjetër? Merre me mend se sa dosje ai lë të hapura sepse puna e tij e përditshme është vetëm prerja e fletë-arresteve dhe akuzimi i njerëzve. Kur futet prokurori tjetër në këtë proces ka turmë dosjesh dhe nuk mban mënd se ku duhet të ndalet dhe kë dosje duhet të plotësojë. Humbasin dosjet rafteve dhe sirtarëve se kjo varet edhe sa estetik është zyrtari që ka ardhur në detyrë. Kështu ndodhi edhe me Hekuran Isain. Ndoshta prokurori që duhej të merrej me Hetimin nuk e dinte se ishte pikërisht ai se; Kur hynte në morinë e emrave ndalej diku dhe ecte më tutje, por koha kalonte dhe gjithçka harrohej.
Mirëpo Hekurani rrinte me strese se e dinte që në mos një herë herën e dytë do të vinte momenti që të dilte në gjyq. Kështu që donte të ishte sa më i lehtësuar me deklaratat e politikanëve dhe strukturave të të persekutuarve kundër tij.
Mirëpo në një prej atyre ditëve, kryetari i të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, Kurt Kola bëri një deklaratë kundër Hekuran Isait gjë që Hekurani u shqetësua shumë.

Mos ju larguam temës që nisëm? Ishte fillimi i bisedës sonë te kërkesa e Nexhmies për tu anëtarësuar te shoqata e të përndjekurve politikë?
Po, po, aty do të dal mos u ngut se me këtë ka lidhje ndaj e nisa nga fillimi se si ndodhi që erdhi Kurt Kola në qelinë e Nexhmies. Kështu jemi në momentin që Hekurani ishte shumë i shqetësuar për deklaratën që Kurti ishte bërë në shtyp kundër Hekuran Isait.

Pse ishte shqetësuar, njerëzit apo aq në shumë Kurti që ishte kryetar shoqate, atë punë kishin që të bënin deklarata.
Por unë të shpjegova më sipër se Hekurani nuk kishte dalë akoma në gjyq për arsyet që të shpjegova. Prandaj ti shpjegova. Por që nuk kishte dalë në gjyq do të thoshte se ai rëndohej me çdo deklaratë që bëhej kundër tij.

Dhe pas deklaratës së Kurtit çfarë ndodhi në të vërtetë?
Pikërisht në atë moment unë shkoj te Hekurani siç shkoja rregullisht për ta takuar dhe e pyeta se çfarë kishte. A donte ndo një gjë apo ndo një kërkesë. Ai më kërkoi se donte të takonte me patjetër Kurt Kolën.
- Po ç’e do, - i thashë, - si mund të vijë Kurt Kola dhe çfarë t’i themi? Por Hekurani nuk donte të dinte.
- Më sill të lutem Kurt Kolën se dua ta takoj, - thoshte ai pa u lëkundur nga e tija.
- Mirë, - ia ktheva, - ta sjellë unë
- Ma jep fjalën, - këmbënguli sërish për të fundit herë
- Ta dhashë pra do ta sjell dhe pikë, - e sigurova unë.

Dhe e çuat?
Patjetër që e çova. Shkova te Kurti dhe e takova si për kafe. Njihesha prej kohësh me të por nuk mund t’i thosha kurrsesi që unë shkoja në emër të Hekuranit. Ai nuk duhet të merrte vesh asgjë në lidhje me marrëveshjen me të.

Pse ku ishte e keqa?
Po si s’kishte të keqe? Ki parasysh se për çdo gjë të paragjykonin apo kushedi se si e interpretonin. Mos harro se egoizmi ka marrë në qafë njerëz dhe jo karrierë.

E lamë kur takove Kurtin për kafe. Si ia the që të shkonte te Hekurani kur kishe ndërmend ta mbaje konspirativ arsyen e vërtetë të takimit?
Takova siç të thashë Kurtin dhe e ftova për kafe. Teksa bisedonim e pyeta për punët e shoqatës. Më foli në përgjithësi. Por punë kishte plot. Anëtarësia ishte e madhe. Të gjithë kishin probleme madhore. Mirë kishin dalë nga burgjet komuniste të persekutuarit por tashmë ata bridhnin rrugëve pa banesa dhe pa paga se e keni parasysh juve që ata që dënoheshin politikisht jo vetëm që u internonin familjet kushedi se në çfarë humbëtire të Shqipërisë por ju merrnin edhe shtëpitë. Kështu që e vetmja derë që u kishte ngelur për të përplasur kokën ishte e shoqatës së drejtuar nga Kurt Kola.

Ju ishit edhe vetë anëtar i asaj shoqate se edhe ju i persekutuar politik keni qenë?
Patjetër që isha. Por fjala ishte tani që të bindja Kurtin të vinte në burg. I kisha dhënë fjalën Hekuranit. Në një moment i them:
- Dëgjo Kurt, ti je kryetar shoqate dhe për këtë ke edhe detyra të tjera të mëdha madje më shumë se të merresh vetëm me regjistrat e zyrës tënde.
- Për shembull, - më tha ai.
- Po ja, - i thashë, - që nuk do të ishte keq që ju të bënit edhe një vizitë në burg për tu takuar me të dënuarit dhe të pyesje. Pastaj ju që kryesoni në veçanti shoqatën e njerëzve që kanë vuajtur në burgje duhet të jeni më shumë i ndjeshëm për të drejtat e tyre në qeli dhe si zbatohen ato. Prandaj unë mendoj që të bësh një takim nëpër qeli me të burgosurit e tanishëm.
- Mirë e bëj, s’ka ndonjë gjë të keqe madje e ke shumë mirë ti- më tha ai.
Kështu e lamë për të nesërmen. Të takoheshim te zyra ime në burgun 313. E lamë orën kur të vinte dhe u ndamë.

Erdhi?
Të nesërmen e shikoj unë Kurtin në Hyrje të zyrës me një pako të madhe me paketa. -Po këto mo Kurt çfarë i ke?, - i them
-Cigare, - m’u përgjigj, - nuk i shikon?
- Po ç’i deshe?, - vazhdova akoma unë
- Dëgjo Tanush, - më tha, - paketa është simbol i burgut. Kur shkohet në një qeli nuk mund të shkosh pa paketë cigare. Ne këto i dimë mirë se janë rregulla të pashkruara por të shenjta për të dënuarit
Qesha me të madhe për shpirtmadhësinë e tij dhe për korrektësinë.

Ku shkoi konkretisht?
Shkoi në disa qeli por unë nuk e çova te e Hekuranit e cila do të vinte sipas radhës në mënyrën më të natyrshme. Aty pastaj Hekurani e konsumonte bisedën që kishte për të bërë. Kështu që si kaloi në shumë qeli dhe i takonte duke i pyetur për ndo një problem që mund tu kishte dalë në drejtimin të cenimit të të drejtave që u takonin me ligj, arriti te qelia e Hekuranit.

Po? Si vijoi ky takim?
Sa hyri te Hekurani, ai i thirri që nga brenda.
Po hajde mor Kurt, ku ke qenë ti deri tani… etj., etj. retorika të natyrshme për një takim të kësaj natyre në të tilla rrethana.
Pas shkëmbimit të bisedave të çastit Hekurani i tha edhe për problemin e Deklaratës që kishte bërë kundër tij.
Kurti i tha se ishte shumë koshient dhe i ndërgjegjshëm për atë që kishte deklaruar pavarësisht se ishte kundër Hekuranit që e kishte para, madje i tha se ishte gati t’ia përsëriste edhe në sy ato që ai kishte deklaruar më parë. Atëherë Hekurani i tha: Dëgjo Kurt. Nuk dua të ndryshoj mendimet e tua por dua të thuash një të vërtetë dhe për këtë të vërtetë dua të të pyes tani. Ti ke qenë i burgosur madje politik. E di shumë mirë kohën kur unë kam ardhur në krye të ministrisë së Punëve të brendshme, e di edhe kur ka qenë Simon Stefani, e di edhe kur ka qenë Feçorr Shehu, e di edhe kur ka qenë Kadri Hazbiu etj., etj. Tani mort Kurt jam unë ai që të pyes kur ka qenë më e butë ajo ministri në lidhje me të gjithë ne ish-ministrat e brendshëm?

Çfarë i tha Kurti pas kësaj?
I tha që sigurisht kur ishe ti se nuk mund të flitet fare në kohën që ishin ata që thua ti aq më shumë kur flitet për kohën e Simon Stefanit apo i Kadri Hazbiut, - Iu përgjigj ai.
- Atëherë ç’dreqin keni që më rëndoni sa më shumë të mundeni? Çfarë kam bërë më shumë se ato që kishte detyrë ministria? Unë siç e shikon personalisht për aq sa mund të bëja kam vënë arsyen më shumë se të tjerët në funksion ndërsa juve më bini pa mëshirë, si ta kuptoj këtë?

Reagoi Kurti?
Reagoi menjëherë dhe i premtoi se nuk do të merrej më me Hekuranin. Kjo ishte shumë për të që s’kishte dalë akoma në gjyq se sa më shumë kundërshtar të kishte aq më shumë do ishte dënimi.

Po, dhe… jemi te rasti Nexhmies se atë kemi si objekt të kësaj interviste se siç të thashë nuk dua ta besoj atë që ka ndodhur me të. Pyetja ime është se në këtë moment ka ndodhur dhe ngjarja në fjalë?
Tamam në këtë moment. Kurti si la nga dy paketa te çdo i dënuar që i vizitonte qelinë, la edhe te Hekuran Isai i cili e falënderoi për gjestin njerëzor. Pas kësaj shkoi te qelia e Nexhmies.

Jam kurioz të më detajoni takimi i parë i Kurtit me Nexhmien, si u bë?
Po, po, do të ta shpjegoj ki durim se është interesante. Sa u hap dera e qelisë së sajë dhe pa se në derë hyri Kurt Kola iu lëshua:
Çfarë të drejta kërkon të zbatojnë këta me mua. Unë jam e dënuar politike dhe si e tillë vetëm shkelen të drejtat te unë. Nuk kanë mëshirë, janë të tillë e të atillë etj., etj., duke mos pushuar nga goja fare. Ishte e çuditshme se vetëm pretendonte e pretendonte. Kurti i fliste se çfarë kërkonte më shumë nga sa i takonin ajo thoshte se ishte e dënuar politik. Ai i tha se ishte dënuar ekonomikisht, e ajo ngulte këmbë në të sajën. Pas kësaj i thotë: Dëgjo Kurt Kola. Ti je kryetar i të përndjekurve politikë dhe si e tillë që unë jam në këto moment dua të anëtarësohem në shoqatën tuaj.

Pse e bëri këtë kërkesë?
Po ku e di unë ndoshta e pa veten vetëm të braktisur nga gjithë servilët e pushtetit të dikurshëm të sajë mendoi se mund ti ndodhte në të ardhmen ndo një gjë prandaj mund të kërkonte ndonjë mbështetje. Pra kini parasysh se Nexhmia ishte pa as një përkrahje.

Po Kurti çfarë i tha?
Kurti i shpjegoi se nuk mund të hynte në shoqatën e tij se nuk kishte arsye. Por ajo nguli këmbë se ishte një e burgosur politik dhe si e tillë duhej të ishte anëtare e shoqatës së të burgosurve politikë. Atëherë Kurti e sqaroi se shoqata e tij nuk ishte thjesht e të persekutuarve politikë por e të persekutuarve antikomunistë pra të persekutuarve nga komunizmi dhe si e tillë nuk mund të merrnin në të pjesë njerëz që ishin apo kishin qenë komunistë. Pas kësaj Kurti i la edhe asaj dy paketa që kishte taksur dhe bëri të largohej.

I mori ajo?
Jo nuk i mori. I pa me inat dhe nuk i preku me dorë të paktën sa ishim neve aty. Por kuptohej që nuk i mori se nuk i tha as faleminderit dhe as gjë duke i lënë të kuptonte se nuk do t’i prekte.

Mos u tall apo bëri ironi kur i kërkoi të ishte në shoqatë?
Po të ishte tallur Kurti nuk do të kishte bërë gjithë ato sqarime por do ti kishte kthyer ironinë me ironi dhe do të largohej por ajo ishte një bisedë më se serioze.

Juve vetë u çuditët nga ajo që dëgjonit me veshët tuaj?
Edhe çuditesha edhe nuk çuditesha. Nexhmie Hoxha ishte me sa di unë 77 vjeçe, kur ishte në burg dhe mbi të dhe të shoqin po binin akuza të shumta nga më të rëndat. Ajo siç të thashë ishte vetëm fare e braktisur nga të gjithë ish-servilët e dikurshëm. Madje edhe nëna ime e tej moshuar në shtëpi më thoshte për Nexhmien.

Çfarë të thoshte nëna?
Dëgjo bir, bëni gabim që e mbani Nexhmien në burg se ajo është plak e madhe. As në kohën tonë nuk i fusnin pleqtë në burg e jo tani.

Çfarë i thatë nënës në lidhje me këtë pretendim?
Moj nënë të paktën nuk e kam futur unë dhe nuk kam në dorë unë ta nxjerr. Ata që e kanë futur do të ti tregoj më vonë kur të na bëjnë ndo një vizitë në shtëpi. Pastaj e pyesja se pse e hante kaq shumë meraku kur sistemi i Nexhmies i kishte varë djalin dhe burrin. Ajo ma kthente se ta gjente nga perëndia për mëkatet që kishte bërë por nga burgu duhej të dilte etj., etj.

Keni ndonjë ngjarje tjetër në lidhje me Nexhmien?
Ishte një moment që kishin ardhur disa italianë nga të drejtat e njeriut. Ata thanë se donin të bënin një takim me të venë e Enver Hoxhës se si zbatoheshin të drejtat mbi të. Sa shkuan te Nexhmia ajo filloi siç e kishte zakon nga pretendimet pafundme. Ndërkohë me pretendimet e sajë ata mbërritën në zyrën time për të bërë konkluzionet.
Si i dëgjova me vëmendje unë u thash që është më mirë të flisnim edhe në sy të të dënuarës pra të Nexhmies dhe urdhërova ta sillnin në zyrë.

E sollën?
Patjetër. Sa erdhi u drejtova italianëve. Dëgjoni këtu. Xhaxhai im ka qenë prefekt i Tiranës në kohën e fashizmit. Në kohën e tij është bërë edhe ky burg. Po shikoni pak nga dritaret sa kanë qenë në kohën e fashizmit dhe shikoni sa kanë përfunduar në kohën e komunizmit pra në kohën e qeverisje së të shoqit të sajë për të mos thënë tjetrën që kjo rri në qeli me krevat dhe me gjashtë batanije ndërsa të dënuarit e sajë ishin në çimento dhe me një batanije pa dyshek fare.

Çfarë bënë italianët pas kësaj?
Ata kthyen kokën nga dritaret e burgut dhe panë kornizën sa kishin qenë dritaret dikur kur ishin bërë dhe sa kishin përfunduar kur ishin mbyllur në kohën e Enverit me tek tullë duke e katandisur një frëngji. Ndërkaq vazhdova më tej duke u thënë se ajo nuk kishte gojë fare se nuk i ishte ngrënë as një e drejtë.

E çfarë ndodhi pas kësaj?
Çdo të ndodhte. Ata nuk folën fare por morën çantat dhe u larguan duke lënë të kuptohej se ishin tërësisht dakord me mua.

Le të kalojmë zoti Tanush me problemin e përgjuesve që gjetët të montuara në burg. Është e vërtetë?
Është shumë e vërtetë. Ishte një sistem i tërë përgjuesish i shtrirë imtësisht dhe gjeografikisht në të gjitha rrëzat dhe qelitë.

Arritët ta zbulonit?
Arrita. Është histori shumë e gjatë dhe mjaft interesante, por që këtu më ndihmoi edhe Hekurani.Standard
http://img24.imageshack.us/img24/930...a776294977.jpg

(Vijon nesër)