Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670

    Kombi dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve

    Kombi dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve
    2011-09-25
    Enis Sulstarova

    Gazeta Shqip

    Në prag të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së kombit shqiptar, që fatkeqësisht shënon edhe po kaq vjet të copëtimit të Shqipërisë në disa shtete ballkanike, çështja kombëtare shqiptare konsiderohet e mbyllur. Jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga politika shqiptare. Shqipëria tradicionalisht është treguar e kujdesshme për të bërë të qartë se nuk ka pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje dhe se nuk ndjek asnjë variant të axhendës së “Shqipërisë së Madhe”, pavarësisht prej faktit se të tilla deklarata të përsëritura shpesh kohët e fundit nga qeveritarët bien ndesh me frymën e Kushtetutës së Republikës, të shprehur në parathënien e saj: “Ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë...me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar... vendosim këtë Kushtetutë”. Mbyllja e çështjes kombëtare në Kosovë është e sanksionuar në Kushtetutë, sepse Neni 1, pika 3 e ndalon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër. Kjo dispozitë shkon përtej ligjit ndërkombëtar, i cili nuk ndalon bashkime apo shkëputje vullnetare dhe paqësore të popujve sovranë. Kështu, pika 3 rrëzon pikën 1 të Nenit 1, i cili e shpall republikën një shtet të pavarur dhe sovran. Në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), dy partitë kryesore shqiptare për rregullimin e statusit të shqiptarëve i referohen Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Partia që bën pjesë në koalicionin qeverisës e mbron si mjetin për ta realizuar shtetin shumetnik ku shqiptarët do të kenë status të barabartë me sllavo-maqedonasit, ndërsa partia kryesore shqiptare e opozitës e ka shpallur Marrëveshjen e Ohrit të dështuar dhe ka propozuar një projekt-marrëveshje alternative për të mbërritur te shteti shumetnik. Në kushtet ku shqiptarët e IRJM-së shikojnë se nuk ka asnjë projekt nga Shqipëria apo Kosova për bashkimin kombëtar, atëherë ata paraprakisht janë të detyruar të kërkojnë një marrëveshje me sllavo-maqedonët, duke u dhënë këtyre të fundit epërsinë për të hartuar dispozitat e saj dhe lirinë për t’i shkelur përsëri ato. Kështu, në tre shtetet ku jetojnë sot pjesa më e madhe e kombit shqiptar, bashkimi i tij nuk përbën çështjen themelore të politikës zyrtare.

    Trysnia për mbylljen e çështjes kombëtare ushtrohet së pari nga bashkësia ndërkombëtare. Situata është e ndërlikuar po të kemi parasysh se shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe një shtet kombëtar i shqiptarëve do të kërkonte praktikisht rivizatimin e hartës së Ballkanit. Për këtë arsye nuk mund të pritet që bashkësia ndërkombëtare të marrë nismën në këtë drejtim. Bashkësia ndërkombëtare, me gjithë përçarjen e saj, është në një unitet për presionin mbi shqiptarët që ta konsiderojnë çështjen kombëtare të mbyllur. Për këtë përdoret formula e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, ku kufijtë nuk do të kenë rëndësi dhe ku gjuha e nacionalizmit dhe vetëvendosjes konsiderohet si e kapërcyer. Në këtë formulim ka një paradoks, sepse për të mohuar të drejtën e bashkimit të shqiptarëve shenjtërohen kufijtë e vendosur padrejtësisht dhe njëkohësisht atyre u thuhet se në BE kombi dhe kufijtë shtetërore nuk kanë peshë! Nëse nuk kanë peshë, pse nuk ndryshohen për të vënë në vend një padrejtësi që vetë bashkësia ndërkombëtare e ka pranuar se u është bërë shqiptarëve? Duhet ta kemi të qartë se çështja kombëtare e shqiptarëve nuk mund të zgjidhet vetëm nga shqiptarët pa bashkëpunimin e faktorit ndërkombëtar. Mirëpo, kjo do të thotë që formulimi i kërkesave të shqiptarëve duhet të nisë nga ajo se çfarë duan ata dhe pastaj të kërkohet mbështetja ndërkombëtare për to. Ajo që po ndodh është se ne shqiptarët po kërkojmë për vete atë që na rekomandohet nga diplomacia ndërkombëtare: nuk mjafton që diplomacia ndërkombëtare të mos e dojë bashkimin e shqiptarëve, nevojitet që edhe ne vetë ta pohojmë se nuk e duam bashkimin.

    Këtu vijmë te aktori i dytë që kërkon ta mbyllë çështjen kombëtare: elitat politike shqiptare. Mbyllja ka qenë më e dukshme nga elita politike në Shqipëri, e ashtuquajtura “shteti amë”. Për arsye që dihen, politikanët shqiptarë jashtë Shqipërisë herë pas here e kanë artikuluar kërkesën për bashkim kombëtar, qoftë për efekt elektoral, qoftë për të bërë presion mbi politikanët joshqiptarë apo ata ndërkombëtarë. Megjithatë, sapo janë plotësuar disa kërkesa të pjesshme, ata shumë shpejt e kanë braktisur ligjërimin e bashkimit të kombit për ta zëvendësuar me stabilizimin e shtetit ku ata ndodhen. Kështu në lëvizjen për pavarësi të Kosovës rëndom thuhej nga politikanët se bashkimi me Shqipërinë përjashtohej nga axhenda si lëshim ndaj diplomacisë ndërkombëtare për të siguruar mbështetje për Republikën e Kosovës. Formula e njohur e presidentit Ibrahim Rugova ishte: “Kosova e pavarur, e hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”. Ajo kishte meritën e kërkesës për pavarësi, por të metën e barazimit të Shqipërisë me Serbinë. Po kështu, deklaratat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bënin fjalë për bashkim kombëtar dhe po kështu ishte formuluar betimi i ushtarëve të UÇK-së. Bashkimi u la mënjanë në shkëmbim të njohjes së UÇK-së si faktor politik nga diplomacia ndërkombëtare. Në IRJM, Ushtria Çlirimtare Kombëtare ra dakord me pikat e Marrëveshjes së Ohrit dhe u shndërrua në partinë e Bashkimit për Demokraci dhe Integrim. Për ta bërë të qartë se kemi jo thjesht një shndërrim organizativ, por edhe ideor, mjafton të citojmë nënkryetaren BDI-së Teuta Arifi mbi kombin politik maqedonas dhe për evoluimin “modern” të identiteteve shqiptare: “Shqiptarët duhet të ndërtojnë një shumësi të identiteteve politike, një identitet politik në Shqipëri, një në Kosovë, një në Maqedoni. Shembulli më i mirë është identiteti gjermanofon, ku gjermanët kanë arritur të ndërtojnë identitete të ndryshme në Gjermani, Zvicër, Austri”. Kujtojmë se në shembullin e saj kemi të bëjmë me kombet gjermane, austriake dhe zvicerane, dhe Arifi na sugjeron që nga kombi shqiptar të krijojmë tri kombe!

    Demokratizimi i Shqipërisë ngjalli shumë shpresa se, në mos bashkimin, “shteti amë” do të përkrahte vetëvendosjen e shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme. Këto shpresa do të zhgënjeheshin. Nuk e mohojmë se Shqipëria pas vitit 1990 ka ndihmuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës apo ka ndikuar sadopak në përmirësimin e pozitave të shqiptarëve në IRJM, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Mirëpo, Shqipëria nuk ka pasur një qëndrim të qartë e parimor pro vetëvendosjes, nuk ka miratuar e artikuluar ndonjë strategji kombëtare, e aq më pak të bashkërendonte përpjekjet kombëtare e paqësore të shqiptarëve. Përkundrazi, pozicioni i Shqipërisë ka qenë në mënyrë konstante më i tërhequr se sa kërkesat politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Republika e vetëshpallur e Kosovës u njoh nga Kuvendi i Shqipërisë, por nuk ka pasur asnjë vendim të ekzekutivit që ta bënte të efektshme njohjen nga ana diplomatike. Në këtë mënyrë, Shqipëria e linte të hapur pranimin prej saj të çfarëdo zgjidhjeje politike për Kosovën që do të realizohej nga bashkësia ndërkombëtare. Refuzimi de facto për të njohur pavarësinë e Kosovës i linte fushë të hapur edhe protagonizmit vetjak të udhëheqësve të shtetit shqiptar, diçka kjo që do të pengonte sendërtimin e një politike të pandryshueshme të Shqipërisë për Kosovën. Pasi çështja e Kosovës u la jashtë bisedimeve të Dejtonit, Presidenti Sali Berisha në vitin 1995 deklaronte se, përkrahte “hapësirë demokratike për shqiptarët”, një formulë që realisht mund të pajtohej edhe me autonominë e vitit 1974. Një vit më vonë ai bënte thirrje që partitë shqiptare të bashkoheshin me opozitën serbe të udhëhequr nga Drashkoviçi, d.m.th., me “serbët e mirë” kundër Millosheviçit, duke e reduktuar çështjen kombëtare shqiptare në një problem të demokracisë brenda Serbisë.

    Në nëntor të vitit 1997, Kryeministri Nano takohet në Kretë me Millosheviçin, ku përflitet se ka folur për shqiptarët e Kosovës si një pakicë etnike. Kur pyetet nga një gazetë gjermane për Kosovën, ai përgjigjet: “E ç’kuptim ka pavarësia në Europën pa kufij nëse je një qytetar europian?” (‘Der Spiegel’, 08.09.1997). Në fund të shkurtit 1998 ai kërkon që shqiptarët jashtë Shqipërisë të marrin pjesë në institucionet shtetërore, gjë që praktikisht nuk shkonte përtej kërkesës për demokraci: “institucionet paralele nuk japin zgjidhje, por përkundrazi polarizojnë dhe radikalizojnë shoqëritë që i krijojnë ato” (‘Zëri i Popullit’, 07.02.1998). Në fund të marsit të atij viti, kur kishte nisur lufta e UÇK-së, Nano përmend formulën “republikë minus”, d.m.th., statusin e republikës brenda Jugosllavisë së mbetur, por pa të drejtë shkëputjeje (‘Zëri i Popullit’, 31.03.1998), sërish më pak se sa kërkonin shqiptarët e Kosovës në atë kohë. Pas vitit 1999, me përfshirjen e drejtpërdrejt të SHBA-së, NATO-s e OKB-së në Kosovë, Shqipëria mund të justifikohej se duhej të ishte e kujdesshme që qëndrimet e saj t’i bashkërendonte me aleatët e miqtë ndërkombëtare të shqiptarëve. Kjo duket në formulën “Shqipëria faktor, por jo aktor” për zgjidhjen e statusit të Kosovës të shqiptuar nga Presidenti Moisiu dhe diplomatët shqiptarë më 2006-n, apo në formulën e ish-ministrit të Jashtëm se, Shqipëria nuk do të jetë as e para dhe as e fundit që do ta njohë Kosovën e pavarur, shqiptuar në prag të shpalljes së pavarësisë.

    Edhe me krijimin e shtetit të Kosovës, qëndrimet e Shqipërisë shkojnë përtej kujdesit me respektimin e statuskuosë. Nuk bëhet fjalë thjesht për shprehje pamundësisë për të avancuar në realitet bashkimin kombëtar, por për mohimin e vetë idesë së bashkimit. Në mars të këtij viti, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto, tha gjatë një vizite në Kosovë se, teza e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është e dëmshme për shqiptarët (prej nga del se ndarja e shqiptarëve në disa shtete qenka shumë e mirë për ta) dhe se i vetmi bashkim i shqiptarëve do të mund të realizohet në BE. Kryediplomati i Shqipërisë u angazhua që të ndihmojë në njohjet e mëtejshme ndërkombëtare të shtetit kosovar dhe për bashkëpunim më të ngushtë për integrimet europiane. Pra, të njëjtat angazhime dhe asgjë më shumë se ç’do të merrte përsipër çdo shtet tjetër i Europës që e ka njohur Republikën e Kosovës.

    Mbyllja e çështjes kombëtare ka krijuar një situatë paradoksale në përfytyrimin e shqiptarëve, sepse thuajse të gjithë pohojmë se jemi i njëjti komb, por kur vjen puna te bashkimi, një pjesë e mirë e përjashton si mundësi. Sigurisht që arsyetimet për të mos u angazhuar për bashkimin janë të shumëllojta: një pjesë e dëshiron, por e quan të pamundur, një pjesë e mendon të panevojshëm në kohën e integrimeve europiane, një pjesë mendon se bashkimi do të vijë natyrshëm nga ekonomia dhe “rrugët e kombit”, një pjesë do të ishte dakord që ta realizonin fuqitë e mëdha ndërkombëtare, një pjesë e shikon si një shkak për luftëra të reja në Ballkan, një pjesë në Shqipëri nuk e dëshiron sepse mendojnë se do të prishte drejtpeshimin gegë-toskë, një pjesë e mendojnë si rrezik bashkimin politik të një kombi me shumicë myslimane, një pjesë në Shqipëri mendon që të mbajmë fort këtë shtet që kemi dhe të mos synojmë për më shumë se nuk kemi takat etj. Të gjitha këto janë pjesë e gjykimit të përgjithshëm të shumë shqiptarëve. Çështja kombëtare u duket diçka e largët që nuk prek jetët e tyre të përditshme, ndoshta një ide e mirë dikur apo në të ardhmen, por që nuk ka të bëjë me ata vetë në të tashmen.

    Nëse nuk e pranojmë bashkimin kombëtar si një projekt që na përket neve sot, atëherë le të mos quhemi një komb. Kombi nënkupton një projekt politik për të qenë bashkë dhe për të vetëvendosur, sepse vetëvendosja është shprehje e lirisë së tij. Një ndër klasikët e shkencave shoqërore, Maks Veber shkruan se: “Kombi është një bashkësi e ndjenjave që në mënyrë të përshtatshme e shfaq vetveten në shtetin e vet; pra kombi është një bashkësi që ka tendencë të krijojë shtetin e vet”. Kurse në librin ‘Kombet dhe nacionalizmi’, të Ernest Gellnerit shkruhet se, në epokën e nacionalizmit, kombet përkufizohen si nga vullneti, po ashtu edhe kultura, por kanë si parim rregullues përputhjen e të dyjave në njësinë politike. Studiuesi bashkëkohor i nacionalizmit, Anthony D. Smith argumenton se edhe në një epokë globale në Europë mbizotëron dëshira për të njësuar shtetin me kombin. Emëruesi i përbashkët i përkufizimeve të kombit është lidhja e tij me një shtet, ose, në mungesë të shtetit, me kërkesën për të themeluar shtetin kombëtar. Prandaj, pohimi se kombi shqiptar ekziston, automatikisht sjell me vete edhe kërkesën për një shtet kombëtar të shqiptarëve. Kjo do të thotë që logjika e artikulimit të kombit nuk të lejon që të thuash se jemi një komb, e megjithatë pranojmë të jetojmë të ndarë, apo se bashkimi është i dëmshëm për kombin.

    Duke mos e marrë në konsideratë çështjen kombëtare, duke mos e bërë çështje qendrore të politikës, shqiptarët na dalin një komb që nuk e duan bashkimin kombëtar! Mirëpo, pa artikulimin e bashkimit të shqiptarëve në sferën publike, “kombi shqiptar” vihet në pikëpyetje si i tillë. Nëse mbyllet çështja kombëtare, atëherë kombi kthehet në një çështje. Është e natyrshme që boshllëkun që krijohet nga tërheqja e çështjes kombëtare prej ligjërimit publik ta zënë ose ligjërime fetare e krahinoriste, ose ligjërime për lindjen e kombeve të reja, sipas shteteve ku jetojnë sot shqiptarët. Me gjithë kritikat e shumta që i janë bërë tezës së “kombit kosovar”, nuk mund të anashkalohet logjika që qëndron pas saj. Përkrahësit e “kombit kosovar” e artikulojnë atë si një projekt për t’u realizuar, meqenëse projekti i bashkimit të shqiptarëve është lënë mënjanë. Në këtë aspekt, teza e tyre është e vështirë të kundërshtohet. Nëse i qëndrojmë përkufizimeve të mësipërme të kombit, të cilat theksojnë vullnetin për të themeluar një shtet për bashkësinë e përfytyruar kombëtare, atëherë nuk mund të fshihemi pas parullave komode se, ne shqiptarët “jemi një komb, por nuk e duam bashkimin”, “jemi një komb, por bashkimin e shtyjmë për më vonë”, “jemi një komb, por do të bashkohemi në BE”, apo “jemi një komb me dy (tre) shtete”. E përsërisim se po e mbyllëm çështjen kombëtare shqiptare, ne kemi hapur çështjen e kombit shqiptar, të paktën në trevat shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë. Kjo është pika e fortë e tezës së “kombit kosovar”: meqë kombi është njësi politike dhe jo vetëm kulturore, që do të thotë se kombi nënkupton një vullnet për t’u organizuar në një shtet dhe meqë projekti i shtet-formimit të shqiptarëve duket se ka ndalur në kufijtë e Shqipërisë, atëherë le të ndërtojmë kombin e shtetit të Kosovës (dhe të shqiptaro-maqedonasve, sipas Teuta Arifit). Jo më kot ata flasin e shkruajnë për “etni” shqiptare, duke e ulur peshën politike që përmban fjala “komb”. Prandaj, kritika më e mirë që mund t’i bëhet kësaj teze është shkruar nga Rexhep Qosja, i cili kosovarizmin e ka cilësuar si “ideologji kundërhistorike me të cilën do të mposhtej përgjithmonë ideja që e ka lëvizur historinë e popullit shqiptar prej Lidhjes së Prizrenit e këndej: ideja e bashkimit kombëtar”. Këtë thënie të Qoses e kuptojmë si tërheqje të vëmendjes për nga dy projekte alternative: deri më sot projekti politik i historisë moderne të shqiptarëve ka qenë bashkimi, ndërsa lënia e tij mënjanë në Kosovë po synohet të zëvendësohet nga projekti i kombit kosovar.

    Kombi duhet parë si kërkesë a pretendim kolektiv në politikë. Ai nuk është thjesht një term për përshkrimin e botës që ekziston jashtë gjuhës, por një fjalë që përdoret për të ndryshuar botën apo mënyrat se si njerëzit shohin veten dhe të tjerët dhe për t’u mobilizuar kolektivisht në emër të kombit. Kjo i përshtatet gjendjes së kombit shqiptar, i cili duhet të artikulohet si një komb i ndarë dhunshëm që kërkon të bashkohet. Për ta rihapur çështjen kombëtare nevojitet një lëvizje shumëplanëshe politiko-kulturore në mbarë trojet shqiptare, e cila të ketë në qendër “kombin”. Qenia së bashku e shqiptarëve nga shtete të ndryshëm e bashkëndarja e interesave dhe adresimi së bashku i problematikave të njëjta që i shqetësojnë në ekonomi e sipërmarrje, shoqëri, kulturë, media e arte, arsim e shkencë, argëtim e sport, do të bëjë që kufijtë që ndajnë shqiptarët të shuhen pikësëpari në psikologjinë e tyre. Në këtë mënyrë, ata do të bëhen gati për kundërshtimin e kufijve politikë. Përpjekja për hegjemoninë kombëtare duhet të luftojë idenë përçarëse dhe demoralizuese se shqiptarët nuk arrijnë të bëhen bashkë dhe se ata nuk arrijnë të bëjnë shtet. Përkundër logjikës së diferencimit të politikës së sotme, që kërkon që çështjen kombëtare ta copëtojë në disa çështje të veçuara që gjoja zgjidhen në kuadër të integrimit të shteteve ballkanike në BE, nevojitet të zhvillohet logjika e barazimit të këtyre çështjeve dhe artikulimit të tyre së bashku si pjesë të së tërës.

    Te “kombi” duhen brendashkruar kërkesat e ndryshme shoqërore që kanë shqiptarët. Në këtë mënyrë, edhe kërkesa për bashkim paraqitet dhe kuptohet si një kërkesë emancipuese. Kombi shqiptar përmban një sërë grupesh e shtresash shoqërore dhe hegjemonia kombëtare kërkon që ata të shohin te zgjidhja e çështjes edhe adresimin e problematikave specifike të tyre. Suksesi i çdo lëvizjeve kombëtare kërkon që vetëdija kombëtare të jetë e pashkëputur nga vetëdija politike dhe shoqërore. “Kombi” të jetë gjuha e intelektualëve dhe e masave, e studentëve, e sipërmarrësve dhe e punëtorëve, e qytetarëve dhe e fshatarëve, e grave dhe vajzave që kërkojnë shanse të barabarta jete me burrat etj. Mbrojtja e kombit përfshin jo vetëm trashëgiminë kulturore dhe pasurore të brezave të shkuar, por edhe përgjegjësinë që kemi sot për brezat e ardhshëm. Kombi është një ide që duhet komunikuar, ndarë me të tjerët dhe që duhet aktualizuar gjithmonë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Përndryshe, ai kthehet në një diçka të largët, ceremoniale. Ajo që deri tani ka qenë e zbehtë në veprimtaritë e organizatave shqiptare është lidhja e përpjekjeve lokale dhe shoqërore me të përgjithshmen dhe kombëtaren. Me fjalë të tjera, problematikat e ndryshme të shqiptarëve në shtetet ku ndodhen janë trajtuar si dukuri lokale që kërkojnë përgjigje lokale, dhe jo edhe si dukuri mbarëshqiptare, që kërkojnë bashkërendim të punës midis organizatave shoqërore shqiptare në të gjitha pjesët e kombit. Përkundrazi, ka pasur përpjekje në drejtimin e kundërt, për ta paraqitur çështjen kombëtare si çështje shoqërore, si p.sh., me reduktimin e çështjes çame në një problem pronash. Çështja kombëtare nuk duhet ta humbasë specifikën e saj edhe kur përfshin projekte dhe problematika të gjera shoqërore.

    Për shqiptarët, bashkimi kombëtar duhet të jetë si një lloj besimi i patundur se një ditë ai do të realizohet. Parulla e Vaso Pashës: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, është përdorur rëndom për t’u treguar shqiptarëve se, përkushtimi ndaj çështjes kombëtare duhet të jetë më i lartë se ai për fetë. Mirëpo, përderisa çështja kombëtare konsiderohet si “fe e përmbi fe” (Mitrush Kuteli), kjo do të thotë se hegjemonia kombëtare është baras me konvertimin e shqiptarëve te besimi i bashkimit. Të qenët anëtar i kombit shqiptar, do të thotë të besosh se je thirrur për të punuar për realizimin e bashkimit të tij. Në kujtimet e tij, kleriku rilindës Ibrahim Dalliu tregon se, në Tiranën e fillimshekullit XX, shumica e popullit që ishin indiferentë quante “shqiptarë” vetëm veprimtarët e lëvizjes kombëtare. Është e nevojshme që sërish të aktualizohet ky kuptim i fjalës “shqiptar”, por kësaj radhe nga lëvizja kombëtare. Hegjemonia kombëtare synon që vetëdija shqiptare të “rizgjohet” dhe bashkimi të pranohet si zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare.

    Në fund, integrimi i shteteve ballkanike në BE mund të kthehet në një proces plotësues të bashkimit. Së pari, logjika e integrimeve europiane favorizon logjikën e integrimit shqiptar. Për ata që Abdi Baleta i quan “integralistë europianë”, po bëhet gjithnjë e më e vështirë kundërvënia ndaj integrimit shqiptar: ky i fundit shihet si më i natyrshëm dhe më i nevojshëm në kohën që shqiptarëve u kërkohet njohja dhe miqësimi me kombe të tjerë të kontinentit. Lehtësimi i lëvizjeve ndërkufitare si pasojë e procesit të integrimit europian duhet parë si një mundësi për afrimin e shqiptarëve nga shtete të ndryshëm. Së dyti, duhet punuar që standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë e mirëqenies që BE-ja kërkon të arrihen dhe respektohen nga shtetet ballkanike, të shkojnë në favor të forcimit dhe bashkimit të shqiptarëve. Vendosja e një rendi demokratik të mirëfilltë i intereson lëvizjes kombëtare, sepse i jep më shumë fuqi popullit dhe vetëvendosja popullore është zembereku i demokracisë. Gjithashtu, gjatë tranzicionit në Shqipëri e së fundi edhe në Kosovë, shqiptarët kanë parë se faktorët ndërkombëtarë, për hir të stabilitetit dhe mbylljes së çështjes kombëtare, kanë përkrahur qeveritarë me sjellje autoritare dhe kanë minuar demokracinë. Prandaj, vendosja e një demokracie aktive të qytetarëve, që “nuk e shter përfaqësimi” (Albin Kurti), është detyrë e lëvizjes kombëtare.

  2. #2
    Lexova me vemendje te plote kete shkrim te drejte e real e do thojsha edhe te mrekullueshem te zoteriut Enis Sulstarova. Me te vertete nuk ka edhe cka ti shtohet ketij shkrimi. Por vetem dua qe me ca fjale te shkurta te them dic ne lidhje me kete.

    Kushdo dhe Cilido nga ne mund te thote ckado e cfaro do. Mund te jet Pro Bashkimit - apo edhe kunder saj. Natyrisht se ka shume Shtete te BE-se dhe me gjere qe nuk duan qe Shqiptaret - Kombi Shqiptar te bashkohet ne nje shtet - Bile bile nga keto Shtete qe nuk duan nje gje te tille - ne i konsiderojme miqte nderkombetar.

    Duke pasur parasysh rrethanat e sodshme - duke pasur parasyh ate se me cilat shtete jemi te kufizuar - mendoj qe e vetmja zegjedhje reale dhe e drejte kunder rethanave qe jemi pikerisht eshte Bashkimi Kombetar I Shqiptareve ne nje Shtet te Vetem - Natyral Etnik.

    Nje gje duhet pasur parasyh se ne ish Shtetin Jugosllav - Shqiptaret ishin populli i trete - ne fakt i dyti. Ne shiqim te pare dukej se Ish Jugosllavia kishte 6 Republika e 2 Krahina Autonome - pra mbi 6 popuj. Mirepo Realiteti ishte krejtesisht ndryshe - Ne Ish Jugosllavi ishin dy popuj dhe minoritaret tjere - Populli Sllav (Sllovenet, Kroatet, Boshnjaket, Malaziasit, Serbet e Maqedonasit) si dhe Shqiptaret, dhe natyrisht edhe minoritet tjera si: (Gjermanet e Hungarezet ne Vojvodine).

    Dhe nje gje duhet te kemi ne dijeni se heqja e Autonomise se Kosoves nga ana e Serbise eshte bere ne koordinim te plote me Repubikat tjera Sllave te Ish Jugosllavise. E gjithe makineria Policore e Ushtarake Sllave qe ishte ne Kosoves - nuk ishte vetem Serbe - por edhe ajo Sllovene, Kroate, Boshnjake, Malaziase e Maqedonase. E mos te harrojme se te gjithe ishin kunder Shqiptareve - kur Shqiptaret ben Protestat - Demonstratat e Vitit 1981 per Republike te 7 ne federaten te atehershme Jugosllave dhe te gjithe ishin kunder.

    Mendoj qe tani eshte koha qe haptazi dhe pa asnje hezitim te kerkojme ate edhe cka na takon ne fakt.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ARIANI_TB : 26-09-2011 më 10:25
    BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE

  3. #3
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Asgje nuk na pengon qe te bashkohemi pervec mendjeve te ngushta te politikaneve shqiptare. Ne fakt, edhe presioni i nderkombetareve eshte me teper mit sesa nje presion real. Ja u bashkuam neser nen nje federate shqiptare, ca do te behet? Asgje. Aq sa u be kur u bashkuan dy Gjermanite, per te cilat Thaceri dhe Miterrandi s'kishin lene kercenim pa bere dhe kishin thene qe nuk ka asnje menyre qe te ndodhe. Ja qe ndodhi, dhe ata qe benin kercenime nuk bene asgje sepse nuk ishte dicka qe do te bente hatane. E njejta gje do te ndodhe edhe nese bashkohet Shqiperia me pjesen tjeter qe iu nda e qe sot e quajne Kosove. Bashkimi fillestar mund te jete federate, qe te mos duket si bashkim i plote e te kenaqe ata qe jane kundra bashkimit.
    Edhe po te futemi ne BE, prape kufijte kane vlere administrative dhe shperndarje fondesh e taksash. Perndryshe Flandra dhe Katalonia nuk do kerkonin me kaq ngulm pavaresine brenda BE-se.
    Sic e thashe, pengese per bashkimin jane trute e politikaneve tane, qe si Hamzai e Esat Toptani, preferojne me mire te jene rehat ne sanxhaqet e veta sesa te lene pushtetin e tyre medioker per te miren e kombit.
    Me erdhi shume mire kur pashe nje shkrim te tille, qe i ka munguar shtypit me vite. Shume e kane turp te flasin per kombin, a thua se po flasin per ndonje krim. Por ky shkrim me jep shprese se ende ka disa shqiptare te mbetur gjalle ne ate cep te gadishullit Ilirik.

  4. #4
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Opinion|29/09/2011 16:56
    A mund të bashkohen Kosova e Shqipëria?


    Ardian Klosi
    Është thuajse e pamundur të shoqërosh një gazetar a një intelektual tjetër çfarëdo të huaj që mos të të bëjë pyetjen: Mendoni se ka ndryshime të mëdha midis kosovarëve e shqiptarëve të Shqipërisë, ka prirje bashkimi të tyre, mund të realizohet dikur një Shqipëri e madhe?

    Unë u përgjigjem të gjithave me jo: Nuk ka ndryshime të mëdha midis kosovarëve e shqiptarëve të Shqipërisë, shumë pak mund ta dëshirojnë një bashkim e për rrjedhim nuk ka për t’u realizuar ndonjëherë Shqipëria e madhe.

    Arsyeja është e thjeshtë dhe është krejt praktike. Dy vende ku jeton i njëjti komb bashkohen, dhe këtë na e tregon historia, në rastin kur njëri prej tyre ka administratë funksionuese, ka ecur përpara në rrugën e mirëqenies dhe dëshirohet e synohet prej pjesës së kombit që jeton në vendin më të varfër ose më të vuajtur. Kështu ndodhi bashkimi i dy Gjermanive më 1989-1990, po kështu kanë ndodhur bashkime në të kaluarën si ai i Italisë (nën kurorën e njërës prej mbretërive më të zhvilluara të Veriut, asaj të Savojës), kështu mund të ndodhin në të ardhmen, e zëmë nëse bije diktatura në Korenë e Veriut që vetiu pastaj do t’i bashkohej asaj të Jugut. Madje edhe bashkimi i Hong Kongut me Kinën ndodhi pa dhimbje të mëdha në kohën kur Kina kishte hyrë pakthyeshëm në rrugën e modernizimit. E kundërta vërehet edhe më shpesh: një vend i varfër rrazbitet aq shumë nga tensionet e brendshme ose luftërat civile, saqë vjen një ditë dhe vendi ndahet sikurse ka ndodhur shpesh me vende afrikane, po sikurse ndodhi edhe me shtetin e sllavëve të jugut, i cili nuk mbajti asnjë shekull.

    Njerëzit janë në thelb qenie materialiste, fundja si gjithë qeniet e tjera. Ata nuk janë në thelb qenie patriotike ose qenie nacionaliste. Për më tepër shqiptarët sot drejtohen në jetë nga vlerat thjesht materiale. Në këtë pikëpamje që është pikëpamja kryesore, nuk ka asnjë arsye pse kosovarët të mëtojnë të bashkohen në Shqipëri e shqiptarët e „perëndimit“ të dëshirojnë bashkim me Kosovën. Të dy shtetet çalojnë, madje ky i perëndimit shqepon si mos më keq, duke munguar krejt në territore të mëdha sikurse në veri e verilindje. Kosovarëve u mjafton një vështrim mbi gjendjen e mjeruar të Shqipërisë së atyre krahinave, mjafton të kalojnë kufirin dhe të mos gjejnë një qytet për të qenë, u duhet të vinë deri në Shkodër ose Tiranë që të ndeshen me atë që quhet jetë urbane ose jetë e qytetëruar.

    Një tjetër arsye, pranë kësaj, është imazhi i keq që kanë administratorët, qeveritarët përkëndej e përandej kufirit. Të dyja qeverive u tregohen histori korrupsioni galopant, shpesh me fakte, madje për ndërtim autostradash zgjedhin të njëjtën firmë që ushqen këto histori megakorrupsioni. Sidoqoftë primatin e mban këtu qeveria përkëtejit, kujtojmë vetëm se ajo mund të hedhë në erë qytetarët e saj për të zbërthyer municione të vjetra dhe askujt të mos i hyjë asnjë gjemb.

    E pra, shqiptarët nuk do të donin që këta administratorë ta zgjeronin ombrellën mbi territore që do t’u shtoheshin nën qeverim; përfytyroni një Shqipëri të qeverisur nga ish-komandantë të UÇK-së ose, mos o Zot, një Kosovë të administruar nga Berisha me familjen e tij dhe Bode me klanin e tij korçar.

    Përjashtohet pra, për kushedi sa dekada që do të vijnë, një administrim i përbashkët i fateve të shqiptarëve përkëndej e përandej vargmaleve të verilindjes, një shtet i vetëm i tyre. U bë shpesh paralelja me murin e Berlinit sa kohë që shqiptarët e Kosovës jetonin nën shtypjen nacionaliste. Kur shtypja dhe muri ra, askush nuk tentoi për bashkim. Në teori është gjynah, sepse, jo më me shpenzime dyfishe, pra pa u dashë mbajtur dy qeveri, do mund të administroheshin pasuri të mëdha të një toke ku jeton një komb; kombi do të kishte një vijë të mirë bregdetare, do të bëhej zemra e Ballkanit e nyje kryesore ku do të kalonin qarkullimet Veri-Jug e Lindje-Perëndim, lidhjet historike të malësisë me ultësirat kontinentale dhe bregdetare do të gjallëroheshin, vetë respekti që do të gëzonte ky shtet i shqiptarëve do të ishte shumë më i ndryshëm nga qesëndi-keqardhja që mbizotëron sot te të huajt për dy gjysmat e tij gjysmake.

    Gjynah është edhe që një kulturë e përbashkët, me të njëjtat fillesa, edhe pse sot me disa degëzime të larguara, nuk përfaqësohet nga disa pak qendra a institucione prestigjioze: një Akademi serioze Shkencash, me institucione për studimin e tokës, detit, kulturës së shqiptarëve, një Teatër i madh Kombëtar, një Bibliotekë e vërtetë Kombëtare, një Qendër kombëtare Kinematografie etj. etj.. Sepse kultura është një, dy shtetet e ndara e armike në shekullin e kaluar nuk arritën ta përçajnë atë, falë patriotizmit të kosovarëve, të shtresës intelektuale të rritur në Jugosllavi, asnjëherë nuk u kërkua aty zhvillimi i një kulture të veçantë, sanksionimi i një shqipeje të veçantë (çka nuk do të ishte aspak e vështirë po të ndiqej tradita e gegënishtes). Kjo ka sjellë sot pozitive që të mos ketë barriera kulture sikurse ka barriera administrate, por ka sjellë edhe dukuri negative sikurse njëfarë inferioriteti pritës që tregon Prishtina ndaj Tiranës, ku bëhen më të mira edhe botimet, edhe Panairet e Librit, edhe mediat ose bienalet e artit etj.

    Në praktikë gjendja e dyshtetësisë është më e mirë për gjithë arsyet që thamë. Sidomos fakti që shteti i Kosovës është i kontrolluar e në njëfarë mase i garantuar nga prania e ndërkombëtarëve. Aty janë të papërfytyrueshme ngjarje si Gërdeci ose demonstrata e 21 janarit. Aty i është i papërfytyrueshëm vetëzbërthimi i shtetit siç ndodhi te ne nën Berishën më 1997. Aty është e papërfytyrueshme shitja e interesave të vendit ose shkatërrimi i monumenteve natyrore e të kulturës sikurse ndodh aktualisht në Shqipëri.

    Por përtej këtyre arsyetimeve që mund të enden në rrafsh abstrakt, më intereson të kujtoj në këto radhë pamjen konkrete të Kosovës e të Shqipërisë sot, në një krahasim të shpejtë por që na tregon shumë. Më ka rënë rasti dy herë muajt e fundit të udhëtoj në Kosovë e nuk mund të mos i shohësh ndryshimet me Shqipërinë sapo që kalon kufirin.

    Sapo që ndodhesh në Kosovë nis gjelbërimi dhe punimi i tokës. Ku nuk ka pyje, ato pemë të ulta gjethevogla që veshin kodrat njëra pas tjetrës, ka ara të punuara ose vreshta të shtrira në dhjetëra dynymë në mos hektarë. Edhe në qendrat më të vogla të banuara sheh njëri pas tjetrit shitësit e frutave dhe perimeve me arkat e tyre të sërënditura gjithë kujdes. Ndërsa në Shqipëri ku sheh fusha, s’është e thënë të jenë të punuara, madje sa më të mëdha këto fusha, si për shembull në brezat e shumtë të Myzeqesë, aq më djerrë janë ato. Aty e ndjen se sa rëndë e ka goditur Shqipërinë historia e kolektivizimit ekstrem bashkë me çorbën që u bë më mbas me pjesëtimet ose kthimet e pronave. Në Kosovë me sa kuptohet asnjëherë s’ka humbur tradita e punimit privat të arave të mëdha, këtu sikur nuk ekziston gjëkundi toka pa zot.

    Edhe mënyra se si i ndërtojnë shtëpitë kosovarët është e përmbajtjur: këto shtëpi janë gjithmonë dy-trikatëshe dhe kanë gjithmonë një çati mbi krye. Ndërsa në Shqipëri është tipike“vila“ e re gjigande, që mund të shkojë dhe pesë kate dhe të ngrihet mu në mes të arës ose vreshtit të dikurshëm. Shihni vetëm pamjen e fshatit të dikurshëm Lundër në të dalë të Tiranës kur shkon për nga Elbasani: gjithë shpatet e kodrave të veshura dikur me vreshta, janë mbjellë me këto të ashtuquajtura vila që i kanë likuiduar vreshtat njëherë e përgjithmonë (ndërkohë në dyqane vazhdon të shitet verë „Lundra“ megjithëse hardhi nuk ka më).

    Kjo mënyrë e qetë dhe e përmbajtur e trajtimit të tokës dhe e ndërtimeve që dallon provincën kosovare, të takon edhe në qytetet që kam shkelur, Prizren, Prishtinë. Këtu makinat ndalojnë rregullisht para semaforëve e sidomos u japin përparësi këmbësorëve. Edhe në vijat e bardha ose në kthesë të makinës përparësinë e ka këmbësori (aty ku tiranasit ose vlonjatët e trembur shohin se mos po u afrohet ndonjë makinë). Për çudi edhe boritë e kerreve nuk dëgjohen, sikur ua kanë hequr.

    Herën e fundit u ndodha në Prishtinë në një ditë të diel. Asnjë dyqan hapur, kafene e restorante po, tek-tuk ndonjë kioskë gazetash e ndonjë tezgë librash, aq. Një rregullsi që e gjen në Gjermani, në përgjithësi në Europën e mesme dhe veriore e që sigurisht s’të kujton asnjë qytet të Shqipërisë.

    Më patën thënë që duhet të kesh kujdes nga policia rrugore kosovare, sepse nuk bën shaka kur të gjen në kundravajtje, Megjithatë diku në një rrugë të tatëpjetë para se të hyja në një qytet të vogël, kamera e një polici kapi te makina ime 13 km/orë kapërcim shpejtësie. Pas kësaj mbushje dokumentash, faturë gjobe dhe asnjë diskutim i kotë. Kurse në Shqipëri nëpër gjithë autostradën e re këmbë polici e rrotë makine policie rrugore. Diku, në hyrje të tunelit të Kalimashit, ishin mbledhur si nja 8 a 10 policë të shkrehur, më duket se edhe rripat e pantallonave i kishin të zbërthyer dhe ia kishin kërcitur muhabetit me kurrizin e kthyer rrugës. Ja dhe këto detaje të vogla mjaftojnë për të kuptuar se tjetër është zbatimi i shtetit te ne e tjetër në Kosovë.

    Gjithçka e ka një arsye, ndryshimet kanë shpjegimet e tyre. Kosova edhe pse vuajti diskriminimin serb, luftën, dëbimet, asnjëherë nuk ra pre e anarkisë. Ndërsa Shqipëria, edhe sot që kanë kaluar 20 vjet qyshse u shemb një diktaturë e skajshme e cila, siç vrau në qelizë pronën private, goditi në ind elitat kulturore, nxori në majë siç nxjerr dallga e ujërave të turbullt shkumën e pisët ata më sharlatanët e më servilët, Shqipëria pra edhe sot nuk ka arritur ta ftillojë kaosin e vlerave dhe të organizimit, ajo rri gjithmonë si me frikën e valës së anarkisë të ardhshme. Mungesa e shtetit të vërtetë dhe mungesa e një zhvillimi të qëndrueshëm mes harmonisë së protagonistëve shoqërorë, brenga jonë më e madhe.

    E megjithatë nuk ishin shpjegimet që më shtynë të shkruaj këto radhë. Është njëfarë kryelartësie për të mos thënë fodullëku i një pjese të mirë bashkëqytetarësh të Shqipërisë kur flitet për Kosovën dhe kosovarët. Bëjnë si më të mirë këta të Shqipërisë, si më të zot, më të emancipuar, më afër Perëndimit etj. etj. Jam dakord që ka më shumë gjallëri e lëvizje në Tiranë sesa në Prishtinë, ka më shumë lajme në kryeqytetin e perëndimit sesa në atë të lindjes, ka në Tiranë të paktën nja shtatë stacione lajmesh (të dhitesh me lajme, do thoshin në Elbasan), të sofistikuar në teknikën e tyre. Po ç’më duhet kjo më shumë, më fort, më shpejt? Tek shqiptarët „ e perëndimit“ vërehet vërtet një energji më e madhe, veçse kjo energji shpesh është negative. Shikoni me sa shpejtësi u betonua bregdeti i Sarandës, ai i Golemit, si po ndjek bregdeti i Vlorës të njëjtën rrugë. Shikoni si po marrin shtratin e Erzenit për të ndërtuar Diagonalen e Karrëfurit, shtratin e Lumit të Tiranës për të bërë rrugën „e Arbërit“. Shikoni si po i ngjiten pallatet malit të Dajtit, biznesi i ndërtimit më e shëmtuara kafshë që është parë ndonjëherë në këto anë. Në më pak se dhjetë vjet u shpërfytyrua ajo që i kishte dhënë natyra Shqipërisë në miliona vjet. Ç’ta dua këtë energji e këtë lloj zhvillimi? Do desha shumë më tepër një zhvillim të qetë bujqësor-tregtar si të Kosovës.

    Kanë vërtet më shumë mallra, më shumë kafene, më shumë rini nëpër rrugë qytetet e mëdha të Shqipërisë, Tirana, Korça, Vlora. Por kanë edhe më shumë pazare të pista, para të pista, krisma. Këtu po bëhen krime edhe më të sofistikuara sesa në Napoli; atëherë them, jo falemnderit, bëj pa këtë gjallëri, në djall këto super hotele e super restorante që nuk i lënkan asgjë mangut Palermos.

    Po kur dëgjoj pastaj që më mburrin „modelin ekonomik“ të Shqipërisë e cila nuk njihka krizë, më trazohen zorrët. Shqipëria mjerisht nuk ka gjetur ende vetveten, ajo kalon nëpër amplituda shpirtërore të ngjashme me delire-depresionet e udhëheqësve të saj. Këtu rinia ende nuk ka perspektivë (dhe pasqyrë më të mirë për gjendjen shëndetësore të një shoqërie nuk ka), ata që janë në gjendje, ikin për të studiuar një orë e më parë jashtë, ata që s’mundin, marrin pjesë në teatrin e arsimit të lartë publik dhe privat mes inflacionit të diplomave dhe masterave.

    Siç shihet një kosovar ka sot shumë më tepër arsye për të mos dëshiruar ndonjë jetesë nën shtetin shqiptar. E qartë, edhe shqiptarët vetë nuk kanë ndonjë arsye për të lakmuar shtetin kosovar. Por as edhe një arsye për t’u vetëmburrur ndaj kosovarëve për një përparim që nuk ekziston. E nëse do duan të mësojnë gjë nga bashkëkombasit përtej kufirit, kjo do të ishte qetësia, përmbajtja dhe serioziteti në jetën shoqërore, raporti me punën dhe shumë më tepër dashuri për tokën e vet.

    *Respublica / Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal “Muri ra, po pastaj”

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e drenicaku
    Anëtarësuar
    06-05-2003
    Postime
    3,263
    Une mendoi qe gjith lidershipi si ne kosove ashtu edhe ne shqiperi jan kunder bashkimit,per shkaqe te pushteteve qe gezoin ata,duke plaqkit popullin.
    Une besoi qe po sa te pjeken kushtet rinia sidomos rinia studentore do ngriten dhe do bashkoin dy pjeset e nje trupi pa pyetur kend

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •