Benikja është një shtetas i veçantë. Pak kush i a di emrin e mbiemrin. Madje as ai vetë nuk mban mend se kur ka lindur, ose ketë e thotë për humor duke ironizuar jetën e tij nga e cila ai nuk ka qenë i kënaqur kurrë. Atë zakonisht e gjen afër një librarie në rrugën kryesore të Kavajes, përballë Bashkisë së qytetit. Ai aty pret diçka nga mëshira e të tjerëve, dhe mediton mbi jeten e stuhishme që ka kaluar. Aq e stuhishme, sa është treguar e pamëshirëshme me të, duke e lenë aty në trotuar përballë botës.
Benikja mban afër duhan të grirë që ia dhurojnë, dhe kur i drejtohesh ai heziton të flasë dhe thotë vetëm shprehjen: “Sot janë të gjithë Benike”!
Bëmat e tij, mbahen akoma mend nga shumë njerëz në Durrës e Kavajë. Dëshmitarët kujtojnë se në një ndeshje sportive në vitet 70 në Tiranë kur ka pasur edhe nje dyndje të madhe tifozësh nga i gjithë vendi, Benikja është bërë objekt ndjekje nga policia njësoj si në serialin ‘Miami Vice’, për shkak të sjelljeve të tij prej ultras-i. Pas ndjekjesh nëpër rrugica e rrugë, me shkathtësi ngjitet në kurrizin e kalit të bronxtë të Skënderbeut në sheshin e Tiranës. Për tu mbrojtur nga policët që e kishin rrethuar bazamentin e kalit, Benikja deklaroi se do ta thyente shpatën e Heroit Kombëtar, Skënderbeut. Për një arsye ende të pakuptueshme, policëve iu dhimbs shpata. Ndërkohë, Benikja rebel, i ngarkuar dhe me adrenalinën e tepërt të ndeshjes së futbollit, i drejtohej kalit të bronxtë me të bërtitura: ” Yjoo kal! Tashti jam unë Skënderbeu”! Rebeli, i ndjekur gjithnjë nga hija e policisë, i intenuar dhe i burgosur disa herë, nuk shkulej nga kali. Për ta zbritur, u desh ndërmjetësimi i një polici nga Kruja, i njohur i vjetër i Benikes, që ndërmjetësoi që të kthehej pa “u përkëdhelur” nga policët në vendin e internimit.
Për shkak të bëmave të tij, por kryesisht prej rebelizmit, bashkëqytetarët e quanin “Robin Hud”. Dikush kujton akuzat për vjedhjen e një dyqani orësh. Benikja burgoset, rrihet qenërisht, derisa i marrin një firmë “ku ai pranonte vjedhjen e disa dyqaneve”. Kjo pasi iu gjet në dorë një orë e markës “Gub”. Ora e çmuar kishte historinë e vet: e vjedhur, e shitur disa herë, dhe rënë në kanlain e ujërave të zeza, për të përfunduar që aty në dorën e Benikes. Ai merr dhe dënimin me disa vite burg. Vetëm pas disa muajsh burgimi, në Tiranë arrestohet një grup vjedhësish, të cilët pranojnë se kishin vjedhur dhe në Kavajë, madje, ishin ata dora e parë e orës së Benikes. Rihetimi, i jep pavarësinë Benikes, dhe ata që e kishin torturuar për ti marrë dëshmi të rreme, zhvishen e ndiqen penalisht.
Benikja sot, ka hequr dorë nga të folurit. Historitë e tij ka ende njerëz që i mbajnë mend. Por, nëse atëherë të rebeloheshe ishte një guxim që vetëm një Robin Hud mund ta bënte, sot, “janë bërë të gjithë Benike”.
JETA
Emri: Besnik Hajdari
Mosha: nuk e mban mend
Vendlindja: Zhabjak, Kavajë
Arsimimi: nuk e mban mend
Benikja rrjedh nga nga një familje që ka qënë kundërshtare e sistemit komunist. Të afermit e tij janë vrarë si diversantë nga forcat operacionale të sigurimit të Shtetit. Kjo e detyroi deri diku që të jetonte si “njeri i rrugëve” e të banonte në një barrakë në afërsi të Stacionit të Trenit te Kavajës. Jeta e rëndomtë, gradualisht e ka çuar drejt filozofisë: “s’më bëhet vonë për pastërtinë e figurës”. Pavarësisht nga kjo, Benikja është një personazh i njohur nga të gjithë, për rininë e tij rebele, kur i kundërvihej sistemit me guxim prej të verbëri.
“Pas ndjekjesh nëpër rrugica e rrugë, me shkathtësi ngjitet në kurrizin e kalit të bronxtë të Skënderbeut në sheshin e Tiranës. Për tu mbrojtur nga policët që e kishin rrethuar bazamentin e kalit, Benikja deklaroi se do ta thyente shpatën e Heroit Kombëtar, Skënderbeut. Ai i drejtohej kalit të bronxtë me të bërtitura: ”Yjoo kal! Tashti jam unë Skënderbeu”! shekulli
Krijoni Kontakt