Ministri polak: Gjermania është Kali i Trojës i Rusisë brenda NATO-s

Një dokument i publikuar së fundmi nga Wikileaks, zbulon se Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski, në një bisedë private me diplomatët amerikanë është shprehur se Gjermania është Kali i Trojës i Rusisë në NATO.
Ai u ka thënë diplomatëve amerikanë se Gjermania ka një marrëveshje me Rusinë. “Ata luajnë në emër të Rusisë dhe në këmbim të kësaj, kompanitë gjermane marrin qindra miliard euro investime atje, një marrëveshje shumë e mirë,” ka thënë ministri i Jashtëm.

Komentet e Sikorskit erdhën pasi Gjermania kundërshtoi që Gjeorgjisë dhe Ukrainës tu jepej Plani i Veprimeve për Anëtarësim nga NATO në Samitin e Bukureshtit. Pak pas rrëzimit të këtij vendimi, Rusia sulmoi Gjeorgjinë. Shumë analistët thonë se nëse Gjeorgjia do merrte Planin, nuk do kishte ndodhur lufta.
Të gjithë kujtojnë se si së fundmi Gjermania abstenoi në Këshillin e Sigurimit të OKB bashkë me Rusinë për sulmet ajrore të NATO-s mbi Libi.
Nga kabllot mësohet se disa herë Sikorski ka deklaruar se ka frikë nga fakti që është pranë Rusisë. Sipas tij, vetëm fakti se aty ka ushtarë amerikanë, e tremb Rusinë.