Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767

    Kodi i Rezallës dhe Gurët e Kopiliqit

    Profesori i Universitetit "Sapienza" të Romës, Pietro Scoppola thotë se "Historia është raporti i përhershëm midis së sotmes dhe të kaluarës sonë. Ne kërkojmë tek e kaluara, shpjegimin e problemeve që kemi, kërkojmë ndërgjegjen e asaj që jemi sot". Andaj edhe përfillet çdo gjurmim apo hulumtim, i cili në mos më shumë mund të jetë një gurë i vendosur më tepër në kështjellën, sa e sa herë të rrënuar dhe po aq herë të ngritur, me mund e djersë, me gjak e dhunë, të cilën e ushtruan sundimtarët e ndryshëm të botës, gjatë fushatave të tyre të azdisura për ta pushtuar botën, me hir apo me pahir

    Ahmet QERIQI

    Postuar më, 5 shtator 2011 - E kaluara shqiptare, në shumë segmente ende ndodhet e mbështjellë me një vello të dendur, të një niveli mjaft të mundimshëm të zbulimit dhe zbërthimit të realitetit në sinkroni e diakroni, në tërësinë e vet ekzistenciale. Hulumtimet, veç tjerash, duhet të rindërtohen qoftë edhe nga grumbullimi i torzove, nga gurët e kështjellave me mozaikë të shumtë, që dikur i përkisnin një bote autentike, ndërkohë që shekujt u treguan të pamëshirshëm në shkatërrimin madje edhe të gurëve të qëndrueshëm, të cilët ende tërë kryeneçësi nxjerrin kokën nëpër luginat e malet e fshatrave, sidomos në Drenicë, mbase me qëllim për të treguar se megjithatë kanë mbetur shumë gjësende, që presin mendjet esëll, duart e kujdesshme, të përkushtuara dhe të përgjegjshme të njerëzve, me qëllim për të nxjerrë në sipërfaqe, aq sa mund të nxjerrin arkeologët, gjuhëtarët, historianët dhe hulumtuesit e ndryshëm deri te brezi i sotëm, i cili po i rikthehet gjurmimit të së kaluarës, në kushte dhe rrethana të lirisë, që solli lufta heroike dhe fitimtare e UÇK-së, me dëbimin përgjithmonë nga Kosova të forcave të territ, të cilat për më shumë se 100 vjet, me të gjitha metodat dhe me tërë forcën e pushtetit u munduan ta fshehin të vërtetën dhe t'i shkatërrojnë gjurmët e së kaluarës shqiptare, me qëllim për ta bindur botën në gënjeshtrën mitike serbe për Kosovën, të cilën e kanë përhapur nëpër shekuj.

    Profesori i Universitetit "Sapienza" të Romës, Pietro Scoppola thotë se "Historia është raporti i përhershëm midis të sotmes dhe të kaluarës sonë. Ne kërkojmë tek e kaluara, shpjegimin e problemeve që kemi, kërkojmë ndërgjegjen e asaj që jemi sot". Andaj edhe përfillet çdo gjurmim apo hulumtim, i cili në mos më shumë mund të jetë një gurë i vendosur më tepër në kështjellën, sa e sa herë të rrënuar dhe po aq herë të ngritur, me mund e djersë me gjak e dhunë, të cilën e ushtruan sundimtarët e ndryshëm të botës, gjatë fushatave të tyre të azdisura për ta pushtuar botën, me hir apo me pahir.
    E tillë, e sulmuar nga të gjitha anët, e djegur dhe e rrënuar sa e sa herë ka qenë e kaluara ilire, dardane, shqiptare në këto troje që nga koha e lashtë e deri në ditët tona. Dhe, ajo e kaluar mijëravjeçare, ka lënë gjurmë në fjalë e frazeologji, në kujtesën e popullit në formë rrëfimi apo kënge, në toponimi e patronimi, në gurë e themele faltoresh, të cilat fare papritur ngrehin kokë, qoftë duke punuar në arë, apo rastësisht duke gjurmuar ndonjë relikt të së kaluarës...

    Kopiliqi dhe Rezalla

    Fshatrat: Kopiliq i Epërm dhe i Ulët, pastaj fshati Rezallë, dikur i përbashkët me fshatin Llaushë, dy ndër fshatrat e njohura të Drenicës, që tani i përkasin komunës së Skënderajt, kanë disa veçori specifike, sa i përket disa lidhjeve të së kaluarës historike.
    Kopiliqi është fshat i njohur, jo vetëm në Drenicë, meqë mendohet me të drejtë se atje ka lindur, Milush Nikollë Kopiliqi, ndërsa Rezalla ruan të koduar gjatë shekujve emrin e prijësit të krishterë të Mesjetës, me origjinë hebraike, Llazer Hebrelani. Të dy këto personalitete të njohura të mesjetës, janë përvetësuar nga historiografia serbe, meqë serbët asokohe kishin mbajtur nën pushtim trojet e Dardanisë për afro 200 vjet.

    (Rezall-Llazer)

    Duke folur për praninë e serbëve gjatë Mesjetës në Kosovë, studiuesi Qerim Dalipi thotë: "Prania e popullsisë serbe në Kosovë sipas burimeve të shkruara dëshmohet që në shek. XI, ndërsa në një farë mase fillon të shtohet në gjysmën e dytë të shek. XII dhe në fillim të shek. XIII, atëherë kur Kosova hyri në kuadrin e Shtetit të Nemanjidëve. Në atë periudhë kohore, popullsia e viseve veriore serbe filloi të depërtojë me të madhe në drejtim të jugut. Në çfarë raporti arriti ajo ndaj popullsisë vendase arbërore, nuk mund të thuhet kurrgjë." (Qerim Dalipi, www.kosovo.net)

    Pavarësisht nga pushtimi sllav, shqiptarët në këto dhe fshatra të tjera të Drenicës kanë qenë dhe kanë mbetur popullatë dërrmuese, autoktone, me lëvizje të lehta nga një rajon në tjetrin, ose nga një trevë shqiptare, në tjetrën.

    Legjendat dhe trashëgimia gojore që është rrëfyer dhe rrëfehet për këto dy fshatra, gjetjet fragmentare të kulturës fizike, sidomos në Kopiliq dhe në Rezallë, rrëfimet që kanë arritur deri në kohën tonë, lidhur me Luftën e Kosovës të vitit 1389, supozimi se në varrezat e fshatit Rezallë ndodhet varri i Milush Nikollë Kopiliqit, toponimia dhe antroponimia shumë e pasur dhe e llojllojshme e kësaj ane, japin për të kuptuar se pavarësisht shkatërrimeve, pushtimeve dhe djegieve të shpeshta, apo tërmeteve që kanë ndodhur në këtë territor të Drenicës qendrore, jeta e shqiptarëve në këto troje ka rrjedhë në vazhdimësinë e saj historike, qysh prej Ilirisë e deri në ditët tona.

    Në historinë serbe nuk kontestohet fakti se emri Llazar i përket origjinës hebraike në trajtën autentike, Eleazar. Ky emër ndër sllavë-folës dëgjohet në trajtën Llazar, Llazarevo, Llazareviq, Llazarica, etj. Ndër shqiptarë kjo trajtë shqiptohet Llazër-Llazri. Emër i prejardhjes biblike, një i ri, të cilin thuhet e kishte ringjallur Jezusi.
    Fshati Rezallë kufizohet me fshatrat: Polac, Makermal, Likoc, Kopiliq i Ulët, Tushillë, Marinë dhe Llaushë. Kopiliqi i Epërm kufizohet me fshatrat: Kllodernicë, Izbicë, Vajnik, Turiqec,( fshat që ndan Kopiliqin e Epërm nga Kopilqi i Ulët,) ndërsa Kopiliqi i Ulët kufizohet me fshatrat, Turiqec, Rezallë, Tushilë, Likoc, Ticë.

    Emri i fshatit Rezall, tani i gjinisë femërore, Rezallë, del i shënuar qysh në regjistrimin e vitit 1455, në "Defterët turq të Vilajetit Vëllk". Në vitin 1455, Rezalla kishte nëntë shtëpi shqiptarë, të fesë ortodokse, dhe vetëm një shtëpi me prejardhje sllave apo vllahe. Kryefamiljarët kryesorë të fshatit kanë qenë:
    Marko Mati, Pavël Dhimitri, Gjura Dhimitri, Radi i biri i Radihnës, analog me Radihna i biri i arbanasit në Kllodernicë, Millani i biri i Kojes. Kryefamiljari, që konsiderohet me origjinë sllave quhej, Raje Bajçiniq. (Dr. M. Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 92. - 232.) Përderisa trajta e sllavizuar Llazar është zgjeruar në trajtat: Llazarevo, Llazareviq, etj, trajta Rezall, nuk hetohet askund ndër serb-folës, madje, me sa kemi njohuri, një emër-vend i tillë homolog nuk ekziston as në trojet shqiptare.

    Është për ta marrë në konsiderim mundësinë se të parët e këtij fshati në Mesjetë, me qëllim për ta ruajtur emrin e prijësit Llazer, e koduan këtë emër, duke e shqiptuar nga prapa dhe duke përfituar një trajtë homonime, mbase me qëllim për t'i ikur hakmarrjes nga turqit. Jo rastësisht rezallasit kanë ruajtur edhe kujtimin për Milush Kopiliqin. Në Varrezat e fshatit ndodhen dy gurë të mëdhenj të varrit, të latuar me kujdes, nën një rrap shekullor, dru qarri, ku nga brezi në brez është trashëguar e dhëna se aty është varri i Milush Kopiliqit. Disa dhjetëra metra më në veri, ndodhet një rrap tjetër, shumëdegësh dhe nën te ndodhen një shumicë gurë varrezash, të cilat janë ruajtur me fanatizëm nga rezallasit, si kujtim për eshtrat e të parëve.

    Varrezat e fshatit Rezallë ofrojnë material të rëndësishëm për studimin e varrezave të epokave të ndryshme nga e kaluara, por edhe për arkeologjinë. Në këto varreza gjendet edhe varri i Sylë Rezallës, një personazh i njohur i këngëve të trimërisë, i cili ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit 19-të. Në krye të Varrezave ndodhet edhe Kompleksi Memorial për 100 rezallasit e rënë dhe të martirizuar gjatë kohës së luftës së UÇK-së, në mesin e tyre 42 konsiderohen të zhdukur.




    http://imageshack.us/photo/my-images...erezakla.jpg/#

    1,(Varri i Sylë Rezallës)



    2.(Gurët e varrit, në fshatin Rezallë, ku sipas legjendës, thuhet është varrosur Milush Kopiliqi. Pleqtë e Rezallës nga brezi në brez gojarisht, kanë rrëfyer se pikërisht në këtë vend ishte varrosur M. Kopiliqi, në vitin 1389, pas Betejës së Kosovës.)

    3.(Gur varri i krishterë, pa mbishkrim, në varrezat e lagjes Kuçani, në Kopiliq të Epërm. Ky gur me dimensione të mëdha ka të skicuar dy kryqe në mes të vijës vertikale. Në këtë vend ndodhen qindra varreza tashmë të rrënuara. Guri i Varrit gjendet disa dhjetëra metra më lart nga vendi ku dikur ishte Kapela, apo faltorja e krishterë me dimensione rreth 50 metra katrorë. Gurët e themelit ndodhen nën një shkurre të dendur).
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Kodi i Rezallës dhe Gurët e Kopiliqit (2)


    Kopiliqi mes legjendës

    dhe historisë

    Mbështetur në burimet nga terreni që ka sjellë në librin e tij, studiuesi i mirënjohur i Drenicës, Ibrahim Çitaku, në monografinë "Drenica", botim i vitit 2004, thuhet se fshati Kopiliq, i cili shtrihet 13 kilometra në perëndim të Skënderajt, dallohet për lashtësinë e begatshme, e cila ruhet në toponime dhe në legjenda. Ai përmend toponimet "Bunari i Milleshit", "Kroni në dy Krena", "Fusha e Sharanit", "Varret Llatine", "Ara e Kishës"...

    Ahmet QERIQI

    Postuar më, 6 shtator 2011 - Një burim i pashteruar për gjurmime ndër më të ndryshmet në fshatin Rezallë është edhe Lugina në veri perëndim të fshatit, e cila kufizohet me fshatin Likoc, Ticë dhe shpie në Kopiliq të Ulët. Në anën lindore të Luginës ndodhet një vendbanim antik, mjerisht ende i pastudiuar, ku hetohen gjurmë godinash dhe emërtime për faltoret, apo kishat e kohës së moçme. Vendi te Kisha, apo Kisha e Monit, ( emërtim që lidhet me pronësinë e një të kështu-quajturi) në afërsi të përroit shtrihet në një sipërfaqe disa hektarë tokë, ku dikur kanë qenë konaqet e kishave apo të faltores së moçme të harruara, tashmë edhe të rrënuara. Afër vendit, ku ka mbetur një pjesë e themeleve të mureve të kishës ndodhet një gurë i madh i këndit, i latuar me kujdes në formë të lakuar, që padyshim është njëri nga gurët e shumtë të portës një faltoreje të moçme apo të një Kishe, qoftë katolike apo ortodokse.

    Edhe pse faltorja, mbase një kishë e moçme, ndodhet jo shumë larg Manastirit ortodoks të Deviqit, nuk del e shënuar në korpusin e kishave, që konsiderohen si kisha ortodokse serbe.

    Banorët e Rezallës tregojnë se gjurmët e fundit të faltores janë zhdukur në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, nga njerëz të kanë marrë gurët e latuar dhe me to kanë ndërtuar shtëpi, po edhe mure oborresh.

    I njohur në vendin tonë si njëri ndër fshatrat me histori të lashtë, Rezalla e Drenicës ka ruajtur disa elemente shumë të rëndësishme të kulturës materiale dhe folklorike.
    Banorët e Rezallës dallohen nga banorët e fshatrave të tjera, sidomos për mbretërimin e marrëdhënieve të mira mes veti. Të rralla kanë qenë në të kaluarën vrasjet mes banorëve të fshatit. Nga brezi në brez është ruajtur një unitet i brendshëm, i cili ka nxitur kureshtjen e anasve. Ndoshta, pikërisht ky tipar dallues ka bërë që fshatarët e këtij fshati të përfolën për gafa të ndryshme, apo për veprime që janë konsideruar si gafa, por që në esencë nuk kanë qenë të tilla. Anekdotat, që lidhen me banorët e këtij fshati, lënë për të kuptuar solidaritetin e spikatur, i cili është parë me xhelozi nga banorët e fshatrave përreth dhe pikërisht për këtë, të gjitha gafat e shakatë janë orientuar në drejtim të banorëve të Rezallës.

    Ruajtja me kujdes e varrezave të vjetra në krye të fshatit, marrëdhëniet e mira ndër bashkëfshatarë, iniciativat e spikatura individuale, sikur ishte "Armëtaria" e Hajrë Gashit gjatë kohës së luftës së UÇK-së, qëndresa e spikatur e banorëve gjatë luftës, janë vetëm disa veçanti, që flasin për një traditë të lashtë të këtij fshati historik të Drenicës, i cili së bashku me Prekazin, Llaushën, Marinën, Açarevën, Likocin, Abrinë e të tjerë, shënojnë Termopilet e qëndresës heroike të shqiptarëve, nëpër shekuj e veçmas në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë të përgjithshme, që u kurorëzua me sukses kundër barbarisë okupatore serbe në vitet 1998-1999.

    Lagjet më të njohura të fshatit Rezallë janë: Mala, Aruçi, Dërguti, Aliu, Gashi, Hakolli, Rukolli, Zabeli, Ahmeti, Deliu etj. Mendohet se fshati ka rreth 800 shtëpi me lagjet dhe paralagjet e veta. ( Hamdi Aliu, Rezalla një rrugëtim lirie, Prishtinë, 2008.).
    Në Rezallë ndodhet edhe një koleksionist i pasionuar i mbledhjes së gurëve dhe ruajtjes së trashëgimisë etnografike. Është ky i riu, Ferat Dërguti, vëllai i njërit ndër komandantët më të njohur të luftës së UÇK-së, Ilaz Dërguti.

    Ferati, me vetiniciativë me një ndjenjë të lindur për artin dhe trashëgiminë autoktone ka gjurmuar dhe ka marrë gurë të ndryshëm nëpër fshatra të Drenicës për ta rregulluar ambientin në oborrin e shtëpisë, i cili është një muze autentik, për vlerësimin tim shumë i rrallë, për të mos thënë i vetmi në Kosovë, i llojit të tillë.

    Ferati zotëron mjeshtërinë e trajtimit të gurit e të drurit. Ai ka stolisur të gjitha këndet e oborrit me gurë natyralë, qoftë gurë faltoresh, gurë vullkanikë, apo gurë nëpër të cilët ka lënë gjurmë uji dhe kushtet atmosferike. Ndërtimi brenda shtëpisë i një fontane guri, pastaj këndi muzeor brenda një furre për gatim dhe ornamentika popullore, me të cilën ai e ka pasuruar interierin e pikës muzeore me të gjitha avlëmendet dhe mjetet klasike të punës, prej vegëltarisë e deri te grumbullimi i eksponateve të ndryshme, të krijojnë përshtypjen e një tërësie etnokulturore të denjë për një përkujdesje institucionale.

    Mbështetur në burimet nga terreni që ka sjellë në librin e tij, studiuesi i mirënjohur i Drenicës, Ibrahim Çitaku, në monografinë "Drenica", botim i vitit 2004, thuhet se fshati Kopiliq, i cili shtrihet 13 kilometra në perëndim të Skënderajt, dallohet për lashtësinë e begatshme, e cila ruhet në toponime dhe legjenda. Ai përmend toponimet "Bunari i Milleshit", "Kroni në dy Krena", "Fusha e Sharanit", "Varret Llatine", "Ara e Kishës" etj.
    Sa i përket "Bunarit të Mileshit" (Milushit) ekziston bindja se ky emër pusi lidhet me kryetrimin e mesjetës, Milush Kopiliqin. Përtej lumit gjendet ara e Kishës dhe kjo ka lidhje me vendlindjen e Milushit.

    Në vitin 1985, në arën e Imer Smajlit nga ky fshat u gjend një gur i gdhendur me dimensione 1.20 me 165 cm. dhe u dërgua në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj, ku ndodhet edhe tani.

    Në oborrin e Shtëpisë së Kulturës, në Skënderaj ndodhen edhe dy gurë të gdhendur e të stolisur, të rrumbullakët, me dimensione rreth 50.70 cm. Njëri ndër këta ka mbishkrime me alfabet të latinishtes së vjetër, që mund të ketë qenë gurë në hyrje të një Pallati të ndonjë princi, apo faltoreje të moçme, ose gurë mbi të cilin është vendosur ndonjë shtatore guri.

    Guri tjetër me dimensione të njëjta, është po ashtu gur i hyrjes në një tempull apo rezidencë dhe shquhet për latimin me kujdes të rrathëve të rrumbullakët dhe që ka shërbyer si bazament për vendosjen e ndonjë shtatoreje. Dy eksponatet prej gurit i kanë qëndruar kohës, ndërsa tabloja e gdhendur 1.20 me 165 cm, e cila është thyer në dysh, ruan vetëm pjesën e poshtme deri në një të tretën e kornizës, ku janë bërë vizatime tepër të kujdesshme artistike dhe ku paraqitet dega e një flete të hardhisë së rrushit, pastaj nga ana tjetër edhe kalaveshi i rrushit, që lidhen me vija mbi një kupë me verë. Nuk dihet çka përmban korniza në mes, meqë dy të tretat e saj, nuk janë zbuluar. Kjo tablo e gdhendur në gur, duket se ka qenë pjesë e një segmenti të një godine të madhe, ku mund të kenë ekzistuar podrumet e verës, meqë vizatimi është bërë me qëllim për ta parë vendin, ku prodhohej apo mbahej vera. (vijon)


    http://img641.imageshack.us/img641/9415/regurri.jpg

    1.
    (Themelet e faltores të moçme në Rezallë. Vendi quhet te Kisha e Monit, apo e Manit. Konturat gurore të pllajës malore ku gjenden themelet e kësaj faltoreje, lënë për të kuptuar se dikur, këtu ishte një vendbanim, ndoshta një faltore e moçme, jo shumë larg manastirit të Deviqit, por që nuk përmendet në mesin e kishave ortodokse në burimet serbe).


    http://imageshack.us/photo/my-images/838/gurri234.jpg/
    2.Gur në formë lakore, afër themeleve të Kishës, apo të një faltoreje të moçme, në Rezallë. Duket se është gur i këndit ku nis kupola e faltores. Është ky ekzemplari i vetëm që ka mbetur. Dikur kishte dhjetëra të tillë.)

    3.(Gur me mbishkrim të alfabetit të latinishtes së vjetër, që mund të ketë qenë gurë në hyrje të një Pallati të ndonjë princi, apo faltoreje të moçme. Guri i gdhendur është gjetur në fshatin Kopiliq, ndërsa tani ndodhet para Shtëpisë së Kulturës, në Skënderaj)

    4.Pjesë e një segmenti të një godine, ku mund të kenë ekzistuar podrumet e verës. Guri është gjetur në Kopiliq, në vitin 1985, tani ndodhet i ekspozuar përballë Shtëpisë së Kulturës, në Skënderaj)
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 09-09-2011 më 02:24

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Kodi i Rezallës dhe Gurët e Kopiliqit (3
    Historiku i Kopiliqit
    Banorët e sotëm të fshatit Kopiliq i Epërm u takojnë lagjeve: Kuçani, Marini, Hatalaku, Kadrolli etj. Të gjitha këto patronime i përkasin gurrës gjuhësore shqiptare

    Ahmet QERIQI

    Postuar më, 7 shtator 2011 - Fshati, Kopiliq i Epërm përmendet në regjistrimin turk të Vilajetit Vëllk të vitit 1455. Atëbotë, 66 vjet pas Luftës së Kosovës së vitit 1389, fshati kishte 16 shtëpi dhe tre kryefamiljarë të krishterë. Ata ishin Nikollë Dana, Stanko Nikolla dhe Dhimitri Stanko. Nuk është shënuar prania e ndonjë përkatësie tjetër etnike, përveç shqiptarëve ortodoks. (Dr. M. Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 96.).

    Hetohet fakti se 66 vjet pas Luftës së Kosovës, në Kopiliq, ishte e pranishme vëllazëria e Nikollë Danait, i cili mendohet të ketë qenë babai i Milushit, (Miklush, Milesh) apo Milosh Nikollë Dana.

    Që emri Milosh ishte i pranishëm edhe ndër shqiptarët ortodoksë, këtë e pranon edhe historiografia serbe. Në studimet serbe lidhur me "Defterët turq të Vilajetit vëllk" nga Bogumil Hrabak dhe Adem Hanxhiq, hetohen të dhëna lidhur me përkatësinë e banorëve si: Branko arbanas, në fshatin Verboc, ( vep. e cit, f. 51), pastaj Milosh arbanas, Leshi i Milloshit, Brajani vëllai i tij, Mileshi i biri i Miloshit, etj.

    Më vonë fshati kishte 27 shtëpi që i përkisnin Nahisë së Vushtrrisë, timarit të Hysein Vardarisë. Në vitin 1477, Kopiliqi numëron 23 shtëpi. (Ibrahim Çitaku, në monografinë "Drenica").

    Banorët e sotëm të fshatit Kopiliq i Epërm, u takojnë lagjeve: Kuçani, Marini, Hatalaku, Kadrolli etj. Të gjitha këto patronime i përkasin gurrës gjuhësore shqiptare.

    Është me interes patronimi, Hatalaku, mbase i vetmi në Kosovë. Ky toponim ka prejardhje nga lindja, por çuditërisht është ruajtur edhe në patronimin e shumë popujve. Horac Hatalak, Sasha Hatalak, Robert Hatalak, Mike Hatalak, Marius Hatalak, Denis Hatalak, Pamela Hatalak e qindra emra të tjerë të pjesëtarëve të kombeve të ndryshme të botës. (Shtyp në google, internet)

    Ky antroponim nuk ekziston në fjalorin e gjuhës shqipe, ndërsa në të folmen e Drenicës, fjala hatallak, ( jo hatalak) shënon zakonisht persona të bezdisshëm dhe të lazdruar. "Ishte hatallak, nuk i le dy gur bashkë". Sido që të jetë, ky antroponim është shumë i lashtë dhe me sa dimë ne, ndoshta i vetmi ndër shqiptarët.

    Patronimi, Marin-i ka prejardhje nga popullata e moçme katolike, si, Marin Barleti, humanisti i mesjetës dhe hartuesi i Historisë së Gjergj Kastriotit, pastaj Marin Spani, Marin Beçikemi, etj. Në Drenicë, afër Skënderajt ndodhet edhe fshati Marinë, që nuk duket se ka të bëjë me fisin Morinë, por është një toponim i gurrës Ilire- romake, që ka mbijetuar deri në ditët tona dhe që rrjedh nga homonimi me prejardhje shqiptare, Marë, nga Marie, Meriam, Mejrem. Mara e përhitur, etj. Edhe ky emër në trajtën e sotme i përket gjinisë femërore, ndërkohë që emri Marin, Marini i përket gjinisë mashkullore.
    Është me interes të theksohet me këtë rast se kujtesa serbe për Luftën e Kosovës e vitit 1389, emrin e këtij fshati e lidh me mirazin e bijës së Mbretit Llazër, Marës, e cila ishte bashkëshortja e Vuk Brankoviqit. Ky fakt, të cilin e ka përshkruar historiani i mirënjohur austriak, Hammer, ( Istorija Turskog Osmanskog Carstva, Zagreb, 1979), hedh dritë mbase edhe për vendin ku mund të ketë pasur rezidencën apo pronat Mbreti i krishterë i mesjetës, Llazar Hebrelani. Fshati Marinë kufizohet edhe me fshatin Rezallë, njërin ndër fshatrat e moçme të Dardanisë së lashtë dhe të Drenicës së sotme.

    Patronimi Kuçani, i përket gjuhës shqipe dhe mund të jetë sajuar nga emri i fisit, Kuç-i Kuçi, Kuçani. Ky patronim është i pranishëm edhe ndër pjesëtarë të fesë katolike ndër kroatë e malazezë. Patronimi Kadrolli, i përket prejardhjes turke, nga Kadri-oglu dhe ka të bëjë me kohën e konvertimit fetar, shumë të vonë të shqiptarëve të kësaj pjese të Drenicës.

    Fakti se një fshat nuk ka, as nuk ka pasur ndonjëherë xhami, përforcon tezën e pranisë së laramanis fetare dhe konvertimit të vonë, nga feja krishtere në fenë islame.


    Në këtë fshat jetojnë edhe dy familje të moçme të ashkalinjve. Po kështu, në Kopiliq ka jetuar edhe familja kolone e Saviqëve, serbë tashmë të shpërngulur në Serbi. Pronat e tyre, të cilat Mbretëria SKS ua kishte konfiskuar shqiptarëve me ligjin e Reformës agrare, i kanë riblerë banorët e lagjes, Kuçani.

    Në Kopiliq të Epërm ende ka gjurmë të kulturës fizike të krishterë, edhe pse ajo ndodhet vetëm në themele, ndërsa e lënë në harresë dhe indolencë të pafalshme. Në varrezat e lagjes Kuçani ndodhen themelet, tashmë të shkatërruara, të kapelës së varrezave të krishtere, gurë të latuar, kryqe të punuar nga guri dhe relikte të tjera, gjithsesi me interes për arkeologjinë. Invalidi i luftës, vëllai i dëshmores, Sala Jashari, luftëtari i lirisë, Xhemajl Sheremet Dërvishi, i lindur në vitin 1952, rrëfen se themelet e Kapellës kanë ekzistuar deri vonë. Ai thotë se godina prej guri, në hyrje të varrezave ishte me dimensione 10 metra e gjatë dhe 5 metra e gjerë. Shumë nga gurët e latuar nga kjo ngrehinë tashmë e rrënuar, ndodhen nën shkurret e varrezave dhe në mure oborresh e shtëpish të fshatit. Shumë prej gurëve, janë shfrytëzuar edhe për ndërtimin e kullave, apo mureve të oborreve nga banorët e kësaj lagjeje, por edhe të lagjeve të tjera. Disa metra mbi vendin ku ka qenë "Kapella" e varrezave ende ndodhet një gurë i latuar në formë të kryqit të periudhës bizantine, me dimensione të mëdha. Ky gurë varri, duhet të ketë qenë i ndonjë personalitet të njohur, nëse marrin për bazë dimensionet e veçanta, peshën e rëndë dhe masivin guror, i cili i ka përballuar kohës. Ky kryq haset në varrezat e hershme bizantine, mbase edhe ortodokse sllave.

    Jo larg Kapellës, te Lumi ku ndodhet pusi "bunari", i cili mendohet se ishte pronë e dikurshme e kryetrimit të Mesjetës, Milush Kopiliqi, ku janë gjetur edhe enë të lashta të qeramikës. Vizitori i vëmendshëm heton një murosje mjeshtërore të gurëve të latuar, të cilët vërehen të shkapërderdhur edhe nëpër kufij arash apo nëpër rrugë të fshatit.

    Veterani i arsimit, Aziz Mexhid Abazi, i lindur në Kopiliq të Epërm, në vitin 1942, thotë se gjatë kohës sa ishte në shërbimin ushtarak, në Shkup, një oficer i rangut të lartë, me përkatësi serbe e kishte pyetur atë se ishte nga Obiliqi, apo nga Kopiliqi, duke i dhënë të kuptonte se Kopiliqi ishte vendi i lindjes së Milushit, e jo Obiliqi i ndërtuar në kohën e Mbretërisë SKS, në trojet e lokalitetit Gllabader, afër Prishtinës, ku legjendat serbe kanë sajuar sa e sa emra fshatrash, të cilat sipas studiuesve sllavë lidhen me Luftën e Kosovës, të vitit 1389 dhe Luftën e Dytë të Kosovës, të vitit 1448.

    Prania e derisotme elementeve materiale, zbulimi kohë pas kohe i gurëve të dimensioneve të ndryshme nëpër ara e livadhe, gjetja e më së paku të tre eksponateve prej guri të lashtësisë ilire-romake, (të cilët ndodhen në oborrin para Shtëpisë së Kulturës në Skënderaj), tërheqja fshehtas e disa gurëve me mbishkrime nga regjimi okupator serb, në vitet '70 të shekullit të kaluar, legjenda e cila thotë se Kopiliqi kishte aq shumë shtëpi gur,i të stisura njëra me tjetrën, aq sa, macja kalonte nga pullazi në pullaz në disa kilometra largësi, shtrirja e pronave të fshatit prej Kllodernice deri në Rezallë, lënë për të kuptuar se ky vendbanim historik i shqiptarëve të Dardanisë së dikurshme, në të kaluarën ka qenë një qendër e njohur, e shkatërruar dhe e djegur nga rashjanët e nga turqit, ndoshta edhe e goditur rëndë nga tërmetet.

    I një rëndësie të veçantë është një gurë mozaik, me dimensione 40.50 cm, të cilin ka e gjetur në vendin e quajtur "Mullini i Malës", në Kopilq të Ulët, koleksionisti më i pasionuar u gurëve, në Drenicë, Ferat Dërguti nga Rezalla. Ai ka ngritur një konglomerat muzeor etnografik, në oborrin e shtëpisë së tij dhe padyshim se është i vetmi i këtij lloji në Kosovë. (Vijon)


    http://imageshack.us/photo/my-images/59/filesd.jpg/

    http://img834.imageshack.us/img834/7841/filesht.jpg

    (Lagja Marini, e fshatit Kopiliq i Epërm, fotografuar nga Varrezat e lagjes Kuçani)

    http://img204.imageshack.us/img204/4344/fileshz.jpg

    (Lagja Kuçani, fotografuar nga varrezat e kësaj lagjeje në fshatin Kopiliq i Epërm)

    3.(Lagja Hatalaku, në hyrje të fshatit Kopiliq i Epërm, fotografuar nga vendi te Varrezat e lagjes Kuçani)

    (Një mozaik në gur, me dimensione 40.50 cm, të cilin ka e gjetur në vendin e quajtur "Mullini i Malës", në Kopiliq të Ulët, koleksionisti i gurëve nga Rezalla, Ferat Dërguti.)
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •