GJuliana Pervizi (Malaj):

Unë “Beba”, që u futa në kamp 4 muajshe e dola 42 vjeçe


Une Gruaja e Dielë, Shtator 18th, 2011

Gjuliana Malaj duke pozuar për suplementin “Unë Gruaja”

Foshnja katërmuajshe, që i mbijetoi jetës së vështirë në kampin e internimit të Tepelenës. Si u shpëtoi kthetrave të vdekjes pas natës së kobshme, kur humbën jetën plot 30 fëmijë, bashkëmoshatarë të saj. “Beba”, vajza e një malazezeje dhe një të arratisuri, gruaja e Lek Previzit, tregon 42 vitet në internim nga Tepelena në Plug të Lushnjës

Ngjan se fati i jetës së saj ka qenë i paracaktuar përpara se ajo të lindte! Gjuliana Malaj e pa “ferrin” me sy, kur ishte ende një bebe katërmuajshe. Foshnja e pafajshme, që duhet të paguante bashkë më nënën e saj malaziase, haraçin e arratisjes së të atit Nikolla Malaj. Gjithkund ajo njihet si “Beba”. Bashkëvuajtësit e saj në kampin e Tepelenës e “pagëzuan” me këtë emër. Prej ditës së parë, kur këmba e saj shkeli në atë vend, e deri në moshën 42- vjeçare kur mbylli kapitullin e internimit, tanimë si bashkëshorte dhe nënë e tri djemve, Gjuliana ka shumëçka për të treguar. Ajo nuk e njohu kurrë të atin, i cili vdiq nga torturat në qelitë e burgjeve të ish-Republikës Jugosllave. Nuk e takoi më kurrë motrën e vetme Marian, me të cilën ishte ndarë ditën kur njerëzit e Sigurimit i arrestuan të ëmën në shtëpi. Përplasjet fatkeqe nga njëri kamp në tjetrin, jetesa e vështirë si punëtore krahu dhe martesa në moshën 17-vjeçare me djalin e gjeneralit të arratisur, Prenk Pervizi. Asgjë mandej nuk do të ishte më e lehtë për “Bebën”. Sot, në moshën 65-vjeçare, e rikthyer në Tiranë për pak kohë nga Belgjika, shtet në të cilin jeton bashkë me të shoqin dhe djemtë prej vitit 1990, ajo nuk ngurron të flasë për atë kapitull të vështirë të së kaluarës, për vitet e internimit, të cilat i etiketon si vite kur vdiq fëmijëria dhe rinia e saj.
Zonja Gjuliana, ju ishit foshnjë kur u gjendët në kampin famëkeq të Tepelenës, bashkë me nënën tuaj. Si nisi tragjedia?


Gjuliana në moshën gjashtë vjeçe, me të ëmën, Zorka, dhe disa bashkëvuajtëse, në kampin e Tepelenës
Fëmijëria dhe rinia ime lindi e vdiq në ato kampe persekutimi. Sot që më duhet të kthehem pas në kohë, ndiej sërish dhimbje në shpirt për gjithë kalvarin e vuajtjeve që kam hequr në kurriz. Kur isha ende foshnjë, ruaj ato kujtime që më kanë lënduar, ndërsa me moshën nisa të ndërgjegjësohem për gjithçka më rrethonte dhe jetën që bëja. Unë isha e bija e Nikoll Malajt. Im atë u arratis në vitin 1948 nga Shqipëria, në periudhën kur vendi ynë prishi marrëdhëniet me Republikën e Jugosllavisë. Ai kishte përfunduar gjimnazin e Shkodrës dhe në veprimtarinë e tij me disa shokë intelektualë u shënjestrua si eksponent i rrezikshëm për regjimin komunist. Pasi i pushkatojnë disa miq të vetët intelektualë, e sinjalizojnë që është radha e tij për ta vrarë. Kështu, për të shpëtuar, bën tentativën e tij të arratisjes, dhe ia del mbanë. Jetesa në Vermosh ishte tepër e vështirë. Mamaja ime, një grua e bukur me kombësi malaziase, Zorka Ostoiq, bashkë me mua bebe njëmuajshe dhe motrën tri vjeçe Marian, mbetëm vetëm. Me arratisjen e babait, jeta jonë mori rrokopujën. Nuk zgjati shumë dhe një ditë më pas vijnë në shtëpi e na marrin me një makinë, për të na dërguar në kampet e internimit familjarisht. Ime më nuk dinte mirë shqip dhe përpiqej t’u shpjegonte njerëzve të veshur me uniformë ushtarake dhe atyre të Sigurimit që kjo ishte çnjerëzore, sepse me një bebe në krah dhe një vajzë të vogël tri vjeçe nuk mund të degdisej male larg, pa asnjeri pranë. Por, këto ishin kusuret e sistemit të mbrapshtë që i pagova për vite të tëra. Hyra në kampet e persekutimit katërmuajshe dhe dola prej andej 42 vjeçe, e martuar dhe me tri fëmijë. Nuk gjej fjalë për të shprehur vuajtjet e mia…(qan).
Megjithatë motra juaj Maria, nuk erdhi me ju… Si i shpëtoi kampit?


“Beba” gjatë periudhës së internimit
Maria ishte tri vjeçe. Siç edhe më ka shpjeguar ime më vite më vonë, ditën që na kanë hipur në makinë për të na dërguar në kamp, një mik i babait tim i ka thënë mamasë që vajzën e madhe do të ishte mirë që ta shpëtonte, e t’ia besonte ndonjë të afërmi, sepse atje ku do të shkonim, do të vdisnim urie. Mua sigurisht që nuk mund të më linte, sepse ushqehesha me qumësht gjiri. Mamaja ia besoi motrën hallës, motrës së babait. Unë u ndava për së gjalli me Marian. Ajo shkoi të jetonte në një han në malet e Vermoshit, ku jetonte halla dhe, me aq sa më kanë thënë më vonë, në moshën nëntëvjeçare hallës i kishte humbur shikimi dhe ime motër u kujdes për të deri ditën që ajo mbylli sytë. Nuk e njoha kurrë time motër.
Paskëtaj, u nisët për në kampin e Tepelenës?
Jo. Pasi na morën nga shtëpia, për dy javë na çuan në një stallë lopësh afër me qytetin, ku jetonim. Ishim shumë familje dhe njerëz të mbledhur në një vend. Imagjinoni kushtet në të cilat qëndronim. Në një stallë lopësh, tërësisht të izoluar me botën, sepse dera e jashtme nuk hapej kurrë, ishte e mbyllur me dry dhe të gjitha nevojat personale kryheshin aty, ndërsa për të ngrënë hidhnin bukë të mykur nga dritarja. Për shkak të papastërtive, ai vend u kthye në burim infeksioni. Pas dy javësh qëndrimi atje, na çojnë në një tjetër vend të izoluar në Berat. Ishte në formën e një kampi të persekutuarish, ku qëndronim të gjithë bashkë, sërish për ditë të tëra. Destinacioni i radhës ishte kampi i Tepelenës. Kam qenë vetëm katërmuajshe, kur u gjenda me mamanë në këtë vend. Ishte viti 1948, dhe kam dalë prej andej në 1954-n, kur isha gjashtë vjeçe.
Ç’kujtoni?


“Beba” duke punuar në fushat e Plugut të Lushnjës
Di që jeta në atë kamp ishte tepër e vështirë. Por, një fëmijë nuk e di se çfarë është vuajtja në momentin që është me nënën pranë. Nëna më thoshte gjithmonë që ka qëndruar për ditë të tëra pa bukë, pa u larë. Shpeshherë unë bebe rrija zhveshur, sepse leckat e trupit me të cilat më mbështillte mamaja, ishin të vetmet dhe tepër të pista. Ditën që na morën nga shtëpia, sigurisht që nuk bëhej fjalë të na linin të merrnim rroba me vete. Por, një nga episodet e tmerrshme që mbaj mend ishte dita kur brenda një nate në atë kamp famëkeq kanë vdekur plot 30 fëmijë, sepse ra sëmundja e tifos dhe dizenterisë, për shkak të kushteve të tmerrshme, në të cilat jetonim dhe mungesës së ilaçeve. Atë natë, mamaja më tregon se nuk pushonin kujat dhe të qarat e nënave për humbjen e fëmijëve të tyre. Ishte më shumë se e tmerrshme.
Ju qëlluat me fat…
Besoj se një nga shkaqet parësore që unë kam shpëtuar, ishte qumështi i gjirit, me të cilin nëna ime më ka ushqyer deri në moshën pesëvjeçare. Unë nuk mund të haja asgjë tjetër, sepse në kazanët e atyre kazermave zihej bullguri i mykur, fasule të prishura e shumë gatime të tjera të pangrënshme. Përpos qumështit të gjirit, siç edhe ime më më ka treguar, një motiv tjetër i fortë i mbijetesës sime ishte edhe fakti se mamaja ime nuk i lante asnjëherë rrobat e mia apo mua në pellgun ku laheshin të gjithë fëmijët e tjerë. Përmes ujit transmetoheshin të gjitha infeksionet e rrezikshme nga njëri fëmijë tek tjetri, çka për shumë prej tyre u bë shkak edhe në humbjen e jetës. Mund të ketë qenë edhe zgjuarsi e nënës sime, fakti që ajo duke shmangur larjen e rrobave aty ku laheshin edhe gjithë fëmijët e tjerë të sëmurë e të infektuar, më shpëtoi jetën mua.
Po çfarë zgjidhje kishte tjetër?
Jo, sepse ishte më e zonja se gjithë nënat e tjera që ndodheshin në atë kamp, por di që ajo merrte një bidon bosh dhe shkonte në çezmën e kampit dhe u kërkonte policëve që ta linin të mbushte bidonin me ujë. Ndërkohë që ajo bënte këtë veprim, me dorën tjetër nxirrte pelenat e mia të palara nga sqetulla ku i fshihte, i fërkonte dhe i shpëlante me ujë të bollshëm dhe po ashtu të lagura i fshihte sërish nën sqetulla. Në të shumtën e rasteve, policët nuk e vinin re këtë veprim të nënës sime, dhe me atë ujë të bidonit më pas ajo më lante mua.
Në rrethin e të persekutuarve dhe të internuarve shqiptarë, ju nuk njiheni si Gjualiana Pervizi (Malaj), por si “Beba” e mbijetuar e kampit të Tepelenës. Pse ju ka mbetur ky emër?


Lek Pervizi disa ditë para arrestimit në Tiranë
Sepse unë isha e vetmja foshnjë e mbijetuar e atij kampi. Isha i vetmi fëmijë që kisha ardhur aq e vogël në atë kamp persekutimi, bebe katërmuajshe. Pas ditës kur vdiqën brenda një nate 30 fëmijë, për shkak të tifos dhe dizenterisë, ndërruan jetë edhe shumë fëmijë të tjerë, por me moshë më të madhe se unë. Për shkak edhe të faktit se nëna ime nuk e fliste mirë shqipen, dhe çdo mëngjes dilte me mua në krah dhe lëvizte nëpër kamp, të gjithë njerëzit aty shprehnin habinë se falë zotit edhe një bebe kishte mbetur gjallë. Beba njëri dhe beba tjetri… pakkush e dinte emrin tim të vërtetë, deri në moshën gjashtë vjeçe, kur na morën nga Tepelena dhe na dërguan me nënën në Lushnjë. Prej asaj dite, të gjithë bashkëvuajtësit e mi më njohin si “Beba”, jo me emrin e vërtetë Gjuliana.
E pavarësisht emrit, besoj se fëmijëria juaj nuk kishte asgjë të tillë…
Unë nuk besoj se quhet fëmijëri, ajo që kam kaluar deri në moshën gjashtëvjeçare në kampin e Tepelenës. Kur u bëra një vjeç e pak, nëna më linte vetëm, sepse duhet të shkonte të punonte çdo ditë. Ngarkohej me dru në kurriz dhe kalonte çdo ditë lumin e tmerrshëm të Bënçës, në të cilin kanë vdekur shumë nëna të reja dhe gra të moshës së Zorkës, mëmës sime. Ashtu të ngarkuara me dru dhe të pa ngrëna, nëna ime për të shuar urinë, nën brezin që mbante të veshur çdo ditë, fuste një pllakë guri që e ndihmonte për të shtypur stomakun, e që të mos ndiente kësisoj urinë. Nuk mbaj mend të kem pasur fëmijëri, por nuk mund të harroj ata topat prej balte apo pllakat që bënim me bashkëmoshatarët e bashkëvuajtësit e tjerë në kamp, për të luajtur së bashku derisa nënat të ktheheshin nga puna.
Po më pas, pse ju çuan në Lushnjë?
Përpara se të na hiqnin nga Tepelena, aty në kamp një ditë e lajmërojnë time më që babai kishte vdekur nga torturat në burgjet e Jugosllavisë, sepse agjentë të Titos dhe të atij sistemi e kishin cilësuar si agjent të politikës së Enver Hoxhës. Duke qenë se babai, të cilin nuk e njoha kurrë, kishte ndërruar jetë dhe për sistemin komunist nuk përbënte më rrezikshmëri, na dërguan në kampe të tjera më pak të tmerrshme dhe më normale (sipas vlerësimit të kohës), siç ishin ai i Savrës dhe i Plugut. Isha gjashtë vjeçe, kur ikëm me nënën nga kampi i Tepelenës për në Lushnjë.
Ç’ju priti aty… Si vijoi jeta juaj?


Lek Pervizi gjatë punës në zdrukthtari, në një ndërmarrje në Plug të Lushnjës
Aty rifilloi gjithçka nga e para, thuajse në të njëjtat kushte. Na vendosën në një kasolle me kushte tejet të vështira për të jetuar, dhe aty ngrysnim ditët e netët tona. Mamaja nisi të punonte nëpër ara e nëpër fushat e Lushnjës, punë të detyruar, ndërsa unë në moshën 13-vjeçare fillova për herë të parë punën në një kombinat pularie. Pas pularisë, më dërguan për të punuar bashkë me nënën, ku duhej të prashisja e të vadisja tokat e arat. Përfundova arsimin tetëvjeçar, ndërsa të mesmen nuk më la njeri ta vazhdoja. Ndërkaq, nëna, pasi mori vesh vdekjen e Nikollës, babait, vendosi të rimartohej. Aty në Lushnjë ishte dhe një djalë tjetër me emrin Mirko, me kombësi jugosllave, i cili ishte internuar për shkak se politika e kishte cilësuar si agjent. Nëna ime u martua me të, por nuk kaluan shumë vite dhe ndërroi jetë. E goditi rrufeja brenda në shtëpi. Edhe kjo humbje ishte tragjedi për nënën time, së cilës nuk iu ndanë kurrë problemet e jetës.
Po aty ju do të njiheshit me bashkëshortin tuaj, një tjetër i persekutuar…
Jeta ime në kamp u bë edhe më e vështirë, në momentin që vendosa të martohesha me Lekën. Unë isha rreth 17 vjeçe në atë kohë, kisha hedhur shtat dhe shpeshherë tërhiqja vëmendjen e shumë meshkujve atje. Por, Leka më kishte tërhequr me pamjen dhe fizikun e tij. Një djalë i pashëm, i gjatë… Edhe pse 18 vjet më i madh se unë në moshë, vendosa të lidhja jetën me të. Nënën time e liruan nga kampi për të shkuar drejt e në Mal të Zi, e kur më pyetën mua se çfarë do të bëja, u thashë se e kisha zgjedhur fatin e jetës sime, do të qëndroja me Lek Previzin. Kalvari i vuajtjeve të tim shoqi ishte edhe më i tmerrshëm. Vjehrri im, gjenerali Prenk Pervizi, ishte arratisur nga vendi për shkak se e cilësonin si eksponent që punonte kundër regjimit komunist dhe u cilësua si dezertor i atdheut. Me arratisjen e tij, atyre iu dogjën shtëpitë dhe i internuan familjarisht. Në Plug të Lushnjës, unë u martova me Lekën dhe nga martesa jonë lindën tre djem, Leonardo, Doriani dhe Aureli.
A është e vërtetë se miqësia e vjehrrit tënd me ish-majorin Spiro Moisiu e shpëtoi tët shoq, Lekën, nga ekzekutimi?
Vjehrri im, Prenk Pervizi, përpara se të arratisej jashtë shtetit, ka qëndruar për disa kohë i fshehur familjarisht nëpër malet e Kurbinit. Siç më ka rrëfyer edhe Leka, kushtet e jetesës në mal ishin tepër të vështira, gjithmonë në rrezik asgjësimi dhe ata shpëtuan edhe falë besnikërisë vetëmohuese të njerëzve e miqve të krahinës së Kurbinit. Në prillin e vitit 1945, vjehrri im i drejton një letër fshehurazi ish-major Spiro Moisut, që ishte bërë gjeneral i regjimit komunist, me të cilin kishte miqësi të vjetër dhe e kishte pasur nën komandën e tij. Ai i kërkonte që të garantohej për dorëzimin e familjes Pervizi dhe të mos rrezikoheshin fizikisht. Gjë që Moisiu e kish pranuar, duke i ndihmuar e duke rrezikuar veten e tij. Sepse, po të diktohej se ai kishte pasur kontakte me një të arratisur të tillë, si Prenk Pervizi, armik i betuar i regjimit, pasojat do të ishin të rënda. Kështu, besa e Moisiut vlejti për të shpëtuar jetët e familjes Pervizi, dhe jo vetëm kaq. Ai i ndihmoi që të zhvendoseshin për në Tiranë, ku Leka, im shoq, ndoqi studimet në Liceun Artistik, kohë kur edhe e arrestuan për të kaluar 47 vite në internim, nga Porto Palermo, e në fund, në Plug të Lushnjës, ku edhe u njohëm bashkë.
E ndiet më shumë peshën e dënimit pas martesës me Lekën?
Leka ishte dënuar më shumë, për shkak të pozicionit të të atit, gjeneral. Arratisja e tij i kushtoi rëndë të gjithë familjes. Aty në Plug, Leka duhej të paraqitej tri herë në ditë në Apel, përpara ushtarakëve. Çdo ditë ai punonte pa u lodhur në një zdrukthëtari, bashkë me shokë të tjerë bashkëvuajtës. Unë punoja nëpër fusha dhe ara. Shumë herë fëmijët tanë nuk kishin me çfarë të ushqeheshin, çfarë të vishnin. Vetëm sepse në një letër që i kisha shkruar sime mëje, isha shprehur se fëmijët tanë rriten me ujin e pellgut, ku gëlojnë zhabat e gjarpërinjtë e kënetave të Lushnjës, më demaskuan përpara gjithë fshatit në një mbledhje që e kërkoi brigadieri i zonës. Në atë mbledhje nuk pranova asgjë, ndërsa mua më cilësuan si armike të brendshme të regjimit komunist. Persekutimi ndihej në çdo hap që hidhja…
Kaluat 42 vjet në kamp, ç’ju dhemb më shumë?
Fëmijëria dhe rinia ime vdiqën nëpër kampet e internimit ku këmba ime shkel, dhe fakti që i rezistova, do të thotë se dëshira dhe forca për të jetuar jetën ishte më e madhe se unë vetë. Në fillim të viteve 90’, kur perdja e hekurt e regjimit kishte rënë disi, familjarisht u zhvendosëm në Belgjikë, ku ende edhe sot jetojmë bashkë me Lekën dhe fëmijët. Im shoq zhvillon aktivitetin e tij letrar-artistik, si drejtor i revistës kulturore që botohet në Belgjikë, revista “Kuq e zi”. Përpos jetës atje, vijmë herë pas herë në vendin tonë Shqipëri, sepse na merr malli për miqtë e të afërmit tanë. Sot falënderoj Zotin që jam ende gjallë, që kam mundur t’i bëj ballë atij “tërmeti” të regjimit komunist.

ERMIRA ISUFAJ

-


http://www.panorama.com.al/une-gruaj...-dola-42-vjece