Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-09-2011
    Postime
    105

    Shqiptarët: zgjedhës të përhershëm të së keqes më të vogël, por kurrë luftëtarë të së

    Ka të ngjarë që ne shqiptarët të jemi populli që e preferojmë më shumë se kushdo tjetër fjalën e urtë: Prej dy të këqijave, duhet zgjedhur më e vogla. Edhe popujt e tjerë orientohen nga kjo fjalë e urtë në rrethana të veçanta, por në përgjithësi atyre nuk u mungon largpamësia dhe guximi që t'i luftojnë të këqijat dhe të përqafojnë të mirat. Ky është tipari dallues i një shoqërie progresive, e cila nuk pret kurrë t'i bien të mirat nga qielli. Ndërsa ne, po: dimë vetëm të presim të na ndihmojnë koniukturat, por jo të bëhemi arkitektët e së ardhmes sonë, si gjithë bota e qytetëruar, ose si afrikanët sot. Të presësh si popull që jetën tënde të ta rregullojnë të tjerët, do të thotë që ta lësh atë peng në duart të tjerëve. A mund të vlerësohet veprim normal ky? Kush qenka Ai që iu dhimbka jeta jonë më shumë se sa neve vetë? Në qoftë se ne shqiptarëve na pëlqen ta trajtojmë jetën tonë si një bingo, pse të mos luajnë të tjerët me të? Dhe ata kanë luajtur e po luajnë me ne ashtu siç nuk kanë luajtur as me ndonjë popull tjetër edhe në Afrikë e jo në Evropë... Mirëpo ne, për të justifikuar ekzistencën tonë gjallë e keq, i referohemi gjithmonë regresit e jo progresit: zgjedhjes midis dy të këqijave, por kurrë luftën për të mirën. Në këto rrethana, dy klanet mafioze blu e rozë, që na sundojnë, dinë t'i rrumbullakosin mirë llogaritë: në marrëveshje të përhershme me njëri-tjetrin, ata janë bërë dy të këqija të barabarta. Në këtë mënyrë ata ia kanë arritur me sukses të suprimojnë edhe shpresën e fundit të një populli që di të lëngojë e të vuaj, por jo të luftojë për shpëtim: të drejtën e të zgjedhurit të së keqes më të vogël, mbasi ajo nuk ekziston më. Ka mbi njëzetë vjet që ne shqiptarët i kemi provuar e riprovuar me radhë të dy klanet mafioze blu e rozë në pushtet dhe të dy palët na kanë vjedhur, na kanë vrarë, na kanë tradhtuar për interesat e tyre karrieriste, por nuk e kanë marrë mundimin asnjëherë të na qeverisin si duhet. Madje kur njëra palë ka radhën të jetë në pushtet, pala tjetër pseudo-opozitare hesht për abuzimet e pushtetit (mbasi ka edhe përqindjen e saj aty) dhe vetëm çirret e ngjirret për gjëra boshe, që t'iu mbushë mendjen naivëve se po bën "luftë opozitare." Cili prej të dy klaneve mafioze blu e rozë qeverisi ndonjëherë me përgjegjshmëri? Cili prej tyre kërkoi që të dilnin para drejtësisë shkaktarët e katastrofës kombëtare të vitit 1997-'98? Cili prej të dy klaneve mafiozë këmbënguli që të gjykoheshin e të dënoheshin fajtorët e tragjedisë së Gërdecit? Cili prej tyre kërkoi me vendosmëri daljen urgjente para gjyqit të urdhërdhënësit për vrasjet në mes të ditës të 21 janarit? Cili prej këtyre dy klaneve antishqiptare po e ngre zërin kundër censusit si akt i hapur antikombëtar?
    Pyetje të tilla mund të vazhdojnë gjatë, por përgjigjja mbetet e njëjtë: të dy klanet mafiozë që sundojnë Shqipërinë i kemi provuar prej mëse dy dekadash që janë njësoj të rrezikshëm dhe ne po përfundojmë keq e më keq. Atëhere, a na ka mbetur më hapësirë për të mos hequr dorë nga koncepti ynë disfatist i të zgjedhurit të së keqes më të vogël? A ka vend për të zgjedhur midis një gjarpri kober dhe një gjarpri me zile?
    Shqiptarë! Është jeta jonë kjo që po rrjedh kaq mjerueshëm, e nëpërkëmbur nga mafia politike; nuk jemi duke xhiruar ndonjë film, të cilin mund ta rifillojmë nga e para.


    publikuar nga K. Telegrafi
    Lumturia nuk eshte te besh c'do gje qe do, por te duash c'do gje qe ben!!

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-09-2011
    Postime
    105
    Shqiptarët dhe politikanët e tyre.
    pubblicata da K. Telegrafi il giorno venerdì 16 settembre 2011 alle ore 9.30

    Në Shqipëri ekziston koncepti se politikën mund ta bëjë kushdo. Edhe duke qenë një kardiolog servil i oborrit diktatorial, si Berisha, pa asnjë lloj përgatitjeje politike, në Shqipëri duartrokitesh e brohoritesh si "shpëtimtar i kombit" vetëm pse more stafetën e pushtetit si i besuar i diktaturës gjakatare. Bile mund të qëndrosh në krye të politikës njëzetë vjet e më tepër, edhe mbasi të kesh vrarë shtetasit e tu, të kesh vjedhur e të vjedhësh sa të lodhesh. Mund të kesh qenë një nxënës i zellshëm i Nexhmije Hoxhës në Institutin e studimeve marksiste-leniniste për botimin e "veprave" të diktatorit, si F. Nano, dhe po me autorizim të Nexhmijes e të Ramizit të bëhesh "reformator" i PPSH, duke i ndryshuar asaj....vetëm emrin në PS. Pastaj, për "merita të veçanta", Nano pushon në Vjenë dhe ish-partia e tij është entuziaste për rehatllëkun e tij. Mund të kesh qenë një sorrugat-intelektual "i pavarur", i paparti, një piktor pa piktura udhëve të Francës, si Edi Rama, dhe papritur e pakujtuar të bëhesh kryetar autoritar i ish-PPSH. Mund të kesh qenë ministër i brendshëm i Ramiz Alisë në kohën e vrasjejve të shumta në kufi (kundër ligjit të atëhershëm) si Gramoz Ruçi dhe të mbetesh titullar partie, pushtetar e deputet i përhershëm, në vend që të përgjigjesh për krimet. Me politikanë të tillë kaq mëkatarë, me prirje të theksuara diktatoriale, mendjemykur e komunistë në bindje e në veprime, ne shqiptarët presim që të ndërtojmë demokracinë (!) dhe habitemi kur ata na grabisin, na vrasin, na tradhtojnë duke ua falur detin "miqve grekë" dhe duan të na çkombëtarizojnë me regjistrime popullsie antikushtetuese.
    Po bota demokratike, si i zgjedh politikanët e saj ?
    Ata e shkojnë në sitë të kaluarën e politikanëve të tyre, para se t'iu besojnë votën, qeverisjen. Për këtë qëllim atje ekzistojnë institucione të posaçme. Në çdo kohë që qeveritarëve të tyre t'iu dalë ndonjë kleçkë, ata humbasin postin dhe karrierën e tyre për të ardhmen. Jo shumë kohë më parë, ish-ministri gjerman i mbrojtjes, një personalitet shumë i pëlqyer politik, u detyrua të jepte dorëheqjen i akuzuar për plagjiaturë në mbrojtjen e doktoraturës. Zhak Shirak, president i Republikës Franceze për 12 vjet me radhë, është i paditur sot, në moshën 78 vjeçare, për abuzime në detyrë kur ishte kryetar bashkie i Parisit, para se të bëhej president.
    Kur Azem Hajdari shkoi për vizitë në Athinë më 1992, në krye të një delegacioni me cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar për Rendin dhe SHIK-un, atje u prit edhe prej kryeministrit grek të asaj kohe, Micotaqis, i cili ishte i kënaqur ngaqë qeveria "demokratike" e Tiranës kishte legalizuar qëndrimin e përhershëm të Anastas Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Sipas shtypit grek të atyre ditëve, në bisedë e sipër Kryeministri e pyeti Hajdarin:
    - Sa kohë keni që merreni me politikë, që paskeni arritur në këtë post të lartë, kaq i ri në moshë?
    - Dy vjet, iu përgjigj Hajdari (ndonëse nuk i kishte plotësuar as dy).
    - Ndërsa unë kam 35 vjet që merrem me politikë dhe është hera e parë që e shikoj veten në një post të lartë, ia ktheu Micotaqis.
    Me të tillë ronxhobonxho (siç i quajnë gjirokastritët njerëzit që i ngjisin shkallët e pushtetit për arsye koniukturale, pa asnjë meritë), të kalibrit Sali, Fatos, Jozefina, Gramoz, Ilir, Luli, Edi & Co vetëm se mund të bëhesh objekt gazi i botës dhe të humbasësh integritetin territorial shtetëror dhe dinjitetin kombëtare, në këmbim të karrierës së tyre të shëmtuar. I tillë është realiteti që po jetojmë: ç'të mbjellësh, do të korrësh. Në qoftë se ne si popull nuk jemi në gjendje të luftojmë si të tjerët për të drejtat tona, të paktën pse nuk mbyllemi në shtëpi ditën e votimeve, që ta kuptojnë edhe vëzhguesit e huaj, se jemi "ngopur" me mafiozët politikë që po na vjedhin e po na vrasin?

    Është për të ardhur keq që edhe qeveritarët e Kosovës janë një kopje e atyre të Tiranës. Korrupsioni i pushtetarëve, pasiguria e jetës dhe varfëria lulëzojnë edhe atje. Nëse Saliu me klanin e tij mafioz dhe psudo-opozitarët po i dhurojnë pjesë të territorit të jugut "miqve grekë" dhe po përgatisin censusin, Hashimi me të tijtë bën të njëjtën gjë me veriun e Kosovës në bisedime sekrete me serbët, duke anashkaluar Kuvendin e Kosovës. E vetmja forcë politike aktive proshqiptare në të dy anët e kufirit është lëvizja "VETËVENDOSJE!", në gjirin e së cilës militojnë të rinj aktivë e guximtarë, të drejtuar nga një person me prirje të lindura politike si Z. Albin Kurti. Ata jo vetëm që shprehen me kurajë për rrugën e vërtetë të zgjidhjes së problemeve jetike të Kosovës dhe kombit shqiptar, por janë shumë të vendosur edhe për veprime të guximshme në terren. Dashakeqët dhe injorantët e politikës e akuzojnë Z. Kurti për ekstremizëm, si lider politik që di të thotë vetëm "jo." Por këta harrojnë se ai ndodhet përballë një Hashim Thaçi që fare mirë mund të etiketohet "Sali Barisha nr 2 i politikë antikombëtare shqiptare." Të gjitha veprimet e Hashimit shkojnë kundër interesave të Kosovës dhe pro interesave të Serbisë. Si mund t'i thotë "po" Z. Kurti një politike që favorizon Beogradin dhe rrezikon Kosovën? Kur Hashimi dërgoi policinë më 25 korrik për të marrë nën kontroll pikat doganore 1 dhe 31, Z. Kurti dhe "VETËVENDOSJE!" jo vetëm që e mbështetën atë pa asnjë rezervë, por i kërkuan të bënte thirrje për mobilizim të përgjithshëm dhe të mos të tërhiqej më mbrapsht. Por Hashimi i djallëzuar e përdori thjesht si manovër propagandistike atë veprim, jo si aksion ushtarako-politik për konsolidimin e shtetit të brishtë të Kosovës dhe afirmimin e pavarësisë së tij. Ai vazhdoi përsëri dialogun pa kushte me Beogradin, veprim që është kundër interesave të Kosovës, ndërkohë që serbët vranë e plagosën policë e vazhdojnë të ngrejnë barrikada në rrugë. Tankset dhe topat e Millosheviçit nuk e morën dot Kosovën, por atë po ua bën dhuratë në tabaka serbëve një kameriere bjonde me emrin Edita Tahiri në bisedimet kapitulluese të Brukselit. Sikur të kishte edhe në Tiranë një politikan aktiv, të qartë e të vendosur për mbrojtjen e interesave kombëtare si Z. Albin Kurti dhe një forcë politike si lëvizja "VETËVENDOSJE!", do të ishte një fat i madh për Shqipërinë dhe për Kosovën.

    p.s persa i perket shqiperise, jam dokord, gjendjen e Kosoves nuk e njoh kaq mire, ju si mendoni??
    Lumturia nuk eshte te besh c'do gje qe do, por te duash c'do gje qe ben!!

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-09-2011
    Postime
    105
    Shqiptarët: lepuj përballë qeverive, ujq ndaj njëri-tjetrit.
    pubblicata da K. Telegrafi il giorno mercoledì 14 settembre 2011 alle ore 9.30

    Thonë se Harry Fultz - ish-drejtori i Shkollës Teknike amerikane në Tiranë deri në vitet dyzetë - ishte shqetësuar shumë një ditë kur mori vesh se konviktorët e kishin ngrënë drekën pa mish. Dhe menjëherë kishte pyetur: "Si reaguan nxënësit për këtë mungesë?" Ishte habitur së tepërmi kur kishte mësuar se atyre nuk iu kishte bërë fare përshtypje kjo dhe kishte urdhëruar: "Mos u jepni mish as nesër, as pasnesër!" Meqenëse konviktorët nuk kishin reaguar fare as dy ditët e ardhshme për mungesën e mishit, drejtori i kishte mbledhur dhe u kishte thënë:
    "Si lum qeveritarët e këtij vendi për mentalitetin tuaj dhe mjerë ju për të!"
    Ky parashikim profetik i intelektualit të shquar amerikan u mishërua plotësisht në jetën shqiptare jo vetëm gjatë dekadave të diktaturës, kur shqiptarët "ishin gati të hanin bar për hir të ndërtimit të socializmit", por edhe në të menderosurën "demokraci", sot e gjithë ditën. Madjé mafiozi Viçidol tallet me shqiptarët më hapur se Enver Hoxha, i cili e mbante pushtetin me dhunë ekstreme, me burgje, internime e pushkatime. Jo, Viçidoli vjedh pasuritë kombëtare, përvetëson pronat, bën matrapazllëqe me detin e tokën shqiptare, dhe u thotë mafiozëve të tij: "Mos fusni njeri në burg, se langaraqë janë e jo burra, që t'iu trembemi. Vetëm se do na shajnë nëpër kafene, apo në ndonjë nga gazetat e bashkëpunëtorëve tanë "opozitarë". Kjo na bën t'i shijojmë edhe më me qejf kapitalet tona."
    Për hir të së vërtetës duhet pranuar se edhe Viçidoli me "klanin opozitar" vrasin, por ata dinë edhe t'i ngushëllojnë pastaj familjet e të vrarëve. Në të vërtet, shqiptarët nuk ushqejnë urrejtje për qeveritarët; atë e manifestojnë vetëm kundër njëri-tjetrit. Janë me mijëra të ngujuar për shkak gjakmarrjeje, shpesh të trashëguar nga koha e kaluar. Kronikat e zeza të krimit brenda familjes lulëzojnë. Vrasjet për "cubllëk", se iu fërkua vetura, apo se i zuri dikush vendin ku donte ta parkonte, janë në modë. Nuk bëhet inventari i vrasjeve të këtyre dy dekadave për çështje pronësie, mbasi shqiptarët pranojnë buzagazë t'i vjedhë me hektarë e me kilometra katrorë qeveria, por kurrsesi t'iu mohojë ndonjë metër katror vëllai, kushëriri, apo komshiu. Ja, p.sh. keni dëgjuar që ndonjë shqiptar, i hidhëruar nga vrasja e të afërmit të tij më 1997, në Gërdec, apo më 21 janar, të ketë humbur gjakftohtësinë dhe... (qoftë larg kjo që po zë ngoje!) të ketë shtirë mbi ndonjë qeveritar, ose kuadër të pushtetit lokal? Ju mund të thoni se Viçidoli tani nuk e heq më jelekun antiplumb. E vërtetë është, por ai ka edhe fëmijë të rritur, që janë tashmë pjesëtarë klani aktivë; mirëpo falë respektit të madh që ushqejnë shqiptarët për qeveritarët e tyre të çdo marke, të gjithë ata do të jetojnë gjatë. Amen!
    Lumturia nuk eshte te besh c'do gje qe do, por te duash c'do gje qe ben!!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •