Ka të ngjarë që ne shqiptarët të jemi populli që e preferojmë më shumë se kushdo tjetër fjalën e urtë: Prej dy të këqijave, duhet zgjedhur më e vogla. Edhe popujt e tjerë orientohen nga kjo fjalë e urtë në rrethana të veçanta, por në përgjithësi atyre nuk u mungon largpamësia dhe guximi që t'i luftojnë të këqijat dhe të përqafojnë të mirat. Ky është tipari dallues i një shoqërie progresive, e cila nuk pret kurrë t'i bien të mirat nga qielli. Ndërsa ne, po: dimë vetëm të presim të na ndihmojnë koniukturat, por jo të bëhemi arkitektët e së ardhmes sonë, si gjithë bota e qytetëruar, ose si afrikanët sot. Të presësh si popull që jetën tënde të ta rregullojnë të tjerët, do të thotë që ta lësh atë peng në duart të tjerëve. A mund të vlerësohet veprim normal ky? Kush qenka Ai që iu dhimbka jeta jonë më shumë se sa neve vetë? Në qoftë se ne shqiptarëve na pëlqen ta trajtojmë jetën tonë si një bingo, pse të mos luajnë të tjerët me të? Dhe ata kanë luajtur e po luajnë me ne ashtu siç nuk kanë luajtur as me ndonjë popull tjetër edhe në Afrikë e jo në Evropë... Mirëpo ne, për të justifikuar ekzistencën tonë gjallë e keq, i referohemi gjithmonë regresit e jo progresit: zgjedhjes midis dy të këqijave, por kurrë luftën për të mirën. Në këto rrethana, dy klanet mafioze blu e rozë, që na sundojnë, dinë t'i rrumbullakosin mirë llogaritë: në marrëveshje të përhershme me njëri-tjetrin, ata janë bërë dy të këqija të barabarta. Në këtë mënyrë ata ia kanë arritur me sukses të suprimojnë edhe shpresën e fundit të një populli që di të lëngojë e të vuaj, por jo të luftojë për shpëtim: të drejtën e të zgjedhurit të së keqes më të vogël, mbasi ajo nuk ekziston më. Ka mbi njëzetë vjet që ne shqiptarët i kemi provuar e riprovuar me radhë të dy klanet mafioze blu e rozë në pushtet dhe të dy palët na kanë vjedhur, na kanë vrarë, na kanë tradhtuar për interesat e tyre karrieriste, por nuk e kanë marrë mundimin asnjëherë të na qeverisin si duhet. Madje kur njëra palë ka radhën të jetë në pushtet, pala tjetër pseudo-opozitare hesht për abuzimet e pushtetit (mbasi ka edhe përqindjen e saj aty) dhe vetëm çirret e ngjirret për gjëra boshe, që t'iu mbushë mendjen naivëve se po bën "luftë opozitare." Cili prej të dy klaneve mafioze blu e rozë qeverisi ndonjëherë me përgjegjshmëri? Cili prej tyre kërkoi që të dilnin para drejtësisë shkaktarët e katastrofës kombëtare të vitit 1997-'98? Cili prej të dy klaneve mafiozë këmbënguli që të gjykoheshin e të dënoheshin fajtorët e tragjedisë së Gërdecit? Cili prej tyre kërkoi me vendosmëri daljen urgjente para gjyqit të urdhërdhënësit për vrasjet në mes të ditës të 21 janarit? Cili prej këtyre dy klaneve antishqiptare po e ngre zërin kundër censusit si akt i hapur antikombëtar?
Pyetje të tilla mund të vazhdojnë gjatë, por përgjigjja mbetet e njëjtë: të dy klanet mafiozë që sundojnë Shqipërinë i kemi provuar prej mëse dy dekadash që janë njësoj të rrezikshëm dhe ne po përfundojmë keq e më keq. Atëhere, a na ka mbetur më hapësirë për të mos hequr dorë nga koncepti ynë disfatist i të zgjedhurit të së keqes më të vogël? A ka vend për të zgjedhur midis një gjarpri kober dhe një gjarpri me zile?
Shqiptarë! Është jeta jonë kjo që po rrjedh kaq mjerueshëm, e nëpërkëmbur nga mafia politike; nuk jemi duke xhiruar ndonjë film, të cilin mund ta rifillojmë nga e para.
publikuar nga K. Telegrafi
Krijoni Kontakt