Nga Gazeta Stadard


Duke u nisur nga disa zgjedhje që mund të bëni, ju mund të kontrolloni mjaft mirë mbledhjen e një pjese të mirë të pasurisë suaj. Disa elemente, në dukje të parëndësishëm, mund të bëjnë ndryshimin e madh në të ardhurat tuaja.

1.Martesa
Dy njerëz sigurisht që nuk shpenzojnë aq sa një, por të ndash shpenzimet e mbajtjes së shtëpisë mund të ketë një impakt befasues në pasurinë tuaj.

Sasia mesatare e shpenzimeve të një çifti të martuarish, sipas një studimi mbi shëndetin të bërë nga Census Bureau, është katër herë më e lartë se shpenzimet e një mashkulli beqar dhe pesë herë më e lartë sesa ato të një femre beqare.

Sigurisht që pritet edhe një shpërndarje, duke qenë se shumica e njerëzve në fakt martohen, çka do të thotë se grupi i beqarëve do të ishin më të varfër.
Por, hendeku mbi pasurinë mbetet thelbësor edhe kur sheh njerëz të së njëjtës moshë. Një studim 15-vjeçar i realizuar me 9000 njerëz, që fillonte në kohën që ata ishin 20 vjeç, tregon se personat që u martuan dhe që qëndruan të martuar, dyfishuan vlerën neto të tyre në krahasim me ata që qëndruan beqarë.

Për më tepër, pasuria e çifteve të martuara rritet më një hap më të shpejtë – me një mesatare prej 16% në vit, kundrejt rritjes prej 8% të një personi beqar. Kjo do të thotë se një çift që qëndron së bashku ka mundësi që të krijojë një pasuri më të madhe sesa mund të krijonin dy persona beqarë të marrë së bashku.

Por, atë çka jep martesa mund të ta marrë mbrapsht divorci. Katër vite para se të mbërrihet tek divorci, pasuria fillon të bjerë. Pas ndarjes përfundimtare, pasuria e një personi tipik të divorcuar është 77% më e ulët sesa ajo e një personi që kishte qëndruar gjatë gjithë kohës beqar.

“Kur meshkujt fillojnë të bëjnë pak përpara, vjen divorci dhe shkatërron pasurinë e të dyve, - shkruan Xhei Zagorski, një kërkues i Ohio University’s Center. - Të martohesh dhe të qëndrosh i tillë lidhet me sasi më të mëdha parash sesa po të ishe beqar”.

Përfundimi: Martohuni, por me zgjuarsi. Të shpenzoni para në këshillim martesor mund të jetë një investim mjaft i mirë, nëse kjo ndihmon në parandalimin e divorcit.

2. Pronësia mbi shtëpinë
Është e qartë që pronësia mbi një shtëpi lidhet me zotërimin e një pasurie më të madhe. Por, ashtu siç ndodh me një martesë, një fund i keq mund të jetë shkatërrues për financat tuaja.

Megjithatë, në vitin 2006, miliona njerëz zbuluan se një shtëpi të cilën nuk mund ta përballosh dot, nuk është një aset, si pasojë e krizës ekonomike globale, që nisi pikërisht nga shtëpitë. Përpjekja për të kryer një pagesë të papërballueshme dhe vrastare mund të tkurrë ndjeshëm kursimet tuaja apo t’ju detyrojë të shisni shpejt, gjë e cila do të ulte në maksimum vlerën tuaj në kartën e kreditit, efekt ky që mund të zgjasë deri në shtatë vjet.

Studimet mbi pasurinë e njerëzve që janë detyruar të shesin janë të pakta, por Zagorski dhe kolegu Lois R. Lupica nga Universiteti Maine School of Law zbuluan se rrëzimi nga një problem i tillë – falimentimi – ishte jashtëzakonisht jetëgjatë. Atyre, të cilët kishin falimentuar, u janë dashur së paku 25 vite për të rimarrë veten dhe të kapnin vlerën e pasurisë së një personi që nuk kishte falimentuar ndonjëherë. Pesëmbëdhjetë vjet pas falimentimit, pasuria e tyre mund të ishte qindra miliona lekë, ndërsa pasuria e atyre që nuk kishin falimentuar ishte më e lartë.

Përfundimi: Shumica e amerikanëve që zotërojnë një shtëpi (65.9%, sipas shifrave të fundit), vërtet e kanë një pronë, por ky vendim nuk është aq i sigurt. Sigurohuni më parë që do të qëndroni në të njëjtin vend për shumë vite. Gjithashtu ju duhet të keni hequr mënjanë edhe shumë kursime, në mënyrë të tillë që të mund të mbuloni shpenzimet e mirëmbajtjes dhe riparimet. Së fundmi, përpiquni që të mbani pagesat e mëdha në shifrën 25% ose më pak të të ardhurave tuaja të përgjithshme. Kjo do t’ju ndihmojë për të siguruar sasinë e mjaftueshme të parave që do t’ju mbulojnë nevojat e tjera të jetës. Dhe mos harroni, ju doni të zotëroni një shtëpi, por jo të zotëroheni prej saj!

3. Arsimimi
Arsimi i lartë jo gjithmonë shpërblehet financiarisht. Në vendin tonë numri i diplomave është gjithmonë në rritje. Rastet më të dëshpëruara janë ato kur një person merr një sasi të madhe parash borxh dhe ose nuk arrin të marrë dot diplomën ose diplomohet në një fushë e cila nuk ka shumë të ardhme profesionale.

Megjithatë, për shumicën e të arsimuarve, diploma bën ndryshimin e madh. Të ardhurat mesatare familjare të një të diplomuari janë më të larta, ndërsa të një që ka vetëm diplomë të shkollës së mesme janë më të ulëta. Qendra Kërkimore Pju vlerëson se pas marrjes në konsideratë të sasisë së parave të hedhura për shkollim dhe të atyre të fituara më vonë, rezulton se në SHBA një i diplomuar fiton gjatë jetës së tij rreth 550,000 dollarë më shumë se një tjetër i padiplomuar, e një përfundim i ngjashëm, ndonëse jo në këto shifra duhet të jetë i vërtetë edhe për vendin tonë.

Për më tepër, shifra e të papunëve në radhët e të diplomuarve është sa gjysma e shifrës së të padiplomuarve.

Përfundimi: Një diplomë universitare është mjaft e rëndësishme. Në të ardhmen do të bëhet akoma edhe më e rëndësishme, por ajo që ka rëndësi është se çfarë studioni dhe se sa shpenzoni për atë. Studentët dhe familjarët e tyre kanë nevojë që të sigurohen se ju po studioni për një degë që ka mundësi të mira punësimi. Për më tepër, ata duhet të sigurohen që ju nuk po e teproni me kreditë.

4. Vetëpunësimi
Duhet të keni dëgjuar për statistikat e frikshme për sa biznese dështojnë, statistika që gjithsesi shpeshherë janë të ekzagjeruara. Një biznes familjar, është gjithmonë një zgjidhje e zgjuar për të nisur shtimin e të ardhurave, pasi këto, janë me kosto të ulët dhe mbi të gjitha me rrezik të ulët. Ndonëse fitimi nuk është i madh, me kalimin e kohës ekzistojnë edhe mundësitë e riinvestimit.

Një person që kërkon të nisë një biznes të vogël, fillimisht duhet të kërkojë për një ide të suksesshme biznesi, të pyesë veten a është i aftë për t'iu kushtuar këtij biznesi dhe të ndërtojë një plan biznesi
Një person që dëshiron të fillojë një biznes të vogël, duhet të bëjë tri gjëra para se të sigurojë fondet e nevojshme dhe gjetjen e një vendi të përshtatshëm për biznesin: të përcaktojë interesat dhe aftësitë e tij, të kërkojë për një mundësi të suksesshme biznesi dhe të ndërtojë një plan biznesi.
Për të pakësuar mundësitë për dështim, pronarët e ardhshëm të biznesit duhet t'ia fillojnë nga vlerësimi i fuqive dhe dobësive të tyre. Disa pronarë biznesesh të vogla provojnë një numër mundësish për biznese të ndryshme para se të vendosin për atë që pëlqejnë më shumë. Një vlerësim i ndershëm për vetveten mund të ndihmojë në eliminimin e eksperimenteve që harxhojnë kohë dhe janë potencialisht të kushtueshme (si për para, ashtu dhe për krenari personale).
Bizneset nuk lulëzojnë vetëm sepse pronarët e tyre janë shumë punëtorë, por sepse prodhimi i këtij biznesi plotëson një nevojë të caktuar. Prandaj hapi tjetër para se të filloni një biznes të vogël është identifikimi i një mundësie për të plotësuar një nevojë.
Një mënyrë për ta bërë këtë është të kaloni disa vjet duke punuar në një fushë me interes për ju. Ndërsa punoni jini të vëmendshëm. Çfarë produktesh dhe shërbimesh siguron tashmë kompania? Kush i blen ato? A janë klientët të kënaqur? A dëshirojnë diçka që kompanitë ekzistuese nuk ua sigurojnë? Përgjigjja e pyetjeve të tilla mund t'ju sugjerojë një mundësi për një biznes të ri. Ju mund të zgjidhni gjithashtu një fushë në bazë të njohurive tuaja të veçanta, interesave, aftësive ose lidhjeve personale.
Shumica e personave nga bizneset e vogla zakonisht ndërtojnë një plan biznesi. Në të vërtetë, shumica e bankave vendosin t'u japin kredi vetë bizneseve të vogla që kanë një plan të tillë formal. Pjesa financiare e planit është më e rëndësishme për kreditorët sepse shpjegon si pronari do të sigurojë vazhdimësinë e biznesit. Megjithëse shkaku kryesor për dështimin e bizneseve të vogla është menaxhimi jo i mirë, shkaku tjetër është edhe mungesa e parave për të vazhduar veprimtarinë. Plani i biznesit duhet të përfshijë treguesit më të rëndësishëm financiar për të siguruar fondet e nevojshme për fillimin dhe më vonë vazhdimin e aktivitetit.

5. Vendosni të kurseni
Shpeshherë duket se është e pamundur, por në fakt, kursimi është thjesht një hap larg, pasi është tërësisht në dorën tuaj, mjafton që të vendosni të kurseni.

Secili prej nesh ka një mënyrë të vetën për të kursyer para, por jo të gjithë arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë. Për dorëlëshuarit, faqja amerikane “ehow.com” ka hartuar një sistem të përbërë prej dhjetë pikash të thjeshta, të cilat të mësojnë se si të shpenzosh më pak të holla, gjë që në këtë periudhë krize nuk është vetëm e sigurt, por edhe e nevojshme. Dihet që muajt më të mirë për të kursyer para janë gjatë verës, jo kur jeni me pushime, por kur qëndroni në shtëpi. Gjatë asaj periudhe keni më pak stres pune dhe më pak miq rreth e rrotull me të cilët të dilni darkave, apo të bëni pazar. Përveç kësaj keni edhe gjithë kohën e botës në dispozicion për t’u ulur në tavolinë dhe për të bërë llogaritë.
Paratë nuk mjaftojnë kurrë, megjithatë mund të fitoni duke marrë ndonjë shpërblim të vogël në punë ose duke gjetur diçka tjetër e cila është më e thjeshtë për t’u realizuar. Për të pasur më shumë para në dispozicion, duke mbajtur të pandryshuar standardin e jetesës, do të mjaftonte të kursenit pak më shumë, pa e tepruar me koston e blerjeve, sidomos për produktet e përditshme që blihen më shpesh. Ka shumë nga ata që besojnë se për të shpenzuar më pak është e nevojshme të blihen produkte të një cilësie të ulët, por nuk është kështu. Sot është e lehtë të gjesh produkte cilësore me çmim të ulët, sepse të gjitha aktivitetet tregtare, madje edhe një dyqan i vogël poshtë shtëpisë, bëjnë oferta speciale dhe ulje çmimesh. Kështu, për të kursyer, gjithmonë pa hequr dorë nga cilësia, është e nevojshme të dini ku ta blini produktin që keni nevojë.