Në ditën e Bajramit, Pashkës e Ashures në Shqipëri nuk ka sesi mos të bjerë në sy shkëmbimi i vizitave reciproke të përfaqësuesve të këtyre feve tek njëri tjetri. Por a është kjo një tolerancë e mirëfilltë fetare. Fatkeqësisht mendoj se kemi të bëjmë me një bashkëjetesë fetare (e asistuar nga një indiferencë fetare) që jo domosdoshmërisht duhet të ketë edhe tolerancën brenda. Edhe pse disa vjet përpara, kur mbroja temën e diplomës pasuniversitare në Universitetin e Torinos, me një tematikë të ngjashme, përpiqesha t’i mëshoja faktit se në Shqipëri egzistonte një tolerancë e theksuar fetare, isha koshient që më shumë se “tolerancë fetare” ishte një “indiferencë fetare” që karakterizonte shqiptarët. Por përsëri kërkoja që ta anashkaloja këtë aspekt pasi më pëlqente që të ngrija disa vlera me të cilat mund të krenohesha që isha shqiptar. Edhe pse do të doja të ishte e vërtetë ajo që reklamoja si të tillë në vetvete e ndieja se shprehja “tolerancë fetare” peshonte shumë për kurrizin e brishtë të një vëndi përgjithësisht “intolerant” si i yni. Do ta cilësoja tolerancën fetare si më kulmoren në hierarkinë e vetë tolerancës. Në fakt tingëllon çuditshëm që në kontekstin e “tolerancës fetare” ku shumë vënde perëndimore me kulturë e civilizim më të theksuar se ne, kanë mjaft probleme, Shqipëria, të dilte në pole position. Europa perëndimore e cila duhet të vlerësohet për një tolerancë universale për fat të keq në tolerancën fetare ka ende shumë për të bërë. Atje ku njerëzit mund të jenë tolerantë ndaj shumë fenomeneve, kanë ende problem që të pranojnë myslimanizmin si një fe të denjë (pa u ndalur tek vendet islame që janë pothuajse armiqësorë ndaj fesë kristiane e hebreje). Pra në një Shqipëri me mjaft probleme politike, sociale e ekonomike nuk ka sesi të shitet “indiferenca fetare” e trashëguar prej shekujsh (por më tepër gjatë periudhës së komunizmit) për “tolerancë fetare” të fituar rishtaz. Në vendin tonë ku arrihet deri aty sa të mos respektohet tjetri thjesht për një këndvështirm të kundërt nga i yni, nga një opinion apo një bindje e ndryshme politike (nëse flasim vërtet për bindje politike të mirfillta dhe jo për interesa të momentit) nuk ka sesi të mungojë edhe intoleranca fetare në rrafshin e një intolerance gjthpërfshirëse që ka zaptuar Shqipërinë. Këto fenomene intolerance fillojnë nga ato brenda llojit si p.sh. lufta për pushtet e prona në Komunitetin Mysliman e deri tek ato ndërfetare për të përfituar disa përqindje përkatësie më tepër nga regjistrimi i fundit i popullsisë. Feja e cila në Shqipëri duket si më e papërlyer në interesa të caktuara etnike e ekonomike dhe që ka si qëllim parësor ushtrimin e rolit të saj duket se është feja katolike. Por fatkeqësisht edhe katolikët çalojnë në aspektin e tolerancës fetare. Dhe këtu e kam fjalën për katolicizmin në rang botëror. Kjo vjen si pasojë e dëshirës së klerit (kristian e mysliman) për të monopolizuar ndërmjetësimin e individit me Zotin. Ndërkohë që feja duhet të ishte partizane e tolerancës, jo që nuk e bën këtë por përkundrazi, merr një rol intolerant duke shkelur një ndër parimet bazë që vetë propogandon. Jam i mendimit se marrëdhënia njeri-Zot është shumë personale dhe kleri ka për detyrë që të përhapë fjalën e Zotit dhe jo të marrë eksluzivitetin e ndërmjetësuesit midis të dyve. Dhe aq më pak të marrë guximin për të cilësuar fenë tjetër si një rrugë jo dhe aq të drejtë sa ajo që përfaqësojnë vetë. Personalisht besoj se si kristianizmi ashtu edhe myslimanizmi të çojnë tek i njëjti Zot. I vetmi dallim është se Ky u ka folur popujve të ndryshëm në gjuhë të ndryshme dhe u ka impostuar rregulla e detyra jo të njëjta (por shumë të ngjashme në thelb) kulturave që dallojnë nga njëra tjetra.
Mendoj se feja ndihmon në ecjen e shoqërise përpara dhe në mbrojtjen e vlerave të caktuara. Por nga vetë fetë nevojitet një rol më i dukshëm për frymëzim me tolerancë tek ndjekësit e tyre. Duhet t’i bëjnë ata që të kuptojnë se duke qënë ekstremist nuk mund të jesh një besimtar i mirë. Ato (fetë) duhet të luajnë një rol që ekstremizmi të goditet që në zanafillë pasi depërton me shpejtësi marramendëse në shoqëritë me probleme sociale e ekonomike. Dhe shembuj konkretë për këtë janë si ekstremizmi islamik ashtu edhe ai i djathtë antiislamik. Njerëzit duhet të besojnë në fetë respektive por më shumë se në to duhet të besojnë në Zot.
Në Shqipëri drejtuesit e feve të ndryshme nuk duhet të ndalen thjesht në vizita kortezie midis tyre, por duhet që të ushqejnë me frymë tolerante e antiekstremiste besimtarët në mënyrë që në një të nesërme (kur një pjesë e mirë e shqiptarëve të ndihen besimtarë të vërtetë dhe mos të jenë më “indiferentë fetarë”) të mos gjendemi përballë ndonjë fenomeni të vështirë për tu menaxhuar.
Krijoni Kontakt