FSHIHEJ NE VLORE-Mafiozi italian,dialogu me RENEA para arrestit
OPERACIONI "KALIPSO"/Albino Prudentino, 59 vjeç, u arrestua në banesën e tij në Vlorë, pas një operacioni të forcave speciale të policisë shqiptare, koordinuar nga Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shqiptar dhe Prokuroria e Antimafias në Leçe të Italisë. Një grup prej 23 oficerësh të Repartit të Neutralizimit të Elementëve të Armatosur, u nis pak para mesnatës në drejtim të Vlorës, për realizimin e aksionit të koduar “Kalipso”. Policia shqiptare u mbështet edhe nga oficerët e Antimafias italiane, që morën pjesë në arrestimin e të shumëkërkuarit Albino Prudentino. Rreth orës 01:00 pas mesnate, forcat speciale rrethuan tri pallate, pranë njëri-tjetrit në bregdet, në afërsi të Shkollës së Marinës, në Vlorë. Bosi i “Sacra Corona Unita-s”, që ishte edhe shënjestra e policisë, ndodhej në apartamentin e tij në katin e tretë të pallatit. Në katin e parë të kësaj ndërtese ndodhet restoranti “Piazza Italia” dhe një piceri, në pronësi të 57-vjeçarit. Ndërkohë që në katin e dytë ishte një ambient me kompjuterë pokeri, që së shpejti do të kthehej në kazino. Asnjë prej oficerëve që morën pjesë në operacion nuk ka qenë në dijeni se kush ishte personi që po arrestohej, me përjashtim të drejtuesit të operacionit në repartin RENEA dhe shefes së Antimafias në Prokurorinë e Leçes, e cila u ndodh personalisht në Shqipëri për të ndjekur aksionin. “Goditja” ishte llogaritur të kryhej në orën 04:00 dje në mëngjes, pasi në të njëjtën orë do të ekzekutoheshin edhe 10 urdhër-arreste të tjera të Gjykatës së Leçes. Shtatë prej këtyre arresteve u ekzekutuan në Itali dhe një në Tajlandë. Të gjithë personat e kërkuar u kapën në befasi, pa pasur mundësi të komunikonin me njëri-tjetrin.
Arrestimi i mafiozit në Vlorë
Në orën 03:50, skuadra speciale e RENEA-s, me kaska në kokë dhe armë të drejtuar në derën e apartamentit të Albino Prudentinos, ishte në gatishmëri për të ndërhyrë. Drejtuesi i operacionit i bie ziles së apartamentit dhe brenda pak sekondash dera hapet nga bosi i “Sacra Corona Unita-s”, i veshur me pizhame, i cili në momentin kur pa tytat e armëve që i ishin drejtuar u shtang për disa sekonda. “Ka ndonjë problem?”. Këto ishin fjalët e vetme në gjuhën shqipe, me të cilat ai iu drejtua policisë. “Jemi policia. Si quheni?” Vazhdon dialogun drejtuesi i operacionit. “Albino Prudentino...”, vjen menjëherë përgjigja e italianit dhe më pas ndërhyn policia: Jeni i arrestuar. Prudentino vendos të kërkojë disa shpjegime në lidhje me vendimin për ta arrestuar, pyetur sërish drejtuesin e operacionit. “Kam ndonjë problem nga drejtësia shqiptare? Keni urdhër arresti?”. “Nga drejtësia shqiptare jo, por nga ajo e vendit tuaj, po”, ka qenë përgjigja e policisë. Drejtuesi i aksionit ka treguar dokumentin: Urdhëroni urdhër-arrestin”. Në kohën kur Prudentino vështronte urdhër-arrestin në ngarkim të tij, policia bën gati prangat dhe një grup tjetër futet për të kontrolluar banesën. Bosi i “Sacra Corona Unita-s” nuk bëri asnjë rezistencë, shpjeguan burimet, por u nis përkrah forcave speciale për të zbritur shkallët e pallatit. Pas disa hapash u kujtua për një kërkesë të fundit. “A mund të kthehemi në shtëpi, të marr ilaçet e mia të diabetit?”. I kapur nga krahët dhe i prangosur nga oficerët e policisë shqiptare, Prudentino lejohet të futet edhe një herë në apartamentin e tij, merr ilaçet e më pas shoqërohet me makinat e policisë deri në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku aktualisht pret vendimin për ekstradimin.
Të arrestuarit
1. Albino Prudentino, 59 vjeç
2. Giuseppe Ercole Penna, 36 vjeç
3. Bruno Bembi, 48 vjeç
4. Nicola Nigro, 36 vjeç
5. Giovanni Vicientino, 48 vjeç
6. Maurizio Vicientino, 34 vjeç
7. Angelo Cavallo, 38 vjeç
8. Tiziano Maggio, 33 vjeç
Djali i mafiozit,shtëpi në Vlorë
Forcat e policisë, të informuara edhe për vendndodhjen e djalit të bosit të “Sacra Corona Unita-s”, kanë ndërhyrë në të njëjtën kohë edhe në vilën e Albino Prudentinos, djali i të arrestuarit. Ndaj tij nuk kishte asnjë mandat arresti, por policia ka kryer kontroll në banesën e tij në Vlorë, për të verifikuar nëse mund të gjente armë, lëndë narkotike apo ndonjë objekt tjetër të jashtëligjshëm. Vila e djalit të mafiozit ndodhet edhe ajo në zonën e Ujit të Ftohtë, në Vlorë, pranë pallatit ku banonte 59-vjeçari. Djali i të shumëkërkuarit jetonte aty me gruan dhe fëmijët e tij prej disa vitesh, pasi kishte ndërtuar vilën luksoze.
Bllokohen pronat
Menjëherë pas arrestimit të 59-vjeçarit me shtetësi italiane në qytetin e Vlorës, policia shqiptare ka nisur procedurat për bllokimin e pasurive të tij. Sipas burimeve nga policia, shtetasi italian mund të hetohet në Shqipëri për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale, duke qenë se ka dyshime sipas të cilave ai ka përdorur paratë e aktivitetit mafioz për përfitimin e pronave në Vlorë.
Prudentino, telefonata me Provenzanon
Albino Prudentino, i prangosur dje në Vlorë, ishte arrestuar më parë më 10 janar të vitit 2001, në Athinë të Greqisë. Atëherë ai akuzohej për kontrabandë cigaresh në shifra marramendëse. Hetimet pas arrestimit të tij zbuluan të fshehtat që po kurdiseshin nga klani mafioz puliez i Sacra Corona Unita, për të dominuar veç Pulias edhe zonën e Leçes. Dhe ky fakt u zbulua pas përgjimit të një bisede telefonike të zhvilluar nga i arrestuari në Vlorë, Albino Prudentino me bosin e bosëve të “Cosa Nostra-s”, Bernardo Provenzano. Ky i fundit ndodhet në burgjet italiane, ku ruhet me masa të rrepta sigurie, pas arrestimit 3 vjet më parë. Për 60 vjet ai kishte qenë në kërkim nga policia italiane, duke u konsideruar bosi më i madh i mafias, pas arrestimit të Toto Riina-s.
Panorama
Krijoni Kontakt