Gazeta Sot, 07 Shtator 2011
Ish ushtarakët, koha për aderim në një shoqatë të vetmeNga Xheladin ÇELMETA
Ish ushtarakët duhet të riorganizohen. Sa më parë të jetë e mundur.
Përvoja e deritanishme ka treguar qartazi, se aderimi në disa shoqata nuk i ka sjellë asnjë dobi objektivit bazë të tyre, rifitimit të një Statusi të plotë. E vlerësoj si një definicion të saktë, atë që ka shprehur disa herë në media, koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, se “që shoqata e ish ushtarakëve të ketë një mision dinjitoz, së pari vetë ish-ushtarakët duhet të angazhohen. Të angazhohen konkretisht. Të paguajnë edhe kuotazicione”.“Ngrehina” e çdo shoqate është e destinuar të bjerë pa këtë lloj kontributi, i cili normalisht duhet të jetë modest, jo dëmtues për xhepat e varfër të tyre, por ama që duhet të jetë ekzaktësisht korrekt dhe transparent.
Për Statusin e Ushtarakut, qysh pas vitit 1991 e këtej, dihet që ka një përpjekje të përhershme nga ish ushtarakët, që ai të përfitohet në të gjithë dimensionin e vet. Ish ushtarakët kanë protestuar edhe kur në pushtet kanë qenë të majtët, edhe kur kanë qenë të djathtët, sikurse ndodh tani. Por e vërteta është se zëri i protestës së tyre ishte shumë më “agresiv” kur e majta kishte drejtimin e vendit pas 1997-tës. Kujtojmë që gjatë viteve 2000-2002, këto protesta ishin në apogjeun e tyre. Ish ushtarakët protestuan edhe para një viti përpara godinës së Parlamentit shqiptar, për t’ju kundërvënë Aktit Normativ lidhur me pensionet. Në të dy rastet, rezultatet kanë qenë thjeshtë mediatike. Këto protesta, më së shumti iu kanë vlejtur reporterëve të shtypit për të mbushur hapsirat televizive apo ato të gazetave, se sa vetë ish ushtarakëve.
Aktualisht, sot kemi në veprim dhjetra shoqata të ish ushtarakëve. Natyrisht, asnjëra prej tyre nuk thotë që Statusi i Ushtarakut nuk duhet të zbatohet. Presidentët e këtyre shoqatave të ish ushtarakëve (natyrisht, ata janë persona pa ndonjë fuqi ekzekutive), të parin objektiv të tyre thonë se kanë Statusin e Ushtarakut. Por kur vjen puna për tu bashkuar në një tryezë, dhe për ta mbështetur këtë objektiv madhor, hezitimet për shkaqe nga më banalet nisin të shfaqen. Ta zemë; si shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (ShKURSh), ashtu edhe Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (AKURSh), e të tjera, që është vështirë tua artikulosh emrat, ndahen mes tyre për vogëlsi dhe jo për çështje thelbësore. Njera “krenohet” se “kemi bashkëpunime intensive me NATO-n”, e tjetra se “kemi programe konkrete pune me EUROMIL-in”. As njera, e as tjetra nuk bien poshtë, natyrisht, por e gjithë puna është se si të jemi bashkë në këto synime, për t’i afruar ish ushtarakët në një organizatë të vetme, në një shoqatë të vetme për të “rritur akordin e zërit”. Jo të mbetemi si deri tani; “shoqata e aviatorëve”, “shoqata e xhenierëve”, “shoqata e topografëve”, “shoqata e këmbësorëve”, etj., etj.
Ky “pyll” shoqatash, natyrisht që nuk do të na orientojë aspak drejt Statusit të Ushtarakut. Asnjë lloj rëndësie nuk ka, e nuk do të ketë, se kush do jetë në pushtet sot a nesër. Gjithçka varet nga vetë ish ushtarakët, nga aftësia e tyre për t’u riorganizuar me standarde, vërtetë euroatlantike, vërtetë perëndimore. Tendencat e kohëve të fundit për riorganizimin e ish ushtarakëve në një shoqatë të vetme, duket se do jenë dhe shkëndijat e para të një lufte ambicioze për të shmangur “shkërmoqjen” e komunitetit të ish ushtarakëve në gjithë vendin. Jam tronditur një mëngjes teksa një telefonuese e emisionit të mëngjesit të gazetarit Bashkim Hoxha, familje minatori, i përfliste ish ushtarakët si “parazitë të dikurshëm” që “s’paskan bërë gjë tjetër veçse, paskan ngrënë konserva mishi”(!). Njëlloj sikur ne ish ushtarakët të përflasim minatorët, për racionin e qumështit që e merrnin falas dikur, përpara se të hynin në galeri. Si ish ushtarakët, edhe minatorët e kanë të drejtën e tyre për të fituar atë që iu takon me ligj, për punën e vështirë që kanë patur secili në profilin e vet. Ish ushtarakët duhet të riorganizohen në një shoqatë të vetme, jo për zhurmë mediatike, siç kanë bërë deri tani, por për të sensibilizuar e argumentuar në institucionet më të larta të shtetit, deri në Parlament, se përse atyre iu takon Statusi i mohuar deri tani.
Të studiohet përvoja amerikane, gjermane, britanike, franceze, zviceriane, apo edhe e vendeve afër nesh, si Italia apo Greqia. Ne jemi tani pjesë e NATO-s, dhe këtë gjë e themi me krenari legjitime, por të mos na rrëmbejë euforia e kotë, sikur çdo gjë tek ne funksionon sipas rregullave e standardeve të NATO-s. Natyrisht, jo se nuk duam, por se kaq mundemi për momentin si shtet e si qeveri. Ky shtet, sigurisht që do të përparojë më tej në këtë drejtim në të ardhmen.
Ish ushtarakët duhet me çdo kusht të rifitojnë dinjitetin e tyre në shoqërinë shqiptare. Të jetojnë si qytetarë normalë në këtë vend; të akomodohen me strehim; dhe jo të ndodhë që edhe pas lirimit nga ushtria, të jenë ende pa një çati mbi krye. Ta kenë pensionin e tyre të hedhur në një kartë krediti, dhe jo të shtyhen e të shqyhen nëpër radhë sportelesh për të marrë lekët në çdo datë “një” të çdo muaji. Ish ushtarakët shqiptarë duhet të jenë aq dinjitozë sa të mos i shohin me një zili të shprehur ish ushtarakët e vendeve të tjera europianë e atyre të NATO-s, sa herë që ata vijnë me ture vizitash në Shqipëri dhe kanë të tëra mundësitë të bëjnë turizëm elitar apo “shopingje” klasi. Ish ushtarakët shqiptarë së fundi, nuk kanë arsye të vuajnë moshën e tretë më keq sesa baballarët e tyre dje. Ndryshe, do të ishte vërtetë paradoks.
Krijoni Kontakt