Kapen në Shqipëri 15 të kërkuar në Itali për trafik droge e vrasje

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka deklaruar se tashmë do të nisë dhe hetimi për pronat e tyre

Tiranë Policia e Shtetit gjatë ditëve të fundit ka organizuar në të gjithë vendin operacione për kapjen e personave të kërkuar për krime të ndryshme në shtetin fqinj, Itali. Kështu, 15 persona të shpallur në kërkim nga ana e drejtësisë italiane, janë arrestuar gjatë tri ditëve të fundit në vendin tonë, me qëllim ekstradimin e tyre drejt shtetit fqinj. Gjatë një konference për shtyp, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, bëri të ditura detajet e këtij operacioni dhe emrat e personave të ndaluar. “Në kuadër të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane, është bërë i mundur arrestimi i 15 shtetasve shqiptarë të kërkuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, pasi akuzohen për krime të rënda të ndryshme. Ky operacion i rëndësishëm është organizuar dhe zhvilluar nga data 8 deri më 11 shtator nga strukturat e Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Departamentin për Sigurinë Publike, Drejtorinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar, si dhe Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Tiranë. Kurorëzimi me sukses i këtij operacioni është bërë i mundur në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet policore italiane dhe Zyrën e Ndërlidhjes Interforze të Policisë Italiane në Shqipëri.” – u shpreh Burgaj gjatë konferencës për shtyp. Më tej ai shtoi se ishte Ratifikimi i Marrëveshjes së lidhur ndërmjet qeverive të të dy vendeve nga Parlamenti Italian, që i hapi rrugën arrestimit të të gjithë atyre shtetasve shqiptarë, që janë të kërkuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, duke krijuar kështu mundësinë e përballjes së tyre me drejtësinë për krimet për të cilat akuzohen të kenë kryer në këtë shtet. “Nga strukturat e Policisë së Shtetit do të hetohen dhe pasuritë e këtyre shtetasve, duke konkluduar sipas rastit dhe me sekuestrimet e tyre në përputhje me aktet ligjore. Konkludimi me sukses i këtij operacioni është një tregues mjaft domethënës i bashkëpunimit shumë të mirë të vendosur ndërmjet Policisë Shqiptare dhe Policisë Italiane, në sajë të të cilit është bërë i mundur realizimi gjithnjë e më me sukses i këtyre lloj operacionesh. Po ashtu, dëshmon dhe një herë seriozitetin, profesionalizimin dhe besueshmërinë e Policisë së Shtetit në raport me partnerët ndërkombëtarë.” - mbylli deklaratën e tij drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Të arrestuarit

-Astrit Salihi, 33 vjeç, banues në Shkodër, për të cilin Prokuroria e Breshias, Itali, ka urdhëruar ndalimin, për veprat penale pjesëmarrje në organizata kriminale, e finalizuar me kryerjen e krimeve për shkeljen e ligjit për narkotikët, posedimin, transportimin dhe importimin e lëndëve narkotike, në Itali.

-Naim Dervishi, 50 vjeç, banues në Durrës, pasi për këtë shtetas Prokuroria e Leçes, Itali, ka urdhëruar ndalimin, për veprën penale “Mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike”.

-Hektor Dumo, 35 vjeç, banues në Durrës, për të cilin Prokuroria e Leçes, Itali, ka urdhëruar ndalimin, për veprën penale “Trafik të lëndëve narkotike”, në Itali. Gjatë kontrollit fizik, iu gjet e bllokua pistoleta “Clok Automatik”, të cilën e mbante pa leje.

-Gentian Abdyli, 37 vjeç, banues në Durrës, pasi për këtë shtetas Prokuroria e Shtetit Italian, ka urdhëruar ndalimin, për veprën penale të vrasjes.

-Ilia Beci dhe Lefter Aliu, përkatësisht 46 e 57 vjeç, banues në fshatin Radostinë e Zhupan, të rrethit Fier, pasi këta shtetas Gjykata e Milanos, Itali, i ka dënuar me nga 12 vjet burg për trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të miturve dhe marrjes pjesë në organizata kriminale.

-Arben Lamçja, 37 vjeç, banues në Elbasan, të cilin Gjykata e Apelit në Breshia, Itali, e ka dënuar me 14 vjet burg, për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”.

-Ferdinand Dedja dhe Genti Dedja, përkatësisht 34 e 38 vjeç, banues në Elbasan, për të cilët Prokuroria e Partos, Itali, ka urdhëruar ndalimin, për veprat penale “Vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje e shfrytëzim prostitucioni”.

-Myrteza Toto, 49 vjeç, banues në Berat, të cilin Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar me 22 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale të “Krijimit të Organizatës Kriminale me qëllim Trafikim të Narkotikëve”.

-Mikel Çuçaj dhe Altin Liçaj, përkatësisht 38 e 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi këta shtetas Gjykata e Torinos, Itali, i ka dënuar me nga 14 vjet burg për shkelje të ligjit mbi narkotikët.

-Agim Belba, 48 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin Prokuroria e Republikës Italiane pranë Gjykatës Apelit Firence ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit, për shlyerjen e dënimit prej 4 vjet e 10 muaj burgim për veprën penale të vrasjes me dashje.

-Tarzan Mullaj, 40 vjeç, banues në Tiranë, të cilin Gjykata e Apelit Milano e ka dënuar me 6 vjet burg, për favorizim emigracioni klandestin në rrethana rënduese, rekrutim femrash me qëllim prostitucioni, favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni me minorene, kërcënim/dhunë në rrethana rënduese.

-Ylli Ndoi, 34 vjeç, banues në Laç, pasi Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar me 21 vjet e 10 muaj burg për “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Arratisje nga burgu i sigurisë lartë”. Në momentin e kapjes këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan një pistoletë “Zastava” me një krehër me fishekë, si dhe një pistoletë “Ekol” me një krehër me fishekë.
MAPO